Kulturë
Individi
E merkure, 25.08.2010, 09:32 PM
Istref Haxhillari
Individi
(Tregim)
Ca më parë e ca më vonë, tërë fshati hyri në kooperativë. Në fillim njerëzit me zor e përtypën këtë emër të huaj. U vriste veshin, shumë i gjatë, pastaj me dy “o” sikur nuk soste njëra. Vështirë e patën edhe me fjalë të tilla si asamble, brigadë, emulacion e të tjera, që hynë bashkë me kooperativën dhe zunë rrënjë si ato shkorretat e dendura pranë kumbullave dhe arrave të fshatit. Skuadra dhe brigada në luftë domosdo hynin në punë, po tani dukeshin pa lezet, dalë boje. Dilikua i pati kapërcyer të tetëdhjetat, kur dëgjoi njerëzit t’i thërriste Asambleja, madje si shpesh. E mërzitur i tha së bijës.
-Ç’kërkon Hasan Beu? U bë kaq kohë, nuk ndihej derëziu.
E gjora plakë gjer vdiq nuk e mori vesh ç’ishte Asambleja.
Murat Fordinës as që i hynte në punë kooperativa me ata emrat e huaj të çuditshëm. Atij nuk i pëlqente dhe pikë. Nuk hyri me të tjerët, mbeti jashtë saj individ. Fshati e shikonte me habi këtë punë. Disa thoshin se e kishte rregulluar poshtë me ata të mëdhenjtë. Pati qenë partizan gjer në fund të luftës, madje jo dosido sa për numër, po komandant skuadre. Kur kujtonte atë kohë Murati thoshte.
-Përzumë hasmin e huaj.
Vetëm kaq mund t’i nxirrje me zor. Më tej heshtte, sado ta ngacmoje. Nuk vinte kurrë në takimet me nxënësit e shkollës, ku e thërrisnin si ishpartizan. Shmangej ngadalë, butësisht me gënjeshtra bindëse. Njëherë mësuesja e djalit të tij iu lut shumë dhe ai pranoi, po nuk vajti. Pata sëmurë lopën i tha asaj të nesërmen. Gojët e liga thoshin se qe bërë pishman për punën e kësaj kooperativës ardhur pas lufte, po ata kishin punën e tyre, s’i bëhej vonë nga fjalët e botës.
Kurse për kooperativën ruante mendim të palëkundur.
-Kooperativa është vullnetare, - arsyetonte, - të bëhet mirë hyn, s’të bëhet mirë nuk hyn. Mua nuk më bëhet mirë.
Kur i futeshin shumë me argumenta të forta, shkonte ca më tej në kundërshtinë e vet.
-Nuk kam grua, më del ndonjë fjalë. Njeriu për një nder rron.
Jetonte vetëm me djalin e madh. Gruan e ndau tre vjet më parë. Ajo i mori djalin tjetër më të vogël.
-Nuk qe grua për të qenë, - përgjigjej kur e pyesnin. Po të pinte ndonjë gotë shtonte nëpër dhëmbë i mërzitur si me dy mendje.
-Grua pisanjose, as hundët nuk fshinte, shtëpia qelbej. E përse duhet një grua që nuk di të mbajë pastër shtëpinë?
Në fshat tregonin se gruaja e tij ishte zonjë, po ai… Eh, ku mbahej burrë një gërnjar si Murati. E kishin parë shpesh kur e rrihte. Herën e fundit e rrahu aq shumë sa ajo mbeti sakate. Krahun e djathtë nuk e lëvizte lirisht, me zor e ngrinte deri te mesi. Pas kësaj nuk bëhej fjalë për pastërti, s’ishte e zonja të lante e fshinte.
E përzuri. Gjyqi ia dha gruas të dy djemtë, po ajo mori vetëm të voglin.
Dikur nga fillimi i kooperativës një komision propogande e thirri Murat Fordinën në zyrat e fshatit. Kryetari i komisionit lokal, shumë i ri për atë barrë hijerëndë, i kërkoi të bashkohej me të tjerët.
-Është direktivë, - u përpoq t’i mbushte mendjen.
-E di, - tha Murati dhe sikur u mblodh nga ajo fjalë e huaj. Pa shiko ç’u pjell mendja? Hej dreq, direktivë!
-Atëhere?
-Me baza vullnetare, - u përgjigj, - kush do hyn, kush nuk do s’hyn.
-Ti s’je më i mirë se të tjerët, - u krekos kryetari i komisionit lokal.
-E di,- tha Murati, - ka më të mirë, po ka edhe më të këqinj.
-Po bëhesh pengesë.
-Secili ka mendjen e tij.
-S’e ke mirë, - ngriti zërin i deleguari.
-I zoti e di ku pikon çatia, - u përgjigj gjakftohtë.
-Unë të lidh, - u nxeh tjetri, ngaqë nuk dinte ç’ti thoshte.
-Lidhmë, - tha Murat Fordina qetësisht.
Kryetari i komisionit lokal urdhëroi policin t’i vinte prangat. Murati zgjati duart pa asnjë kundërshim. Ashtu vajti në Lokalitet ku ndodhej kryetari i komisionit të rrethit. Ky qe burrë i moshuar trupmadh, kockanjar nga ata autoritarët e rëndë, që të shtypin me peshën e tyre. Vinte në atë detyrë nga lufta, pasi pati kryer me sukses detyra të tjera më pak të rëndësishme nga kjo e krijimit të kooperativave bujqësore.
-Murat, po ti?
-Më lidhi ky shoku yt.
-Përse kjo marrëzi!? - u habit kryetari i rrethit.
Në luftë e kishte patur komandant Murat Fordinën, e njihte si trim dhe të besës. Përreth u grumbulluan kureshtarët. Shikonin të habitur burrin me duar të lidhura, që nuk e prishte fare terezinë. Situata u përkeqësua.
-Kundërshton të hyjë në kooperativë, - tha me krenari kryetari buzëqumësht i komisionit lokal.
-Hajvan! - e shau kryetari i rrethit, - lirojeni!
Polici u afrua ta zgjidhte, Murati nuk pranoi.
-Dua të shko kështu në Komitet.
-S’është nevoja, - i tha kryetari i rrethit.
-Është, - tha Murat Fordina dhe ngriti zërin për herë të parë, - ikën ky, vjen një tjetër. Të mësohen, kooperativa është vullnetare, kush do hyn, kush s’do nuk hyn.
Kështu mbeti individ, nuk e ngau më njeri. Kryetarin e komisionit lokal e shkarkuan dhe një vit më vonë e burgosën për shkelje me qëllim të parimit vullnetar në krijimin e kooperativave bujqësore. Kur e thirrën si dëshmitar Murati e mbrojti.
-Mos i vini faj djalit, aq dinte aq bëri.
Murat Fordina qe burrë i shkurtër, i drejtë qiri. Me sytë e mëdhenj pa ngjyrë vështronte përreth duke kthyer kokën siç bën kau futur në zgjedhë. Nuk mund të thuash se ata sy vështronin, më shumë se kaq depërtonin deri në shpirt si turjela. Flokët e zbërdhylur tamam kashtë thekri, nuk u thinjën, as i ranë si shumë të tjerëve në fshat. Xhaketën e vishte vetëm me mëngën e krahut të djathtë, të majtin e mbante zhveshur. Kapa e kadifesë vendosur mënjanë përmbi sy i jepte fytyrës rrumbullake pamje dinake e tallëse. Të jepte përshtypjen e njeriut të qetë, të sigurt.
E veçanta e tij qenë buzët e trasha pak të përveshura. Buza e poshtëme, më e përveshur se e sipërmja, e tregonte buzëgaz përherë, ndaj nuk merrej vesh në qe i mërzitur apo i gëzuar. Vështirë të harrohej kollaj fytyra e tij stoike, e padepërtueshme, që ia fshihte aq mrekullisht emocionet. Shumë gjëra kishte parë në këtë jetë të turbullt Murat Fordina. Një pjesë e njerëzve, sidomos të rinjtë dhe disa të tjerë e shikonin vëngër, por ai nuk mërzitej. U fliste të gjithëve me dashuri. Shumica e donin Muratin. E donin dhe u vinte keq se ishte individ pa grua, vuante shumë. Ndonjëherë i thoshin se po të hynte në kooperativë do ta kishte më lehtë.
-E ç’do të bëjë kooperativa, më marton dot në këtë moshë? - bënte shaka dhe buza e poshtëme i përvishej më shumë.
-Sidoqoftë me shokë, - i thoshin.
-Me shokë, po qesja veç, - ua kthente.
E vështirë të haheshe me Murat Fordinën. Për çdo gjë e kishte përgjigjen në majë të gjuhës. Në fjalët e tij nuk gjeje asgjë kundër kooperativës. Operativi i zonës dinte të krijonte situata të besueshme, ku patën rënë njerëz jo aq mendjelehtë, sidomos nga ata të prekurit. Murati e kishte këtë cen si individ. Operativi u mundua shumë t’i gjente ndonjë kleçkë, po i hasi sharra në gozhdë.
-Shumë rrëmujë kjo kooperativa, - i tha një ditë i mërzitur, sikur kërkonte mendim të pjekur për ndryshimin e gjëndjes.
-Pse? - e pyeti Murati.
-Po ja s’e merr vesh i pari të dytin.
-Nuk e di, unë jam individ. Duhet të bisedosh me ata që janë në kooperativë.
-Ti e shikon si venë punët.
-Përsa e shikoj më duket shumë mirë, - i tha, - vetë hynë me dëshirën e tyre, u bëhej mirë, ndryshe pse do të hynin?
Operativi e shikoi me dyshim. Mos tallej ky plak që dukej budalla dhe qesharak me buzët e përveshura dhe kapën hedhur çapraz mbi kokë?
Murat Fordina donte të hynte në diskutime në prani të njerëzve përreth. Ata e dëgjonin me vëmendje, vinin buzën në gaz me argumentat e tij. Asnjë nuk ishte i zoti sa Murati. Filozofia e tij e thjeshtë përmblidhej në pak fjalë: “Mos bjer kurrë në duart e të tjerëve, të jesh zot i vetvetes në çdo rrethanë”. Të mbushte mendjen me të butë, nuk shante njeri, as mërzitej kurrë. Të deleguarit duronin sa duronin, pastaj shpërthenin dhe tërë propaganda e tyre thërrmohej. Të shumtët tërhiqeshin të mundur, bëheshin qesharakë në sy të njerëzve.
-Nuk e ke mirë, - i tha një ditë Hekurani të cilën e respektonte veçan të tjerëve se qe i drejtë, pa hile.
-Është vullnetare, - ia ktheu, - kush do hyn, mua nuk më bëhet mirë.
-Leri përçartjet, folë drejt, nuk je në mbledhje këtu, - u nxeh Hekurani.
Murat Fordina qeshi. Ato fjalë i qenë bërë mburojë, i shpaloste vend e pa vend.
-E di si është puna Hekuran, mua nuk më pëlqen kooperativa jo vetëm për ata emrat e huaj të ngatërruar. Dua të shkoj në punë kur bëhet mirë e jo kur të më urdhërojnë, purtekën s’e kam qef, as urdhërat. Në luftë qe ndryshe, pa ndërlidhje, pa u marrë vesh nuk shporrej armiku i huaj. Po tani përse?
Sikur u bë pishman ngaqë përmendi luftën. U mendua një copë herë pastaj vazhdoi.
-E di që nuk më nxjerr fjalë.
Hekurani e shikoi me bezdi e inat përzier.
-E de, se thashë nuk të rashë, - ia ktheu Murati, - pa më thuaj si je me ekonominë tënde ti?
-Ashtu, - u përgjigj Hekurani, - ka më keq.
-Këtë dimër u kam dhënë bereqet disave.
-Epo, punon vetë, merr vetë.
-Aty ta kam.
-Mirë o mirë po nuk i bihet murit me kokë, - i tha Hekurani butë me njerëzillëk.
Murati qeshi përsëri aq sa buza e përveshur iu mbush me pështymë.
-E di atë historinë e dhenve ti?
-Jo, ku e ke fjalën?
Murat Fordina tregoi historinë, që nuk dihet në e shpiku vetë apo e pati dëgjuar.
Tre barinj mbanin nga një tufë dhen. Vuanin shumë, po puna u ecte. Gjë e gjallë shtohej, bulmeti po ashtu. Njërit i vajti mendja të bashkonin tufat, të punonin së toku, të ndanin prodhimin barabar mes tyre.
-Si puna e kësaj kooperativës, - nënqeshi me djallëzi Murati. Hekurani u venjt i dogëndisur.
Të tjerët e gjetën me mend kërkesën e tij dhe u bashkuan. Kaloi vetëm ndonjë vit e pak, hyri hilja në mes. Ai që kishte radhën i çonte afër, nuk e kërkonte kullotën. I shpije tjetri nesër, thoshte me vete. Njëlloj shpresonin edhe shokët e tij. Zuri të bjerë prodhimi, të firohet bagëtia, shkurt rrokullimë. E panë, nuk ishte gjë ajo punë dhe mallkuan.
-Gjënë e bashkët e dhjeftë qeni.
Pastaj ndanë ato që u mbetën. U desh kohë e gjatë të arrinin derexhenë e mëparshme, të rregullonin atë që prishën me duart e tyre.
Hekurani tundi kokën i menduar.
-Gjëra me zarar, - tha dhe iku në punën e vet.
Në fillim njerëzit e shikonin Murat Fordinën si të prapambetur. E quanin konsevator, të mykur me mbeturina te vjetra patriarkale. Fjala individ lëshohej me përbuzje si të thoshin kurvar apo hajdut. Ai bënte sikur s’kuptonte. Më shumë e dogëndisnin ato fjalët e huaja të gjata si fshikulla me gjemba. Ta shanin vendçe do të qe më mirë.
Të gjithë shkonin tok në punë sapo binte çanga, bënin shaka, mbanin nëpër gojë njëri-tjetrin. Fillonin punë me urdhër, pushonin me urdhër, e ndërprisnin po ashtu. Murati përgatitej me nge, i vetëm me hajvanët e tij dhe djalin e vogël. Edhe ai bënte shaka me të birin, qetë, kalin sipas mënyrës së tij.
-Si thua, ne e kemi mirë apo ata? - pyeste djalin.
-Nuk e di, shokët më thonë individ, - ia kthente vogëlushi.
-Pse nuk u thua kanë lopë e bagëti ata?
-U kam thënë.
-E?
-I mbajmë stallave thonë, jo në shtëpi.
-Stallat i ka kooperativa.
Djali ngrinte supet.
-Duro, do ta shikosh ne jemi më mirë se ata, - e mbyllte Murati
Kooperativa filloi të mos i pëlqente edhe për mbledhjet e shpeshta, çangën që binte tri herë në ditë, urdhërat poshtë e lart. Më shumë nga të gjitha nuk e donte për fukarallëkun e njerëzve.
-Nga do të punosh nesër? - e pyeti një ditë Hekuranin.
-Ku të na thotë Feriku, - u përgjigj ai pa i rënë hiles.
-Feriku s’ka patur ara e gjë të gjallë ndonjëherë, ku e di radhën e punës?
-E po, brigadier hesapi, - u vrejt Hekurani dhe ndjeu sikur iu derdh në shpirt një trishtim i ëmbël i sinqertë.
Murat Fordina u zgërdhi, buza e poshtëme iu përvesh më shumë.
-Ju të kooperativës nuk duhet të mërziteni, - i tha, - ndryshe puna ime, jam individ.
-Mjaft, - i tha Hekurani, - kooperativa është poshtërsi, janë bërë njerëzit të flasin me vete. Kujt i shkoi mendja për këtë budallëk?
I pati vajtur në majë të hundës. Të gjitha i duroi, fukarallëkun jo. Në djall të vinte, më keq se aq...
Nuk fliste kurrë me njeri, vetëm në shtëpi thërriste, nxirrte dufin me të shoqen. Tani nuk duroi, iu hap Muratit.
-Paske qenë i mençur, - i tha.
-Ç’thua, përse?
-Nuk hyre në kooperativë.
-Me zor nuk të futën, - ia ktheu Murati, - deshe vetë pa hyre. Mua nuk m’u bë mirë.
-Tani s’dal dot se, - i tha Hekurani dhe qeshi për herë të parë me ato fjalët e përçartura të individit Murat Fordina.
Pogradec, e premte, 20 gusht 2010.