Kulturë
Vullnet Mato: Velloja e nuses
E enjte, 02.09.2010, 07:51 PM
Vullnet Mato
VELLOJA E NUSES
Ndoshta nuseve u veshin vello të bardhë
tu zbardhet durimi qysh nga dita e fillimit,
që pas mundimeve, me dëshirë në darkë
të ngrejnë flamurin e bardhë të dorëzimit.
Më pas velloja i kthehet butikut nusëror,
dhe nuses i mbetet fotografia e dasmës,
ta kujtojë sa herë merr fshesën në dorë,
dhe nis të lajë pjatat e vaktit të mëpasëm.
Veç te ikja në punë pret rastin e çlirimit
nga skllavëria me disa skllavopronarë,
kur pas burrit, i shtohen fëmijët e gjirit,
që ua duron robërimin me qejf të madh.
Pastaj kur pronarët bëhen një kor i plot
dhe zënë të këndojnë himnin e trishtimit,
ajo zë kokën me duar dhe lan me lot,
vellon e bardhë të robërimit të shpirtit.
Ndodh pronari kryesor vellon e harron
dhe argëtohet diku te një nuse pa vello.
Ajo në shtëpinë e streseve veten kafshon,
duke përbuzur burrin donzhuan e otello.
Dhe velloja e bardhë e dasmës së shenjtë
shndërrohet befas një napë e zezë pis,
hedhur supeve gjatë funeralit të shpejtë
për varrimin përfundimtar të dashurisë.