Kulturë
Sami Islami: Njeriu që ia fali gjithë jetën e vet kauzës për liri
E hene, 30.08.2010, 09:27 PM
NJERIU QË IA FALI GJITHË JETËN E VET KAUZËS PËR LIRI
(Përkitazi me librin e Shkëlzen Gashit „Adem Demaçi-biografi“, Prishtinë, 2010, f. 240)
Nga Sami ISLAMI
„Lirinë e meriton ai popull i cili është i gatshëm të sakrifikohet për të“
E nisëm këtë recension me këtë maksimë, sepse, mendoj që ka shumë pak njerëz jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe në botë që t’i kenë kalu 28 vjet në burg pa u luhatë në asnjë çast nga rruga për liri. Ndër ne është Adem Demaçi. Është njeriu që ia fali gjithë jetën e vet Atdheut, por indirekt edhe gjithë botës liridashëse. Lidhur me këtë subjekt, tash vonë, në botim të “Rrokullisë” doli nga shrypi libri me titull “Adem Demaçi- biografi”, shkruar nga publicisti Shkëlzen Gashi.
Që në fillim vlen të theksojmë se autori ka bërë një punë shumë të madhe, ngase nëpërmjet materialeve të shumta që ka grumbullu, ka paraqitë me besnikëri edhe një pjesë të rëndësishme të historisë së sonë që lidhet kryesisht me këtë personalitet.
Adem Demaçi i përket gjeneratës së parë të pas Luftës së Dytë Botërore, i cili që në rini iu përkushtua me krejt qenien e vet problemit të pazgjidhur shqiptar. Ai heret e vërejti se interesat e shqiptarëve të Kosovës u tradhtuan dhe se Kosova pas LDB mbeti prap nën sundimin jugosllav (lexo: serb).prandaj e nisi luftën e gjatë paqësore që Kosova të bashkohej me Shqipërinë. I vetëdijshëm se edhe do të mund të zbulohej e të ndëshkohej nga organet serbe, Demaçi, pa drojë pikëpamjet e veta politike i paraqet fillimisht edhe në veprimtarinë e tij letrare. Romani i tij i parë „Gjarpijt e gjakut“ bëhet shkas për arrestimin e burgimin e tij. Baca Adem, në atë kohë, mbahet në burg për 4 vjet dhe pastaj lirohet. Por edhe pse lirohet nga burgu, si “i burgosur politik” ai do të jetë gjithnjë nën vëzhgimin e UDB-së serbe. Në këtë kohë (përveç disa shokëve më të ngushtë) askush as nuk e viziton Bacën Adem, bile , siç rrëfen vetë Demaçi, njerëzit as në rrugë nuk i flisnin, nga frika që mund të kenë pasoja pastaj për veten e tyre.
Duke lexuar këtë libër lexuesi, do të ketë rastin të mësojë se Baca Adem, si njeri që asnjëherë nuk bëri komromis me pushtuesin, do të angazhohet që të formojë një organizatë, e cila do të punojë për t’u çliru nga Jugosllavia. Kjo organizatë u qujt Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Kjo organizatë themelohet më 1963 ,ku kryesues të organizatës të emërohen Ramadan Shala, Adem Demaçi dhe Mustafë Venhari. LRBSH-ja për Prishtinë vendoset të udhëhiqet nga Xhafer Mahmutxhiku (kryetar) kurse anëtarë të kryesisë emërohen Azem Beqiri, Zeqir Gërvalla, Fazli Graiqevci dhe Ahmet Haxhiu.
Shkëlzen Gashi në librin e tij për Demaçin paraqet, gjithashtu, detale të rëndësishme lidhur me aktivitetin e LRBSH-së. Tregohet se kjo lëvizje kishte organizu aksione të ndryshme, në mesin e të cilave vlen të përmendet aksioni i 12 prillit të vitit 1964, kur shpalosen 99 flamuj nëpër gjithë Kosovën. Disa anëtarë të saj po atë muaj shkojnë në Ankara, në konsulatën shqiptare atje, për t’u tregu atyre se çfarë kishin bërë shqiptarët e Kosovës. Dhe, si për ironi, konsulli shqiptar i ambasadës, në vend që ta përkrahte këtë iniciative të kësaj organizate, ai kërkon që organizata të shpërndahet një orë e më parë! Demaçi e kupton politikën e Shqipërise, dhe sigurohet se Enver Hoxha nuk kishte ndër mend të çante kokën për Kosovën. Pas këtij aksioni Serbia merr ofensivë të madhe për arrestimin e organizatës. Arrestohen mbi 300 pjesëtarë të të saj. Baca Adem, siç tregon më vonë, i kishte njohë vetëm 25 prej tyre!
Një çështje që vlen të përmendet është fakti se Baca Adem, si njeri me moral të fortë, as pas peripecive të shumta që i kishte përjetu në burg, kurrë nuk ishte luhatë në qëndrimet e tij politike. Si njeri me ideal të lartë dhe i vendosur në parimet e tij patriotike, qëndroi në burg për 28 vjet. Ai dërgohet sa në një burg sa në burgun tjetër, si në Nish, Pozharevc, Stara Gradishkë e gjetiu. Shpesh ndëshkohet me vetmi nga eprorët e burgut, jo aq për vete, sa për mënyrën e keqrtrajtimit të burgosurve të tjerë, qofshin ata shqiptarë, kroatë apo të tjerë.
Lexuesi ka rastin të mësojë detale të rëndësishme nga jeta e Demaçit, i cili evulon prej një njeriu që e ka pasur idol Enver Hoxhën (edhe pse , siç thotë ai sot , “kam pasë rezerva për të”) e deri te kthesa, kur ai distancohet publikisht nga ai dhe nga politika e Shqipërisë komuniste përsa i takon zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Demaçi shprehet: “ Ne jemi përpjekë për bashkim me Shqipërinë, sepse nuk e kemi ditë se si është gjendja atje dhe shumë mirë që nuk e kemi ditë, sepse po ta dinim s’do të kishim vepru fare dhe do të bëhej edhe më keq”. “Enveri më shumë e kishte dashur pushtetin, se interesin thelbësor të popullit shqiptar”, thotë Demaçi. Bile me rastin e vizitës së parë në Shqipëri (pas rrëzimit të komunizmit) tronditet nga prapambetja e vendit sa nga mllefi, shprehet se “ma mirë do të pranoja të vdisja , sesa ta shihja Shqipërinë në gjendje që kishte qenë”. Ai kujton se qysh para se të shkonte në Shqipëri, kishte një kopje të librit “Republika e Kosovës është shpallur në zemrën e popullit tim”. Demaçi, i zhgënjyer me realitetin shqiptar, i gris të gjitha pjesët që përmbajnë lavde për Enver Hoxhën .
Edhe pas daljes nga burgu (i tretë), më 1990, me të cilin i rrumbullakësoi plot 28 vjet burg, Bacës Adem nuk do t’i jepet mundësia të pozicionohet në vendin që i takon. Refuzon të bashkohet me LDK-në, por më vonë bashkohet me Partinë Parlamentare. Për shkaqe parimore heq dorë edhe prej kesaj partie.
Në vitin 1991 zgjidhet kryetar i KMDLNJ-së dhe e zgjeron atë, jo vetëm në Kosovë por edhe në Mal të Zi dhe gjithandej në Perëndim. Në këtë kohë Demaçi merr çmimin ‘Saharov’ , e kjo ndodh në dhjetor të vitit ’91. Në vitet në vazhdim ai zgjidhet Kryeredaktor i “Zërit”, e më vonë edhe i “Forumit”.
Gashi në librin e tij prezenton edhe detale te tjera që e lartësojne edhe me shumë Demaçin si patriot dhe si intelektual. Vlen të përmendet intervista që ai i jep një televizioni beogradas, në të cilin shprehet se Kosova nuk dëshiron luftë, për ta zgjidhur fatin vet, por nëse do t’i imponohet lufta, për çka po synon Serbia, dijeni se populli shqiptar nuk është qyqar. Ai do të dijë t‘i dalë zot vetes, pra do të luftojë për të drejtat e veta”. Po Demaçi, kur e lyp nevoja, di të shprehet edhe ndryshe. Në në një debat tjetër që organizohet në Beograd me ftesë të disidentit serb Miladin Zhivkoviq, Demaçi në mënyrë diplomatike u thotë të pranishëmve: “Për këtë që kaq fort e dua lirinë e popullit tim jeni edhe ju fajorë, sepse edhe prej jush kam mësu se si duhet liria dhe pavarësia”!
Me 1994 Demaçi boton romanin autobiografik “Libër për vetmohimin”, në të cilin paraqet jetën e tij në burgjet e Serbisë. Më vonë Demaçi, duke dashur që ta ndalte edhe një luftë tjetër ( e cila u dëshmua se do të ishte lufta më e përgjakshme në procesin e shthurjes së Jugosllavisë) jep idenë e krijimit të një organizimi të ri federativ, që ai do ta quante BALLKANIA. Në këtë federatë, në të cilën do të marrin pjesë Serbia, Mali I Zi dhe Kosova, do të krijohej mundësia e bashkëjetesës, me të drejtën e shkëputjes së mëvonshme e të gjitha kombeve që do ta përbënin atë. Kjo ide nuk përkrahet as nga serbët por as nga shqiptarët.
Edhe pse Demaçi dëshironte që çështja e Kosovës të zgjidhej në mënyrë paqësore, Serbia, duke e pa pozitën e favorshme ushtarake të saj, në raport me Kosovën, kishte vendosur “ta çonte çështjen deri në fund”.
Duke e parë se Serbia nuk do të kishte as më të voglin vullnet për të zgjidhë çështjen e Kosovës në mënyrë paqësore, Demaçi e sheh se lufta me Serbinë është e pashmangshme . Prandaj formimiin e UÇK-së e shesh si domosdoshmëri të kohës, kështu që edhe e përgëzoi. Më vonë do të marrë postin e sekretarit politik, të cilin do ta mbajë për një kohë jo të gjatë. Gjatë kësaj kohe Demaçi do ta ndihmonte atë në mënyra të ndryshme, bile siç theksohet në libër, Demaçi, si përfaqësuese politik, angazhohet me tërë qenien e tij në këtë luftë tepër të pabarabartë. Atë, në këtë kohë, mund ta gjeje ku ta kërkonte nevoja. Një herë, duke shku në shtab të UÇK-së , ndalohet në Komoran nga policia serbe, e cila pasi e kontrollon, njëri nga policët fillon të bëjë shaka me Demaçin , duke i thënë policit tjetër “Ky është ai gjenerali pa ushtri”. Kurse Demaçi i përgjigjet “ Nëse unë nuk kam ushtri, atëherë çka dreqin po ruani ju këtu?!’
Baca Adem qëndroi në pozitën e shefit të zyrës së UÇK-së deri në çastin kur ky ballafaqohet me njërin nga komandatët e UÇK-së Jakup Krasniqin, në të cilin debat Jakupi tregohet jokorrekt ndaj Bacës. Adem Demaçi jep dorëheqje nga posti duke thënë se “Unë nuk lejoj që zyra ime të bëhet një “pisarnicë” (shkrojtore)’, në kuptimin që nuk lejon të përzihet kush të dojë në punët e tij.
Një kapitull të veçantë autori ia kushton Konferencës së Rambujesë dhe pjesëmarrjes së delegacionti shqiptar atje. Demaçi ishte i vetëdijshëm se negociatat shqiptaro-serbe për pozitën e statusit politik të Kosovës do të përfundonin prapë me humbje të Kosovës. Ose, thjesht, Konferenca do të “siguronte” vetëm një autonomi “të zgjeruar” siç ishte në qarkullim ky opcion nga Serbia dhe nga nikoqiri i negociatave Franca. Prandaj Demaçi ngul këmbë të mos nënshkruhet marrëveshja. Megjithatë marrëveshja u nënshkru dhe pasoja e saj u panë.
Është interesant të theksohet se Demaçi , edhe pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, dhe fillimit të shpërnguljeve masive nga Kosova, do të qëndrojë në Prishtinë. Ai do të dalë thuaja përditë në shoqërinë e pandërprerë të motrës se tij Ajshes nëpër qytetin pothuaj të zbrazur të Prishtinës dhe në praninë e forcave ishtarake e paraushtarake të kriminelëve serbë. Edhe gjatë këtyre daljeve Bacit Adem i ndodh edhe një ballafaqim me një patrullë policore te Serbisë. Aty qëllon të jetë edhe një gazetar i huaj i cili tregon qëndrimin e patundur të Bacit para kriminelit të uniformuar serb. Kur ai e fyen me fjalë të rënda Baci i thotë: ‚Më vraj, por mos më fyej!‘
Duke qenë njeri I drejtpërdrejtë, Baca Adem i pranon kritikat, por edhe ka dëshirë që njerëzve t’ua thotë të metat në sy. Si njeri i tillë Demaçi nuk gjen fort përkrahje nga politikanët shqiptarë të Kosovës , të cilët duke mbrojtë karrierën e tyre ndërrojnë kursin e tyre politik sa një anë sa në anën tjetër. Demaçi nuk do të mund të pajtohet me këtë realitet, dhe mu për këtë arsye edhe largohet pothuaj nga të gjitha funksionet që kishte.
Mund të thuhet më në fund se Gashi librin e ka ndarë në kapituj dhe i ka vu ngjarjet në etapa kronologjike, nëpërmjet të cilave lexuesi do të krijojë pamuni shumë të qartë për etapat historike nëpër të cilat ka ecë populli i Kosovës në luftën e tij për liri duke ndjekë jetën e Bacit Adem.
Shikuar nga prurjet që autori ka sjellë në këtë libër, vërehet qartë se Gashi ka punuar një kohë të gjatë në këtë libër. Lista e gjatë bibliografike, e cila gjendet në fund të librit, e dëshmon këtë. Fotografitë e shumta të përdorura në libër ia shtojnë edhe më shumë vlerën dhe funksionlitetin e tij. Thyerja teknike, gjuha e pastër janë poashtu një element më shumë për ta bërë librin shumë praktik dhe tërheqës për lexim.