Kulturë
Katedralja e re - tempull kombëtar, fetar e kulturor
E diele, 05.09.2010, 09:56 PM
Nga Bota Sot
Në Katedralen e re në Prishtinë, që mban emrin e Nënës Terezë është mbajtur të shtunën manifestimi i parë, me një koncert kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Në ceremoni ka qenë i pranishëm, presidenti Fatmir Sejdiu, i cili Nënën Terezë e ka quajtur simbol të tolerancës dhe humanizmit, ndërsa Katedralen e re - një tempull nacional, fetar, kulturor e shpirtëror. Mesha e parë solemne në këtë katedrale do të mbahet të dielën.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka quajtur simbol të tolerancës dhe humanizmit, Nënë Terezën, në një ceremoni për nder të 100-vjetorit të lindjes së saj, që u mbajt në Katedralen e re në Prishtinë, e cila mban emrin e humanistes.
Ndërkaq, për Katedralen Sejdiu ka thënë se është një tempull nacional, fetar, kulturor e shpirtëror. Ai citoi fjalët e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, i cili kishte vënë gur-themelin e katedrales më 2006.
“Ndërtimi i Katedrales ‘Nëna Terezë’ do të jetë simbol i bashkimit, i tolerancës dhe mirëkuptimit, siç ishte edhe filozofia dhe vepra e Nënë Terezës dhe popullit tonë – pra, citoj, do të jetë qendër e rëndësishme fetare, kulturore e kombëtare dhe simbol i dritës më të madhe, i besimit në Zotin dhe në të mirën”, është shprehur Sejdiu.
Në katedralen e re, Filharmonia e Kosovës ka mbajtur një koncert për nder të Nënës Terezës, ndërkohë që i pranishëm ishte edhe i dërguari i posaçëm i Vatikanit, imzot Zef Gashi.
Kisha Katolike ka bërë të ditur se të shtunën, më 5 gusht, mbahet mesha e parë solemne në Katedrale, që edhe mund të quhet si një përurim i pjesshëm, pasi që punimet e vrazhda në këtë tempull fetar tashmë kanë përfunduar. Por, nevojiten të paktën edhe 2 - 3 vjet, që i tërë ndërtimi në katedrale të përfundojë.
Ndërkohë, presidenti Sejdiu ka lavdëruar popullin shqiptar për tolerancën ndërfetare.
“Vetë shqiptarët e Kosovës, të cilët u përkasin besimeve të ndryshme, janë shembull i mrekullueshëm i harmonisë dhe i dashurisë me njëri-tjetrin dhe me të tjerët, pavarësisht se gjatë historisë morën përkatësi të ndryshme fetare”.
“Ky argument dëshmon madhështinë e këtij populli, i cili ndonëse kaloi shumë kalvare vuajtjesh apokaliptike, asnjëherë nuk pati ndjenjë mosdurimi ndaj të tjerëve. Duke e theksuar këtë virtyt të jashtëzakonshëm, që e shpalos më së miri shpirtin paqësor e të fisëm të popullit të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, paralelisht themi se Nëna Terezë është shenja më emblematike e këtij shpirti, e kësaj fryme të shenjtë shqiptare e gjithënjerëzore”, ka thënë Sejdiu.
Presidenti Sejdiu ka bërë të ditur se duke u mbështetur në përgjegjësitë dhe kompetencat si president i vendit, ka vendosur t’i dekorojë me Medaljen Humanitare “Nëna Terezë” këto institucione dhe këto figura të ndritura: Imzot Nikë Prela, Ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës (post mortem); Terry Heselius (post mortem), drejtor i organizatës humanitare ndërkombëtare "Mercy Coorps International", e cila ndihmoi Kosovën gjatë viteve më të rënda 1998-’99; Rupert Neudeck (Robert Nojdek), kryetar i shoqatës humanitare “Grune Helme” dhe ish-udhëheqës i organizatës së njohur humanitare gjermane "Cap Anamur", e cila vite të tëra ka ndihmuar Kosovën, sidomos në fazën emergjente të rindërtimit të shtëpive, shkollave dhe objekteve të tjera të djegura dhe të rrënuara gjatë luftës në Kosovë.
Gjithashtu dekorohen edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK); Humanistja e shquar Annalies Scheneller; International Federation of Red Cross and Red Crescent Sosioties (IFRC), Shoqata Humanitare “Nëna Terezë”; Kryqi i Kuq i Kosovës; Halit Ferizi (HANDIKOS), veprimtar e bamirës i shquar i Kosovës.
Ndërsa, me Çmimin Presidencial për Studiues e ka dekoruar Dom Lush Gjergjin, biografin e jetës dhe veprës së Nënës Terezë.