Kulturë
Një libër në dy gjuhë kushtuar Nënë Terezës
E hene, 30.08.2010, 09:16 PM
Ribotime:
Një libër në dy gjuhë kushtuar Nënë Terezës
Rizah Sheqiri: ZEMËR KREJT DASHURI /ETT HJÄRTA FULLT AV KÄRLEK/ përmbledhje poezish në dy gjuhë:shqip dhe suedisht, Ribotuar nga Shtëpia Botuese ”Dejavu” – Suedi, 2010.
Në vigjilie të përvjetorit të 100- të të lindjes së nobelistes shqiptare Nënës Terezë kohë më parë në kuadër të Shtëpisë Botuese ”Dejavu” në Suedi u ribotua përmbledhja me poezi në dy gjuhë shqip e suedisht e shkrimtarit tonë Rizah Sheqiri.
Shtëpia Botuese ”Dejavu” e Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë është një shtëpi Botuese e cila para së gjithash riboton librat e botuar më heret dhe të cilët tashmë nuk gjenden në treg. Ribotimi i këtij libri të R.Sheqirit që i kushtohet Nënë Terezës është një nder i madh për autorin ngase ai ribotohet në dy gjuhë paralelisht(shqip e suedisht) dhe për më tepër ribotohet në vigjilje të një përvejtori të rëndësishëm- 100 vjtorit të lindjes së Nënë Terezës.
Në vijim po sjellim disa mendime të më herëshme për librin ZEMËR KREJT DASHURI /ETT HJÄRTA FULLT AV KÄRLEK/ të Rizah Sheqirit:
Në këtë vëllim poetik të Rizah Sheqirit të bie në sy njëfarë lehtësie dhe natyrshmërie karakteristike e shkrimit të vjershës për fëmijë.
Duke qenë të lidhura rreth një teme dhe rreth një motivi sa të lashtë aq edhe të dashur e të çmuar, por edhe duke qenë të shkruara me një përvojë e mjeshtëri të konsiderueshme, këto vjersha, pa dyshim, do të lexohen me kënaqësi nga lexuesi të cilit i janë dedikuar./S.Syla/
Strofa përkushtuese, që hap këtë vëllim poezish, është si një dritare nga do të mund të shohim syzheun lirik, që si një vetëtimë e ngjizur me magji bartet nga një poezi në tjetrën. Siç e thotë edhe vetë titulli strumbullar i kësaj përmbledhje, përkatësisht objekt këngëtimi është dashuria - ajo e paplakura dhe e amshueshmja, e cila nga vargu në varg, nga strofa në strofë e nga vjersha në vjershë gjithnjë e më qartë merr tiparet e idealit dhe të ardhmërisë së njerëzimit.
Heroina (lirike) e këtyre vjershave është Nëna Tereze, nëna e të gjitha nënave, kujtimi i së cilës mbruan bukurinë e dashurisë njerëzore, gjithnjë të gjakuar, por kurrë të arritur plotësisht. Dhe poezitë e Rizah Sheqirit thonë, ndonëse me gjuhën e fshehtësisë poetike, se ajo i takon të sotmes, por më shumë kohëve që do të gëdhijnë. /R.Ramabaja/
Nëna Tereze simbolizon dashurinë e pakufishme njerëzore. Dua të theksoj se autori dhe unë përkthyesi të dy jemi myslimanë. Unë mendoj se fakti që Nëna Tereze ishte e krishterë katolike, dhe prapë nuk bënte dallime fetare në veprimtarinë e saj njerëzore, na ka frymëzuar të tregojmë të njëjtin qëndrim.
Ne shpresojmë se kjo frymë dashurie do të transmetohet në qarqet e lexuesve të rinj, pa pasur parasysh përkatësinë e tyre. Kjo ështe aq më e rëndësishme në kohën tonë kur forca të errëta përpiqen të përhapin armiqësi fetare, racore dhe nationaliste në botën tonë. /U. Qvick/