| E merkure, 01.09.2010, 08:57 PM |
 Fjalë e urtë popullore shqiptare:
Fjalë e urtë popullore shqiptare:
            “M’ RROVE  E  T’ RROVA – BRISKU I BERBERIT”!
            Kishte shkuar në një dyqan të berberit , një fshatar i varfër dhe i dërmuar nga puna e  rëndë dhe mundimi .
            Në dyqanin e berberit nuk kishte qenë i pranishëm pronari i rrojtores – berberi, por në vend të tij , po punonte një punëtor praktikant i cili atë botë quhej shegert .
            Fshatari hyri brenda në berberhane dhe pasi ia tha një “puna e mbarë” shegertit, u ulë në karrigen e rrojës dhe i tha shegertit që t’ia rruaj fytyrën .
            Shegerti ia uli fytyrën mirë me sapun dhe e rruajti me kujdes në mënyrën më të mirë të mundshme .
            Pasi e kreu rrojën , i tha myshteriut :
- Me shëndet, myshteri !
Fshatari (myshteriu ) ia ktheu:
-          O, shëndet paç e faleminderit shumë dhe ditën e mirë e bëfsh !
Shegerti:
-          Jo, more jo! S’ ka faleminderit, por paguaj paret që të rrova !
Myshteriu:
-          O, pasha Zotin, o vëlla, nuk kam para me të pagua! Po ti a po më sheh që unë jam një njeri i ngratë, i varfër dhe i dërmuar nga puna!
Shegerti:
-          Po, përse , or vëlla, nuk më tregove me kohë se nuk ke para për të më paguar? Po çka t’i bëjë unë tash Berberit (pronarit)?!
Myshteriu:
-          E po kollaj ia bëjmë. Ulu të në karrigen e rrojës dhe tash do të rruaj unë ty dhe pastaj do të barazohemi !
Shegerti u ulë dhe myshteriu e rruajti ashtu së që diti dhe i tha:
-          E  tash  jemi të barabartë . M’ rrove e t’ rrova -  brisku i Berberit !
Shegerti i tha myshteriut:
-          Po, bre po! Ama, kush ia mprehë tash briskun Berberit?!
Nga goja e popullit , shënoi:
Demir KRASNIQI