Kulturë
Ramë Buja: Monument intelektual për ajkën e ndërgjegjës kombëtare
E diele, 29.08.2010, 07:56 PM
MONUMENT INTELEKTUAL PER AJKËN E NDËRGJEGJËS KOMBËTARE
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha „Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990“, botoi Sh.B. Logos-A, Shkup, Prishtinë, Toranë, f.600
Nga Prof. Dr. Ramë Buja
Jo rastësisht thuhet se intelektual është, jo ai që ka mbaruar alamet shkolle për të marrë një profesion të caktuar, por ai që di se cila është detyra e tij kombëtare, atdhetare, social-estetike, politike, praktike, historike e aktuale. Andaj, mund të themi pa hamenndësim se, të burgosurit politik shqiptarë në Serbi e Jugosllavi, apo të burgosurit e ndërgjegjes, siç quheshin ndonjëherë, ishin kjo armatë intelektuale shumë e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme për bëmat, pozicionin, veprimet dhe përpjekjet që bënin çdoherë, gjithmonë me ndjenjën më fisnike të gatishmërisë për sakrificën më sublime.
Këtë konus të veprimit kombëtar, Prof.Dr. Sabile Keqmezi-Basha, e përjetëson duke e ngritur në lartësinë e një monumenti intelektual madhështorë, në librin e sajë më të ri: “Të burgosurit Politikë shqiptarë në Kosovë 1945 – 1990”, libër ky të cilin po e promovojmë sot, me shume respekt dhe konsiderat të lartë për punën e lodhshme, të përkushtuar, të guximshme, analitike dhe peshuese shkencore të autores.
Ky libër është voluminoz, siç ishte shumë i gjatë karvani dhe kalvari i të persekutuarve politik, apo thënë më mirë dhe më troq, luftëtarve të devotshëm të lirisë. Gjashtëqindë faqet e tij me vështirësi po i mbajnë 666 shekujt, 72 vjetët e shtatë mujtë e vuajtjeve, torturave, persekutimeve, qëndresës së sublimuar në sfidë kulmore të ndërgjegjës liridashëse kombëtare. Kaq shumë, kaq gjatë, kaq rëndë dhe përsëri, siç thotë edhe vet autorja librit, e pamundur të jenë përfshirë të gjithë me të gjithat. Gjë për të cilën, besoj pajtohemi të gjithë ne që kemi pasur fatin, ta lexojmë e analizojmë me vëmendje këtë libër, që është padyshim më i miri i kësaj kategorie.
Puna shumë e përkushtuar e autorës së këtij libri, mbështetur në një sfond jashtëzakonisht të gjërë, kohorë e hapsinorë, ka kërkuar mund të përmasave rraskapitëse, durim shkëmbi e vullnet titani.
Burimet e shfrytëzuara, që janë të shumta, të shumëvendëshme, shumëngjyrëshe dhe të vështruara nga shumë kënde, të bëjnë që ndjenja e respektit për këtë punë kolosale të bërë të jetë e pakrahasueshme.
Qasja e durimshme drejtë gjashtë gjykatave të qrkut në Kosovë, prokurorive publike, kosovare e jugosllave, Arkivit Shtetëror të Kosovës e atij të Shqipërisë, materialeve voluminoze të Shoqatës së të Burgosurve Politikë, materialeve individuale të ish të burgosurve, shtypit ilegal e legal të kohës në Kosovë, Jugosllavi e Shqipëri, publikimeve të tjera nga më të ndryshmet, si revista politike e shkencore në vend e jashtë, arkivit personal të autorës,të krijojnë ndjenjën e sigurisë faktike burimore, të të dhënave që ofron ky libër i mrekullueshëm.
Në tërë këtë monografi mozaik, që është ndërtuar nga gurët më të çmuar të tërësisë së margaritarëve kombëtar, nuk kam si të mos e veqoj një konstatim brilant të autorës për tërë këtë sakrificë kombëtare. Ajo thotë:“Që në fillim të hulumtimeve më përvetësuan gjërësia, sinqeriteti, guximi dhe thjeshtësia e këtyre burrave e burrëreshave, që pa u trembur qëndruan stoikë para të gjitha torturave e vuajtjeve për një qëllim madhor e suprem, për çlirimin e Kosovës, dhe shton, me punën dhe grumbullimin e të dhënave për personat e dënuar politikë që nga viti 1945 deri më 1990, më mban shpresa se deri diku ia kam arritur qëllimit që në një botim monografik të bëj bashkimin e tyre „ideologjik“. Mbi të gjitha, gjatë gjithë hulumtimit kam ardhur në përfundim se nuk kishte shqiptarë, të burgosur politikë, që do të ishin të majtë apo të djathtë, por tek ta mbi të gjitha ishin atdhetarizmi e kombëtarja dhe fati i Kosovës së lirë, të pavarur, lufta e tyre për bashkim kombëtar si qëllim suprem.“ (f.15)
Çfarë të thuhet më shumë se kaq dhe më mirë se kështu. Është e vërtetë lakuriqe që ndarja në grupe e organizata të ndryshme, në kohë të ndryshme ka ekzistuar, e imponuar nga rrethanat tepër të rënda në të cilat është vepruar, por, qëllimi, aspirata, synimi gjer në gjakim, ka qen i njejtë, liria, pavarësia, bashkimi.
Libri „ Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë më 1945 – 1990“ në shtatë pjesët e tij, ngërthen pjesën më serioze dhe më vitale të tërë rrezistencës dhe luftës për çlirim të shqiptarëve në visete robëruara nga Serbia e ish – Jugosllavia.
Andaj, në një rast të tillë solemn të promovimit të një vepre kaq kapitale, me vlera të veçanta, nuk mbetet gjë tjetër, përveç, duke u ndjer i nderuar që më është dhënë rasti të them këto pak fjalë, në këtë eveniment personal e kombëtar, të përgëzoj nga zemra autorën për veprën e dhuruar, me dëshirën miqësore dhe urimin vëllazëror për shëndet të mirë dhe vepra të reja!
Prishtinë më: 31. 05. 2010