Kulturë
Demir Krasniqi: ''M'rrove e t'rrova - brisku i berberit''!
E merkure, 01.09.2010, 09:57 PM
Fjalë e urtë popullore shqiptare:
“M’ RROVE E T’ RROVA – BRISKU I BERBERIT”!
Kishte shkuar në një dyqan të berberit , një fshatar i varfër dhe i dërmuar nga puna e rëndë dhe mundimi .
Në dyqanin e berberit nuk kishte qenë i pranishëm pronari i rrojtores – berberi, por në vend të tij , po punonte një punëtor praktikant i cili atë botë quhej shegert .
Fshatari hyri brenda në berberhane dhe pasi ia tha një “puna e mbarë” shegertit, u ulë në karrigen e rrojës dhe i tha shegertit që t’ia rruaj fytyrën .
Shegerti ia uli fytyrën mirë me sapun dhe e rruajti me kujdes në mënyrën më të mirë të mundshme .
Pasi e kreu rrojën , i tha myshteriut :
- Me shëndet, myshteri !
Fshatari (myshteriu ) ia ktheu:
- O, shëndet paç e faleminderit shumë dhe ditën e mirë e bëfsh !
Shegerti:
- Jo, more jo! S’ ka faleminderit, por paguaj paret që të rrova !
Myshteriu:
- O, pasha Zotin, o vëlla, nuk kam para me të pagua! Po ti a po më sheh që unë jam një njeri i ngratë, i varfër dhe i dërmuar nga puna!
Shegerti:
- Po, përse , or vëlla, nuk më tregove me kohë se nuk ke para për të më paguar? Po çka t’i bëjë unë tash Berberit (pronarit)?!
Myshteriu:
- E po kollaj ia bëjmë. Ulu të në karrigen e rrojës dhe tash do të rruaj unë ty dhe pastaj do të barazohemi !
Shegerti u ulë dhe myshteriu e rruajti ashtu së që diti dhe i tha:
- E tash jemi të barabartë . M’ rrove e t’ rrova - brisku i Berberit !
Shegerti i tha myshteriut:
- Po, bre po! Ama, kush ia mprehë tash briskun Berberit?!
Nga goja e popullit , shënoi:
Demir KRASNIQI