Kulturë
Besim Muhadri: Poezia si metaforë jete dhe sfiduese e mjerimit shoqëror
E diele, 29.08.2010, 04:15 PM
Vështrim letrar
Poezia si metaforë jete dhe sfiduese
e mjerimit shoqëror
Sinan Sadiku: “Shigjetat e lakmisë”, botoi “Brezi ‘81”, Prishtinë 2009.
Shkruan: Besim MUHADRI
Sinan Sadiku (1961) është autor edhe i librit me poezi “Rrobat e engjëllit”, ndërsa libri poetik “Shigjetat e lakmisë” është libri i tij i dytë që vjen në jetë pas nëntë vitesh të botimit të të parit. Vëllimi poetik në fjalë është i ndarë në tre cikle, në të cilat poeti shfaq botën e tij poetike në disa plane. Poezia e Sinan Sadikut është një poezi e metaforës së jetës dhe e krajatave të saj. Një poezi plot sharm poetik dhe njerëzor, ku autori shpreh shqetësimet e tij njerëzore dhe intelektuale, gjithmonë shikuar nga prizmi artistik.
Në një intervistë të gjatë me poetin tonë të mirënjohur, Din Mehmetin, të bërë në vitin 2001, në mes tjerash ai pat deklaruar se “librat shumë të mirë i shkruan Zoti me dorën e poetit”. Ishte një konstatim sa real, aq edhe domethënës, ku poeti ynë dëshironte të konstatonte se përpos talentit artistik, duhet edhe punë, përkushtim, por edhe dhunti nga Zoti që të të ndihmojë të shkruash poezi pa ngarkesa të mëdha emocionale, pa teprime figurative dhe pa ngulfatje kërkimesh që poezinë tëndë do ta bënin më të largët me lexuesin, që është edhe “vrojtuesi” dhe konstatuesi më i mirëfilltë.
Dhe poezia e Sinan Sadikut sikur përforcon konstatimin e Din Mehmeti. Sinani kur shkruan, shkruan me afshin e dashurisë së pashuar për artin, por atij nuk i mungon as talenti e as puna përkushtuese në thurjen e vargut, që është një varg sa domethënës, aq edhe kuptimplotë. Poezia e Sinan Sadikut na vjen një një kohë kur në poezinë tonë kemi mjaft ngecje dhe ngulfatje mungese estetike.
Sinan Sadiku është një poet që jeton në një kënd të largët të Kosovës, në mes harresës dhe luftës për të dalë nga ajo. Në mes zhgënjimeve, vetmisë dhe dhimbjes. I lindur dhe i rritur në krahinën e Gollakut, atje në Gjyrishecin e tij të bukur (komuna e Dardanës), rrethuar nga malet e larta, plot bukuri përrallore, aty ku puqen dëshirat dhe mundësitë, aty ku lufta për ta mundur vetminë, dhimbjen dhe harresën është më shumë se një dëshirë, ai gjeti dashurinë e pashuar për artin dhe për poezinë. Poezia e Sinan Sadikut është një poezi plot suptilitet, plot sharm dhe plot vërtetësi artistike. Aty shfaqet qartazi zhgënjimi, por edhe mëtimi për të dalë nga ky zhgënjim i thellë që ka pushtuar vetminë e poetit, ku edhe muzat sikur kanë frikë të shfaqen në momentin ku ato i duhen atij:
Më janë thyer
Krahët e imagjinatës
Kroi i frymëzimit
Ka shterrur
E muzat
Më kanë braktisur
Këto vargje pasohen nga pyetjet dilemë, apo retorike që dalin nga mendja dhe kujtesa e poetit të braktisur që e sheh më ndryshe nga te tjerët botën, atë botën e ngulfatur nga pasiguria dhe pritja e gjatë e shfaqjes së mrekullisë së premtuar, apo të ëndërruar-ideale:
Çka t’i bëj
Dhimbjes
Vetnisë e zhgënjimit
Dashurisë e shpresës...
Këto vargje tingëllojnë si një klithmë e parreshtur e poetit, që kërkon me këmbëngulje të sfidojë këtë botë të mbushur mjerim të llojit të vet, janë edhe një sfidë për kohën dhe për njerëzit që e jetojnë atë, mbase pa e hetuar.
