Kulturë
TË VETMIT ARMIQ TË PABESË
E merkure, 25.08.2010, 09:03 PM
Vullnet Mato
TË VETMIT ARMIQ TË PABESË
Një mik i mirë që ka ditur të më njohë vetë,
tha se një person pa emër më shau rëndë...
Nga të paktët që s'më duan, kush mund të jetë,
gjen veten te kjo poezi që s'përmend askënd...
?
Si rëndom në marrëdhëniet e ndërsjellta
me tipa e karaktere në punë e shoqëri,
që afrohen te njeriu për interesa të veta,
pata dhe unë sejmenët e lajkatarët e mi.
Ata ledhatuan mendimet sa më buisnin në kokë,
ballin e zhveshur ma mbuluan me kaçurrela.
Ata ma ulën diellin e m'i zbritën yjet përtokë,
që me dy këmbët e mia delikate t'i shkelja.
Ata peshkuan fjalë dhe stisën opinione,
ngjarje e bëma për persona të tretë,
gjoja i njihnin mirë e kishin informacione
meqë s'kisha pasur rastin t'i njihja vetë...
Ata m'u shfaqën si miqtë e mi të shtrenjtë
dhe u betuan për besnikërinë e tyre pakufi.
Ata ishin tëvetmit të pabesë që pata në jetë.
Ata ishin e mbetën dhe të vetmit armiq të mi...