E marte, 06.05.2025, 11:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Kur veshjet flasin me gjuhën e luleve

E diele, 29.08.2010, 06:35 PM


Nga Gazeta Shqip

 

Ka lënë Prishtinën për t‘i dhënë jetës personale, e mbi të gjitha asaj profesionale, një tjetër kuptim. Prej vitesh është bërë pjesë e Gjermanisë. Jeton në Hamburg, ku edhe ka hedhur themelet e karrierës së saj në fushën e modës. I pëlqen të mbështetet, sidomos në forcat e veta, të ecë me hapa të matur dhe të arrijë fitoren me krijimet e saj artistike. Flora Suldashi e do pafundësisht artin, e ndoshta energjia pozitive që arti përçon e bën atë të fortë për të kapërcyer pengesat, edhe pse në dhe të huaj. Fushën që ka zgjedhur të shprehë frymëzimin e lidh ngaherë edhe me gjinitë e tjera artistike. Muzika, piktura e mbi të gjitha poezia janë një gërshetim i suksesit të saj, por natyra, lulet, mbeten në krye të këtyre përbërësve. Ato janë thelbi i krijimtarisë së saj.

 

Nga Prishtina në Hamburg, ishte pasioni për stilimin që ju çoi atje apo zgjedhje e jetës?

 

Ishte një rrugë ku u ndërlidhën të gjitha, jo rastësisht, mbase edhe e programuar dhe më mirë që ndodhi kështu. Ishte edhe një vizion i hershëm i imi që më vonë u realizua.

 

Inxhiniere dhe stiliste, sa bashkëveprojnë me njëra-tjetrën? Fantazia është e lehtë, kurse teknika është e rëndë. Fantazia, (shpërthimi i idesë që realizohet në skicën me dorë të lirë) vjen si dhunti, mbase e "falur", kurse teknika (vizatimet teknike, konstruksionet e prerjes) duhet të ushtrohet, është shkencë.

 

Saktësia, proporcionet, perceptimi i duhur vizual dhe përshtatja e tyre në nxjerrjen e konstruksionit pastaj rruga në zgjedhjen e problemeve teknike të prerjes (vizatimeve teknike) dhe përpunimit (qepja) është mjeshtëri që fitohet me përvojë. Veshjet, p.sh. pantallonat, nëse i zbërthejmë në rrafsh dydimensional, atëherë shohim se gjeometrikisht janë dy cilindra, dy figura gjeometrike, që ndërhyjnë njëri në tjetrin - gjeometria deskriptive, që në finale shndërrohen në një "trup" gjeometrik tredimensional. Pra, kemi të bëjmë me gjeometri dhe matematikë të nivelit të ulët. Me pak fjalë doja të thosha se fantazia (ideja-skica) duhet të zbatohet në teknikë (konstruktimi i prerjes). Këtë unë e shikoj si një pikë interesante që ka dy funksione si pikëputhje dhe si pikëndarje. Kur arti dhe teknika ndërlidhen mes tyre me elegancë, duke derdhur te to ndjesinë dhe dashurinë, atëherë lindin kryevepra. Në këtë pikë i anashkaloj kolegët e mi që janë vetëm stilistë. Për mua teknika është një pikë strategjike, në të cilën më pëlqen të mbështetem fort.

 

Ju tashmë keni një atelie tuajën në Gjermani. Ka qenë fat, këmbëngulje, talent?

 

Ëndrra e çdo artisti është që të ketë një vend të vetin për të krijuar. Atë unë e shikoj si kështjellën ku është pikërisht artisti ai që sundon, sepse aty ai gëzon pavarësinë e tij shpirtërore, por edhe ekonomike. Në Perëndim kjo rrugë është e vështirë, mirëpo përkushtimi, serioziteti, besimi në vetvete (këtu dua të theksoj se pasiguria është një demon që na shpie në disfatë, andaj duhet të luftohet), kompetencat personale, profesionale dhe sociale, të gjitha kanë qenë parakushtet që më kanë ndihmuar të arrij në këtë pikë.

 

Çfarë ju frymëzon për stilimet tuaja?

 

Natyra, lulet... A nuk lidhet e gjitha kjo me emrin tim (qesh)? E shikoj si një rastësi të bukur këtë. Për mua çdo krijim është një lule më vete, andaj edhe zgjedh t‘i pagëzoj me emra lulesh. Qëllimi im si artiste është që të transmetoj elementët e natyrës te njerëzit dhe kurrsesi të mundohem ta kopjoj atë, sepse atëherë do të prodhonim prototipa të shëmtuar. Ngjyrat, lëvizjet, gjethet e vjeshtës dhe përplasja e tyre trotuareve, është një element i bukur që mund të transmetohet në krijim, e pastaj si produkt final t‘i dhurohet njeriut. Asimetria, si në natyrë ashtu edhe në art, adhuruese e së cilës jam, është aq joshëse dhe njëkohësisht reale; asnjëherë e djathta nuk ngjan plotësisht me të majtën.

