Kulturë
Janaq Pani: Eh medet! O eh medet!
E merkure, 01.09.2010, 08:31 PM
Janaq Pani
EH MEDET! O, EH MEDET!
Dhe kjo politika jonë
s'po na nxjerr në selamet,
në të gjitha jemi vonë
eh, medet! O eh, medet!
Aspirojmë demokracinë
rrodhi ujë njëzet vjet,
vemë vetulla e nxjerrim synë
eh, medet! O eh, medet!
Më çdo krahë japim vota
(i kërkojnë me lezet)
ikin hunj e vijnë rrota
eh, medet! O eh, medet!
Nga i vogli kryeplaku
gjer ministër e deputet
nis e u rrethiset barku
eh, medet! O eh, medet!
Që të gjithëve u del frika
porsa vijnë në pushtet,
qenka kurvë politika
eh, medet! O eh, medet!
Bëjnë plane të mëdha
njeri mat e tjetri pret
marrin thesin me gjithë çka
eh, medet! O eh, medet!
Njëri ngjan si kec i shtirë
për kolltuk partinë e shet,
n'arë të botës ka mbirë
eh, medet! O eh, medet!
Ca të tjerë mbjellin mërritë
s'kanë tjetër muhabet,
si ameba ndajnë partitë
eh, medet! O eh, medet!
Një tërheq e tjetri nduk
një nis shan, tjetri ia pret
politika është kolltuk
eh, medet! O eh, medet!
Tjetri nis e na bën ndere
sjell të tijtë në pushtet,
vlerat lihen mbrapa dere
eh, medet! O eh, medet!
Dikush shet dokrra me kile
vetë s'beson n'ato që flet,
politika qenka skile
eh, medet! O eh, medet!
Askush dorën s'u a mba
ndaj kalemi nis rrëshket,
politika është para
eh, medet! O eh, medet!
Venë pasuri mënjanë
sa s'ka vënë as një mbret,
të pangopur, lubi janë
eh, medet! O eh, medet!
Mbushin gjer në grykë thasët
s'merret vesh se çfarë ngjet
barku ynë u bë dërrasë
eh, medet! O eh, medet!
Nuk dëgjojnë nga ai vesh
kur ankohet ky milet
jeta jonë shkoi për lesh
eh, medet! O eh, medet!
Ata flejnë mbi dafina
dhe për popullin s'u kërcet
fati ynë - fushë me mina
eh, medet! O eh, medet!
Jeta jonë shkoi e vate
tretur si kripa në det
politika ngre pallate
eh, medet! O eh, medet!
Emra nuk do ze në gojë
të mos vihen në siklet
politika qenka lojë
eh, medet! O eh, medet!
Qenka lojë si kumari
një fiton, tjetri humbet
për ne kur të mbijë bari
eh, medet! O eh, medet!
S'ia nxjerr sytë horri - horrit
në @do anë kështu ngjet
s'ia heq kush petat lakrorit
eh, medet! O eh, medet!
Njeri dhe krodhen s'e gjen
e uria nis këlthet
tjetri birrë blen për qen
eh, medet! O eh, medet!
Kush në biruca u kalb
vetëm për bindjen e vet
e shpërblyen pare kallp
eh, medet! O eh, medet!
Dikush vite internuar
nëpër baltëra u tret
sërish ndjehet i harruar
eh, medet! O eh, medet!
Njeri si kau në zgjedhë
sa lirë krahun e jep
tjetri nxiton që ta vjedhë
eh, medet! O eh, medet!
Njeri vjen pa zhurmë e bujë
truall ze si mall të vet
ligji bën vrimën në ujë
eh, medet! O eh, medet!
Dikush drita nuk paguan
sot e mot e dhjetë vjet
ti i drejti zë e vuan
eh, medet! O eh, medet!
Në mëngjes dikush pa brekë
për një tender që e jep
milioner bëhet në drekë
eh, medet! O eh, medet!
Kush i vjen përreth Doganës
sa të zerë ndonjë cep
s'ngopet luan' i savanës
eh, medet! O eh, medet!
Nga na mbiu klo kolerë
përfunduam për ibret
e kur guri vend do zerë
eh, medet! O eh, medet!
Kur do shohim ditë të bardha
e të mbushemi gajret
prapa bishtin e ka dardha
eh, medet! O eh, medet!
E kur nderi do ringjallet
kur do vijë ai vullnet
kush do na i zbutë hallet
eh, medet! O eh, medet!
Kush do jetë ai zemërtrim
që ta mbajmë me kimet,
shpirti yt e shpirti im
ka dekada që e pret.
Që të verë dorë në zemër
e të mbjellë gëzim ngado
për të lënë pas një emër
ashtu si zemra na i do.
Gjer tani si duken bathët
nuk e kemi këtë fat
larg qënkanë për neve pashkët
socialist e demokrat.
Ndaj nga Zoti fatit tonë
do i vijë një ditë shpëtimi,
asnjëherë s'është vonë
të lindë shpresa e gëzimi.
Se ky popull ka në gen
rrënjësuar besë e vlera
shpirti blerimin e gjen
kur bius në prill pranvera.
Ajo ditë e shenjtëruar
po e presim që të vijë
fatin tonë ta mbajmë në duar
të gëzojmë si fëmijë.