Kulturë
HELMIMI
E merkure, 25.08.2010, 09:38 PM
Tregim
Bedri TAHIRI
HELMIMI
- Mirëdita profesor Petrit!
- Mirëdita!!!
- Më duket nuk po ju kujtohem!
-
- Hadija jam, ajo vajza e helmuar e klasës sate!
-Ah, po, më fal, të ltem, se vitet e kanë bërë të veten dhe ka rrjedhur kjo mendjeshkreta.
-Jo, jo, nuk keni aspak faj, tepër mirë jeni, sa keni hequr e sa keni vuajtur nëpër këto katrahura. Ju mësimdhënësit e bartët barrën e gjithë kauzës kombëtare, andaj u jemi borxhlinj për jetë të jetëve.
- Vërtet kemi hequr të zitë e ullirit, por ç’e do të shkretën!
- Mire qenke profesor i nderuar, e paske mbajtur veten, të lumtë!
-
-Si të të them, në të parë, dukem mirë, veçse pasojat e atij helmimi të mallkuar nuk m’u shqitën këmbësh kahdo që shkova, deri në Australinë e largët. Vajta për shërim në mërgim dhe u martova me një korçar të bukur e fisnik, por kurrë nuk u bëra nënë dhe…
Fjalët i ngelën në grykë. Edhe profesorit iu lëbyrën sytë dhe sakaq mendja i fluturoi tej e tej në ato mote ogurzeza…
* * *
Profesor Petrit Mala, atë mëngjes, qe zgjuar më i lodhur së kurrë. Kapakët e syve, nga pagjumësia, po i rëndonin si gurë mulliri. Ishte i dërrmuar fare. Çdo pjesë e trupit po i dhimbte. Dita e djeshme, e premtja e 22 marsit 1990, i qe dukur e gjatë shekull. Edhe më parë kishte përjetuar zezona e ditë të vështira, por, ajo ua kalonte të gjithave. Po, po, të gjithave...
...Ishte zgjuar, si zakonisht, në orën 5 e 15 minuta. Autobusin e orës 6 e zuri me njëqind mundime. I uruari, larg e linte, mbi dyzet minuta këmbë. Balta si tutkall dhe terri i zi burg, e pengonin të ecte. Në shkollë arriti me kohë. Për çudi, edhe pse udhëtonte më së largu, vinte nga pasbjeshka e Qyqavicës, nga Drenica heroike, kurrë nuk mungonte as nuk vonohej. Përkundrazi, i pari arrinte në shkollë. Herë- herë, veçan kur ato shtigje malore bllokoheshin nga dëbora, ia mësyente edhe këmbë. Nxënësit ende ishin në oborr. Pëshpëritjet e tyre me zëra të ngjizur gjasonin në zgjoje bletësh. Interesant, tingëllimën e zilës nuk e kishte dëgjuar fare.
Dhe, ende pa hyrë në klasë, një rrëmujë e mbuloi shkollën.
-Profesor, eja më shpejt se Hadijes i ra të fikët! Edhe Fetijes.. edhe Agronit...edhe...
Me vrap u rras në mësonjëtorën e parë të katit të dytë. Aty mësonte klasa e tij shembullore, IV28, të cilën e kishte përcjell që nga viti i parë, duke u mishëruar me ta si me fëmijët e vet. O Zot, ç’të shihte! Djem e vajza të alivanosur e duke dihatur, pa mundur të ngopeshin frymë. Të tjerët përreth, të zverdhur si limoni. Të gjithë të hutuar e të lëmeritur.
-Mos u shqetësoni, mos u frikoni, mos...- u përpoq t’u jepte kurajo, pa ditur as vetë se ç’po ngjiste në ato çaste.
E njëjta gjë edhe në klasat e tjera. Numri i atyre që kërkonin ndihmë, rritej e rritej. Një erë mbytëse kutërbonte gjithandej, por më së shumti vinte nga WC-të në fund të korridorit.
- Profesor, na helmuan!- thirri dikush nga nxënësit.
- Serbët po na e qesin helmin!- u dëgjuan zëra të tjerë.
-Po, po, i pamë tek iknin prapa shkollës!- çirreshin gati të gjithë syzgurdulluar.
Mësimdhënësit shqiptarë, të hutuar, përpiqeshin t’u dalin në ndihmë nxënësve të tyre. Serbët, në anën tjetër, bënin sehir dhe gajaseshin në heshtjen e tyre të zakonshme. Ata, me kohë e kishin paramenduar një gjë të tillë. Kishte kohë që ishin ndarë veçan, kishin bërë segregacion, siç i thoshin asokohe. Ata mësonin ndaras shqiptarëve, plan i eksperimentuar për herë të parë në komunën tonë.
- Të shkojmë të mjeku!- u kujtua dikush dhe veturat që qëlluan atypari u mbushen me nxënës të pavetëdije e që shkumonin si në prag të vdekjes.
- Kthehuni prapa! Nuk ka helmime. Ju po simuloni, jeni bërë aktorë holivudianë!- kërcënonin policët serbë, duke mos lejuar t’u afrohej ndihmë mjekësore atyre që përpëlitëshin me vdekjen.
- Unë nuk ndalën dot, nuk lejoj që nxënësit e mi të vdesin pa i dërguar te mjeku!- kishte ngulur këmbë profesor Petriti dhe nuk ua kishte ndalur veturën që ia mori një kolegu, edhe pse i kishte ngrënë ca grushte fytyrës dhe ishte përgjakur i tëri. Edhe para spitalit e kishin pritur policë të tjerë dhe e kishin zdepur me shufra gome e me shqelma. Fat të tillë përjetuan të gjithë ata, kolegë, taksistë e qytetarë, që dërguan nxënës të helmuarë në emergjencë.
- Në Qendrën e Mesme Shkollore “Muharrem Bekteshi” të Vushtrrisë nacionalistët dhe seperatistët shqiptarë po manipulojnë me nxënës! Ky ishte vlerësimi i organeve të larta pushtetare për ngjarjet e atyre ditëve të llahtarshme...
* * *
Mirëpo, kjo histori makabre nuk u mbyll me kaq. Jo, ore u preksha për të mirë, siç thonë plakat bestyte. Ajo qe vetëm një nismë e vockël fare. Helmimi i vërtetë u bë ditët në vijim. Në qytete e në fshatra, në shkolla e në rrugë, në lokale e në tregje. U zunë me presh për dorë shumë helmqitës shpirtkatranosur. Në mesin e tyre kishte pleq e të rinj, burra e gra, mjekë e profesorë. Kishte e ç’nuk kishte dhe të gjithë kishin vetëm një emër: VRASËS!
Edhe në anën e të helmuarëve kishte laryshi moshash, gjinish e profesionesh. U helmuan kryesisht nxënësit dhe të rinjët, por pati edhe mësimdhënës e punëtorë, madje edhe policë shqiptarë. Si dëshmi, dy prej tyre u rrezuan mu në oborrin e shkollës e para syve të profesor Petritit.
Dhe, helmimi vazhdonte sipas skenarit të sotisfikuar e të përgatitur mirë e mirë në kuzhinat beogradase. Sakaq, ai përfshiu gjithë Kosovën. Numri i të sëmuarëve arriti shifra alarmuese. Një dukuri e rrallë që mahnti botën e civilzuar. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në historinë e re të njerëzimit. Ishte kjo një nga format e gjenocidit serb ndaj shkollës shqipe.
Pushtetarët serbë, mjerisht edhe ndonjë puthadorës shqipfolës, e mohonin një gjë të tillë. Ama, dielli nuk mbulohej me shoshë. Zëri i mekur i mjekëve tanë nuk dëgjohej përtej ordinancave të tyre të ngulfatura.
Mantelëbardhët, ata që me zemër kishin dhënë betimin e Hipokratit, duhej pranuar realitetin, të cilin krimnxitësit përpiqeshin ta kamuflonin e t’i hidhnin gjithë botës hi syve. Dhe, një ditë, mjeku francez, Bernard Kushner, dhe e tha të vërtetën: Në Kosovë pati helmime!
Profesor Petriti edhe disa ditë rresht u rropat nëpër birucat e sigurimcave, në të ashuquajturat “biseda informative”. Megjithatë mbeti i pathyeshëm. Listën e emrave të nxënësve të helmuar në shkollën e tij dhe në gjithë rrethinën e Vicianës së lashtë, nuk ua dha se nuk ua dha. Atë e ruajti për historinë: Gjithsej 353 të helmuar. Vetëm në shkollën e tij 264. Dhe, shumica femra, të cilat, sigurisht, do të ngelnin me pasoja jetike...
* * *
- Mirupafshim profesor!- mezi u dëgjua Hadija, duke e kthyer në vete kujdestarin e saj të dashur.
- Mirupafshim! - mërmëriti profesori, pa mudur të nxjerr zë fare nga ngashërimi mbytës për nxënësen e tij dhe atë kapitull të hidhur, por të rëndësishëm, të historisë sonë...