Kulturë
Halil Haxhosaj: Vepër me figuracion të dhimbjes e mallit
E merkure, 01.09.2010, 10:00 PM
VEPËR ME FIGURACION TË DHIMBJES E MALLIT
Nga Halil Haxhosaj
Poeti, përkthyesi, shkrimtari dhe krijuesi i mirënjohur Mazllum Saneja edhe në veprën e tij më të re “Leximi i vetmisë”, Varshavë, 2010, vazhdon po atë bisedë artistike e krijuese me lexuesin e poezisë dhe krijimtarisë së tij, të cilën e pati filluar që me vëllimet e tij të para “Këlthitje”, 1973, “Heshtja e një kohe”, Tiranë, 1976, “Shpuzë e ftoftë”, Prishtinë, 1988, pastaj “Shëmbëllime të trazuara” “Pe një ëndërr”, “Vetëtimë jete”, e të tjera si dhe një numër edhe më të madh përkthimesh nga shqipja në polonishte dhe anasjelltas, e antologjish, që janë mirëpritur nga lexuesi dhe nga juritë duke u laureuar me disa çmime letrare kombëtare, e pse jo edhe ndërkombëtare.
Makro dhe mikro strukturimi i veprës
Vepra më e re e Mazllum Sanejes “Leximi i vetmisë”, që në fillim na ballafaqon me këtë sintagmë kaq domethënëse poetike, sa që kur të lexohen materialet në të duket se janë mendime dhe shtresime që depërtojnë nga shpirti dhe dhimbja e poetit, në këtë rast krijuesit të saj, për të shpërfaqur atë me një lehtësi por edhe përjetim edhe tek lexuesi. Sintagma “leximi i vetmisë” ka dy shtylla mbi të cilat peshon kuptimi dhe domethënia filozofike e saj. Leximi në këtë rast ka kuptimin e një shpalimi të dhimbjeve dhe mallit të subjektit poetik të shpërfaqur figurativisht, ndërsa vetmia ka konotacion me unazën më intime dhe më mallëngjyese të mërgimit, të ndarjes dhe të jetës larg atdheut, që kurorëzohet me mallin dhe dhimbjen e thellë. Ky bashkëdyzim fatmirësisht nuk qëndron e tkurrur, por shtrihet në të gjitha poret e veprës.
Kjo më se miri shihet edhe në ndërtimin strukturor të veprës. Vepra “Leximi i vetmisë” ka ndërtim në dy stadet, që janë makro dhe mikro sistemi strukturor i saj. Këto dy stade kanë mini strukturat e veta.
Makro struktura ka shtrirje në dy hemisfera artistike dhe janë:
Pjesa e parë: “Albumi i familjes sime”, poezi, dhe
Pjesa e dytë: “Ditari im 1985 –
shtrihet në këtë vepër.
“Albumi i familjes sime”, poezi, që ndahet në gjashtë mikro njësi apo qerthuj poetik dhe nga 32 forma poetike apo poezi me tematikë dhe kredo figurative të nyjëtuar dhe të dimensionuar sipas tipit të strukturës së veprës.
Kjo pjesë e veprës ka gjithsej pesë qerthuj (cikle) poetikë: 1. “Albumi i familjes sime”dhe ka vetëm një poezi 2. “Vetëm fillikat”, ka dymbëdhjetë poezi, 3. “Të gjallët dhe të vdekurit e mi”, nëntë, 4. “Leximi i vetmisë”, poashtu nëntë dhe 5. “Memento”, vetëm një poezi prej të cilëve tre janë kryesorë, ndërsa dy të tjerët: “Albumi i familjes sime” dhe “Memento” mund të jenë edhe prologu dhe epilogu i kësaj makro pjesë. Këtu pas leximit të poezive mund të konstatohen dy gjera që janë evidente. Disa nga këto poezi janë të botuara edhe në veprat e mëparme të këtij poeti dhe ai i ka ribotuar edhe këtu, mbase, për të mos i harruar, apo më mirë, për ta “larë” borxhin ndaj mallit, dhimbjes personale dhe mërgimit që është hallkë më vete për të gjithë të mërguarit, apo kurbetçarët, siç njihen në fjalorin e popullit.
Ndërkaq elementi i dytë që dallohet poashtu është sepse poeti Mazllum Saneja u ka kushtuar nga dy e më tepër poezi familjarëve të vet, si dhe miqve, shokëve dhe të tjerëve, si: dy-tri poezi për motrën Shuretën, vëllezërit, pastaj dy poezi ia kushton mikes se vet Evës, e të tjera.
“Ditari im 1985 –
Kjo pjesë e veprës, pra “Ditari im 1985 –
Kredoja poetike e dhimbjes dhe mallit
Kredoja poetike e krijuesit Mazllum Saneja në këtë gjysmë vëllimi të poezisë, sepse pjesa tjetër e veprës është ditar i shkruar në prozë, është dashuria e pafund dhe malli i zjarrtë për Kosovën, për vendlindjen e tij Gjakovën, dashuria për njerëzit e për familjen, për vëllezërit, prindërit, motrat, shokët, krajatat e jetës, të cilat ai i kujton dhe i rikujton për t’i futur në brendësi e pastaj për t’i nxjerrë me ndjenjë e mendim refleksiv në vargje poetike pas më se tridhjetë vjet mërgimi. Kështu autori shpalon në kuadrin e krijimit poetik edhe përkushtimin që është një thirrje e ndjeshme dhe e fshehur në thellësitë e shpirtit të tij prej malli të mërgimtarit: “Në kujtim të gjallëve dhe të vdekurve të mi. Autori”. Kjo kredo poetike që është moto përkushtuese e këtij vëllimi, e kësaj vepre, nuk është e tkurrur, nuk është e ngushtë, nuk është veç sa për t’u thënë, por ajo depërton dhe udhëton qoftë heshtazi, qoftë haptazi që nga veprat e mëhershme poetike të tij, që ngritin kokë në figura e vargje të poezive me tematikë e kredo të këtillë. Andaj, ai vjen i përmallur të puthë tokën mëmë, që e lindi, që e rriti dhe e pa buzëplasur tek e linte për një jetë më të mirë diku atje larg në Poloninë e ftoftë, në Poloninë e ëndrrave e të mrekullive që ishin skalitur në imagjinatën e mërgimtarit Saneja, poet e krijues.. Shpirti i poetit tash i ngjan kraterit të një vullkani, ku shpërthen gjithë ajo dhimbje e gjithë ai mall përvëlues, ndaj ai merr penën dhe derdh vargje ende pa prekur dheun e shtrenjtë të Gjakovës e Kosovës, në qytete e krahina polake, në tren, në avion, mes udhëve qiellore, që e çojnë drejt dashurisë së tij të madhe, njeriut, familjes dhe atdheut. Dhe, mu për këtë, në poezinë “Lutje”, që është një psalm ai shkruan:
Kur na le vullneti për jetë
Madje edhe fjala duket e kotë
Dritën njerëzore ruana Zot
(Poezia “Lutje” faqe 15)
Mazllum Saneja, në këtë vepër, na paraqitet si një lirik shpirttrazuar i cili shquhet për ndjeshmëri të lartë. Prandaj lajtmotive dhe kredo kryesore të krijuesit në këtë vëllim janë dashuria, malli, dhimbja dhe ofshamat për tokën, për njeriun, për familjen e tij dhe atdheun e vendlindjen, të cilat thuajse këto ndjenja janë si gurra nxitëset kryesore të frymëzimit të tij. Muza poetike mban dhimbje dhe mall mërgimtari dhe të gjitha poeti arrin t’i sjellë me art, me vargje, me figuracion dhe me rrëfim në formë ditari.
Vetmia ime vështron në dritare
ai shi i rëndë
Kjo është jetë tjetër, është gjendje tjetër, të cilën poeti e quan sëmurje, e quan mallkim, e quan mallëngjim, e quan vetëtimë dhe gjëmë, sepse:
Qielli i vrenjtur i errët
nga çdo anë vetëtin gjëmon
Për të vazhduar me qëllim kurorëzimi të idesë dhe kredos poetike:
Vetëm fillikat
me sëmundjen time
Ky këndvështrim ideoartistik bëhet kredo e lajtmotivit rrëqethës e pikëllues kur subjekti fiton sëmurje dhe duhet të shtrohet për t’u shëruar në sanatorium. Ai vetëm aty merr frymë “lirisht”, sepse aty gjithmonë mbretëron qetësia. Poeti dhe subjekti lirik të vetmuar e të humbur e shikojnë vetveten sepse kështu i ka degdisur jeta. Ajo jetë që zhvillohet me dashje e pse jo edhe pa dashje diku në një kënd të një metropole tjetër, në një shesh të një sanatoriumi ku zhvillohet luftë e jetës me vdekjen, por fiton gjithmonë ajo që është më e përgatitur, ajo që është e pagojë dhe ajo që nuk dorëzohet kurrë para murit të flakës harresë.
Malli intimë dhimbjeje poetike
Poeti Mazllum Saneja niset nga konkretja, nga imtësitë dhe çastet e provuara nga jeta, të përjetuara thellë intimisht të cilat edhe di t’i shndërrojë në vargje në mënyrë poetike, ndaj shpesh figurat që ai përdor befasojnë me gjetjen, shtrirjen dhe domethënien e vet. Intima e dhimbja në vargjet e këtyre poezive shpërthen me gjithë fuqinë e shpirtit me pezëm që e mban zemra. Ky pezëm kthehet shpeshherë në dhimbje dhe poeti ka arsye të jetë i pikëlluar të cilin pikëllim ai arrin ta derdhë në vargje. Pena e poetit pikon dhimbje kur kujton, madje edhe kur shkon "të vizitojë" të dashurit e tij tashmë të ikur në botën tjetër, në varrezat e qytetit. Janë këto vargje të dala nga shpirti, për humbjen e tyre dhe këtë çast dhimbjeje ai ka ditur ta japë me forcë tronditëse me këto vargje:
Lejleku solli në fluturim
shaminë me lot
nga varri i motrës sime
për të vazhduar me vargjet e tjera kushtuar babait, nënës, vëllait e të tjerëve.
Zëri mallëngjyes i mërgimtarit bëhet përcjellës i të gjitha domethënieve që si përjetime shfaqen edhe në formë të strukturimi poetik e letrar të gjendjes së subjektit, të nënshtresimeve që i percepton ai. Të gjitha këto shtresohen mirë dhe më kujdes duke u zhvilluar nëpër stazat shkëlqyese poetike. Edhe pse aty këtu ndihet ndonjë ofshamë që del nga thellësia e shpirtit, ajo nuk rri e tillë por suksesshëm shndërrohet në figuracion poetik. Kjo formë e poezisë së tij është thirrje jetësore ngase poeti Mazllum Saneja është i vetëdijshëm për çka shkruan. Ai zhvillon një dialog me subjektin lirik, në ndonjë rast edhe me vetveten, me njerëzit, kohën, bashkëkohësit dhe familjarët e tij, andaj si poet i dhimbjes njerëzore, mallit, dashurisë, etj., këto ndjenja i bën bazë figurative e ideoemocionale të poezive të tij. Edhe pse gjendet larg vendlindjes dhe atdheut të dashur, ai përsëri mbetet i lidhur me mijëra fije të padukshme, që burojnë nga zemra dhe këto lidhje shpirtërore nuk i këput kurrë, pavarësisht nga mërgimi i pamëshirshëm. Këto bëhen udhë zemre, të cilat e kthejnë tek njeriu, tek familja, tek vendlindja e atdheu si qenie të përmallur:
Anës Visllës
me zemër të fishkur
mezi qëndroj
Në këto vargje ka jo vetëm frymëzim, por ndizet edhe një pasion i vërtetë poetik. Poeti M. Saneja befason me vargun e tij plot nerv duke e venë lexuesin e vet në mendime të thella, madje edhe tejet prekëse, por që edhe i jep kënaqësi. Ndaj, hapësirat vezulluese të Kosovës, ujërat e Drinit të Bardhë e të Erenikut rrjedhin në këto vargje së bashku me valët, duke na dhënë me mjeshtri bukuri të peizazhit kosovar, të ngritura këto në figura të skalitura mjeshtërisht si metafora, krahasimi, epiteti, e të tjera. Ky figuracioni poetik është funksional dhe pa fjalomani artificiale, figurat janë befasuese dhe zëri i poetit është një zë i tingëllueshëm e plot ndjeshmëri të thellë. Mazllum Saneja shkruan një poezi meditative, ku rrjedh humanizëm, por edhe mallëngjimi dhe sinqeriteti. Kjo lirikë poetike, si shpirti i tij, është e trazuar dhe poeti i mallosur, që për një kohë vjen dhe çmallet me njerëzit dhe vendin e tij, papritur ndjehet i mbushur me mallin dhe frikën e vdekjes që do t’i japë mërgimi:
Nëse do të vdesësh
Duhet të jetë dikush
që të të marrë përdore
që të thotë
do të vdes me ty
sepse ndryshe mund t’i thuhet të vdekurit Atëherë shpirti i poetit buçet si malet e Alpeve të vendlindjes së tij rrëzë të cilave u lind, u rrit, provoi dhimbjen dhe gëzimin e dashurisë së parë, njohu vuajtjen dhe privimet e një jete tjetër atje larg nën diktaturën e mallit dhe të dhimbjes personale.
Mazllum Saneja vihet në mbrojtje të jetës, të së bukurës dhe mbi të gjitha të njeriut. Ai shkruan me mall e dhimbje të thellë për refugjatët që ka njohur atje në Poloninë e largët. Shpirti i tij prej krijuesi nuk mund të rrijë indiferent ndaj tragjedisë së shekullit të XX për bashkëkombësit e vet, familjarët, miqtë, shokët e të tjerët.
Vepra “Leximi i vetmisë” e Mazllum Sanejes , nuk do të ishte i plotë pa poetikën e prozës së ditarit, e cila ia ka zgjeruar me sukses një ndjenjë shumë të hollë që është si vegim i dashurisë për jetën dhe njeriun. Në këto shënime në formë ditari ai shfaqet një person intelektual që mban shënime të tilla për t’i shndërruar në vepër. Ditar kanë shkruar shumë personalitete të shquara të jetës dhe historisë, por ditari i këtij shkrimtari dallon për një nuancë, e cila është e veçantë, madje edhe tipike individualiste e përjetimeve dhe ndjenjave të autorit të dashuruar përmallshëm dhe, i cili si poet luan bukur me vargun, që me të drejtë mund të quhet varg i thellë, përbajtësor dhe ndijesor. Me këtë vepër, ai tregon se ka pasuruar përvojën e tij krijuese jo vetëm me ndjenja, por edhe me ide, motive e vizione të reja. Pra, vetë libri paraqet një fazë të re të pjekurisë të këtij autori dhe të përgjegjësisë së tij ndaj artit në përgjithësi dhe letërsisë në veçanti, duke paraqitur një evoluim të pandërprerë dhe duke e mbushur me shprehje të pasura ideore dhe emocionale. Ndaj kjo vepër, sikurse edhe të tjerat të këtij autori, do të jetë i mirëseardhur, sepse ai paraqitet me dinjitet, para lexuesit.