E shtune, 15.06.2024, 02:19 AM (GMT+1)

Kulturë

James Pirandeli: Shqiptarët më të lashtët, grekët e sllavët xhelozë

E shtune, 04.09.2010, 01:16 PM


Nga Raimonda Moisiu

Ai nuk ka qenë kurrë në Shqipëri, por për të di pothuaj çdo gjë. E njeh historinë, vuajtjet, luftërat, emrat dhe personazhet. Shkrimtari dhe eseisti shqiptaro-amerikan, James W. Pandeli e ka origjinën nga Devolli i Korçës. Gjyshërit e tij emigruan në SHBA, respektivisht aty nga vitet 1904, 1911, 1917 dhe 1920. Babai i tij ka lindur në fshatin Tren të Devollit dhe emigroi në SHBA kur ishte 5 vjeç, ndërsa e ëma lindi në Filadelfia nga prindër shqiptarë në dhjetor 1920. James W. Pandeli është një produkt i erës "Noli-Konica" në Amerikë. Ai është diplomuar në Universitetin e Konektikatit në vitin 1966 për ekonomi dhe në vitin 1975 në Kolegjin Juridik të Kalifornisë e mban titullin Doktor-Jurist. Librin "Oh Shqipëri, Shqipëria ime e mjerë" e botoi në vitin 1980, duke zbërthyer një pjesë të "gjenezës së historisë të popullit ilir, që prej vitit '700, para erës sonë". Libri është botuar edhe në shqip në marsin e këtij viti në Kosovë. Në këtë libër ju do të kini kënaqësinë të mësoni më shumë mbi çamët, gegët, toskët dhe labët, rrënjët e gjenezës ilire të popullit shqiptar, gjë që tregon se në të shumtën e rasteve grekërit e lashtë apo kronikanët e kohës, kanë fshehur të vërtetën rreth botës së lashtë ilire dhe shqiptare. Në të është pasqyruar me një theks të veçantë historia e lashtë shqiptare në letërsinë greke, gjëra që nuk kanë qenë në gjendje të shprehen më parë. Për titullin "Oh moj Shqipëri, Shqipëria ime e mjerë" autori u frymëzua nga Pashko Vasa. Ai nuk ka dyshime se ilirët janë pasardhës të pellazgëve, e për këtë faktet i gjen tek greku Hesiod... 

Thuhet se James W. Pandeli është produkt i erës "Noli-Konica". Cila është lidhja mes jush e atyre? 


Të katër gjyshërit e mi kanë qenë të gjeneratës së Fan Nolit. Erdhën në Amerikë aty nga vitet 1904, 1911, 1917, 1920. Prindërit e mi janë martuar në kohën kur Faik Konica jetonte e vepronte në Amerikë. Gjyshi tjetër largohet nga Shqipëria në vitin 1884, në moshën nëntë vjeçare dhe ka punuar në miniera, në Egjipt, Bullgari, Turqi dhe në fund në Rusi. Unë kam edhe sot e kësaj dite monedha të kohës së Car Nikollas që datojnë nga viti 1898, që mendohet të jetë edhe viti i mundshëm i kthimit të tij në Shqipëri. Diku aty pas vitit 1915 ndërtoi një shtëpi në Korçë dhe pati dy fëmijë. Largohet përsëri nga Shqipëria drejt Amerikës. 

Ju keni botuar një libër për Shqipërinë... Çfarë viti ka qenë kur u botua libri? 


Ka qenë viti 1980 dhe asokohe kam qenë 36 vjeç. 

Të shkruarit ka qenë një pasion i hershëm i juaji, apo ju e ndjenit se diçka duhej të shkruhej? 


Ka qenë një dëshirë e madhe e imja për të shkruar historinë e prejardhjes, vazhdimësinë pellazgo-iliro-shqiptare. Shumë fakte të rëndësishme dilnin ndërsa lexoja "Gjeneza e zotërve", të Hesiodit, në vitin '700 para erës sonë, dhe kjo më shtyu të mendoj se ç'duhet të bëj unë. Fillova të eksploroja rreth çamëve, gegëve dhe toskëve dhe idetë në lidhje me identitetin shqiptar nga koha pellazge, duke përdorur di-oun-sis si një tezë për të deshifruar idetë. Disa zbërthime historike të shkruara nga urtësia e intelektit të emigrantit të hershëm në SHBA, mik i familjes, Ali Rushit, Plaku i Konispolit, në vitin 1972, më inkurajuan që të përqendrohem në lashtësinë pellazgo-ilire. 

"Oh Shqipëri, Shqipëria ime e mjerë" u botua në vitin 1980. Si arritët ta botonit? 


