Kulturë
Kosova krenare që nxori humanisten e përmasave botërore
E enjte, 02.09.2010, 08:54 PM
Nga Express
Kuvendi i Kosovës mbajti sot një seancë solemne për nder të 100-vjetorit të lindjes së Nënës Terezë. Me këtë rast, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se Kosova është krenare që nxori nga gjiri i saj një humaniste me përmasa kaq të mëdha botërore, siç ishte Nënë Tereza.
“Nëna jonë e madhe me humanizmin e saj bashkoi me përkushtimin e dashurinë e saj mbinjerëzore kombe e raca. Deri në fund të jetës, Nëna Terezë me përkushtim i shërbeu njerëzimit, pa marrë parasysh se në cilën anë të globit jetonin, pa marrë parasysh se ç’gjuhë e kombe përfaqësonin. Shëmbëlltyra e saj, me shenjtërinë e saj edhe sot, është në shërbim të të gjithëve, pa dallim”, tha Krasniqi.
“Vetëm në këndvështrimin e historisë, të kulturës e të traditës sonë mund ta zbërthejmë, ta kuptojmë dhe ta shpjegojmë fenomenin e mirësisë, të dashurisë dhe të shpirtit të madh të kësaj bije të kombit tonë. Gonxhe Bojaxhiun – që në mbarë botën njihet me emrin Nëna Terezë, e lindi e rriti dhe e madhëroi lashtësia jonë ilire–shqiptare, e nxori në dritë martirizimi ynë shumëshekullor për dashurinë njerëzore, e lartësoi përvujtëria dhe stoicizmi ynë i pashembullt, e bëri të madhe dhe të pavdekshme DASHURIA e pafund për njerëzimin, e veçanërisht për njerëzit në nevojë për një dorë të ngrohtë njerëzore”, u shpreh kryetari i Parlamentit.
“Nëna dhe Motra jonë u bë dhe do të mbetet Nëna e të gjithëve në hapësirën tonë tokësore e qiellore. Kjo është mrekulli, është shenjtëri, është histori që s’është parë, as dëgjuar kurrë. Është një fenomen prej te cilit përfitoi e krenohet mbarë njerëzimi, të varfrit dhe të pasurit, të mëdhenjtë dhe të vegjlit, të lirët dhe të robëruarit, të ngopurit dhe të uriturit, të shëndoshët dhe të sëmurët, të privilegjuarit dhe të përjashtuarit, besimtarët dhe jobesimtarët. Për secilin njeri, në katër anët e Globit është pasqyrë për njerëzi, për mirësi”.
Fenomeni unik i Nënës Terezë pati shtrirje në krejt rruzullin e tokës dhe e tejkaloi çdo kufi kombëtar, fetar, gjinor, racor, shtoi Krasniqi. Me veprën e saj prej një shenjtëroreje ajo i dha jetës kuptim dhe domethënie të re. U bë e palodhshme dhe e pamposhtur në luftë kundër vuajtjes, pësimit, varfërisë, vetmisë, sëmundjeve etj.
“Kjo shqiptare trupvogël, me zemër të madhe – Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë bëri
vepra të mëdha, të pavdekshme. Me mirësinë dhe me dashurinë e saj të pakufishme, Nëna Terezë, shkëlqeu në mbarë botën dhe u bë ambasadore e denjë e kombit tonë, ambasadore e vlerave humane që kaq shumë i duhen kohës sonë”.
Kjo Nënë e jashtëzakonshme, e papërsëritshme, mrekullisht dhe bindshëm e mishëroi dhe e dëshmoi para gjithë botës historinë, traditën, kulturën shqiptare dhe atë mbarënjerëzore.
Edhe pse gjithnjë e zënë në luftë kundër të ligave, varfërisë mbytëse dhe sëmundjeve të shumta, Nëna Terezë kurrë nuk e harroi Popullin saj, ninullat e prindërve të saj, dashurinë për fëmijët. Nëna jonë, Nëna e gjithë njerëzimit, të cilën e pritnin si hyjneshë nevojtarët e mbarë botës, edhe pse kishte shumë punë, ajo gjente kohë dhe kishte mirësi ta vizitonte Kosovën dhe Shqipërinë., ka theksuar Krasniqi
Sot me emërtime të objekteve fetare, të spitaleve, të shoqërive bamirëse, të rrugëve, të shesheve, të shkollave, të aeroporteve etj., Krasniqi tha se po kujtohet dhe nderohet veprën e madhërishme të Nënës Terezë, të kësaj humaniste të madhe nobeliste.
Në këtë vit jubilar, në 100-vjetorin e lindjes së Nënës Terezë, Kryetari i Parlamentit tha se shprehin nderimin, falënderimin, respektin dhe dashurinë ndaj vlerave dhe virtyteve që ajo i jetësoi dhe i dëshmoi kudo në botë.
Sipas tij, ky brez dhe brezat që do të vijnë, jo vetëm që do të krenohen me veprën e madhe të Nënës Terezë, por do ta kenë shembull nga i cili do të mësojnë se një njeri, sado i vogël të jetë, po punoi me zemër dhe me përkushtim, mund të bëjë vepra madhështore për të mirën e familjes, të kombit dhe të mbarë njerëzimit.
Populli ynë ndjehet i privilegjuar dhe krenar për bijën e tij humaniste të këtyre përmasave, që ishte gruaja më e madhërishme e botës së shekullit XX. Është pra një nder dhe një privilegj i madh për të gjithë ne, që jetuam në epokën e saj e bëmë ndryshime të mëdha, që e patëm dhe e kemi përjetësisht një Gonxhe, të cilën mbarë bota e quan Nëna Terezë, ka thënë në fjalën e tij kryeparlamentari Jakup Krasniqi.