Kulturë
Reshat Sahitaj: Vepra e guximit intelektual
E shtune, 18.09.2010, 09:24 PM
VEPRA E GUXIMIT INTELEKTUAL
Begzat Baliu, “Vareni kryengritësin e shenjtëruar (Qosja, Kadare, Nobeli...)” - Botues: Instituti Albshkenca i Prishtinës, Korrik 2010, f. 301.
Shkruan: RESHAT SAHITAJ
Vite me radhë, të shkruash kundër Rexhep Qosjes ka qenë në mode, ndërsa të shkruash për të pa dashur ta mbrosh apo lavdërosh veprën e tij, qoftë edhe vetëm me një artikull gazeta a interneti është dashur të përgatitesh që të durosh reagimet në shtyp dhe internet dhe madje të përgatitesh për ndonjë shikim përbuzës gjatë një përshëndetje në rrugë. Nuk është e rastit pse një vepër e botuar këtyre ditëve mund të ngre shumë pluhur dhe shumë reagime kundër autorit dhe veprës njëkohësisht.
Studiuesi Begzat Baliu këto ditë para lexuesve tanë paraqitët me librin “Vareni kryengritësin e shenjtëruar”, ku në mënyrë të paanshme trajton tema të nxehta si: polemikat e dy kolosëve të letërsisë Qosja – Kadare, pastaj vendimin për largimin e Rexhep Qosjës nga Instituti Albanologjik, propozimin e Rexhep Qosjes për çmimin Nobel etj. Për të përfunduar librin me shtojcën ku studiuesve dhe lexuesve të rëndomtë dhe atyre të specializuar, për herë të parë u jepet rasti të lexojnë dokumente të ndryshme shkencore në fushë të kulturës, shkencës së albanologjisë dhe marrëdhënieve arsimore e shkencore.
Vepra “Vareni kryengritësin e shenjtëruar”, në lexim të parë të krijon përshtypje se çdo gjë ka filluar spontanisht e pa ndonjë objektiv të caktuar. Pra, fjala është për një nismë individuale të Begzad Baliut, të publikuar vetëm për të plotësuar dëshirën e tij personale, por kjo dëshirë e individit shumë shpejt do të marrë përmasa në hapësirën kombëtare, evropiane dhe amerikane, ku jetojnë shqiptarët. Ky individ që e publikon dëshirën e tij, nuk është individ si shumica e tjerëve, por është prof. dr. Begzat Baliu, që në qarqet profesioniste shkencore njihet si njëri ndër studiuesit më serioz në fushën e albanologjisë në hapësirat shqiptare.
Çuditërisht autori librin e hap me një tekst krejt të shkurtës, pra me një tekst të arsyetuar të tij që Rexhep Qosja të propozohet për çmimin Nobel dhe këtë e bën në një faqe internetit, pa menduar se ky propozim dhe emri i kolosit të letërsisë shqipe Rexhep Qosja do të bëhen objekt polemikash te lexuesit virtualë. Me këtë rast në shënjestër, për të mirë dhe të keq janë Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare. Fillimisht autori bënë një test të opinionit mbarëshqiptarë se si do të reagojnë lidhur me propozimin e tij që Rexhep Qosja të jetë kandidat nga Kosova, që priste shpalljen e pavarësisë, për çmimin Nobel. Ky propozim do të vë në shesh dy lloj reaguesish, të cilët hidhen në luftë, njëri për ta mbrojtur dhe arsyetuar figurën e Rexhep Qosjës se e meriton te kandidohet, e tjetri grup kategorikisht refuzon kandidimin e Qosjës për çmimin Nobel. Në mesin e dy grupeve kundërshtare lojën e barazpeshes e luan autori, i cili intervenon herë pas here duke e arsyetuar propozimin e tij me fakte, ndërsa tani në vepër sjell edhe shumë shembuj nga veprat e Qosjes, si dhe dokumente të ndryshme të nxjerra nga arkivi që lexuesit mund t’i lexojnë për herë të parë. Si në grupin e parë po ashtu edhe në të dytin pjesëmarrësit në polemika janë autoritete publike më pak të njohura për opinionin tonë, por shumë të njohur dhe me ndikim në faqet e ndryshme të internetit. Është për t’u nënvizuar se shumë polemika që zhvillohen në këtë libër kanë dozën e maturisë intelektuale, ku secila palë me argumente e kundërargumente kërkon të arsyetojë mendimin e vetë intelektual duke e veçuar ndonjë rast të rrallë ekstrem, i cili nuk joshet as nga Qosja e as nga Kadareja. Vlera dhe madhështia e këtij libri polemikash virtuale qendron në atë se autori nuk i censuron asnjërin prej pjesëmarrësëve në polemikë, duke i lënë secilit lirinë e të shprehurit, pavarësisht se ndonjëri ka mendim të keq për njërin e të mirë për tjetrin.
Kuptohet, duke e lexuar librin “Vareni kryengritësin e shenjtëruar”, lexuesi do të hasi edhe në ndonjë polemikë që nuk ka asnjë kuptim logjik e as filozofik, siç mund të lexojmë këtë mendim: “ ... Pas Shqipërisë vjen Kosova. Fati i botës varet nga Kosova, ndërsa Çmimin e Nobelit nga kjo zonë do ta përfitojë profesori po qe se do të angazhohet për inagurimin e Katedralës së Kombit në zemër të Dardanisë, me gjithë taborrin e tij që vuan nga komplekset fetare...”. ( faqe 57). Pra, ky shkrimtar, i njohur në qarqet intelektuale shqiptare, shkruan sikur të ishte një fshatar i Muçivërcës apo i Hajkobillës, kur thotë se fati i krejt botës varët nga Kosova dhe se mendime të tjera pa asnjë logjikë e as filozofi. Pavarësisht nga shkrime të tilla, me këtë vepër Begzad Baliu, për herë të parë sjell brenda një vepra letrare, dokumentare e shkencore dhe pasqyron nivelin internetik të shqiptarëve sot, duke ju bërë me dije se të shkruash në një faqe interneti nuk është përgjegjësi më e vogël se të shkruash në një faqe gazete apo libri.
Tema e dytë që shtrohet në “Vareni kryengritësin e shenjtëruar” ka të bëjë me vendimin e drejtorit të dhunshëm të Institutit Albanologjik të Prishtinës që Rexhep Qosja të largohet nga Instituti. Pasi kjo është një ngjarje që ka ndodhur vetëm tri vjet më parë, shumë nga ne që kemi përcjell sado pak shtypin dhe televizionin e kujtojmë mirë se sa reagime të fuqishme intelektuale pati sjellë shtypi dhe televizioni atë kohë. Shumë prej nesh reagimet tona i kemi shprehur përmes shtypit, dhe sikur shkruan edhe autori, ndoshta është beteja e parë e intelektualëve të Kosovës kundër despotizmit të herëpashershëm në qeverisjen e Kosovës si nga të huajt ashtu edhe nga të brendshmit. Mendimet tona protestuese, nostalgjike, apo edhe politike të gjithë ne i kemi shprehur në forma të ndryshme, por zor të gjesh një reagim të asaj natyre që Begzad Baliu e ka shprehur në një tekst internetik, me të cilin e hap edhe Pjesën e dytë të librit: “Nuk e di a mund të them prandaj, shqetësimin që kam ndjerë kur kam dëgjuar dhe kur kam menduar se si vepra, dorëshkrime,letra,dokumente etj., janë vënë në thasë najloniprej atyre që librat i çmojnë si tullat e shtëpisë,dorëshkrimet si rrobat e vjetruara apo dokumentet si gjethet e rëna të vjeshtës. E kuptueshme, pa fajin e tyre?”. Janë momentët më trishtuese dhe më tragjike që autori i ketij libri përjeton kur Akademik Rexhep Qosjës i mbyllet dera e Institutit dhe librat e tij hudhen në thasë najloni. Si në pjesën e parë edhe në të dytën janë pothuajse të njejtit autorë që polemizojnë. Natyrisht në mesin tonë, në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup apo edhe në diasporë, mund të gjeje edhe ndonjë të ashtuquajtur intelektual që vazhdonte të mendonte me mentalitetin e vjetër, me mentalitetin klanor apo edhe me xhelozinë për kolegun e dikurshëm të arritjeve shkencore modeste të tij, prandaj edhe i lejon vetes që Akademikun Rexhep Qosja ta quaj uzurpues, sikur Qosja të kishte uzurpuar pasuri. Kur njeriut të mllefosur i jepet rasti të shprehet lirshëm, është më mirë që të mendojë para se të shkruan nga se shkrimet reflektojnë botën shpirtërore të individit si dhe vlerën apo mosvlerën e tij.
Pjesa e tretë e këtij libri gjithashtu ka kulmin e saj. Këtu nuk vazhdojnë polemikat mes Begzad Balit dhe kundërshtarëve të tij që Rexhep Qosja të propozohet për çmimin Nobel, as polemikat në mbrojtje të linçit politik dhe qeveritar të largimit të Rexhep Qosjes nga Instituti Albanologjik, por tekste me karakter polemizues, që paraqesin fillimet kundërshtuese të Rexhep Qosjes e Ismail Kadaresë për probleme të letërsisë dhe identitetit evropian të kulturës e qytetërimit shqiptar, sado bëhen në kushte politike të jashtëzakonshme dhe në një kohë të largët, 1973. Në këtë pjesë që titullohet “Shtojcë”, shohim punime shkencore që në fakt trajtojnë jo vetëm problemet e fushës albanologjike, të kulturës e të diplomacisë, por edhe tekste që kapin problem të integrimit të kulturës kombëtare, sikur është çeshtja e bashkëpunimit me Shqipërinë, hapja e Institutit Albanologjikë në vitin 1952 etj.
Në këtë shtocjë për herë të parë botohen diskutimet tepër sekrete të qeveritarëve jugosllavë mbi marrëdhëniet kulturore dhe shkencore ndërmjet ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe çështjen e Kosovës), letrat (për dhe të Krist Malokit), proçesverbalet e kohës së fillimit të themelimit të Institutit Albanologjik dhe projekteve shkencore të tij etj.