 

Inspirim bazë patjetër është muzika; ajo të shpie në koordinata jashtë reales, pikërisht aty ku luan fantazia. Muzika dhe moda janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Nëse dëgjoj një operë, atëherë në imagjinatën time shfaqet një siluetë që mban një fustan hijerëndë; nëse dëgjoj muzikë të lehtë më shfaqet një siluetë femre, që mban veshur një fustan të hollë prej mëndafshi, e cila ngjan me një flutur të brishtë që nuk e duron acarin e dimrit; kur dëgjon rok, atëherë të vjen në mendje një veshje ekstravagante, provokuese, diçka që nxit revolucion.

 

Cilës kategorie i adresohen veshjet tuaja? A janë klientët tuaj personazhe të njohura të artit, apo figura të tjera të njohura?

 

Para syve të mi çdo klient meriton respektin e duhur. Kryesisht unë i ndaj në dy kategori. Në të parën janë klientët e vegjël - personat privatë, kurse në të dytën janë klientët e mëdhenj, ku bëjnë pjesë firmat. Nga klientët privatë ka intelektualë, artistë, avokatë, nëpunës të administratës etj.

 

Ekstravaganca në veshje ka modele artistike, nga të cilat frymëzohesh apo është një shprehje e botës dhe ndjenjave të tua?

 

Ekstravaganca është diçka që kalon çdo kufi, thyen mure, rregulla... Është një lëvizje rebeluese. Ajo shfaq dominancë, thyen rregulla, paragjykime, ndeshet me botën jashtë, ajo lufton. Ekstravaganca është një fushë ku artisti ka horizontin e hapur, luan me elemente lirshëm, prek surealizmin. Mua më tërheq kjo rrymë. Ashtu siç e dua detin më dallgë, e dua edhe kur mbi të shtrihet paqja.

 

Si luan Flora me koloritin e ngjyrave?

 

Klasikja, eleganca, ëmbëlsia më flenë në shpirt. Klasikja është diçka që qëndron, që mbijeton pavarësisht të rejave. E bardha dhe e zeza janë vijat bazë të stilimeve të mia. Bardhë e zi, a nuk është edhe simboli i vetë jetës? Në çdo të bardhë ka pak të zezë dhe anasjelltas. Por, kush mundet të jetë indiferent ndaj ngjyrave të ylberit? Askush, edhe unë nuk mundem, ndaj i preferoj të gjitha.

 

Si keni arritur deri aty ku jeni sot, vështirësitë, hyrja në një treg të huaj...

 

I kam qëndruar besnike vizionit tim, edhe pse nuk ka qenë një rrugë e lehtë. Ndoshta kam pasur fat, kam takuar njerëzit e duhur, në momentin e duhur, në vendin e duhur - këto janë tri trajektore të domosdoshme në rrugën e suksesit dhe mendoj se nuk është rastësi, por një shpërblim i mundimit për ta arritur. Biznesi i modës është një arenë ku lufta për mbijetesë është e vrazhdë, kërkon energji dhe përkushtim serioz. Njeriu duhet të jetë shumë i aftë në aspektin profesional dhe personal, vetëm atëherë mund të depërtosh në një treg të egër siç është ky i Perëndimit, ku ende vlen aksioma "peshku i madh e ha të voglin".

 

A keni menduar që të ktheheni sërish në Prishtinë, ndoshta si stiliste?

 

Ka qenë dilemë nëpër vite, më tepër e nxitur nga ndjenja kombëtare. Mirëpo në Kosovë, për një kohë të shkurtër kanë ndodhur shumë ndryshime... Natyrisht Prishtinën e dua shumë dhe shpresoj se një ditë do të krijohen rrethanat për të nisur diçka aty. Tani për tani jam përqendruar në Gjermani.

 

Ju shkruani edhe poezi. Është më shumë se një pasion?

 

Poezia është vetë shpirti e për mua është më tepër se vetëm pasion. Që e vogël ajo është me mua, më përcjell në çdo hap, sepse e dua fjalën e bukur, artistike, është ajo që i jep ngjyrë jetës sonë. Poezia është kënga, melodia, piktura...

 

Shoh një zinxhir të pashkëputshëm. Krijimet janë si një imazh që na falin kënaqësi. Janë ngacmime intelektuale që i falin njëra-tjetrës fuqi. Një poezi e bukur ngacmon trurin, ku pastaj shpërthen ideja, e cila më pas të nxit të krijosh, e kështu rruga nuk ka fund në art. Shpresoj që shumë shpejt të botoj një përmbledhje me poezitë e mia dhe dëshirë e kahershme e imja është ta promovoj atë në Tiranë.

 

Çfarë ju motivon në çdo ditë tuajën, në punë, në krijimtari?

 

Motivi, edhe kur mungon, duhet të provokohet të nxirret nga thellësia e shpirtit, që pastaj të shpërthejë frymëzimi. Jam natyrë që nuk përkulem, nuk pajtohem me heshtjen, lënien e punëve në hije, ndonëse motivi mund të mungojë. Nëse ndodh kështu, atëherë në këmbë më mban ideali, qëllimi jetësor, që është bazament dhe udhërrëfyes në jetë.

 

Secili prej nesh bën projekte apo ka plane. A keni ju dhe në çfarë fushe?

 

Ah sikur të kisha edhe një jetë... Nuk mjafton një jetë vetëm që artisti të nxjerrë në sipërfaqe gjithë sa i fle në shpirt.

 

Pa dyshim që projektet e mia vazhdojnë në fushën e modës, në art dhe në depërtimin në industri të lehtë.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx