E marte, 06.05.2025, 01:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Jamarbër Marko: Poeti “Nuk di të kthehet”

E merkure, 08.09.2010, 09:00 PM


Arjola Hekurani,Gazeta SHQIP 

·                                

Jamarbër Marko: Poeti “Nuk di të kthehet”

·                                 Arianita Marko: “Donte të jetonte dhe të vdiste pa bërë kompromise”

 

Ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, poeti Jamarbër Marko. Bir i shkrimtarit Petro Marko dhe i piktores Safo Marko, la pas fletore të tëra me poezi të pabotuara, të cilat e motra Arianita Marko kishte vendosur t’ia botonte në një përmbledhje. Vetëm pak para se të ndërronte jetë, mesnatën e së premtes, ai i tha se e kishte vendosur titullin: “Nuk di të kthehem”. Një titull që vjen si një mesazh, si varg i fundit poezie për të gjithë
Ajo zbriti në fund të shkallëve të ngushta. Njerëzit përreth i bënë vend të kalonte. Qëndroi e vetme dhe e priti të vëllain. Për të fundit herë e përcolli. Ai doli nga shtëpia dhe më nuk do të kthehet. Vëllai, Jamarbëri nuk jeton. Motra, Arianita e përqafoi, e puthi, e përkëdheli, foli dhe u përkujdes për të fundit herë. Mesnatën e së premtes, (diçka më shumë a më pak), ai u largua nga kjo botë. I heshtur. Ashtu e fortë, ajo nuk bëri zë. As nënës së sëmurë nuk i tha. Ia fshehu Safos vdekjen e të birit. Por nëna diç ndjeu. Me gjithë sëmundjen nxori zë e tha: “Zot, si do ta gdhijmë këtë natë deri sa të vejë ora 3 (e pasdites)”. E paratha Safoja orën kur do e përcillte për në banesën e fundit birin, dhe Nita e respektoi vendimin e saj. “E shkreta unë, e kam sëmurë Madunë”... ajo e ndiente, edhe pse të gjithë heshtën para saj. Safo Marko vazhdon të qëndrojë shtrirë në shtrat dhe në ndonjë çast kthjellimi ndoshta edhe është çuditur sa shumë njerëz hyjnë e dalin në dhomën e saj. Ndoshta edhe e ka kuptuar se diçka nuk shkon me Madunë e saj...
Miqtë e të afërmit, vetëm ata venë e vijnë në familjen Marko. Por janë të paktë. E çuditshme se si pret që kur largohet nga jeta një njeri, një bir arti, një poet, artist si ai, pret që njerëzit të derdhen lumë e që bulevardi “Zogu i Parë” deri te shkallët e shtëpisë ku banoi shkrimtari Petro Marko të jenë të mbushura plot. Mungojnë njerëzit e kulturës. Ata që emrin e kësaj familje e zënë në gojë kur ua do puna të mbahen me të madh e që i harrojnë sa kthejnë krahët. Sot ata janë kaq të paktë, sa të zë trishtimi. Është një trishtim që i shtohet mortit që ka rënë, zymtësisë së kohës, e asaj të apartamentit të vogël të Markove të mëdhenj. Poeti Xhevahir Spahiu, aktoret Rajmonda Bulku e Yllka Mujo janë personalitetet e vetme të pranishëm. Ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferaj, ka dërguar vetëm një mesazh ngushëllimi, dhe atë përmes zëdhëneses për shtyp... Mbi trupin e pajetë të Jamarbërit, në një kurorë me lule të bën përshtypje mesazhi i shkruar në shirit: “Mirënjohje për sakrificën e familjes suaj. Me respekt ‘Bota e luleve’”. Ndonjëherë prej atyre që nuk njeh vjen edhe respekti më i madh.
Jamarbër Marko u nda nga jeta dje në moshën 59-vjeçare. Vuante poeti, jo vetëm prej sëmundjes, (diagnoza: cerozë në mëlçi), por më shumë prej të kaluarave. Ngulmonte të mos kurohej. Ishte një vetëdorëzim, për të cilin zor se mund t’ia ktheje mendjen. Diçka tej imagjinatës ndoshta kish ndodhur në shpirtin e tij, shpirt poeti, dhe ai nuk kthehej dot më. Iu dorëzua fatit, mendimeve të tij, kështu hoqi dorë prej jetës apo prej vetes, ku i dihet. Madu nuk diti të kthehej më. Me gjithë përpjekjet, as Arianita nuk e ndryshoi dot vendimin e tij. Nuk i mbeti tjetër veçse ta respektonte deri në fund, t’i qëndronte pranë, se ai ashtu e zgjodhi ta kishte fundin, në shtëpinë e babait, në duart e motrës, pranë nënës së sëmurë. E patën pyetur një herë në kishte frikë nga vdekja, dhe ai ishte përgjigjur: “Dy herë më shumë dhe një herë më pak. Sepse kur ajo vjen, s’e dallon dot. Po iku, ti ke një moment zhgënjimi”. Por dje nuk u zhgënjye, ajo e priti, nuk iku. Madu zgjodhi ta ndiqte pas. E nëse besonte në një botë tjetër, kushedi, ndoshta ka fatin që të paktën tani të jetë “një pemë pa lule, pa frutë, me vetëm pak qiell”. Të shijojë lirinë, atë që i pat munguar gjatë viteve të burgut në Spaç e ndoshta edhe gjatë burgut prej së gjalli që përjetoi ashtu i tërhequr dhe i lënë në harresë.
 

Arianita Marko: “Donte të jetonte dhe të vdiste pa bërë kompromise”

05/09/2010

·                                 Jamarbër Marko: Poeti “Nuk di të kthehet”

·                                 Arianita Marko: “Donte të jetonte dhe të vdiste pa bërë kompromise”

Ajo qan në heshtje, ashtu siç është mësuar të jetojnë Markot. Edhe britmat i ka të tilla, të heshtura. “Ai ishte vëllai im”, vetëm për të thënë këtë nxori zë. Si për të thënë se tani e qara ishte e përligjur, se tani mund ta hidhte poshtë petkun e “të fortës” për të shprehur dhimbjen. Ajo i qëndroi pranë deri në fund, ashtu si vetëm një motër që e do shumë vëllain mund ta bëjë. E me gjithë vuajtjen, prapë e fortë ajo gjen kurajë të flasë për të vëllain, për çastet e tij të fundit e mbi të gjitha për përmbledhjen e fundit me poezi, të cilës pak para se të vdiste, Jamarbër Marko ia vendosi vetë titullin: “Nuk di të kthehem”.
Arianita, si ishte gjendja e Jamarbërit, sidomos kohët e fundit?

Gjendja e tij kohët e fundit ishte e mjerë, donte asistencë, donte ndihmë, të cilën unë si motër ia kam dhënë. I kam dhënë aq ndihmë sa mund t’i japë një motër një vëllai që e do shumë. Por ndihmë tjetër nuk ka pasur.
Ai nuk pranonte të kryente vizita mjekësore. Ishte sikur të refuzonte të jetonte, sikur e kishte vendosur fundin... 

Sepse ai kishte parë dhe ka parë të gjitha gjërat që mund të ndodhnin. Madu nuk gënjehej kollaj. Ai donte të vdiste në shtëpi. Unë nuk bëra asgjë kundër vullnetit të tij, e mbajta në shtëpi, i ndjenja afër deri në momentin që ai iku.
Ç’mendonte ai për gjendjen, sidomos të kohëve të fundit të familjes Marko. Çfarë thoshte gjatë bisedave që keni pasur?

Ne nuk bisedojmë, se s’jemi aq të vegjël për të biseduar për gjendjet. Ne gjendjet i dimë, sepse prindërit kanë kaluar disa periudha kohe, që janë disa regjime, me disa ndryshime. Ne dimë se si vuajnë njerëzit, se si vuajnë artistët, të ndershmit, të pasurit dhe i pranojmë. Ne dimë të vuajmë dhe të ikim në heshtje. Unë për vete bëra një thirrje, e theva heshtjen dhe nuk pendohem për këtë. E bëra për të kërkuar ndihmë për këtë familje që meritonte pak më shumë vëmendje, sepse u ka dhënë shumë njerëzve si familje, si artistë. Ata i deshën njerëzit, jetën, panë zhgënjimet që kërkonin të vërtetën dhe që pastaj... Kërkova ndihmë jo për veten, por për të mbajtur ata. Erdhi një ndihmë modeste kohët e fundit. Por dashuria ime si motër dhe si nënë për mamanë time nuk u ka munguar edhe nuk do t’u mungojë asnjëherë. Për vete jam sakrifikuar me gjithë shpirt për tre artistët që kam pasur në shtëpi.
Madu, siç i thërrisnin të gjithë, në një farë mënyre edhe refuzonte t’i botoheshin krijimet e tij. Përse?

Madu nuk ka dashur të botoheshin shkrimet e tij, sepse ne që fëmijë jemi mësuar me botimet. Nuk ishim nga ata që gëzoheshin kur botohej diçka për herë të parë, e rëndësishme apo e parëndësishme qoftë. Ne ishim për botime me vlerë. Jo se ai ka refuzuar të botonte por nuk e di, ndoshta...
A ka lënë dorëshkrime?

Po. Madu ka lënë pas shumë blloqe me poezi, që them se ndoshta po të jem gjallë do t’i botoj. Dje (të premten) para se të vdiste i thashë: Kam vendosur t’i botoj poezitë e tua. I kërkova të vendosnim një titull dhe ai më tha se e kishte një në mendje: “Nuk di të kthehem”. Është një titull që ka shumë krah mendimi. Do të thotë nuk di të kthehem nga vdekja, nuk di të kthehem në jetë, nuk di të kthehem nga fillimi, nuk di të kthehem në shpresë...
Gjatë kohës kur ai ishte gjallë, a keni bërë ndonjë përzgjedhje të poezive që do të donit të botonit?

Nuk kam bërë asnjë përzgjedhje poezish. Kam bërë përzgjedhjen e asistencës mjekësore. Është më njerëzore të përcjellësh ata duke i përqafuar, duke i puthur, duke ndier afërsinë si njeri se sa një botim. Botimi vjen më pas. Unë i ndjenja afër tim vëllai si njeri.
A vazhdonte të shkruante gjatë kohëve të fundit?

Kohët e fundit nuk mund të shkruante, sidomos pas aksidentit.
Si ishin momentet e fundit të poetit?

Momentet e fundit të Madus... vdiq një njeri duke vuajtur shumë. Zgjodhi të vdiste në dorën time dhe unë ia mbajta dorën deri në fund duke e puthur, duke e përqafuar, duke i shtrënguar dorën deri në grahmat e fundit. Se ishte më mirë të ndodhte në krahët e motrës se sa në krahët e çdo njeriu tjetër.
Lexuesi e njeh si poet, bir i shkrimtarit Petro Marko dhe piktores Safo Marko, por si ishte Jamarbëri njeri?

Madu ishte një njeri që vuajti gjatë gjithë jetës. Ishte shumë i veçantë. Ishte një artist i lindur në një familje artistësh. Donte të jetonte dhe të vdiste pa bërë asnjë kompromis.
 

Poezia që shkroi Jamarbër Marko

Jorida Pasku,Shekulli, 06/09/2010 | Kulture  

 

 Çfarë i ka dhënë letërsisë shqipe poezia e Jamarbër Markos. U shkrua në dy kohë: në epokën komuniste dhe të tranzicionit. Realitetet dhe raportet me lirinë ndërruan, vargjet e Markos, ndryshe nga të bashkëkohësve të tij, u pasuruan dhe fuqizuan


Kur një autor nuk është më, figurën e tij mbetet ta rindërtojnë bashkëkohësit dhe ata që e kanë njohur veprën e tij. Secili sipas njohjes dhe ndjeshmërisë vetjake. Disa zgjedhin të rrinë në qoshen intime të kujtimeve me shkrimtarin/poetin që nuk jeton më, disa hidhen në vorbullën e gjërave të thëna për të. 

Për poezinë e Jamabër Markos flasin shkrimtari Agron Tufa dhe poeti Arjan Leka. As njeri dhe as tjetri nuk e ka njohur personanisht, por njohin vlerat e poezisë së Madut, në vargjet e përmbledhura në dy vëllime: "Rastësisht me dashje" (1995) dhe "Pro Nobis" (2001).

Poezitë janë shkruar në dy kohë: në epokën komuniste dhe të tranzicionit. Realitetet dhe raportet me lirinë ndërruan, vargjet e Markos, ndryshe nga bashkëkohës së tij, u pasuruan dhe fuqizuan. Ky është thelbi i interpretimeve të Tufës dhe Lekës. 
"Poezitë, besoj fort, se i ka shkruar si formë autoterapie për të mbijetuar mes fantazmave të tmerreve të diktaturës, po aq sa edhe alergjisë nga përditshmëria jonë shkurajuese", shpjegon Agron Tufa. I bëjnë përshtypje figuracioni, ritmi i poezisë së tij, lirshmëria e vargut, ndjeshmëria që përcjell, çka i garantojnë poetit individualitet të padiskutueshëm. Duket se këtë ka kërkuar edhe në jetë i biri i Petro Markos. 

Të mos mbytet në llumin e ligësive, të mos e zbrazë mllefin si një kupë me helm në poezinë e tij. Është një nga vlerat që ata i njohin krijimtarisë së Markos duke marrë parasysh përvojën e rëndë si i biri i Petro Markos, shkrimtar njëherë i dënuar dhe që për një kohë të gjatë nuk kishte leje botimi. Pastaj vjen dënimi, i vetë Jamarbërit me disa vite heqje lirie në burgun e Spaçit.

"Mllef nuk gjej në krijimtarinë e tij. Një farë qesëndie të mençur në intervista kam gjetur sa herë që i kam lexuar. Një lloj këshillimi për t'u bërë njeri më i lirë, për të jetuar pa frikë dhe për të dyshuar. Ai nuk ishte ndëshkues i të tjerëve, i vetvetes po", thotë Arjan Leka.

Në një numër të revistës "Poeteka" dimër 2007, Leka i ribotoi poezinë "Sot është e shtunë", një rekuiem i shkruar para kohe për veten e tij. Jamarbëri ndërroi jetë të shtunën, më 3 shtator, në moshën 59-vjeçare. Është një nga cikli i poezive që janë përkthyer në gjermanisht nga Hans Joachim Lanksch. Po e ribotojmë.

Agron Tufa: Poezia e Jamarbërit, një shpend i pangjashëm
Z. Tufa, çfarë vendi zë krijimtaria e Jamarbër Markos në poezinë shqipe pas viteve '90? 

Tani që Jamarbëri nuk është më, poezitë e tij janë i vetmi përfaqësim i sigurtë për një kohë tjetër, që nuk matet me jetë njeriu. 
E kam të vështirë të flas me folje të kohës së shkuar, veçanërisht për poetët, e më përveçmas për Jamarbër Markon. Nuk hyj tek njerëzit që e kanë njohur personalisht. Nuk e kam patur këtë fat. Kam lexuar nga mesi i viteve nëntëdhjetë poezitë e tij, krejt të pangjashme me askënd tjetër. Poezi të krijuara nga gjaku i vetmisë dhe koncentrimi i dialogut me vetminë. 

Jamarbëri edhe sa ishte gjallë mbeti i ngulitur në vetminë e vet. Poezitë, besoj fort, se i ka shkruar si formë autoterapie për të mbijetuar mes fantazmave të tmerreve të diktaturës po aq sa edhe alergjisë nga përditshmëria jonë shkurajuese. 

Fati i tij si duket ia mveshi këtë botëvështrim: poezitë e tij mund t'i përkufizoja, në përshtat me jetën e tij, ku vetmia është njeriu në katror. Nuk ka lakmuar as lavdi, as vend në poezinë shqipe. Prandaj dhe mbeti fare pak i njohur, sikundër edhe shkalla karakteristike e indiferencës së kritikës sonë letrare jofunksionale. 

Mbetet një autor jashtë referencial, i papërsëritshëm në zërin e vet dhe i pakrahasueshëm. Nuk gjej ndonjë ngjashmëri as me poetët, me të cilët e përafronte fati, si fjala vjen, me Visar Zhitin.

Kam patur përshtypjen se atij nuk i kishte mbetur gjë të mësonte tek letërsia, pasi përvoja dhe traumat e thyerjes e tejkalonin burim letraresk. Nuk gjej, vërtet, asnjë poet të ngjashëm në frymë me të. Jamarbëri i rrëshqet, në këtë rast, çdo lloj kuadratimi.

Poezitë e tij përmblidhen në dy vepra "Rastësisht me dashje" dhe "Pro Nobis"? Si i vlerësoni ato? 

Jam dy libra që vazhdojnë njëri-tjetrin, pa ndonjë impostim apo thyerje. Vargu i tij i lirë është më shumë një zgjedhje intuitive e intonacionit të zërit vetjak, se sa evolucion apo eksperiment libresk. 

Të dy librat përvijojnë një idividualitet me reliev të gdhendur poetik, por krejt atipik në poezinë që u shkrua pas nëntëdhjetës. Në vargun e lirë të tij, me rima të papritura spontane, duket se kemi një efekt të tillë risie, sikundër kanë patur në fund të viteve tridhjetë Migjeni dhe Gaspër Pali. Një ndjesi të tillë krahasimi më ngjall lloji i poezisë së Jamarbërit.

Ç'tipare e bëjnë të veçantë?

Drama e qetë meditative, puna e tendosur e mendimit, metafora asketike. E përsëris në formë tjetër: ai është një shpend krejt i pangjashëm në peizazhin e poezisë shqipe.

Si reflektohet në vepër raporti i Makos së ri me diktaturën? 

Tek Markoja i ri, si njeri dhe poet, në një masë më të madhe se i ati, gjen formën më të lartë të alergjisë: shpërfilljen. Ndryshe është puna me dialogun e tij të tendosur e të pandërprerë me fatin, individual, në radhë të parë. Ajo intimë që mbush poezitë e tij i ka rrënjët përtej natyrës socio-ideologjike. 

Nga diktatura ai doli në trajtën e plagëve: plagët e burgjeve thjesht janë, nuk është nevoja të bërtasin. Poezia e tij e kundronte botën, pa bërtitur, përmes këtyre plagëve. Prandaj Jamarbëri është para së gjithash një poet etik; i një etike që rrjedh nga estetika e plagëve. 

Edhe koncentrimi i tij është i qendërzuar tek vetvetja, sado projeksioni i vetvetes mund të mbulojë gjithkënd të ngjashëm në fate dhe në ndjeshmëri. Më kanë mbetur në mendje vargjet - një fragment i një poezie të tij, dhe tashmë që autori i tyre, poeti Jamarbër Marko, nuk është më, dolën menjëherë në sipërfaqe të kujtesës:

...Secili ëndërron të jetë cigarja e fundit në paketën e madhe
Ku tymi mbulon gjithçka
Lë pa prekur majën e mprehtë
Atje ku jeton njeriu i vërtetë.

Mendoj se maja e prushtë, ajo e vërteta, rron në poezitë e tij, tashmë që kjo "cigare" metaforike e jetës së tij ka mbushur me shtjella tymi pamjet mes tij dhe shëmbëlltyrave tokësore, me fjalë të tjera, gjithkënd që e rrethoi e bashkëshoqëroi. Maja e mprehtë është shuma e alter egos së tij, njeriu i vërtetë, ideali i jetës dhe i shkrimit të tij.

Arjan Leka: Vargjet e Madut, dëshirë për të jetuar pa frikë 
Ç'mendoni për kontributin që Jamarbër Marko dha në poezinë e pas viteve '90?


Jamarbër Marko, apo ai, Madu i vetmuar, nuk besoj se i shkroi poezitë e tij për t'i dhënë diçka poezisë shqipe, aq më pak për të kontribuar, siç thuhet. Titulli i librit të tij të parë, "Rastësisht, me dashje" shpjegon diçka edhe nga kjo. 

Por edhe ne, më tepër se një model poeti, druaj se na bën mirë një model njeriu. Modeli i njeriut më shumë refuzues se pranues, siç ishte Madu - hamletian, në zgrip të të vërtetave, që një fije i ndan nga keqkuptimi. 

Ai shkruante sepse e shkruara për Madun ishte mënyrë të jetuari. E dinte dhe e thoshte me zë se poezia nuk do i jepte bukë, por gjithashtu e dinte se as buka nuk të jep poezi. Ndaj edhe si duket zgjodhi atë lloj jete - jetën veç dhe ndryshe të tjerëve si ai. 

Po prapë as për këtë nuk jam shumë i sigurt, sepse thellë-thellë besoj se ka qenë jeta ajo që zgjodhi atë njeri për të bërë atë lloj jete, një lloj jete tip bukë e zezë gatuar për Markot. Mendoj kështu se Madu shkruante i shkëputur nga ritmi i botimit dhe lexuesit të tij. 

Shkroi edhe kur ia kishin ndalur dhe një gjë që bëhet edhe kur ta ndalojnë, edhe kur të kanë dënuar për këtë gjë, mendoj se nuk tjetërsohet lehtë, nuk zhbëhet as kur të shpërfillin dhe shndërrohet në vlerë më vete dhe për të tjerët.

Ajo ishte mënyra e tij për të thirrur "jam edhe kur të tjerët nuk duan të të shohin", ose duan të të shohin siç kishin dashur ta shihnin Madun. Kontributi i tij mendoj ishte ngulmimi krejt i paqëllimtë ndaj poezisë dhe dëshira për të mos u përshtatur. Ai shkoi si "primitiv" i përsosur. 

Bohemian paradoksal, që bredhjet i bënte me mend, pasi ai ishte njeri që e kundroi botën i ngujuar: ja nga dritarja e burgut të Spaçit, ja nga dritarja e katit të dytë të shtëpisë së vet prej nga dukej një copëz ngushëllimi, si ai që shfaqet ende në sheshin e ngushtë të asaj rrugice tiranase të "Dervish Hatixhesë". Kokëmëvete ishte Madu. 

Trashëgues i vetive të prindërve të tij, i zhgënjimeve të tyre. Një nga poezitë që më pëlqen veçmas është "Sot është e shtunë": një farë rekuiemi shkruar para kohe për veten e tij, por në fakt edhe për ata që nuk ditën dhe ende nuk kanë mësuar si jetohet, qoftë para viteve '90 ashtu edhe pas viteve '90. Dhe në fakt sot ishte e shtunë. Dhe ajo që i ka ndodhur Madut u ka ndodhur edhe të tjerëve nga pak.

Çfarë e karakterizon poezinë e tij?

Është një gjë e veçantë ajo që ka ndodhur me poezinë e tij. Jo pak poezi të Madut janë shkruar para viteve '90, atëherë kur ndoshta ca gjëra thuheshin, por nuk shkruhej gjithë sa thuhej. Simboli ishte "mbreti i tropeve" dhe ai bërë si bombël ajri për zhytësit e thellësive. Këtë e përdori edhe Madu. Pas viteve '90 ai kinse nuk "kuptoi" se e vërteta e prejardhur prej simboleve duhej mbajtur gjallë dhe vlente të jetonte tanimë për njerëz të tjerë, për lexues "të rinj".

Po vetë kishte shkruar: "Fsheh dritën dhe gëzimin/ Për të krijuar një fjalë", duke besuar se gjërat më të rëndësishme në jetë i kishte mësuar pa shumë dëshirë e në mungesë lirie, si në shkollën fillore: vdekja, një pjatë supë dhe largimi i miqësisë së fundit. Fjalët dhe figuracioni që ai përdor janë nga më të thjeshtat, thënë në kuptim të parë, në kuptimin e tyre fillestar. 

Nuk duhet të rrëmosh se për cilën vdekje, hekur, gjak, uri, litar, dashuri, zvogëlim bote, luftëra të fituara e beteja të humbura, ecje të kujdesshme dhe gëzime jetëshkurtra flet ai. Nuk duhet dituri e posaçme për të kuptuar se për cilat shkretëtira dhe shira të vonuar e kishte fjalën Madu. Ai ishte i tejpashëm në ato që shkruante. Shihej. 

Por veç këtyre finesa dhe ruajtja në ajër e një ndjesie të veçantë që ai kishte për dashurinë, është një vlerë e pavënë re mirë e të dy librave e tij: "Rastësisht me dashje" dhe "Pro Nobis". 

Flitet me zë të lartë për kundërshtim dhe revoltë tek poezia e tij, gjithsesi jo thirrmore. Unë do t'u shtoja këtyre edhe vlerën e poezive të dashurisë që për Madun kishte kuptimin (vini re frazeologjinë e njëjtë: ra në burg... ra në dashuri) të ngrihesh edhe kur të kesh vdekur.

Krijimtaria e Jamarbërit nuk mund të shihet e ndarë nga jeta e mundimshme që bëri. A reflektohet vuajtja, dhembja, mllefi, revolta për atë kohë. Çfarë raporti mbante me diktaturën? 

Krejt të hapur. Dhe jo tani. Të gjitha këto ai i ka shprehur vetë në kujtimet e tij shpërndarë aty-këtu nëpër intervista, e që tani do të na duhet t'ia mbledhim. 

Marrëdhënia e tij me diktaturën, nëse e kuptojnë kështu fjalën "raport" ishte e njëanshme. Nuk ka pasur marrëdhënie. Atij vetëm i kanë marrë. I kanë marrë, për fat të keq atë që nuk ia kthen dhe dëmshpërblen dot askush, edhe sikur ta mohojë edhe sikur të bëhet pishman. Sidomos tanimë.

E thamë, ai e dinte se poezia nuk jep bukë, por ndoshta nuk e kishte besuar se poezia jep burg. Mllef nuk gjej në krijimtarinë e tij. Një farë qesëndie të mençur në intervista kam gjetur sa herë që e kam lexuar. Një lloj këshillimi për t'u bërë njeri më i lirë, për të jetuar pa frikë dhe për të dyshuar. Ai nuk ishte ndëshkues i të tjerëve, i vetvetes po.

Sot është e shtunë... 
Sot është e shtunë...
Për mua dhe për ty
Për të gjithë. 
Për të gjithë ata 
Që patën diçka në tokë.
Sot është e shtunë
Edhe për ata që janë mërzitur
Për ata që nuk dijnë të jetojnë.
Është e shtunë edhe për ata
Që nuk janë më.
Sot është e shtunë
Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë
Për lodrat që u luajtën
Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.
Sot është e shtunë
Edhe për ata që nuk e dijnë këtë gjë
Që vuajnë e s'janë të lumtur.
Vetëm sot është e shtunë,
E dëgjova në rrugë
Në derën e spitalit.
Sot është e shtunë
Edhe sikur askush të mos e kujtojë...
Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur,
Por për madhështinë e një dite
Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.
Është e shtunë
Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër
Si kjo e sotmja
Dhe dikush mund të thotë
Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë,
Se asnjëherë, asnjë ditë
Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh
Jetën e madhe përpara një bluze
Të thjeshtë dite 
Siç është dita e shtunë.
Ditë e shtunë sot
Që u përsërit aq shumë
Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot
Me lehtësinë e atyre që jetojnë
Të mbështjellë nga e shtuna
Që si letër karamelesh
Bie mbi butësinë e vjetër.
Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër
Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo
Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër
Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi
Për t' ua bërë më njerëzore,
Për t' ua larguar sadopak nga pesha e kohës,
Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune
Ndaloi lozonjare dhe tha:
Sot është e shtunë
Kur filluam të kuptojmë
Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë
Për të larguar diku drejt pafundësisë
Nyjen e vërtetë,
Që lëkundet me përkëdheli
Brenda thellë së shtunës
Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.
Sot është e shtunë
Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim
Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim
Për të bërë një hap
Në botën e vogël të njerëzve.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx