Kulturë
Bilall Maliqi: Libër që pasqyron fakte për të kaluarën
E marte, 31.08.2010, 08:58 PM
LIBËR QË PASQYRON FAKTE PËR TË KALUARËN
(Mr. Bislim Pireva “Dhuna shekullore serbe në Gallap 1”. Botoi “Gallapi”, Prishtinë, 2010, faqe 90)
Nga Bilall Maliqi
Puna e palodhshme studimore në nxerrjen në dritë të librave të karakterit të ndryshëm qoftë historiografik, shenime nga teoria e letërsisë, qoftë punime monografike dhe shkrime të tjera të cilat janë të një vlere dhe rëndësie të veçantë kanë bërë të vetën që studiuesi mr. Bislim Pireva të vazhdojë më tutje në nxerrjen në dritë të fakteve të pakontestueshme të cilat kanë të bëjnë me historikun e trevave të Gallapit të cilat deri vonë ishin nën dhunën serbe, dhe këto të dhëna i ka përmbledhur në një libër me titull “Dhuna shekullore serbe në Gallap 1”.
Kujtesa të hidhura
Brenda kopertinave të këtij libri shpalosen fakte nga dhuna shekullore serbe e ushtruar në disa treva të Gallapit e të cilat kanë qenë domosdoshmëri e kohës që këto të dhëna që i shërbejnë historisë të mblidhen dhe të sistemohen në këtë libër në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të kenë parasyshë se në këto treva ka pasur dhunë shekullore, spastrime, dëbime etj., të cilat autori i ka paraqitur në këtë libër i cili sipas të gjitha gjasave do të vazhdoj edhe me pjesën e dytë me fakte të tjera të pazbuluara deri më tani e që do të jenë të njohura për opinionin shqiptar në përgjithësi.
Në prologun e librit lexuesi ndeshet me të dhëna nga dhuna qindvjeçare serbe duke paraqitur kështu të dhëna për disa vendbanime shqiptare që nga viti 1788 kanë jetuar shqiptarë si p.sh., në Valevë, , Qupri, Beograd, Uzhicë, Sokolac, Smederevë, Çaçak etj., qytete tani të populluara me serb sepse që atëherë kishte filluar dëbimi dhe spastrimi i shqiptarëve nga këto vendbanime të lartcekura.Kjo shihet qartë se edhe ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit kur Serbia kishte fituar autonominë nga Perandoria Osmane kishte planifikuar gjenocidin dhe spastrimin e shqiptarëve edhe të kësaj pjese të populluar me shqiptarë. Argumentet në këtë tekst hyrës mr. Bislim Pireva i ka argumentuar me fakte përmasat gjenocidiale të dhunës ndaj shqiptarëve nëpër kohë deri tek lufta e fundit, gjithnjë në dritë të fakteve dhe shifrave për shpopullimin, deportimin dhe spastrimin etnik të shumë vendbanimeve shqiptare si kur spastrimi i dhunshëm i shqipatrëve nga Sanxhaku i Nishit ku tani nuk mund të gjejmë as një fakt kulturor shqiptar në ato vendbanime.Kjo tragjedi dhe ky deportim i dhunshëm ndaj shqiptarëve vazhdoi edhe nëpër pjesë të tjera shqiptare nga viti 1878 deri në vitin 1999 ku filloi terrori serb ndaj shqiptarëve të Masuricës dhe Vrajës, këtë shumë mirë dhe me fakte shumë të sakta e paraqet në librin e tij Reshat Avdiu me titull “Terrori serb ndaj shqiptarëve të Masuricës dhe Vrajës 1878-1999”, por ky spastrim etnik vazhdoi edhe gjatë luftës së fundit më 1999, ku mbi një milionë shqiptarë nga dhuna u detyruan t’i lëshojnë vatrat e tyre stërgjyshore, por për fat të mirë pas luftës u kthyen…
Treva e Gallapit
Autori mr. Bislim Pireva në këtë libër në vazhdim ka dhënë një pasqyrë reale të të vrarëve dhe të të zhdukurve në katër vendbanime të trevës së Gallapit: Tygjecit, Sfircës, Zajqecit dhe Gmicës gjithnjë duke u bazuar në informata të sakta nga informatorë të ndryshëm të këtyre anëve.
Në fshatin Tygjec sipas të dhënave të autorit në këtë libër gjatë kësaj periudhe janë të vrarë tetëdhjetë shqiptarë, por nuk kishte vetëm të vrarë, kishte edhe të dënuar politikë, pesë shqiptarë dhe fazën tjetër shpërnguljen për Turqi duke përdorur metoda të ndryshme vetëm e vetëm t’ia arrijnë qëllimit final për deportimin e shqiptarëve për Turqi. Nga Tygjeci për Turqi u deportuan shtatëmbëdhjetë familje, për të vazhduar në vitin 1878 për disa familje që u vendosën në Tygjec. Pra këto të dhëna autori i mori nga informatorë njëmbëdhjetë sosh.
Fat më tragjik në këto vendbanime të Gallapit kishte fshati Sfircë, ku me vendimin e kongresit të Berlinit ky fshat ndahet në dy pjesë ngase në kufi i sollën kolonë nga Piva e Malit të Zi dhe Qaplina, ata vrisnin këdo nëpër rrugë.
Autori Pireva në vazhdim paraqet pasqyrën e të zhdukurve, të vrarëve dhe të masakruarve të këtij fshati: të vrarë duke i llogaritur edhe dy bija të Sfircës del se nga ky fshat janë vrarë, prerë e zhdukur pa gjurmë njëqindë shqiptarë. Të rrahur, të përndjekur dhe të burgosur nga ky fshat ishin katërmbëdhjetë shqiptarë, gjithnjë duke u bazuar në të dhënat e informatorëve nëntë sosh.
Në vazhdim të leximit të librit lexuesi hasë në të dhëna të tjera për të vrarë dhe të zhdukur edhe në fshatin tjetër të Gallapit, në Zajqec. Autori jap të dhënat për të vrarët tridhjetë e tre, të shpërngulurit në Turqi dhjetë familje, pastaj i paraqet edhe të përjetuarit e golgotës së Tivarit dhjetë shqiptarë, të burgosurit politikë dymbëdhjetë shqiptarë të këtij fshati si dhe emrat e informatorëve…
Edhe fshati Gmicë i përjetoi këto të këqia, kishte të vrarë dhe të zhdukur, të burgosur politikë dhe të shpërngulur për Turqi. Të vrarë e të zhdukur nga ky fshat ishin dyzetë shqiptarë, të shpërngulur për në Turqi dymbëdhjetë familje shqiptare, kishte edhe familje muhaxhirë të vendosur në Gmicë, të burgosurit politikë nëntë shqiptarë dhe informatorët që autori u mori të dhëna.
Prej gjithë kësaj që u tha deri më tani len të kuptojmë se autori mr. Bislim Pireva ka ofruar mjaft të dhëna dhe fakte për familjet e shpërgulura me emra dhe mbiemra, vendin e shpërnguljes dhe trashëgimtarët e sotëm në këto fshatra të Gallapit . Ky libër është punuar me përkushtim të madh dhe me një profesionalizëm të lartë nga autori sepse ky botim qet në dritë shumë fakte për dhunë, spastrim, deportim dhe vrasje të shqiptarëve ku numri i përgjithshëm i të vrarëve nga këto katër fshatra arrinë në 241.
Ky libër shpalos këto ngjarje dhe në mungesë të këtij botimi gjeneratat e reja shumë shpejt do t’i harronin këto ngjarje sikur u harruan edhe ngjarje të tjera tragjike nga e kaluara jonë. Mbetemi me shpresë që mr. Bislim Pireva do të vazhdojë edhe më tutje të punojë në këtë drejtim dhe të dalë edhe me pjesën e dytë e të hedh në dritë dhunën shekullore edhe në fshatëra të tjerë të Gallapit…