Kulturë
Kujtim Agalliu: Bisedë në...ajër
E hene, 30.08.2010, 03:03 PM
KUJTIM AGALLIU
BISEDË NË...AJËR
Tregim
Ai e kishte filluar bisedën qysh më parë. Unë vetëm sa hodha sytë rastësisht siç bëjnë të gjithë klientët, që vrasin kohën dhe presin t’u vijë porosia. Ishte dy tavolina më tej dhe u ndodhëm ballë përballë. Ishte një burrë i pashëm dhe i veshur me sqimë. Këmisha e bardhë, pantallonat po ashtu dhe këpucët elegante. Pasi i hodha një sy portretit të tij, u bëra kureshtarë të di se me kë po bisedon ky burrë i veçantë. Përreth, tavolinat ishin pothuajse bosh. Asnjeri s’pashë përpara tij, qoftë dhe në tavolinën tjetër. I përqendruar te personazhi im nuk e vura re kamerierin teksa vuri kafen mbi tavolinë, pranë meje. Gjithë vëmendja ime u përqendrua te buzët e tij që hapeshin e mbylleshin sipas fjalës që thoshte. Edhe pse u përqendrova ngulshëm shumë pak fjalë munda të kuptoj si ”lëre atë muhabet, e di unë, e di, po nuk është ashtu, do ta shohim, mos ki merak”, por nuk arrija t’i lidhja dot e të kuptoja me saktësi se për çfarë bëhej fjalë. Atëherë, u kapa pas gjesteve të duarve. Ato i merrja veshë fare mirë, ishin të matura, të motivuara dhe të kuptueshme.
Burri me të bardha, me zinxhir të hollë floriri në qafë, pasi mori qeskën e Taraboshit të mbushur me duhan të dyshimtë, që kishte pranë, në tavolinë, filloi të dredh një cigare tjetër meqenëse ajo që pinte ishte drejt fundit. E la cigaren e sapo mbaruar në taketuke dhe mori çakmakun të ndez tjetrën. Unë këtë veprim të tij e lexova si nervozizëm, si shqetësim e brengë, që i kishte pushtuar e trazuar shpirtin.
Pas pak burri i pashëm nxori duart para gjoksit, të dyja pëllëmbët të hapura dhe i lëkundi nja dy herë para vetes thua se kishte bashkëbiseduesin e padukshëm përballë. Fillova të lexoj me vëmendje domethënien e lëvizjes së duarve të tij. Kafenë e harrova dhe u bë akull e ftohtë. Tani e gjeta me se të merrem. Do të lexoj pantonimat e duarve të tij për të kuptuar se përse bisedonte ai dhe çfarë e shqetësonte. Dhe lexova sapo pashë duart e tij përpara gjoksit:
Leximi im: - Prit, prit se s’kam mbaruar ende. Ku e lamë? Ë!
Nuk e di se ç’përgjigje mori, por vazhdoi më tej.
Nxori njërën dorë përpara, me gishtin drejtues te një pikë e pacaktuar dhe e tundi nja dy herë lart e poshtë.
Leximi im: - Një mut, më keq se ç’ishte u bë. Por ti s’ke s’i i kupton këto gjëra. Rrugët tona janë të ndryshme. – E tërhoqi dorën mbrapsht me një hije zemërate në fytyrë. Pastaj pëllëmba e dorës së majtë u shtri përpara si paralajmërim.
Leximi im: - Më duket se ti do të më çmendësh mua sot. Mos më gjyko nga pamja, por eja e më lexo shpirtin të kuptosh. Veshje të firmës “Gabi” janë, tjetër gjë se i mbaj të pastra e të kollarisura. – Pastaj preu ajrin me pëllëmbë sikur të thoshte, - Për më mirë shpresuam, por e mira erdhi vetëm për njerëz të sojit tënd dhe jo për ne idealistët.
Pastaj e drejtoi njërin gisht mbi filxhanin e kafesë që ishte boshatisur prej kohësh.
Leximi im: Ja, kaq jam në gjendje të prishë. Me këtë kafe do të shtyj tërë ditën. – Çdo lëvizje e duarve dhe gishtave shoqërohej me lëvizjen e buzëve, por unë siç thashë, e kisha më të lehtë të lexoja gjestet se buzët.
Njërës pëllëmbë i bëri një gjysmë rrotullimi para fytyrës dhe e uli mbi tavolinë. Unë vazhdoj të lexoj:
- E ç’mund të bëj me një pension qesharak. As ilaçet nuk ble dot jo më pastaj. Po nejse..., – përsëri e mbuloi një hije trishtimi. Përsëri e drejtoi gishtin tregues në një pikë që vetëm ai e dinte (ndoshta aty ku ishte bashkëbiseduesi imagjinar) dhe e tundi nja dy herë:
Unë lexova shpejtë e shpejt: - E di e di, por fëmijët u rritën dhe kanë jetën e tyre përpara. Pastaj, - m’u duk se ia nguli gishtin në gjoks, - pse duhet të varemi nga fëmijët? A nuk kemi punuar një jetë të tërë për të qenë të pavarur ekonomikisht nga ata? Lëri, more, fëmijët të bëjnë jetën e tyre. Edhe ata duhet të mendojnë për pleqërinë e të mos ndodhen si ne në vështirësi.
E ngriti pak përmbi sup dorën dhe me pëllëmbën e hapur e lëvizi para prapa.
Leximi: - Lëre, lëre, me kë flas edhe unë. Ty të ka pjell mushka, more vëlla. Mjerë ai që e ka në kurriz! – Mori filxhanin e kafes dhe e afroi te buzët, por ai ishte boshatisur me kohë. I zhgënjyer e vuri përsëri mbi tavolinë. Pa një herë rrotull i turpëruar se mos e kishte vënë re njeri. Unë ula sytë sikur s’isha aty. Ndërkohë cigarja po i digjte gishtat. U kujtua të dredhë një tjetër. Mori qeskën Tarabosh, vuri letrën e cigares midis gishtave dhe e mbushi me duhan. E drodhi me shkathtësi dhe pasi e lagu me pështymë të sigurohej në ishte ngjitur mirë e vuri në gojë. E ndezi. Tani ai dukej si një njeri krejt normal. As buzët, as duart nuk po lëviznin më. Po bëhej gati të ikte, sepse e pashë që e mblodhi me kujdes qesen e Taraboshit dhe e futi në xhep. Futi dhe çakmakun. Duke u ngritur, përsëri shtriu përpara duart, i drejtoi andej nga mendohej se ishte bashkëbiseduesi dhe i lëvizi lart e poshtë.
Leximi im: - S’kam kohë të merrem me ty. Tani po iki në shtëpi se atje e kam lënë malin me halle, te pragu. Ai e di s’e ç’më rëndon në shpirt. Ti s’ke për të më kuptuar kurrë!
Pashë vetëm shpinën e tij tek largohej. Atëherë u kujtova për kafenë që tani as që pihej më, ajo kishte kohë që ishte ftohur.