E marte, 06.05.2025, 10:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Vullnet Mato: Te monumenti i Skënderbeut

E diele, 29.08.2010, 03:29 PM


Vullnet Mato

 

PROFESORI I LAMTUMIRËS

 

Të pashë kur pensionin numërove disa herë,

o i nderuar profesor i moshës së lamtumirës,

dhe rrudhat e thella s’tu sheshuan asnjëherë,

nga fizionomia dimërore që i dhe fytyrës. 

 

Të pashë kur supën barishtore përzieve me kothere

dhe vajin e zëvendësove me ca thërrmime rigon.

Mishit prej kohësh ia harrove shijen dhe erën,

kafen e pive atje ku lëngu nga llumishtet kullon.

 

Të pashë kur urinove duke u dridhur i tëri,

se ilaçi i prostatit të hante paratë e bukës.

Tu këput dora si ashkël dhe tu drodh zëri

kur urbanit i pagove tridhjet qindarkat e rrugës.

 

Të pashë kur guri që nxore nga tëmthi i mëlçisë

sa guri diamant njëqintenjëzet karat të kushtoi,

për të paguar bluzat e njollosura të mjekësisë,

që të fundosën në aq borxhe sa as vdekja s’i pranoi.

 

Dikur e ndjeje veten një yll që shpërndaje rreze

dhe auditori të rrethonte si fluturat rrotull dritës.

Tani të duket sikur je bërë një vrimë e zezë,

nga e cila largohen ata që i tremben ndihmës...  

 

Veçse shteti ka për ty një detyrim madhor,

se ta pagoi badiava punën për tërë një jetë.

Dhe tani qindarkat i nxjerr me shumë zor,

nga ato qindra miliarda që qarkullon në xhep.

 

Po të shtosh dhe miliardat e pasurisë kombëtare,

ku ti ke pjesën tënde të pronës së investuar,

del se me shumimin e të ardhurave shumëvjeçare,

edhe nga fitimet e përtej jetës, ti kotheren ke fituar...

 

 

TE MONUMENTI I SKËNDERBEUT

 

Ai na thërriste të mblidheshim

nën krahët e shpendit krenar,

që s’ishte shqiponjë,

po Arbëria me dy krerë.

Na thërriste të ngriheshim

nga gjumi i rëndë mesjetar,

që s’ishte gjumë,

po vdekja e kombit viseprerë.

 

Na thërriste të bashkoheshim

nën bajrakun kuqezi,

që s’ishte flamur,

po gjaku shekullor i Arbërisë.

Na thërriste të lidheshim

si shkëmbinjtë tanë me besnikëri,

që s’ishin shkëmbinj

po kështjellat malore të lirisë.

 

Na thërriste në beteja

kundër “Mëkëmbësit Qiellor”

që s’ishte sulltan,

po djalli me fytyrë gjysmë hëne.

Na thërriste t’i mbanin shpatat në dorë,

që s’ishim shpata

po brinjë të çdo nëne.

 

Na thërriste

të hynim në legjendat e të parëve,

që s’ishin legjenda

po zulmat e mëdha arbërore, ilirike.

Dhe na thërret sërish

të qëndrojmë mbi kështjellat e shqiptarëve,

që s’janë kështjella,

po monumentet e ribashkimit

të trojeve tona etnike...

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx