Kulturë
Meshë për Nënë Terezë
E diele, 05.09.2010, 09:57 PM
Në katedralen e sapopëruruar “Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha solemne me rastin e jubileut të 100-vjetorit të lindjes së humanistes dhe nobelistes së madhe shqiptare.
Mesha përshpirtërore për Nënën Terezë është udhëhequr nga i dërguari i veçantë i Papa Benediktit XVI, arqipeshkvi i Tivarit, Zef Gashi.
Ndërsa një fjalë rasti para të pranishmëve e ka mbajtur Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Viti 2010 është shpallur vit i Nënës Terezë në Kosovë, me ç'rast janë organizuar një sërë aktivitetesh në përkujdesjen e Presidentit të Kosovës.
Katedralja, simbol i tolerancës fetare
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara në nderim të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, të dielën në katedralen e re në Prishtinë, të pagëzuar me emrin e humanistes dhe nobelistes shqiptare, u mbajt një meshë solemne. Merrnin pjesë përfaqësues të klerit katolik dhe mysliman në Kosovë, përfaqësues të Selisë së Shenjtë në Vatikan, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, misioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe qytetarë të shumtë.
Një fjalë rasti para të pranishmëve ka mbajtur Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ndërsa udhëheqjen e meshës e ka bërë Imzot Zef Gashi, i deleguar i Atit të Shenjtë, Papa Benedikti XVI, i cili ka folur për jetën e Nënë Terezës dhe veprën e saj. Ai ka thënë se ndërtimi i katedrales në Prishtinë është bërë me përgjegjësi për të kryer detyrimet ndaj saj.
“Sot, kësaj Nëne, kësaj të lume, ju ia kenë ndërtuar këtë kishë me të njërën shpresë dhe me të njëjtën përgjegjësi, për të kryer detyrimin tuaj ndaj saj. Sigurisht që Zoti e ka një plan të vetin edhe me këtë kishë sikur e kishte me Gonxhen e vogël në atë kohë. Çfarë donë Zoti me arrit me të, ne sot nuk e dimë, por gjeneratat e tjera do ta vlerësojnë rëndësinë dhe do t’i mbledhin frytet e saj. Një gjë është e sigurt, kjo shenjtore, kjo katedrale, kaq e bukur, kaq e madhe, do të jetë zemra e Nënës Terezë në qytetin tuaj dhe në tërë Kosovën. Këtu çdo kush do të ketë mundësinë t’i lutet asaj, nënës sonë të përbashkët”, ka thënë Gjergji, transmeton KosovaPress.
Imzot Gashi ka theksuar se vepra e paharruar jetësore e Nënë Terezës buron nga dashuria e madhështisë së çdo njeriu dhe paraqet shembull se si duhet kontribuar për paqe dhe pajtimin e popujve.
“Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e dashuri e sidomos e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin”.
Jakup Krasniqi, kryeparlamentar i Kosovës, duke uruar të pranishmit për hapjen e Katedrales “Nënë Tereza”, ka thënë se shëmbëlltyra e shenjtë e Nënë Terezës duhet të ndiqet nga komunitetet fetare për të forcuar ura komunikimi dhe tolerancë ndërfetare.
“Kjo katedrale që qëndron madhështore në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, është simbol i fesë katolike, bashkëjetesës, humanizmit dhe tolerancës fetare që e karakterizon popullin tonë që nga lindja e tij. Ky tek i besimit do të shërbejë si shtëpi e paqes dhe dashurisë për njëri-tjetrin, si shtëpi e tolerancës ndaj kuriozitetit e tolerancës për të pambrojturit dhe paqes e respektit ndaj jetës reflektim i jetës së veprës së Nënës Tereze”, ka thënë ai.
Kurse kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka thënë se Bashkësia Islame mbetet e vendosur për kultivimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha bashkësitë tjera fetare, në shërbim të harmonisë ndërfetare, stabilitetit të vendit dhe zhvillimit shoqëror.
“Ndërtimi i kësaj katedrale në kryeqytetin tonë e rendit popullin tonë ndër popujt të cilët e duan të bukurën dhe e urrejnë të shëmtuarën, e duan njëri-tjetrin të lirë dhe përzgjedh formën jetike të tij në udhëtimin e tij të gjatë. Objektet e kultit të besimtarëve iu shërbejnë si vende që ua tregojnë lirinë e tyre vendi ku i falën me përkushtim krijuesit e tyre andaj, ndërtimet e tyre nëse nuk kanë qëllime politike begatojnë vendet ku ato ndërtohen”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka thënë se besimtarët shqiptar myslimanë duhet të gëzohen edhe me ndërtimin e një xhamisë përball katedrales.
Ceremonia e meshës solemne për nder të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës ka zgjatur më shumë se dy orë. Katedralja “Nënë Tereza” ka hapur dje dyert për qytetarët në qendër të Prishtinës, ndonëse nevojiten të paktën edhe 3 vjet, që i tërë ndërtimi në katedrale të përfundojë.
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Aty jetoi deri në moshën 18- vjeçe. Për t'i shërbyer Zotit dhe përkujdesur per te varferit, ajo niset për në Indi, ku edhe ndërroi jetë në vitin 1997.
Viti 2010 është shpallur vit i Nënës Terezë me ç'rast janë organizuar një sërë aktivitetesh në përkujdesjen e Presidentit të Kosovës.