Kulturë
Vangjush Ziko: Vargu më doli prej shpirtit
E enjte, 02.09.2010, 08:48 PM
Vangjush Ziko
LIBRI THOTË
Libri thotë,
errësira u bë dritë.
Vdekja bëhet jetë.
Kam parë yllin të ndritë
dhe shuarjen e kometës.
Më thanë,
kur linda,qava.
Kur të vdes,
Kam shpresë të qesh.
Jeta,e përvëluara saharë,
mes lindjes e vdekjes, në mes.
VARGU MË DOLI PREJ SHPIRTIT
Vargu më doli prej shpirtit
nga errësira ime brenda
ku bashkë ishin
gëzimi dhe brenga.
Në ësht' i shëmtuar,
është bir i gëzimit.
Në është syshkruar,
brenga e lindi.
NE
Ka spitale për njerëz
ka dhe për kafshë.
Ne jemi të ndjeshëm,
saç jemi të vrazhdët,
s' përfillim vetveten,
përgjërohemi për kafshët.
NË MUZE
Në muze,sipas lashtësisë,
shoh një kafaz prej degësh lisi.
Më tej,në një pavion tjetër,
shkëlqen avioni dhe një raketë.
Dhe ciceroni mburr epokën,
por veç një gjë harron të thotë.
Përpara se të shpiknim krahët,
të mjerët ne,shpikëm kafazët.
FABUL
Një bletërritës më tha një ditë,
Mjalti më ngjan me poezitë.
Ti kullot vargjet në lule dhimbjeje.
Ku çel duhani,bletët un' shpie.
Poet e bletë,sa të afërt,
Dhimbjen e helmin e bëjnë mjaltë.
Korrik-Gusht 2010