E merkure, 07.05.2025, 01:34 AM (GMT+1)

Kulturë

NJË FUKARA MË PAK

E marte, 24.08.2010, 08:26 PM


KUJTIM AGALLIU

 

NJË FUKARA MË PAK

 

- Tregim-

 

          Këtë vendim Basriu nuk e mori sa hap e mbyll sytë.

Lufta kishte qenë e gjatë, e ethshme, luftë për jetë a vdekje. Në shtëpi gjërat kishim marr të tatëpjetën këto dy vitet e fundit. Të gjithë kishin fluturuar; djem e vajza dhe ai ngeli fillikat me të shoqen. Të dy pa pension, pa përkrahje, pa asistencë, në pritje t’u binin kockat nga qielli që të jetonin. Edhe punë ishte e pamundur të gjeje, sidomos në prag të moshës së tretë. Edhe me borxhe e lista te dyqani i lagjes nuk shtyhej. Një ditë ato duheshin shlyer se tek e fundit ditët do të të falnin, por paratë kurrsesi.  Epo kështu nuk shtyhej! Basriun e kishte kapur një ngërç i paparë kurrë në jetën e tij dhe sa vinte e tretej e mbyllej në vetvete. I braktisi të gjitha, kafenë me shokët, një teke raki që e pinte çdo mëngjes, cigaren: me një fjalë, të gjitha, të gjitha të mirat e kësaj bote. Tani kërkesa e tij ishte mjaft minimale: vetëm pak bukë e djathë. Për faturat as që bëhej fjalë.

Durimi arriti fundin dhe thika i vajti në zemër. Kot që rronte, kot që u binte në qafë njerëzve. Më mirë vdekur se gjallë. Ky kishte qenë fati i tij dhe ai, kur s’e ndryshoi dot sa ishte i ri, tani as që bëhej fjalë. Por edhe që t’i jepje fund jetës, nuk ishte e lehtë. Sa e dhimbshme, të dëshiroje fundin, kur njerëzit bënin çmos për të jetuar qoftë edhe një ditë të vetme më shumë. T’i linte pas të gjitha, fëmijët, nipër e mbesa, shokë, miq e të njohur... jo, jo ishte mjaft pikëlluese. Por edhe zgjidhje nuk shihte përpara vetes. Me ligjin e ri pensioni donte edhe disa vjet të vinte. Me se do të jetonte këta vjet? Si do t’i tërhiqte zvarrë, kur çdo ditë që gdhihej  niste me dorën në xhep? “Më  dhimbset jeta, nuk është e lehtë ta braktisësh, por edhe kështu nuk kalohet” mendonte shpesh me vete, “Pse jetë është kjo? Jetë qeni, thuaj më mirë. Ishim më mirë kur ishim keq. Së paku kishim një kothere bukë. Do t’i jap fund. Nuk po duroj dot më. Nuk po e shtyj dot këtë qene jetë. Paskam pasur fatin e qenit.”, sapo përmendi fjalën “qen”, vazhdoi: “Por së paku qeni e gjen një kafshatë bukë se qen është tek e fundit dhe nuk i bëhet vonë se ku i fut hundët, mjaft të gjejë për të ngrënë. Po unë jam njeri, ore, njeri, dhe nuk ia zgjas dorën askujt për mëshirë. Kam rrojtur dhe do vdes me nder!” I dukej se po fliste me njerëz të padukshëm.

Pasi nuk gjeti asnjë zgjidhje tjetër, për ditë e net të tëra pa gjumë ai e mori vendimin: nuk mund të jetonte më në këto kushte të mjerueshme. Ishte i mbaruar krejt.

Tani që e mori këtë vendim të kobshëm filloi të mendojë për të tjera probleme që s’i kishin shkuar më mendje më parë:

“More, që do t’i jap fund, kjo as që diskutohet, por s’i do ta realizoj këtë, kjo më shqetëson. Të hidhem nga pallati!? Jooo, mos e dhëntë Zoti! Do të më dëmtohet trupi dhe unë s’jam aq i qullosur sa t’i prish formën. Pastaj, pastaj, kushedi sa dhimbje do të ndjej para qe të ndërroj jetë. Jo, kjo është gjë që s’bëhet!” I shkoi mendja tek rryma elektrike. Por edhe këtë e mendoi si një vdekje të frikshme, një vdekje që do t’ia nxinte trupin komplet dhe nuk e imagjinonte dot se çfarë dhimbjesh do të kishte. “Po sikur, po sikur...të varem?! Ja, bie fjala të shkoj nga pishat, buzë Shkumbinit dhe... hopa litarin në qafë. Ja, u bë!”, pastaj ndërronte mendim aty për aty: “Po pse, ore, dihet sa do të zgjas me gjuhën naaa, përjashta? Do të më shohim sytë llahtar gjersa të jap shpirt. Nuk bëhet, nuk bëhet dhe pikë. Duhet të mendoj diçka më të rehatshme. Një vdekje pa dhimbje, ashtu si duke fjetur...” Sa i shkoi mendja “si duke fjetur” sikur u përmend nga një ëndërr e bukur. “E gjeta, për nder, e gjeta! Me gaz, me gaz do t’i jap fund kësaj jete qeni. Shtrihem të fle, hap gazin në darkë, sikur pa dashje, dhe në mëngjes ‘Lamtumirë, lamtumirë, o jetë, që s’më gëzove njëherë të vetme. Lamtumirë, o njerëz, kudo që jeni. Do të më marr malli për ju, por kështu ishte e thënë. E humba luftën, s’po e shtyja dot më tej.’”

Tani që e fjeti mendjen edhe e gjeti mënyrën e vdekjes, Basriu po mendonte se si do t’ia thoshte të shoqes këtë vendim. Hajde ta dëgjoje atë kur të pshurrosej me lotët vuu e vuu, faqeve të fishkura. “Para se t’i them, mendoi, do të shkruaj dy letra. Me të parën do të bëj të qarta arsyet që më shtyn për të marrë këtë vendim fatal. Nuk kam qejf që ta fus policinë në telashe për të gjetur motivet e vetëvrasjes sime, pasi të kem ikur nga kjo botë. S’jam si disa që ikin në vrimën e zezë dhe lënë pas një hije më të zezë, pa një sqarim, një enigmë të madhe të përjetshme. Jo, jo, unë jam ndryshe. Nuk dua që për hatrin tim të vuajnë të tjerët më pas. Letrën e dytë do ta mbaj sekret. Do të lë një amanet që të ma lexojnë ditën e varrimit. Kur të thonë dy fjalë për mua le të lexojnë dhe atë, për ata që do të më nderojnë me ardhjen në përcjelljen time.”

Si i kaparosi edhe këto gjëra tani i erdhi radha t’i hapet të shoqes. Nga të gjitha që kishte menduar e vendosur deri më tani, kjo ishte më e vështira. Kishte frikë se duke e parë ashtu duke qarë, do t’i kthehej mendja dhe e gjithë përpjekja do t’i shkonte bosh. Do të ç’burrërohej po qe se nuk e çonte në vend vendimin që mori. Prapë do të binte në prehrin e vuajtjeve pa mbarim. Do t’i vinte një gurë zemrës dhe do t’i mbyllte sytë e veshtë përpara lebetisë së saj. Ndryshe nuk bëhej. Një Zot e di se sa e kishte dashur, veç saj nuk i kishte shkuar kurrë mendja për grua tjetër. Por fati e paska përcaktuar që të ndahej para kohe.

Një ditë para se të ndodhte gjëma e hoqi mënjanë dhe ia hapi zemrën:

- Je e fortë? – e pyeti.

- Uaa, pse kaq vjet që kemi kaluar bashkë, tani po kërkon ta dish. Sa halle kemi kaluar, a jam mërzitur ndonjëherë unë?

- Epo këtu është problemi. Unë s’po duroj dot më. Më ka shkuar helmi në zemër. Do vras veten.

- Ore, më duket se paske shkalluar! Ç’është ky muhabet, kështu? – dhe iu përlotën sytë. – Apo bën shaka me mua, shejtan!?

- Nuk është shaka, jo, e mora vendimin. Të paktën rro ti e mblidhu me kalamajtë. Mua m’u mërzitë jeta.

- Pse, për një copë bukë do vrasësh veten ti? Thirri, ore, mendjes, bukë edhe qeni ha.

- Aty është puna se unë nuk jam qenë dhe nuk bredh dot nëpër kazanët e plehrave. Prandaj lëre këtë punë dhe më dëgjo mirë! Se kur dhe se si do të ndodh nuk po ta them, por po të lë një amanet.

Kur e pa se ai po fliste me gjithë mend, ashtu siç e kishte menduar, ajo u llahtarisë. U ngrit në këmbë dhe vinte si e luajtur roitur nëpër dhomë. Pastaj papritur tha:

- Njerëzit paguajnë qimet e kokës për të shtyrë pesë ditë më tepër jetë, kurse ti që je naa, mashallah, do të vdesësh.

-  Aty më rri, unë nuk i kam ato qime që kanë ata, pa të cilat nuk rrojë dot, dhe mora këtë vendim. Prandaj dëgjomë, se nuk kam durim të të sqaroj fije e për pe. Po të lë një amanet. Të lutem, për hir të kohës së kemi kaluar bashkë, për hir të fëmijëve tanë, do të ma plotësosh. – Ai futi dorën në xhep dhe nxori dy letra. Ia zgjati duke i thënë: - Njërën lexojeni për veten tuaj dhe pastaj jepjani policisë. Thjeshtë për të ditur arsyet e vetëvrasjes. Tjetra është pak me xëc. As ti vetë nuk do ta hapësh. Do t’ia japësh Xhabirit ta lexojë pas fjalimit të tij. Vetëm më dëgjo, po qe i pirë dhe po s’pati marrë syzet me vete, mos e lërë ta mbajë ai fjalimin e përmortshëm. Lërja më mirë ta përgatisë Lulashi. Edhe letrën atij jepja ta lexojë. U morëm vesh? Lëri lotët tani dhe bëhu burrneshë, merr masat të mos të të vijë papritur. Hë, se desha harrova, na, këtu ke edhe listën e njerëzve që do të lajmërosh, se çoroditesh pastaj dhe nuk di se çfarë bën. Kaq kisha dhe mos bëj gurgule se dëgjojnë fqinjët.

Ai bëri veshin e shurdhër, i vuri gurin zemrës dhe pa dëgjuar lutjet e përgjërimet e të shoqes, siç e kishte vendosur, një mëngjes nuk zgjua si çdo ditë.

Gruaja vuri filxhanët e kafesë në tavolinën e vogël dhe i dha shenjë si përherë të çohej, por batanija nuk luajti nga vendi. Filloi berihaja dhe sa hap e mbyll sytë lagja tej e tej e mori vesh. U dërguan edhe lajmërimet anë e mbanë ku ishin farë e fisi. Pas tri-katër orësh shtëpia nuk po i nxinte më të ardhurit. Më e papërtuara dhe e gjendur në të tilla raste ishte firma e funeraleve. Ata morën të gjitha masat që çdo gjë të realizohej në kohën e caktuar dhe të largëtit të kishin kohë të iknin sa më herët.

E shoqja e Basriut, sipas kërkesës së tij iu afrua Xhabirit me takt dhe kur e vuri re që nuk vinte era birrë e pyeti:

- Zoti Xhabir, ju faleminderit që na u gjendët në këtë fatkeqësi familjare! I ndjeri ma la amanet që të përgatisësh dy fjalë për të, sipas adetit. – Deshi u turpërua që ta pyeste nëse i kishte syzet me vete, por e përtypi fjalën. Ai instinktivisht kaloi dorën e majtë në xhepin  brendshëm të xhaketës, gjë që do të thoshte se syzet i kishte marr si në çdo rast tjetër të ngjashëm me këtë.

- Kam përgatitur për tërë dynjanë fjalime e jo më për burrin tënd, që e kisha mik për kokë. Ri e qetë! – tha dhe u largua të gjente një vend të përshtatshëm për të shkruar.

Në ceremoninë e përmortshme nuk kishte as prift as hoxhë. Jo se unë, Zoti më ndjeftë, nuk besoja, por lamtumirën e fundit doja ta ndaja vetëm me farefisin, miqtë e shokët. Me Zotin do të isha përjetësisht bashkë dhe do të merresha atje me Të.

Turma e rrethoi dheun e freskët të varrit dhe secili përpiqej të ishte sa më pranë, për të dëgjuar ndonjë llaf për të ndjerin. Xhabiri ishte në formë. Ai foli aq bukur sa disa filluan të përloten dhe nxorën shamitë të fshijnë sytë.  Sapo ai mbaroi, i pari që ishte më pranë varrit nxitoi të marrë lopatën të hidhte, siç i thonë, dy grushte dhé, por Xhabiri, ia largoi nga duart duke i thënë:

- Edhe një minutë, të nderuar pjesëmarrës. Do t’ju lexojë dhe një amanet, që ka shkruar me dorën e tij i ndjeri, dhe pastaj vazhdoni. – Nxori zarfin, e grisi dhe filloi të lexojë përsëri: “Të nderuar, farë e fis, miq e shokë që më nderuat sot në këtë udhëtim të fundit. Jua shpërblefshin për të mirë në familjet tuaja. Sikur këto shpenzime që bëtë sot në këtë përcjelljen time të fundit t’i kishit bërë më parë, ndoshta unë do të isha përsëri midis jush. Gjithsesi edhe kështu mirë është. Tani në qytet do të ketë një fukara më pak. Lamtumirë!”     



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx