E merkure, 22.05.2024, 02:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Berisha vendos buqetë me lule në shtatoren e Nënë Terezës

E diele, 29.08.2010, 07:13 PM


Prezantohet projekti

 

I diskutuar për muaj të tërë, projektideja për ngritjen e memorialit të bamirëses shqiptare është prezantuar dje në 100-vjetorin e lindjes. Do të ngrihet te “Kolonat”, do të jetë një ndërtesë trekatëshe me gjashtë hapësira kushtuar prezantimit e promovimit të jetës dhe veprës së Nënë Terezës

 

Oliverta Lila, Arjola Hekurani ,Gazeta SHQIP

 

Ishte parashikuar të vihej një gur themeli, por rrethanat e sollën të bëhej vetëm një prezantim projekti. Më në fund është bërë i ditur projektideja për ngritjen e memorialit, dhuratë e fondacionit “Nënë Tereza”, drejtuar nga znj. Liri Berisha në 100-vjetorin e lindjes së bamirëses. E pranishme në ceremoni, zonja Berisha tha se ishte në synimet e tyre si fondacion ngritja e një qendre kulturore dhe muzeore për Nënë Terezën. “Së pari, është një ndjesë ndaj Nënë Terezës, për mohimin që fatkeqësisht iu bë për 50 vjet me radhë. Së dyti, është një mundësi për të edukuar brezat e rinj për vlerat dhe veprat e vërteta. Së treti, jemi mbledhur në shenjë respekti dhe mirënjohje për veprën e Nënë Terezës, por edhe t’i bëjmë jehonë misionit të saj fisnik që do të promovohet për memorialin në nder të saj”. Kështu e ka përligjur zonja Berisha angazhimin e fondacionit për të dhuruar një projekt, zbatimi i të cilit do të financohet me buxhetin e qeverisë. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferaj, duke theksuar se memoriali do të promovojë thelbin e misionit të Nënë Terezës, bëri të ditur se zbatimi i këtij projekti do të nisë në fillim të 2011-s. Kjo do t’i japë kohë qeverisë të lëvrojë një buxhet për zbatimin e projektidesë të prezantuar dje nga arkitekti Marin Biçoku. Sipas tij, projekti që u bë publik është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me historianë, autoritete shkencore, njohës personalë të Nënë Terezës etj. Në fakt, kujtojmë se nga qeveria u ngrit një grup i posaçëm pune me në krye zv.ministrin e Turizmit, z. Nikollë Lesi. Në prezantimin përfundimtar të ideprojektit, Biçoku theksoi se vendi i zgjedhur për ngritjen e memorialit mbetet i njëjti: te Koloniadat, mes Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe rektoratit. Kjo ide, e bërë publike më parë nga grupi i punës u debatua nga specialistë, të cilët nuk ishin dakord me këtë propozim që e vendos memorialin në një zonë të mbrojtur arkitekturore. Duke e kaluar këtë fazë, arkitekti Marin Biçoku bëri të ditur detajet strukturore dhe funksionale të këtij memoriali.