Duke lexuar këtë libër, gjatë tërë kohës lexuesi do e sjellë ndërmend titullin e tij, duke i bërë vetës pyetjet të shumta: cili është kryengritësi i shenjtëruar që duhet varë?! Nëse qenka i shenjtëruar pse duhet të varët?! Si është e mundur që edhe kryengritës edhe i shenjtëruar?! Ne fakt në secilën shoqëri qoftë demokratike apo totalitare njerëzit e mençur, të cilët tentojnë të luftojnë për të drejtat e qytetarëve dhe interesin kombëtar janë të paktë dhe nga sistemi etiketohen “kryengritës” si dhe shpallën fajtor. Natyrisht, kjo ndodh edhe pse të gjithë themi se sistemi shoqëror i një shteti shkon përpara vetëm duke u kritikuar nga disa individë të mençur, të cilët nuk shkojnë pas turmës popullore që i duartrokasin liderit dhe qeverisë në pushtet. Çdo ndryshim dhe çdo revolucion është nxitur nga intelektualë të paktë e asnjëherë nga masa që i torturojnë duart e tyre duke i përplasur që të rrojë lideri. Në mesin e këtyre intelektualëve që nuk i duartrokiti asnjë qeverie është edhe Rexhep Qosja, i cili me angazhimin e tij e kritikonte qeverinë e Beogradit në kohën më të rrezikshme, kur askush nuk ishte i sigurt se e nesërmja e gjen të gjallë. Rexhep Qosja nuk do të heshtë as gjatë viteve të çlirimit të Kosovës sepse pas tërë asaj lufte e maskre që kishte përjetuar populli ynë Kosova nuk ishte ashtu siç e kishte imagjinuar dhe prejktuar Rexhep Qosja dhe krahu luftarak i çlirimit të Kosovës. Si mund të heshtej para padrejtësive që i behej familjeve te deshmorëve, ish- luftëtarëve të lirisë etj. Gjatë leximit lexuesi e kupton se “kryengritësi i shenjtëruar” është Rexhep Qosja dhe këtë Serbia e kishte në shënjestër, këtë disa shqiptarë e kishin dhe e kanë në shënjestërë, këtë ndonjë liderë i ndonjë krahu politik në pushtet e kishte vu poashtu në shënjestërë. Çuditërisht “kryengritësin” Qosja e kanë në thumb të njëjtit që dikur ishin të përkëdhelurit e Beogradit andaj urdhëri i tyre ishte: Kryengritësi duhet varur!”. Përkundër urdhërave të tillë Qosja me shkrimet e tij u përballojë fortuanve politike serbo-shqiptare, që është edhe mesazhi i librit “Vareni kryengritësin e shenjtëruar”. Duke e lexuar këtë vepër kemi përshtypjen se Begzad Baliu, nuk ka mbrojtur vetëm Rexhep Qosjen por edhe të gjithë ata intelektual që në një mënyrë apo një tjetër janë linçuar nga klane, parti apo qeveritar të ndryshëm, por duke e ditur se parti, grupe dhe klane që vazhdojnë të përdhosin intelektualë të papërkulshëm ka edhe më tej, shpresojmë që autori dhe vepra e tij të mos e pësojnë fatin e Rexhep Qosjes.
Libri ka mbi 300 faqe dhe është i domosdoshëm të lexohet si për lexuesit e rëndomtë po ashtu edhe për punëtorët shkencorë, si në fushën e kulturës e të albanologjisë, edhe ata të shkencave politike. Në shikim të parë duket sikur libri është një bashkim tekstesh të ndryshme, por e vërteta, kur të mbarosh së lexuari, e ky libër lexohet me një frymë, nuk është vështirë të shihet se fjala është për një libër të mbyllur që kalon nga pjesa e parë (komunikimi individual për Qosjen, kryesisht në kontekstin letrar edhe me Kadarenë), te pjesa e dytë (Qosja dhe Instituti Albanologjik, duke e theksuar aspektin politik të këtyre lidhjeve) dhe në fund te pjesa e tretë (Qosja, Instituti Albanologjik, Kosova - Kadare, Shqipëria dhe marrëdhëniet shqiptari-jugosllave).
Ma këtë vepër, Begzad Baliu duket se ka provuar shpesh t’iu jap përgjigje jo vetëm kundërshtarëve internetik të çastit, po edhe shumë kundërshtarëve të Rexhep Qosjes që me vite mezi kanë gjetur rastin që ta sulmojnë veprën dhe ta pështyjnë biografinë e tij. Prej autorit të këtij libri, as në faqet e shtypit ditor, as në faqet e shtypit elektronik nuk e di të kem lexuar ndonjë deklaratë apo tekst të veçantë për jetën dhe veprën e Rexhep Qosjes, qoftë në kontekstin mohues qoftë në kontekstin pohues. Mirëpo duke e parë njohjen kaq të thellë dhe kaq të gjithanshme të jetës dhe veprës së tij, kam përshtypjen se Rexhep Qosja tashmë ka gjetur autorin e biografisë së tij.