Por poezia e Sinan Sadikut është edhe një poezi plot art, ku shpërthen talenti krijues i lindur, por edhe i formuar. Vargu i tij është një varg i gdhendur nga çdo nuancë e tepruar fjalësh që do ta ngarkonin poezinë dhe vargun në përgjithësi. Unë moti nuk kam lexuar poezi kaq të “lehtë” kaq të qartë dhe kaq të brumosur me art. Na kishte marrë malli të lexonim poezi të tilla, nis e sos poezi me një mision që qartë, që do t’ia kishin lakmi edhe poetët më të afirmuar. Poezia e Sinanit ka diçka lasgushiane, ka diçka migjeniane, padyshim poetë më reprezentatvivë jo vetëm të kohës së tyre, por më shumë ajo është një poezi autentike e shkruar nga dora dhe mendja e një krijuesi të talentuar, i cili në vazhdimësi kërkon cakun:
Kurrseesi të arrijë në cak
Lisat e mëdhenj u kalbën
E të rinjtë s’po duken..
Sepse rruga drejt arritjes në cak është e gjatë, ku zogjtë kanë mbetur të pikëlluar për drurin e kujtimeve që u tha.
Poeti është një kampion i pritjeve, i cili kërkon një çerdhe të ngrohtë, ku nuk kërkon as më pak e as më shumë se sa t’i ngohë vetëm eshtrat e mërdhirë, apo ku kërkon një çerdhe të freskët që “t’i shpëtojë zjarrmisë shkrumbuese të Saharasë së mjerë që ka ngulfatur qenien tonë. Poeti ndeshet me anakronizma të shumtë të botës dhe “vritet” përditë e ngapak në zgripcin e ekezistencës, “aty ku sundon mbretëria e lakmisë” dhe “aty ku dikush i ha pemët e buzëqeshjes”. Do të thotë poeti është i ndjekur nga një botë bizare, që kurrë nuk ka qenë në “planin ideal” të tij, i cili sikur ka ndeshur në pengesa që edhe po deshi ai t’i eleminojë vështirë e ka.
Në vellimin poetik “Shigjetat e lakmisë” të Sinan Sadikut hasim poezi shprehin jo vetëm talentin poetik të këtij krijuesi që jeton dhe punon në një kënd të largët kosove, aty ku “puqen vetmia dhe harresa”. Lexuesi mund të hasë poezi që të përvetësojnë, në të cilat poeti “këndon” me aq dashamirësi, me aq butësi dhe me aq subtilitet për vendlindjen, për njerëzit e saj, por edhe për dukuri e fenomene të tjera që shfaqen dhe parakalojnë në botën imagjinare të krijuesit. Një poezi e krijuar me aq talent dhe me aq përkushtim është edhe poezia “Dardana”, ku poeti e “portreton” këtë vendbanim që ai e quan fshatqytet, që edhe pas kaq kohësh kërkon identitetin e tij e ku shfaqen të gjitha nyancat e jetës:
Dola të shetis në këtë fshatqytet
e gjej të përgjumur me muaj me vjet...
Ende duke dalë nga gëzhoja e vet
Dhe fshatqyteti i Sinanit, me emrin Dardanë, një emër që tregon përkatësinë ilire të këtij vendbanimi të lashtë, është një vend i dëmtuar, vend i harruar, por edhe vend i lakmuar, i cili megjithë pretendimet e të tjerëve për ta pasur në “pronësi” të vetën ende jeton dhe frymon shqip:
E dogji zjarri e ngriu acari
E mori serbi e mori bullgari
Por prapë jeton
E shpresë ndërton....
Në “stinën e lënduar” të poetit Sinan Sadiku lundron mallkimi dhe vrapimi pas lakmisë. Por në të fluturojnë edhe korbat, të cilët shekuj me radhë “donin të na pinin lotin”. Kalërojnë kuajt e Trojës, Kainët dhe korbat të cilët në këto troje ishin të shpeshtë dhe ende vazhdojnë të qëndrojnë si një e ligë që i kanoset këtij vendi. Mirëpo në poezinë e Sadikut tingëllojnë bukur edhe vargjet për dëshmorët e kombit, të cilët ikën nga kjo botë për t’u kthyer fitimtarë dhe për të mundur të këqijat që i kanosen atdheut.
Me një fjalë, poezia e Sinan Sadikut, e strukturuar brenda vëllimit poetik “Shigjetat e lakmisë”, është një poezi që ta ka ënda ta lexosh...