Projekti

Sipas projektidesë të prezantuar dje për të ftuarit, memoriali i Nënë Terezës do të jetë një ndërtesë trekatëshe, me një kat nën dhe. Marin Biçoku u shpreh se vendosën të ngrinin një memorial në vend të një obelisku, një propozim i ardhur nga të tjerë specialistë. Sipas tij, do të ishte shumë e vështirë që Nënë Tereza të nderohej me një obelisk, ndaj zgjodhën memorialin. “Duke parë personalitetin e thellë dhe herë pas here kontradiktor të figurës së Nënë Terezës, e nisëm punën duke përcaktuar disa objektiva: ky memorial duhet të jetë ndjesë për një sjellje jo humane ndaj një figure humane. Të jetë një vepër në përkujtim të veprës dhe jetës së humanistes e të promovojmë e të transmetojmë vlerat që figura e saj mbart”, ka thënë Biçoku. Memoriali nuk është konceptuar si një hapësirë e vetme. Projekti parashikon gjashtë ndarje me funksione të përcaktuara, tri prej të cilave qëndrojnë në kompleks, por jo brenda një godine. “Memoriali nuk do të jetë një muze klasik. Ne kemi kaluar në një propozim që është më i stilizuar dhe përpiqet që në sheshin “Nënë Tereza” të bëjë një ndërhyrje që është rivitalizuese. Funksioni bazë i memorialit do të jetë ekspozimi, i përhershëm dhe i përkohshëm”, ka shpjeguar Biçoku. Hapësira e parë është një sallë mikpritjeje. Sipas Biçokut, do të jetë një ambient ku do të ketë një bibliotekë me materiale të shkruara nga Nënë Tereza, por edhe të tjerët për të, mund të lexohen libra, dorëshkrime të Nënë Terezës, do të jetë edhe një dyqan suveniresh që ka lidhje me aktivitetin e bamirësisë. Salla e leximit është një holl që mirëpret aktivitete të ndryshme: një aktor mund të lexojë apo në momente të caktuara mund të ketë një linjë zanore. Hapësira e tretë është quajtur muze. Sipas Biçokut është sallë projeksioni, ku informacioni që do të përcillet është fotografik, video ose kolonë zanore. Sipas tij, ka shumë pak relike të Nënë Terezës, jo vetëm në Shqipëri, po në gjithë botën, ndaj dhe nuk do të jetë një sallë muzeu nga ato klasike. Pjesa e katërt do të jetë një kopsht për fëmijë, ku mendohet që të jetë një hapësirë edukative edhe për grupe nxënësish të ardhur nga shkollat e kryeqytetit. Oborri, një hapësirë boshe sipas Biçokut, mund të përdoret për aktivitete të ndryshme që lidhen me Nënë Terezën, ndërsa ndarja e gjashtë do të jetë salla e lutjeve, një hapësirë ku do të ekspozohet qilimi, që bamirësja ka përdorur në dhomën e saj, një dhuratë që iu bë në vizitën e parë në Shqipëri e që iu dhurua imzot Rrok Mirditës në Kalkutë pas vdekjes së Nënë Terezës. Arkitekti Marin Biçoku nuk ka dhënë detaje për sa i përket vëllimit të kësaj ndërtese, por duke folur për arkitekturën ka thënë se ka pasur një diskutim nëse duhet të ketë koincidencë stili arkitektonik i objektit me atë çka ekspozohet brenda, apo duhet të jetë një guaskë neutrale. “Në fund e kuptuam që nuk mund të qëndronim neutral”, ka thënë ai. Prezantimi ka përfunduar me disa pamje tredimensionale të memorialit, i cili mbetet sërish i diskutueshëm nga specialistët.

 

--------------------------------------------------

Panorama

 

Bamir Topi: Shqiptarët duhet ta kujtojnë Nënë Terezën më mirë se të tjerët

Presidenti: Ajo ishte dëshmia e pasurisë së popullit tonë

 

Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka deklaruar dje duke iu drejtuat bashkëkombësve se shqiptarët duhet të bëjnë më shumë se të tjerët për të treguar me vepra se i përkasin të njëjtit gjak si humanistja e madhe. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, prezantoi dje projektin “Rruga e Mijëvjeçarit për Paqen” në nderim të kujtimit të Nënë Terezës, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj. Projekti vjen si një nismë e kryetarit të shtetit në bashkëpunim me Unionin për Paqen dhe Bashkinë e Tiranës. Për ndërtimin e “Rrugës së Paqes” në një rrugë te Liqeni Artificial i Tiranës do të vendosen gurë, që mbajnë firmën e shumë presidentëve nga mbarë bota, si simbolikë e vullnetit të tyre për paqen dhe tolerancën. Me këtë rast, në mjediset e Presidencës u zhvillua një ceremoni e posaçme, ku ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kryetari i Unionit për Paqen, Xhanfranko Kosta, personalitete të kulturës, anëtarë të kabinetit të Presidentit, etj. Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Topi shprehu bindjen se “në kujtim të Nënë Terezës dhe veprës së saj, ne shqiptarët duhet të bëjmë më shumë se të tjerët, por kjo rrugë që do të ndërtohet dhe nga shumë aktivitete të tjera që institucionet shqiptare kanë zhvilluar gjatë këtij viti, më lejojnë të vë në dukje e të theksoj se jemi në udhën e duhur”. “Murgesha shqiptare, e cila që nga fëmijëria e saj përcolli në kujtesë traditat shqiptare të mikpritjes, besës, bujarisë së lidhjes së pazgjidhshme të shtëpisë së shqiptarit me mikun dhe Zotin”, nënvizoi Presidenti. Duke e çmuar figurën e Nënë Terezës si fuqia morale më e spikatur që do të ndikonte në vetëdijen e kohës sonë me filozofinë e dashurisë, kryetari i Shtetit shqiptar theksoi se “Nënë Tereza është njëkohësisht dëshmia se në çfarë lartësie morale mund të ngrihet njeriu shqiptar”. “Kjo është një dëshmi se me çfarë kulture të lartësuar është i pasur populli shqiptar, i pasur jo vetëm me inteligjencë të rrallë, me kurajë të jashtëzakonshme, por edhe me virtyte të mëdha njerëzore, me humanizëm të thellë, me ndjenjën e fisnikërisë e mëshirës në kuptimin më të madh të kësaj fjale”, vuri në dukje Presidenti.

Në përfundim, Presidenti i Republikës u shpreh se “Nënë Tereza na flet shumë që të mos harrojmë porositë që ajo na la, porositë që i la njerëzimit, që të ecim në rrugën e paqes, harmonisë e bashkëjetesës si në të vetmen rrugë të përshkueshme”, duke theksuar se “kështu kemi më se të drejtë të krenohemi për shqiptarësinë e saj dhe të identifikohemi në botë si të sajët dhe ta quajmë me plot gojë e krenari atë si tonën”. Në vijim, të pranishmit në këtë veprimtari u përshëndetën dhe nga Kryetari i Unionit për Paqen, Xhanfranko Kosta, i cili, pasi vlerësoi në mënyrë të veçantë jetën dhe veprën e Nënë Terezës, mes të tjerash shprehu mirënjohjen për "Presidentin e Republikës, Kryetarin e Bashkisë dhe të gjithë ata që do të punojnë për këtë iniciativë dhe për këtë projekt të jashtëzakonshëm”. Në përfundim të veprimtarisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama në vlerësim të figurës së Nënë Terezës, iu referua shprehjes së "njërit prej sekretarëve të Kombeve të Bashkuara, Perez de Kuelarit, i cili ka thënë se ‘Kombet e Bashkuara janë Nënë Tereza dhe Nënë Tereza është Kombet e Bashkuara. Nënë Tereza është paqja në botë’”. Gjithashtu, zoti Rama, në emër të Bashkisë të Tiranës, të të gjithë qytetarëve dhe qytetareve të kryeqytetit falënderoi Presidentin e Republikës, Unionin e Paqes dhe "të gjithë ata presidentë dhe autoritete të larta jo vetëm shtetërore, por edhe morale, apo figura publike të kulturës së gjallë shqiptare, apo botërore që kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë të vënë emrin e tyre në këtë rrugë

 

--------------------------------

Express,Prishtinë

 

Tash qarkullon edhe në pulla postare

Në Muzeun e Kosovës u promovua emisioni i 59 i pullave postare, emision i përbashkët i PTK-së së Kosovës, Postës së Shqipërisë dhe Postës së Maqedonisë.

 

Nga Albana S. Muja

 

Njëqind vite më parë, lindi humanistja e madhe, me origjinë shqiptare Gonxhe Bojaxhiu e njohur në gjithë botën me emrin Nëna Terezë. Ndër shumë aktivitete për të nderuar humanitetin e saj, në paraditen e së enjtes, në Muzeun e Kosovës u promovua emisioni i 59 me radhë i pullave postare.

 

Me vendimin e presidentit te shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, me implementimin dhe koordinimin e MKRS-së, ky vit, viti 2010 në Kosovë është shpallur viti i Nënës Terezë, pikërisht në 100 vjetorin e lindjes së saj.

 

Nga sot (e enjte) PTK, përkatësisht filatelia e PTK-së, lëshon në qarkullim emisionin e pullës postare, 100 vjetori i Nënës Terezë. Emision ky i përbashkët i PTK-së së Kosovës, Postës së Shqipërisë dhe Postës së Maqedonisë.

 

“Në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në emër të autoritetit kushtetues, Presidentit të Kosovës i cili e ka shpallur vitin 2010 vitin e Nënës Terezë, sot nga Prishtina bashkë me Shkupin dhe Tiranën e bëjmë këtë hap të respektit nderit dhe të angazhimit tonë në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, me lansimin e përbashkët të pullës postare me portretin e saj.

 

Sepse ajo këtu e ka prejardhjen, nga këtu u nis për misionin human botëror, vendosi që të ndahet nga të mirat e botës, për të iu bashkuar vuajtjeve të botës dhe nga këtu mund të themi, se jem krenar për Nënën Terezë për humanizmin që la dhe thirrjen që ka bërë”, u shpreh Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Lutfi Haziri

 

I pranishëm në promovimin e pullës postare në Muzeun e Kosovës ishte edhe Menaxheri i shërbimeve postare, Kastriot Avdyli. Ai u shpreh i kënaqur për këtë ditë duke thënë se ky edicion bëhet me i veçantë sepse Nëna Terezë ashtu si bashkoi gjithë botën për qëllime bamirëse ajo bashkoi sot edhe tri kryeqytete për lansimin e përbashkët të pullë postare të saj.

 

“Dua t’i sugjeroj gjithë qytetarët e Kosovës, që letrat e tyre me pullat postare të edituara nga PTK, të shkojnë në çdo cep të botës ashtu siç ka mbërritur puna dhe mirësia e Nënës Terezë”, u shpreh Avdyli.

 

Emisioni i pullës postare përbëhet nga 3 pulla postare që në vete bartin motivin e njëjtë dhe dizajnin e portretit të Nënës Terezë, dallimi qëndron në mbishkrimin e shtetit të editimit dhe valutës së përdorimit.

 

Dizajnimin e pullës postare, dizajnimin e Z.D.P dhe dizajnimin e fletëpalosjes e ka bërë Hyrije Bekteshi-Ademi, i tërë ky aktivitet është mbikëqyrur nga komisioni i lart i punës postare.

 

Në fund Kastriot Avdyli ia dhuroi ministrit Haziri kornizën me imazhin e pullës postare.

------------------------------------

 

Express: Pak për Nënë Terezën

Biografët dhe studiuesit e jetës dhe veprës së Nënë Terezës, përpos që shprehin admirimin që kanë për të, ata kritikojnë institucionet kosovare për mosshënimin si duhet të 100 vjetorit të lindjes së nobelistes shqiptare.

 

Nga Alfred Beka, Ekspres

 

Në fillim të vitit 2010 institucionet kosovare, ministrat, politikanët madje edhe vet presidenti Sejdiu me plot gojën deklaronin se gjatë tërë vitit do të ketë aktivitete të shumta për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze. Megjithëse ky vit është shpallur ‘Vit i Nënës Tereze’, ka kaluar gjysma e vitit pa pasur ndonjë aktivitet për nder të saj. Madje edhe 26 gushti, që është dita në të cilën ka lindur Nëna Tereze, kaloi pothuajse pa u shënuar fare.

 

Njohësit e jetës dhe veprës së saj, përveçse flasin me admirim në 100 vjetorin e lindjes së nobelistes shqiptare, ata shprehen të indinjuar ndaj mosangazhimit të duhur të institucioneve kosovare.

 

Anton Nikë Berisha, studiues i letërsisë dhe autor i disa librave mbi Nënën Tereze, thotë se 26 gushti është një datë e rëndësishme për ne këtu edhe në Shqipëri dhe kudo ku janë shqiptarët. Por ai shton se ne vazhdojmë me atë këngën e vjetër që njerëzit e mëdhenj në çastet më vendimtare i kalojmë apo i heshtim.

 

“Kjo është e keqja, pasi që një datë e tillë nuk do të mund të kalonte në heshtje në Kosovë, ndërsa nuk e di në Shqipëri si i kanë punët. Nëna Tereze nuk ka nevojë për ne por ne kemi nevojë për të. Prandaj heshtja e tillë tregon se deklarimet e personaliteteve të ne se ky vit do të jetë një vit kushtuar Nënës Tereze janë vetëm fjalë të mëdha dhe asgjë tjetër,” u shpreh Berisha.

 

Duke cituar një thënie të shkrimtarit Martin Camaj, i cili thotë se në çastet vendimtare ne nganjëherë sikur e ngatërrojmë rrugën kryesore, Berisha tha se edhe te ne në vend që më 26 gusht të bëheshin pritje të shumta tek eprorët fetarë, të bëheshin aktivitete të ndryshme nëpër shkolla, të emërohej ndonjë shkollë me emrin e saj etj., këtu vazhdojnë punët sikur nuk ekziston askush.

 

Ai e përmend një shembull interesant lidhur me nderimin që Nënës Terezë ia ka bërë shteti amerikan.

 

“Amerika nga viti 1767 ka themeluar një titull nderi, “Qytetar nderi” të Amerikës dhe nga viti 1767 deri më sot janë shpallur shtatë veta ‘Qytetar nderi’ të Amerikës, prej të cilëve pesë janë shpallur pas vdekjes dhe mbi 200 vjet janë shpallur vetëm dy vetë, prej të cilëve njëri ka qenë Nëna Terezë. Por ne nuk duam t’i dimë këto fakte, prandaj 26 gushti kalon kështu pa ndonjë aktivitet”, tha Berisha.

 

Edhe Don Lush Gjergji, njëri prej biografëve më të njohur të Nënës Tereze, është shprehur se Prishtina dhe Tirana nuk i kanë dhënë asaj respektin e merituar.

Në një intervistë për BBC-në, ai është shprehur se vlerat e mirëfillta të Nënë Terezës do të njihen tek me vonë, sepse dimensionet e figurës së saj, sipas tij, janë shumë më të mëdha se sa që njihen sot.

 

“Megjithë aktivitet që ka pasur dhe ka në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni, nuk mund të themi se kemi bërë mjaft. Unë shpresoj që ta kemi mishëruar në mendjet dhe në zemrat tona, dhe mbi të gjitha të mos jetë vetëm një festim i lavdërimit të emrit të saj, por mbi të gjitha nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës të mësojmë atë që është thelbësore që është mirësia, dashuria, bujaria, dialogu ndëretnik, dialogu ndërfetar që janë cilësi absolute për historinë e njerëzimit,” ka thënë Gjergji.

 

Ndërkaq, Gëzim Alpioni, profesor në Universitetin e Birminghamit dhe studiues i jetës dhe veprës së Nënë Terezës, është shprehur për Express se klasat politike, veçanërisht në hapësirat shqiptare, po e përdorin Nenë Terezën për të mbuluar nepotizmin e tyre, korrupsionin dhe dështimin e tyre për të adresuar çështje te rëndësishme sociale.

 

“Nënë Tereza është figurë që duhet studiuar në disa plane. Kur ishte gjallë dhe pas vdekjes, qarqe të ndryshme politike, fetare, nacionale dhe mediatike e kanë përdorur Nënë Terezën për qëllime të ndryshme. Në kontekstin ballkanik, duket sikur klasat politike, veçanërisht në hapësirat shqiptare, po e përdorin Nënë Terezën për të mbuluar nepotizmin e tyre, korrupsionin dhe dështimin e tyre për të adresuar çështje të rëndësishme sociale,” ka thënë Alpioni, duke shtuar se “Nënë Tereza me tepër vepronte se sa predikonte dhe politikanët shqiptarë duhet të mësojnë nga kjo misionare që i ndihmonte të varfrit me vepra dhe jo me predikime boshe”.

 

Për Alpionin, Nënë Tereza është një figurë shumë e rëndësishme dhe origjinale për të studiuar rolin e besimit dhe mosbesimit në postmodernizëm, si dhe rëndësinë e figurave të shquara në kontekstin fetar, etnik, kulturor, kombëtar, rajonal dhe global.

Ai shton se Nënë Tereza është një shërbëtore ekzemplare e të varfërve si dhe një ikonë moderne katolicizmi, mediesh dhe bamirësie.

 

Duke folur lidhur me keqkuptimin e njerëzve ndaj misionit dhe veprës së saj si dhe duke treguar arsyet se pse është marrë me studimin e jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezës, Anton Nikë Berisha shprehet se është marrë me Nënën Tereze për një arsye të thjeshtë sepse në disa nga librat që ai ka lexuar në shqip nuk del mirëfilli qenësia e veprës dhe e flijimit të Nënës Tereze, dmth. nuk del koncepti i saj i mirëfilltë.

 

“Qëllimi im ka qenë në ato libra që kam botuar që të sqarohet, të ndriçohet sado që është e mundur ajo qenësia e punës që ka bërë Nëna Tereze. Nëna Tereze nuk ka qenë një punëtore sociale, Nëna Tereze nuk ka qenë një veprimtare që u ka dërguar njerëzve ndihma sociale, Nëna Tereze nuk u ka ofruar njerëzve shpëtim nga vdekja duke iu ndarë ushqim dhe të holla, Nëna Tereze nuk i ka dhënë kurrë kujt lëmoshë të mirëfilltë, por ka bërë një punë shumë më të vlefshme, shumë më të çmueshme sesa t’i japi dikujt një kafshatë bukë dhe t’ia përmbushë një nevojë fiziologjike. Nëna Tereze ka pasur një koncept tjetër. Ajo ka bërë përpjekje që dashurinë që kishte ndaj Hyjit ta dëshmojë me dashurinë që kishte për njerëzit dhe sidomos me dashurinë që kishte për të varfrit prej më të varfërve, për të braktisurit, për të gërbulurit, për të gjitha ato shtresa që të tjerët i kanë marrë si të tepërt, si mall që nuk ka kurrfarë vlerë,” tha Berisha.

 

Sipas tij, puna dhe flijimi i saj kanë krejtësisht një përmasë tjetër nga ajo që njerëzit tanë e çmojnë dhe e dinë për Nënën Tereze.

 

Për këtë ai ka shkruar edhe një libër tjetër, mbi 300 faqe, që do të botohet së shpejti në Tiranë. Po ashtu edhe Alpioni është duke shkruar një libër tjetër për Nënën Tereze, i cili do të dalë nga shtypi në vitin 2012.

 

“Në librin tim të ri 'Kush e tradhtoi Nënë Terezën?: Politika e besimit dhe mosbesimit në postmodernizëm', për të cilin po punoj që nga viti 2007 dhe të cilin mendoj ta përfundoj në vitin 2012, unë trajtoj çështjen delikate të krizës së besimit të Nënë Terezës dhe argumentoj se kundërshtarët e Nënë Terezës kanë nxjerrë konkluzion të gabuar se Nënë Tereza ishte ateiste,” tha Alpioni.

 

Ai në studimin e ri thekson gjithashtu se edhe përkrahësit e Nënë Terezës gabojnë që e trajtojnë krizën e besimit të Nënë Terezës vetëm në kontekstin e 'natës së errët të shpirtit' që kanë përjetuar mistikë të tjerë. Në këtë libër, Alpioni argumenton se 'kriza e besimit' të Nënë Terezës është e një natyre të veçantë dhe se ajo është ndër mistikët me origjinalë që nga mesjeta e hershme.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora