E marte, 06.05.2025, 07:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Lorca dhe Kadare “rrëfehen” në Brazil

E marte, 31.08.2010, 08:21 PM


E pamundur të ndodhë fizikisht, këta dy emra të letërsisë i bashkon një projekt sa teatror dhe letrar. Synon që përmes shkrimtarëve që krijuan dhe e jetuan, të tregojë për publikun e gjerë shekullin XX. Do të nisë në datën 1 shtator në “Teatro da CAIXA” në Curitiba, Brazil. Lorka, një nga poetët më të vlerësuar spanjollë dhe shkrimtari shqiptar, i njohur jo vetëm në Spanjë po në shumë vende të botës përmes përkthimeve të veprave të tij, janë zgjedhur për të çelur këtë aktivitet. Projekti parashikon një lexim mujor, çdo të mërkurë me tekste të dy autorëve të njohur. Sipas njoftimit, qëllimi i kësaj ndërmarrje është të shpalosë, por njëkohësisht të krahasojë panoramën e letërsisë botërore të shekullit XX, kohë në të cilën njeriu është parë si “tregimtar” në pozita të ndryshme i kulturës së tij

Federico Garcia Lorca (Lorka) dhe Ismail Kadare do të “rrëfejnë” shekullin XX. E pamundur të ndodhë fizikisht për të parin, këta dy emra të letërsisë i bashkon një projekt sa teatror dhe letrar. Synon që përmes shkrimtarëve që krijuan dhe e jetuan, të tregojë për publikun e gjerë shekullin XX. Do të nisë në datën 1 shtator në “Teatro da CAIXA” në Brazil. Lorka, një nga poetët më të vlerësuar spanjollë dhe shkrimtari shqiptar, i njohur jo vetëm në Spanjë po në shumë vende të botës përmes përkthimeve të veprave të tij, janë zgjedhur për të çelur këtë aktivitet. Projekti parashikon një lexim mujor, çdo të mërkurë me tekste të dy autorëve të njohur. Sipas njoftimit, qëllimi i kësaj ndërmarrjeje është të shpalosë, por njëkohësisht të krahasojë panoramën e letërsisë botërore të shekullit XX, kohë në të cilën njeriu është parë si “tregimtar” në pozita të ndryshme, i kulturës së tij. Në fakt, Lorka dhe Kadare nuk pikëtakohen në kohë. Shkrimtari i njohur shqiptar ka lindur po atë vit, 1936, kur Lorka mbylli sytë, një jetë e ndërprerë dhunshëm nga pushkatimi. Trupi i tij ra në varrin masiv të njerëzve të luftës civile. Lorka jetoi shumë pak, por qe një shkrimtar i angazhuar. Nga ana tjetër, Kadare nuk jetoi dhe as krijoi në një luftë të shpallur, por në një qerthull të mirëkontrolluar nga diktatura. Liria si çështje ekzistenciale kushtëzoi e diktoi jetët dhe krijimtarinë e këtyre shkrimtarëve. Rrethanat historike e sociale ishin së pari brumi i veprës së tyre. Federico Garcia Lorca (Lorka) lindi në Funte Vaqueros në Spanjë, më 6 qershor të vitit 1898 dhe u pagëzua me emrin Federiko del Sagrado Corason de Jesus Garsia Lorka. Babai i tij, Don Federiko Garsia Rodriges, ishte një fermer, kurse nëna e tij, Donja Visenta Lorka, mësuese, trashëgoi shijen e hollë letrare tek i biri. Që kur ishte 2 vjeç, sipas biografit Edwin Honig, Garsia Lorka ishte i zhdërvjellët në mësimin e këngëve popullore. Kishte shëndet të dobët dhe nuk mundi të ecte para se të mbushte 4 vjeç. Lexoi në shtëpinë e tij veprën e Viktor Hygo dhe të Servantes, kur si nxënës ishte i dobët në mësime. Studioi letërsi në Universitetin e Granadës dhe muzikë me Manuel de Falla. Spanja e Lorkës, është Spanja e brezit të vitit '98, me një jetë intelektuale liberale, ku spikasnin emrat e të mirënjohurve Unanimo, Jose Ortega y Gasset, të cilët sollën një frymë "rebelimi" kundër realitetit të Spanjës të asaj periudhe. Salvador Dali, Luis Bunjuel dhe Andre Breton ndikuan në brumosjen artistike të Lorkës. Në kujtimet e tyre, këta emra të njohur e kanë përshkruar si njeri të jashtëzakonshëm Lorkën. "Unë jam një spanjoll integral dhe për mua është e pamundur të jetoj jashtë kufijve të mi gjeografikë; urrej të jem spanjoll për spanjoll; unë jam vëlla me të gjithë dhe adhuroj njeriun që sakrifikon për një ide nacionaliste, abstrakte, për të vetmin fakt se do vendin e tij. Një kinez i mirë është më afër meje se një spanjoll i keq. Këndoj për Spanjën dhe e ndiej atë në çdo qelizë, por përpara kësaj jam njeri i botës dhe vëlla i të gjithëve", shkruante Lorka që më 1917. Jetoi pak, por udhëtoi shumë nëpër botë, si në Argjentinë, Uruguai, Kubë, SHBA etj. Gjithçka pa e preku nga afër ishte frymëzim për poezitë e tij, ndërsa më vonë do të shkëlqente në dramaturgji. "El maleficio de la mariposa" ("Mallkimi i fluturës"), ishte drama e parë, për të shkruar më vonë “Mariana Pineda" apo “Shtëpia e Bernarda Albës”. Në vitin 1934, ai vazhdon udhëtimet, duke konsoliduar më tej miqësitë e tij të rëndësishme. Në vitin 1936, pak para shpërthimit të luftës civile, Lorka së bashku me Rafael Albertin dhe 300 intelektualë spanjollë firmosin një manifest në mbështetje të "Frente Popular", që u publikua në gazetën komuniste "Mundo Obrero" më 15 shkurt, një ditë para zgjedhjeve, të cilat u fituan nga e majta. Më 17 korrik 1936, shpërthejnë protestat ndaj qeverisë: nis kështu lufta civile spanjolle. Më 19 gusht, Lorka, poeti që ishte fshehur në Granada te disa miq të tij, u gjet. Atë e rrëmbyen dhe e çuan në Viznar, shumë pranë Burimit të Lotëve. Ndjekësit e diktaturës frankiste e vranë barbarisht, pa asnjë proces gjyqësor. Veprat e Lorkës u dogjën në sheshin Carmen të Granatas dhe emri i tij u fshi nga historia e kulturës spanjolle. U la në harresë për dekada të tëra, ndërsa sot konsiderohet si poeti më i madh spanjoll i shekullit XX dhe një simbol europian i lirisë. Po atë vit, 1936, lindi në Gjirokastër shkrimtari Ismail Kadare. Ishin vite kur Lorka njihej në Shqipëri, sidomos përmes shqiptarëve që morën pjesë në luftën civile të Spanjës. Kadaresë i qëlloi të jetojë e të krijojë në diktaturë. Këtë fat e patën edhe shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë, një pjesë e madhe e të cilëve u ndaluan, u burgosën e u vranë. Ishin vite kur ashtu si edhe në Spanjën e Lorkës, ndjehej revoltë në vargje e rreshta. Shkrimtari dhe diktatura, pozicioni që mbajti Kadare ndaj këtij regjimi është sot i shumëdiskutuar. Nga ana tjetër, veprat e tij përkthehen në shumë gjuhë të botës e shihen si një kronikë e “gjallë” e jetës nën diktaturë. Veprat e Kadaresë të shkruara para ‘90-s kanë marrë vëmendjen e kritikëve botërorë, ndërkohë që mediat e huaja shpesh kanë ngulmuar t’i kërkojnë shkrimtarit si mundi të “mbijetonte” artistikisht në diktaturë, si i shpëtoi dënimeve, pse zgjodhi të largohej nga Shqipëria...Pavarësisht të gjitha këtyre, Kadare për botën është rrëfyesi shqiptar i shekullit XX



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx