Kulturë
Shtatorja e dhimbjes
E merkure, 25.08.2010, 09:09 PM
Mihal GJERGJI
Shtatorja e dhimbjes
Baladë
Kushtuar Vezikos Gumene
Një pllakë mermeri ke mbi vete
kullojnë plagët brenda gropës,
kërkon të tretesh po nuk trete,
brengosja qënka hasmi i kokës.
Dy burgje Spaçi brenda gjirit,
një çerekshekull’ brenda varrit,
zemra, si shpuza brenda hirit,
prillin e la në Buzë të Qarrit.
E kyçur mbeti buzë e zbehtë,
fjala t’u shter, gëzimi ngriu,
syri t’u mbush siç mbushen retë
dhe loti rrjedh si breshër shiu.
Kur eci rrugës për në varre
më del përpara s’di se si,
me një peliçe ngjyrë arre
mbulon të bukurin peshlli.
Mbathur opinga prej lëkure,
ecje ngadalë e si me frikë,
e me çitjane prej pëlhure,
përpara portës rri një çikë.
Te porta rrije përkarshi
dhe nisje vajin përmalluar,
të tillë gjëmë e logori
në jetën time s’kam dëgjuar.
Ti ligjëroje, s’thoshe fjalë
(Dhimbja në vargje qenka tretur!)
dhe unë vazhdoj ta ndiej të gjallë
një simfoni që s’ka të vdekur.
Kur eci rrugës për në varre
më del përpara s’di se ku,
rrethuar pesë a gjashtë cangadhe
në sup ngarkuar një krah dru.
Unë të ndaloj, të jap cigare,
po ti nxiton, s’e di se pse,
unë eci rrugës për në varre
ti shkon e vjen si bukure.
Ti s’di se ç’bëhet nga shtëpia
tek odë e miqve s’di kush rri,
kush vjen e ikën tek avllia,
kush lind e vdes në gjitoni.
Qiriun ndez e shkoj më tutje
në varret ngjitur krah më krah,
shikimi yt më flet me lutje:
“Pa eja, bir, qëndro dhe ca...”
Dhe duke ikur marr me vete
vajtimin tënd si simfoni,
brenda në pllakat prej mermeri
heshtin me qindra histori.
Si dritë qiriri të shkoi jeta,
flakën ta pashë, por trupin jo,
Zoti t’i tha shumë të vërteta,
kur ti e lutje:- Më ndihmo!
Për ju që rruga do t’ju shpjerë,
në ndodh të kthehi përsëri,
mbillni te varri i kësaj nëne
një pishë a ndofta një selvi.
Kurorë e gjelbër ta qetojë
të urtën grua brengashumë,
ato që dot s’i tha me gojë
me pemën le t’i thotë në gjumë.
Mali dhe deti
Veç hijen mali hedh mbi det,
dehet me ngjyrën, thellësinë,
e deti dallgët ngre përpjetë
dhe ka si ëndërr lartësinë.
Deti vesh dallgët si xhubletë,
mali-blerimin si një dhëndër,
sikush një brengë e ka në jetë
ashtu siç ka edhe një ëndërr…
Elegji
Në vendin tim rri si i huaj,
heshtja më vret, s’e di pse druaj;
as më kuptojnë, as di se ç’thonë
këtu s’e njeh qeni të zonë.
Nga majë e shkrepit zbret ciklopi,
gjuhën që flet ia njeh Ezopi,
të thyen brinjët me popla guri,
mokrën e mbush me eshtra burri.
Në vendin tim ndodhin çudira,
gjarpri shqiponjës i shtron gostira,
ujku dhe derri futen e dhjesin
në trotuare nderin na shesin.
Ne kemi zgjedhur heshtjen e murgut
gjitonët flasin gjuhën e burgut.
Kërkon një vizë të shtyjnë tutje,
themi një fjalë me njëqind lutje,
presim me shpresë të bëhet shteti
dora përpjetë një jetë na mbeti...
Ëndërr të kesh një shtëpi tënden
miqtë e vërtetë në hall s’të gjenden,
ëndërr një strehë të futësh kokën,
ëndërr një vend të hapësh gropën,
ëndërr të kesh një punë shteti,
pjesën e tij kërkon dhe mbreti.
Ëndërr për bukë, për ujë është ëndërr,
të bëhesh nuse, të bëhesh dhëndër,
në vend të fjalëve flitet me plumba,
korbat e zinj shesin pëllumba.
Ngasim të shkojmë drejt Perëndimit
na ndjell në shpirt kull’ e Kremlinit.
Çdo ditë një brengë, na vodhën gjumin,
na mori djalli magjen dhe brumin.
Në jetë a vdekje, në ëndërr jemi?
Udhën e humbëm, s’e dimë ku vemi,
harruam këngën, djepin harruam,
prushin e shpirtit me hi mbuluam...