Kjo nuk ka aspak lidhje me besueshmërinë për botuesit apo redaktorët. Këto kërkime e studime që lidhen me historinë e lashtësisë ilire duhet të zhvillohen më tej e të bëhen publike nga studiues e historianë shqiptarë dhe jo të huaj. Librin e botova vetë në përputhje me politikat e botimit e të drejtën e autorit. I kam dhënë katër kopje misionit shqiptar në OKB, në datën 1 prill 1980. Aty ia kam dhënë në dorën time z.Todi Rizo. 

Libri juaj është cilësuar si një botim që mbase një ditë do të jetë më i madhi në historinë e shkruar shqiptare. A është i bazuar në fakte të vërteta historike? 


Unë e kuptoj se çfarë përbëjnë faktet historike. Nëse ju i referoheni burimeve të botuara, duhet të pyesni veten se çfarë është paraqitur në fakt. Nga tezat e hedhura nga të tjerët në lidhje me historinë pellazgo-iliro-shqiptare duhet t'u besosh paraardhësve që kanë lidhje me historinë shqiptare, dhe jo ato çka na sugjerojnë dijetarët e huaj, fetë e mëvonshme. Nga kjo pikëpamje, ata kurrë nuk kanë mundur ta shkojnë nëpër mend deri në thellësi të ekzistencës sonë, pasi ata kanë qenë të shtyrë nga interesat e tyre. Qeramikat më të lashta janë gjetur në Shqipëri, dhe shpjegojnë pasaktësitë. Ne duhet t'i falënderojmë, sepse idetë, tezat e tyre në lidhje me parahistorinë krijojnë një vakuum, një boshllëk në argumentet e tyre. Besoni apo jo, grekët vuajnë shumë nga kjo. Dhe dalim në përfundim se të gjitha tezat dhe argumentet e tyre dështojnë dhe ADN-ja shqiptare ka qenë e pranishme që në lashtësi. Askush nuk mund të dalë me fakte historike para, por nga përdorimi i zgjuar dhe i ndershëm i fakteve, emrat e lashtë, domethënies së fjalëve, rrënjët e emrave të fiseve janë një tablo e qartë e evoluimit. Libri im sjell një këndvështrim të ri, deri tani të paimagjinuar, jo të ndërtuar mbi të pavërtetat, por për të dhënë të vërtetën. Vijimësia pellazgo-ilire është e "zbehur" nga pushtimet dhe trazirat, fillimisht nga legjionet e perandorive romake, pastaj bizantine, pastaj otomane dhe më pas nga paqëndrueshmëria e shteteve-komb, dhe dyndja e grupeve të huaja etnike në këto qindra vjet. Një fakt shumë interesant në histori është shkruar nga vetë Hesiodi për perëndeshën Afërditë, simboli i dashurisë dhe mbarësimit. Historia më e mundshme e lindjes së Afërditës është versioni që unë kam shprehur në librin tim. Shqiptarët e sotëm duhet të kuptojnë se ekuilibrat duhet të bëhen në idenë e tyre, por kjo nuk do të thotë të dorëzohen. 

Si lindi ideja e botimit të librit? 


Unë gjithmonë kam pasur kënaqësinë dhe dashamirësinë të lexoj mbi historinë e popullit tim shqiptar. Ajo çka është shkruar nga të tjerët, si edhe ajo e shkruar nga shqiptarët, aty vjen edhe frymëzimi, edhe kureshtja intelektuale për të treguar çka më lidh mua, një shqiptaro-amerikan, me popullin shqiptar. Ishte viti 1979 kur unë shkova në bibliotekën e Ft. Lauderdale, Florida. Ndërsa po lexoja Hesiodin, dhe mbaja shënime, i bëra pyetjen vetes: "A mund të jetë ideja sipas versionit të lashë se fillimi i Botës ishte burimi i lumit Shkumbin?! Kjo mund të mos ketë qenë fakt i një fillimi, por këto teza mund të jenë hedhur që në lashtësi, nga gojëdhënat e banorëve të kësaj zone. I erdha rrotull bibliotekës dhe për çudinë time rrëmbeva një libër gjeografik, dhe ishte vërtet befasuese e habitshme gjetja e emrit të vjetër të lumit, i cili ishte "Genusus". Aty kuptova se çfarë zbulova. Ky emër i lashtë ishte një pjesë dhe fakt i historisë. Një pjesë që së bashku me të tjerat na japin një ide të mundshme. 
Shkrimi i Hesiodit shihet tashmë me tjetër këndvështrim... Hesiodi më dha mundësinë që të jem në gjendje të prodhoj një interpretim të ri, një kaos të koncepteve të epokës së gurit dhe në "fillim të krijimit të botës" në histori. Kam luajtur me argumentet. Fillova të shkruaja ese për të sqaruar dhe mbrojtur tezën time, çfarë kishte nevojë për t'u përsëritur, më pas implikimet, dhe unë e kuptova se sa drejt ishin mendimet e mia. Ky studim i racës shqiptare hap disa aspekte të veçanta në lidhje me atë që unë e quaj ADN shqiptare. Aftësia ime mendore nuk mundet të pushojë! 

Si do ta argumentoni evoluimin e historisë shqiptare për akademikët a historianët skeptikë? 


Gjëja më pak e rëndësishme tashmë si rezultat i punës sime dhe viteve të shkuara, janë skeptikët, ata të cilët ushqehen me zaptim tokash dhe humbje identiteti. Këto ditë kanë ikur në të vërtetë, por akoma ka gjasa që të vazhdojnë. Ata e ushqejnë veten me këto ide, por kjo nuk u jep atyre dinjitet, sepse ata do të quhen thjesht anti-shqiptarë. Çdokush është i mirëpritur me ide, edhe në rast se janë anti-shqiptare, por koha e të pandershmëve ka mbaruar. Historiani ose akademiku me argumente dhe ide dinjitoze e të ndershme sigurisht që është më se i mirëpritur për diskutim. P.sh, imagjinoni se sa grekët mund të mësojnë për të kaluarën e tyre, nëse ata e marrin seriozisht punën time. Edhe studiuesit perëndimorë në Europë e Amerikë mund të përfitojnë. Kjo do të provonte edhe njëherë se sa kanë gabuar në bërjen e historisë. Pra, ku është dituria??? E njëjta gjë vlen edhe për sllavët. Çfarë janë skeptikët? Janë ajo lloj race xheloze për prejardhjen e lashtë të popullit shqiptar. Ata vetëm i mbajnë sytë nga Rusia, jo për përfitime kulturore, por për të vazhduar valën e tyre të represionit në Ballkan. Nëse ju i merrni me shaka këto që ju them, hidhni vështrimin në Greqi çfarë po ndodh, njerëz të trishtuar për vendin e tyre, të dëshpëruar me trazirat ekonomike. Njerëzit kanë evoluar që në kohët e lashta në rrethinat e lumit Shkumbin, aty ku ka filluar jeta e njerëzve primitivë. Ne nuk mund ta përfytyrojmë këtë kohë primitive, por ne mund të reflektojmë duke shfrytëzuar idetë e tezat e ndryshme, të përmendura më lart, perceptimet, faktet, gjuha, fjalët dhe emrat që i kanë mbijetuar gjithmonë evolucionit. 

Cilat janë ndjenjat tuaja për Kosovën e Shqipërinë? 


Ndjenjat e mia janë të njëjta drejt së njëjtës strategji për "Nënën Shqipëri". Nëna Shqipëri si gjithmonë në histori tregon forcën e saj nëpërmjet inteligjencës dhe atdhetarizmit të shqiptarëve të Ballkanit, por edhe jashtë Ballkanit. Unë kam qenë shumë i lidhur me historinë shqiptare. Ju këtë mund ta shikoni të pasqyruar, duke lexuar librin tim, idetë, zbulimet e mija, sepse ato tashmë janë përgjithmonë të vendosura në kontekstin shqiptar si një zanafillë. 
Thatë se inspirimi ju vjen nga origjina juaj shqiptare. Shkrimet, esetë tuaja fantazohen apo krijohen ashtu si ishin? 
Jo. Frymëzimi nuk vjen nga "lart", por kjo "lart" vjen si rezultat i vështrimeve ndaj kulturave të tjera, njerëzit e tjerë, kapacitetet dhe aftësitë e tjera më të mundshme. Puna ime vjen nga vlerësimi dhe respektimi i paraardhësve, me krijimtarinë e forcën e tyre, në kujtim të tyre, për mbijetesën tonë. 

Një mesazh për shqiptarët? 


Ju lutem, mos harroni fjalët e Muharrem Cerabregut: "Shqiptarët janë muzë e gjallë e kulturës në botë". Gjithçka unë bëra, e bëra për të hapur një dritare, për të kuptuar se ç'është origjina. Ju lutem gjithashtu, kini parasysh, unë jam gjithmonë i ndërgjegjshëm për vuajtjet e popullit tim shqiptar, për 50 vjet në Shqipëri e Kosovë, dhe më gjerë në Ballkan. Brezi i ri ka një potencial, jeton në një botë perëndimore të lirë dhe industriale, produktive, të cilët kanë mundësi të mësojnë akoma më shumë për lashtësinë. Për të bashkëpunuar së bashku sa herë e kudo që është e mundur, të ndihmojnë shqiptarët për të kapur majat. Ky është "kësmeti", dhe ADN-ja jonë!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora