Kulturë
UNË NJERIU
E enjte, 26.08.2010, 08:59 PM
UNË NJERIU
UNË DHE ZOTI
Zot!
Drurëve u ke dhënë lulen,
Mua fjalën.
Kafshëve u veshe lëkurën,
Zogjve krahët.
Mua më veshe mendimin
Si këmishën e çmendurisë,
Më dhe durimin
E urtësisë.
Dhe vuaj.Dhe lumturohem.
Vdes dhe prapë ngjallem.
Zot,
Të përgjërohem,
Të falem.
UNË DHE BOTA
Më zgjuan gjëmimet dhe bubullimat.
Tërmeti ma lëkundi shtëpinë,
Palljet dhe ulrimat
Ma vranë qetësinë...
Me kë e ke zemërimin,Botë?
Me kë po hakmerresh?
Mos prit nga unë lotë
Dhe as fyerje.
E di.
Të kam gjymtuar,
T'i kam helmuar burimet,
Pyjet t'i kam rrafshuar,
Malet t'i kam bërë thërrime.
Aj,të bëjmë paqe bashkë,
Të jemi për njëritjetrin,
Legjendën tonë të lashtë
Ta bëjmë hymn të përjetshëm.
UNË DHE TI
Sa fjal' e bukur.E pavarur.
Fjala e varur pavarësi!
Tingull aratisur e shpërndarë
Nga yllësia melodi.
Ç' do bënte fjala e veçuar
Nga rregull' i sintaksës së fjalisë?
Ç' do bënte tingull' i vokalizuar
Shkëputur melodisë?
Ç' do bëja unë pa ty.
Ç' do bëje ti pa mua.
Qikllopi me një sy,
Sirena e verbuar.
Pavarësi e varësisë,
Kjo çmenduri e pavarësisë.
UNË DHE UNË
E njoh dhe s' e njoh veten time.
E dua dhe e përbuz.
U ngopa me ëndërrimet,
Kupa e helmit m' u mbush.
Ta zbraz,
Me se ta mbush!
Dielli dot s' më ngopi.
Ujvarat s' ma shtuan fuqinë.
Molekula dhe atomi
S' ma mpakën varfërinë.
Me se ta ngop
Lumturinë!
Unë i dituri dhe i padituri.
Unë i pasuri dhe i varfëri.
Unë i thinjuri dhe i mituri.
Unë i ndoturi dhe i pastërti.
Zemërmbushuri
Dhe zemërzbrazuri.
Unë askushi dhe vetvetja.
Unë enigma dhe e vërteta.
UnË DHE NËnË TEREZA
Ëngjëll i Zotit,
Mëndeshë e njerëzve!
Mblodhe të shenjtat rreze
Në pikën tënde të lotit,
Në rudhat mençurinë,
Në pëllëmbë diellin,
Në zemë butësinë
Dhe mëshirën e qiellit.
Lutu për mua të mjerin,
Mëkatarin,
Për mua krenarin.
Gusht 2010 Vangjush ziko