E merkure, 07.05.2025, 02:21 PM (GMT+1)

Kulturë

ZONA E LIRË

E diele, 22.08.2010, 07:58 PM


KALOSH ÇELIKU

ZONA E LIRË

( Shkas: Shënimi i nëntëvjetorit të Marrëveshjes së Ohërit ).

 

     Ditë e natë i shoh dhe i dëgjoj katër – pesë radiotelevizione në ditë: MTV, SITEL, A1, DOJÇE VELE, ZËRI I AMERIKËS, BBC… EVROPA E LIRË… Dezinformata dhe realitet… MTV, që në mënyrë solemne e paraqet varrimin e ushtarëve dhe policëve, që kanë rënë për Maqedoninë… Kurora lulesh… Lotë… Dhe, krisma armësh në shenjë nderimi… Para sysh më dalin luftëtarët e lirisë të UÇK-së, që i varrosin aty ku bien dëshmorë, në fushën e betejës, në mes maleve të mbuluar me dushk…

 


     O Imzot, sa ua kam lakmi!… Dhe, mu kur dua të ikë nga vetvetja, nga ky libër e dëgjoj intervistën e Fazli Veliut për radion “ EVROPA E LIRË “…

     Askush nuk ka mandat të nënshkruajë marrveshje të disfavorshme për shqiptarët

     “Shpërthimi tjetër do të jetë me përmasa shumë më të mëdha, sesa deri tash, sepse do të jetë shpërthimi i një revolte të arsyeshme të popullit, po që se nuk merret në konsideratë udhëheqja politike e UÇK-së, por vazhdojnë të njëjtat etiketime sikurse në fillim…

     Në intervistën për radion “Evropa e Lirë”, kordinatori politik i UÇK-së për Evropë, Fazli Veliu për bisedimet në Ohër thotë: ”Mendoj se ende nuk janë plotësuar të gjitha kushtet që i kërkon çështja jonë e pazgjidhur shqiptare dhe marrëveshja nuk është në nivelin që duhet të nxisë ndryshimin e kushtetutës, për njohjen e të drejtave të barabarta të shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve aty. Mendoj se është qëllimi i testimit që bëhet në këtë mënyrë nga faktorët shqiptarë dhe maqedonas aty dhe në njëfarë mënyre largimi i vëmendjes nga faktori detyrues, faktori UÇK, në krye me udhëheqjen politike të saj. Kjo marrëveshje mund të ishte plotësisht e realizueshme nëse afrohet faktori politik i UÇK-së dhe nëse garantohet nga ky faktor dhe faktorët ndërkombëtarë, një ndryshim kushtetutar që do të ishte me perspektivë për ardhmërinë e popullit tonë në këto vise.”

     Në pyetjen se gjatë ditëve të ardhshme mund të arrihet një marrëveshje e kënaqshme për shqiptarët, Fazli Veliu deklaroi: “Mendoj se pa faktorin politik të UÇK-së, pa pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këto negociata nuk mund të arrihet qëllimi ynë dhe do të jetë një humbje kohe, njëkohësisht edhe një revoltë tjetër për luftëtarët e lirisë, të cilët kanë qenë të kujdesshëm edhe ndaj popullatës tjetër për të ardhur deri te qëllimi ynë, për ta ndryshuar statusin e shqiptarëve në Maqedoni. Mendoj se shpërthimi tjetër do të jetë me përmasa shumë të mëdha, sesa deri tash, sepse do të jetë shpërthimi i një revolte të arsyeshme të popullit, po që se nuk merret në konsideratë udhëheqja politike e UÇK-së kontributi i UÇK-së, po qe se nuk ndryshohet mendimi për UÇK-në, por vazhdojnë të njejtat etiketime sikurse në fillim, edhe pse ajo ka dëshmuar shumë herë se është një faktor që ndërton dhe nuk shkatrron, është një faktor që i pranon edhe të tjerët dhe nuk i mohon, është një faktor që ka ndryshuar shumëçka prandaj meriton të merret në konsideratë për vendin dhe perspektivën tonë.”

     Sipas tij, partitë politike shqiptare nuk kanë mandat të plotë të vendosin për fatin e shqiptarëve: “Nuk kanë mandat të plotë për shkak se këto subjekte nuk kanë realizuar asgjë nga premtimet e tyre partiake, që nga themelimi i tyre. Njëkohësisht, kanë qenë faktor që janë përshtatur me rrethanat e kohës, e mund të them lirisht se janë përshtatur edhe me vendimet e qeverisë maqedonase për të sulmuar popullin, sidomos atë të anës së Likovës, Sllupçanit, Orizares, Hotles… Pra, si të tilla këto subjekte nuk e kanë të drejtën morale, juridike dhe politike, që të marrin një vendim që do të ishte afatgjatë dhe do të ishte i kënaqshëm për popullin tonë, prandaj këta duhet të insistojnë të çojnë në vend faktorin politik të UÇK-së, i cili do të jetë ai që do të vendosë për të gjithë dhe këto dy subjekte legale të shkojnë pas tij, patjetër pas tij.”

     Shkupi ende jeton në ethe. Njerëzit posa bie terri mbyllen nëpër shtëpia. Dritaret e shumta të ndërtesave janë pa drita. Rrallë shumë rrallë kalon ndonjë makinë duke u ngutur rrugës si e çmendur. Një banor i fshatit Luboten, i cili iu kishte shpëtuar breshërive të plumbave dhe granatave konfirmon se, “shtëpitë digjen nga ana e paramilitarëve maqedonas të cilët kanë hyrë në fshat”.

     Në mbrëmje MTV-ja pas reklamave të “tigrave” e “luanëve” se si luftojnë kundër ballistëve shqiptar e jep edhe këtë lajm. “Në stacionin policor në Butel janë mbledhur, popullata maqedone e fshatit Lubanci dhe kërkon t’i dorëzon tre “terroristët” e burgosur nga policia maqedonase. Masa sa  vjen e shtohet, i bashkangjitet edhe ajo e Butelit. Në çdo moment pritet të dalë jashtë kontrollit, t’i sulet Çairit – komunë me popullatë shqiptare e Shkupit. Herë pas here dëgjohen edhe krisma armësh… Parolla antishqiptare… “ Çairit do t’ia vëmë flakën”!…

     Në fund, kopeja e tërbuar me paralajmërimin e kohës për nesër i jep fund kësaj çmendurie të një popullate. Megjithatë, Shkupin nuk e merr gjumi ose, fle me një sy të hapur. E pret vërshimën që disa herë me radhë është kërcnuar ta kalojë Urën e Gurit…

     E shuaj televizorin dhe marr ta shfletoj gazetën: Shefat e NATO-S, Unionit Evropian dhe OSBE-së sot në Shkup.

     Robertsoni, Sollana, Xhoana dhe Mishel pritet të marrin pjesë në aktin e nënshkrimit të Marrëveshjes paqësore, të parashtruar në Ohër nga liderët e partive shqiptare dhe maqedonase.

     Shkup, 12 gusht 2001 (Makfaks) – Udhëheqësit më të lartë të NATO-s, të Unionit Evropian dhe OSBE-së sot duhet të arrijnë në Maqedoni dhe të marrin pjesë në aktin e nënshkrimit të marrëveshjes të cilët e arritën liderët e partive politike, dy maqedonas dhe dy shqiptarë, në bisedimet në Ohër, lajmëroi pas dite Radio Shkupi.

     Duartrokitje! E shfletoj edhe një faqe: Ali Ahmeti, përfaqësues politik i UÇK-së.

   Ne e mbështesim marrëveshjen

     UÇK-ja është dakord me marrëveshjen: Këtu shohim që në bazë të kësaj marrëveshjeje, në Maqedoni të vendosen standarde evropiane, të hapet perspektiva që Maqedonia të integrohet në strukturat Euro – Atllantike; në bazë të kësaj marrëveshjeje, shqiptarët realizojnë në përgjithësi kështu, një projekt të vetin, ku do ta gjejnë veten të barabartë në shtetin e tyre.

     Zoti Ahmeti, a është UÇK-ja autore e sulmeve të këtyre ditëve kundër trupave maqedonase, për shembull e incidentit të sotëm?

     UÇK-ja nënshkroi një marrveshje me NATO-n, ku të dyja palët nuk kemi të drejtën e lëvizjes, kështu që unë sot shpreh keqardhje për trupat qeveritare që kanë hyrë në rrugë malore dhe kanë hasur në mina, të cilat ne nuk i kemi verifikuar në janë mina të vendosura nga ushtarët tanë, apo nga vetë forcat qeveritare, për të penguar Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare për të lëvizur në këto drejtime. Kështu edhe një herë shpreh keqardhje për këtë aksident.

     Zoti Ahmeti, cili është mendimi juaj për marrëveshjen midis partive politike, a jeni dakord ju me të gjitha çështjet e diskutuara, me të gjitha pikat për të cilat është arritur marrëveshja?

     Po sigurisht, që në biseda të tilla, në tryeza të tilla, ne Ushtria Çlirimtare Kombëtare kemi paraqitur platformën që nga fillimi i luftës. Sigurisht, që e gjithë platforma jonë nuk ka gjetur përkrahjen e duhur në këtë dokument, në këtë konferencë, që është miratuar dhe është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe nga partitë politike Shqiptare që kanë qenë pjesëmarrës në këtë konferencë. Kështu që këtu e shohim ne të arsyeshme, që konferenca, platforma që është aprovuar në këtë konferencë, platforma e paqës të gjejë mbështetje edhe nga UÇK-ja.

     Pra, ju jeni dakord me marrëveshjen e arritur, a mund të themi kështu?

     Po, UÇK-ja është dakord me marrëveshjen: këtu shohim që në bazë të kësaj marrëveshjeje, në Maqedoni të vendosen standarde evropiane, të hapet perspektiva që Maqedonia të integrohet në strukturat Euro – Atllantike, në bazë të kësaj marrëveshjeje, shqiptarët realizojnë në përgjithësi kështu, një projekt të vetin, ku do ta gjejnë veten të barabartë në shtetin e tyre.

     Pra, zoti Ahmeti, nëse nënshkruhet zyrtarisht marrëveshja, UÇK-ja do të përpiqej për zbatimin e saj, përfshirë këtu edhe çarmatimin tuaj?

     Sigurisht, që po. Ne veç i kemi projektet për çarmatosjen e UÇK-së. Këto projekte na janë afruar nga strukturat e NATO-s, nga i dërguari i zotit Robertson dhe jemi në përpunim e sipër të këtyre dokumentacioneve.   

    Edhe një ditë nën Rrap. Zonën e lirë, që ende nuk e kishte granatuar policia dhe ushtria sllavomaqedonase. Një zot e di pse. Ndodhë, pse ishte i vetmi vend ku rrokulliseshin shtambat me verë pa frikë. Ose, ku ta di unë në këtë vapë…

             E kisha varrosur veten nën hije duke e pritur Cucën Boheme me dy shtamba verë.          

Një shtambë të ma vë te koka, një te këmbët.  Në fund të ulet në dy gjunj, ta nxjerrë njërën shtambë me verë dhe të më japë të pi derisa të më ringjallë. Mos u trembni, kur do t’i hap sytë do ta kërkoj edhe shtambën tjetër me verë. Edhe këtë kur ta pi gjithë, të dyja do t’i varë përqafe si hajmalia.  Punemadhe çka do të thonë hoxhallarët. “ Patriotët “ kuqezi. Me siguri do të mendojnë, natën vonë ka përmjerë në sofër të xhindeve…

-         Tungjatjeta, zoti shkrimtar!

-         Tungjatjeta. E ktheva kokën, ishte Cuca Boheme…

-         Hë, a nuk më fton ta rrokullisim së bashku nga një shtambë me verë te Zona e lirë?…

-         Patjetër! Urdhëro, Cuca Boheme…

-         Tashti, edhe kemi arsye pse ngrejmë dolli. E fituam luftën… Edhe liria nuk është larg, zbriti maleve…

-         Luftën po, por jo edhe lirinë… Ende kemi rrugë… E dua një varr nën Rrap!…

-         E, shtambat me verë?…

-         Dihet. Edhe dy shtamba me verë…

-         Vetëm, duhet patur kujdes mos e mbysish veten mes atyre dy shtambave…

-         Jo. Vapë bën Cuca Boheme… Vapë… Vapë… E unë kam etje…

-         Ja, fute kokën mes këtyre dy shtambave!… Shuaje etjen!…

-         Luftë dua!… Luftë dua!… Luftë dua!…

-         Mbylle gojën! U nënshkrua dokumenti final për zgjidhjen e krizës politike dhe të sigurisë në Maqedoni. Ja, lexoje gazetën: ”Marrëveshja kornizë me tre anekset për zgjidhjen e krizës në Republikën e Maqedonisë, në prani të personaliteteve më të larta të institucioneve ndërkombëtare u nënshkrua dje në Shkup larg syve të opinionit dhe në një sekret të madh. Në bazë të asaj që është arritur në Ohër nga bisedat paraprake dhjetëditshe shqiptaro – maqedone me ndërmjetsimin amerikan dhe evropian, dje në Shkup janë nënshkruar tre dokumente..."

-         E  çka do të na sjellë e nesërmja?!…

-         Paqe… Liri…

-         E pabesueshme… Zoti e dhashtë… Vetëm, jo edhe Robërinë…

Dhe, i shoh bashkëpunëtorët e mi, miqtë e mi nën Rrap… Armiqtë… Melezët… “Patriotët” kuqezi… Trusakatët… Shumica janë mësuar vetëm të marrin me të dyja duart, rrasin xhepat... Barkun… Askujt nuk iu kujtua për mua këto ditë lufte. Ndonjëri edhe më harroi krejtë, nuk i rrotulloi me muaj numrat e telefonit. Me përjashtim të Cucës Boheme, që e prisja nën Rrap të m’i sjelli ato dy shtamba të shkreta plot me verë…

                 O Imzot! Po, si nuk iu kujtua ndonjë borxhliu të mi kthejë lekët në këto ditë të vështira lufte. Ose, të më trokas në derë, mos kam ndonjë nevojë. Jo. Edhe miqtë, edhe armiqtë m’i kishte përzënë lufta. Ndonjërit ia kishte lidhur ndonjë teneqe për bishti, përtej Atdheut. Ose, ku ta di unë kishte dalë kaçak në bregdetin Adriatik. E kishte pritur nënshkrimin e Marrëveshjes Shqiptaro-maqedonase… Trimëri me vete është edhe ikja. Pse, lepuri nuk është trim? Jo. Gabim. Lepuri është trim mbi trima. Po, Qëngji?! Gjithmonë e fajsojmë ujkun se e hanë te lumi. E kurrë nuk na ka shkuar mendja, mos vallë qëngji e do ujkun?! Vetë ka dëshirë që ta gjykojë te bregu… E ne turr nëpër vjersha e tregime, nëpër librat e këndimit: qëngji ia turbullon ujin ujkut… O Imzot, po deri kur do t’u besojmë këtyre fabulave… Përrallave… Nuk e themi haptas në ndonjë libër se, armiku më i madh i qëngjit nuk është ujku, po njeriu. Nuk  e besoni?!… Jo. Veten e paçit në qafë… Po, përrallën me Kësulkuqen? Nuk e dini?! Po, edhe Kësulkuqen nuk e hëngër   ujku, po gjyshja… Përsëri nuk më besoni, i rrudhni krahët. Edhe unë s’di pse humbi kohë, të ju bindë në këtë libër, kur vite me radhë ua kanë mbushur mendjen me kashtë se, gjithëmonë fajtor është ujku e qëngji viktima… Përralla… Përralla, që ju duhet t’i lexoni në librat e këndimit. Në fletoret e detyrave të shtëpisë, ta nxirrni                                                                  porosinë: Fajtor është qëngji që nuk e ha ujkun…

         Frikë. Edhe trimëri. Njerëzit prapë janë rralluar nëpër qytet. Vetëm, ndonjë  “patriot“ i vonuar sillet rrugëve si pordha në brekë, që ta shohin se gjatë gjithë kohës nuk e ka lëshuar shtëpinë. Unë si gjithëmonë nën Rrap me dy shtamba verë. Fatkeqsisht, edhe atë me lekët që m’i ka dhënë gruaja. Asgjë, më tepër, aq sa t’i paguaj gazetat dhe dy shtamba me verë. Ulem nën Rrap dhe i porosis dy shtamba me verë. I lutem zotit që të mos vijë ndonjë mik i imi që t’i paguaj edhe atij, se nuk kam më tepër lekë. Në ndërkohë vjen Patrioti i Vonuar, që nuk e pata parë gati një muaj. E hëngra, thash me vete…

-         Çka do të pini?

-         Një birrë…

Patrioti i Vonuar filloi të më rrëfejë se, si i kishte kaluar këto ditë. E unë se, si do ta paguaj edhe birrën e tij, ngase siç thash më lartë kisha aq lekë sa për t’i paguar dy shtamba me verë.

-         Na morët në qafë, më tha Patrioti i Vonuar…

-         Nuk e besoj… Dasëm nuk bëhet pa mish…

-         E di, ama kemi të bëjmë me një popull primitiv…

-         Edhe këtë e di… Dhe, i falemnderohem Zotit, që populli im nuk ndezi asnjë shtëpi, asnjë kishë…

-         Megjithatë, edhe një herë e dëshmuam se jemi popull me traditë… Histori…

Në ndërkohë erdhi edhe një i njohur i Patriotit të Vonuar… Edhe pse nuk e prezentoi kush, u ulë në tavolinë…

-         “ Patriotët “ kuqezi e paskan ndërruar lokalin, ndërhyri Patrioti i Vonuar… Edhe Kulturofagu…

-         Po, vetëm unë qe njëzetë vjet jam nën Rrap. E di edhe pse, ngase nuk e shoh patriotizmin aty ku e shohin shumica…

-         E pamundur. Gjithë “patriotët“ kuqezi janë ulur në lokalin shqiptar… Vetëm ti në lokalin e shtetit…

-         Hi-hi-hiii… E di pse, se çfarë patrioti është ai që pijet i ka dyfish më shtrenjtë se të shtetit… E plaçkit popullin e vet shqiptarë… Tekefundit, edhe shteti është i yni… Përpiqet t’i mbushë xhepat, plaçkisë shqiptarët edhe në këtë luftë… Edhe atë, a e di ai se, unë jam Kalosh Çeliku dhe “patriotizmin“ e tij e kam shkërdhyer në komunizëm dhe e shkërdhej edhe në “demokraci“…

-         Tybeistikfa, tha Patrioti i Vonuar. Megjithatë, Kulturofagu  është shqiptar…

-         Po. Ndofta, edhe mysliman turko-arab... Vetëm, unë e dua të jetë shqiptar edhe në vepër…

Biseda mori dhenë. Kamarieri erdhi dhe të gjitha pijet i pagoi Patrioti i Vonuar… Edhe mysafiri e pagoi një turrë. Ja, thash unë: për mua kush është patriotizëm… Edhe kjo shtambë me verë që e pagoi mysafiri… Konkrete… E jo vetëm fjalë boshe nëpër çajtore e xhami turko-arabe…

      Në fund, me aq lekë sa më mbetën, sa për sy e faqe i pyeta se çka do të pinë nga unë. Jo, thanë. Mjaftë është kaq për sot…

 O Imzot, thash me vete kur u ndamë dhe u përshëndetëm në rrugë, më shpëto nga këto “ patriotë “ kuqezi! Kulturofagu… Kurrë nuk të jam lutur kështu deri më sot… Kurrë… Mëshirë, o Zot!...  Amen…

     Natë. Edhe pse marrëveshja politike është nënshkruar, përsëri nuk ka ndonjë siguri permanente. Tërbimi i civilëve maqedonas, provokimet e hapura të policëve dhe ushtrisë sllavomaqedonase ndaj fshatrave shqiptarë, masakrat e fundit duke vrarë dhe gjymtuar me dhjetra shqiptarë të pafajshëm, nuk e bëjnë të mundur që popullata të ndjehet e qetë. Vetëm hyrja e trupave të NATO-s do të eleminonte shumë pasoja tragjike pse jo edhe psikologjike.

     Sinjalet e para për ardhjen e trupave të NATO-s në Maqedoni janë dhënë. Një grup prej 15 ekspertësh të aleancës veriatlantike pritet të arrijë në Shkup për të përgaditur terenin. Javën e ardhshme pritet të hyjnë edhe trupat ushtarake në Maqedoni, misioni i të cilëve do të zgjasë 45 ditë.

     Veprimet që ndodhin në terren, ngusin ardhjen e trupave të NATO-s në vatrat e krizës. Në qendër të vëmendjes së opinionit është edhe amnistia e përgjithshme për luftëtarët e UÇK-së.

     Persona të panjohur kanë shti me armë zjarri në shtëpinë e kryetarit të komunës së Çairit. Në Shkup - Veri, në muret e kishës që po ndërtohet në mes të popullatës shqiptare kanë shkruar UÇK… Shkaqe këto, që mjetet e informimit në gjuhën sllavomaqedonase të vazhdojnë me propagandën antishqiptare. “Terroristët“ po i kërcnohen edhe Çairit, që ta shpallin si Zonë të lirë…

     Ora njëzetetre, pak para mesnate. Me telefon më paraqitet anëtari i Drejtorisë së Manifestimit kulturor Mbrëmjet e poezisë në Strugë.

-         Mirëmbrëma! E kam gjetur belanë. Në Mbrëmjet e poezisë në Strugë, nuk mund të gjej asnjë poet, përveç Këlysh Llagut, që ta prezentojë poezinë shqipe…

-         E di, i thash. Dhe, ty të vjen çudi, përderisa vitet e tjera shtyheshin plot poetë oborri se kush do të marrë pjesë, tashti mbete vetëm me Këlysh Llagun, që gati për çdo javë në “ Flakën e mjerimit “ na bombardonte me shkarravina “patriotike”… Intervista të imagjinuara patetike…

-         Le gjithë e gjithë, po nuk duan të marrin pjesë edhe si mysafirë. Edhe atë kush, shkrimtarët e Oborrit?!…

-         Eh, kështu e ka kjo punë, brenda një nate u bënë “patriotë“… Edhe atë duke i përkundur Nëna Parti nëpër kabinete… Ministri… Organizata “humanitare” e joqeveritare edhe nëpër katunde…

-         Edhe çfarë “patriotësh” se, posa ua them qëllimin, duan të m’i xjerrin sytë…

-         Ashtu i ka mësuar Nëna Parti… E, halli?!

-         Halla, do burrë… Po, a kishe ardhë ti si mysafir në Strugë?

-         Kur, tashti pasi nuk vijnë poetët e Oborrit… Nënës Parti… Kurrë, nuk mund ta shoh veten në një manifestim kulturor bashkë me Këlysh Llagun, Kulturofagun, Melezët… Bërllokun kulturor, që na quajti edhe Talibanë… Jo. Ti e di se, unë edhe në komunizëm si kam pasur punët mirë me “vëllazërim – bashkimin”… Shtetin…Tashti, edhe më zi, dhe vaj halli nëse “vëllazërim – bashkimi” ka mbetur në mua që ta nxjerrë nga gjirizi…

-         Ke të drejtë, më tha anëtari i Drejtorisë së manifestimit kulturor: Mbrëmjet e poezisë në Strugë. Po, çuditem me shkrimtarët e Oborrit, që në komunizëm na shurdhonin me “vëllazërim – bashkim”, poezi për shokun Tito, e shi sot brenda një nate na u bënë “patriotë“ kuqezi. Vrasin e presin nëpër gazetat e Nënës Parti e të “vëllazërim – bashkimit”…

-         Eh, lum miku… Shkrimtarët e tillë i ndërrojnë partitë si kurva burrat… Sot, “patriotë“, ku ta dish çka mund të bëhen nesër…

-         Mut, bërtiti matanë telit anëtari i Drejtorisë së Manifestimit të poezisë…

 

 Shkup, 23 tetor 2001

Nën Rrap, te Zona e lirë…

 

Fragment nga romani: ME TRE VARRE, botoi “ASDRENI” – Shkup, 2002

 



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx