E shtune, 03.05.2025, 09:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemaledin Salihu: Mullinjtë e vjetër në Preshevë

E diele, 19.09.2010, 12:53 PM


Mullinjtë e vjetër në Preshevë

Shkruan: Xhemaledin Salihu

10 shtator, Preshevë /presheva.com/ - Në Fjalorin e Gjuhës së sotme shqipe, në botim të Rilindjes, 1981, në f. 1180 shkruan :  Mulli, nën “1. Makinë e thjeshtë për të bluar drithë, që përbëhet nga pajisje të ndryshme, si edhe nga dy gurë të mëdhenj, të sheshtë, e të rrumbullakët, të vënë njëri mbi tjetrin, nga të cilëti sipërmi lëviz me anë të fuqisë së ujit, të erës a me motor; ndërtesa me një makinë të tillë ku bluhet drithi. Mulli drithi. Mulli me ujë(me erë, me motor). Disha(mokra, çakallja, gryka, panda) e mullirit. Koshi i mullirit. Gurët e mullirit. Gurët (mokra) e mullirit.”
Gjatë historisë ka pasur katër /4/ lloje mullinjësh dhe ata janë dalluar sipas forcës që ka lëvizur gurët e Mullirit : 1.Mulli me ujë, 2.Mulli me kuajë, 3.Mulli me erë dhe  4.Mulli dore.
Mullinjtë ishin pronë e individit, e familjes, e Mëhallës dhe pronë e fshatit. Shpesh ndodhte që hisetarë /pronarë/ të jenë një numër i madh i tyre. Ata sipas një rregulli apo rendi merrnin ujemin /miell ose drithë që merr mullisi për blojën/. Pronarët shpesh kryenin edhe rolin e mullisit, por në raste të shumta atë mjeshtri e ushtronin mullisit e paguar.Për këtë mjeshtri nuk kishte nevojë ndonjë mësim dhe mjeshtria e mullisit bartej prej gjenerate në gjeneratë.

Uji për Mullinj është sjellë nëpër jaze uji /vijë e vogël që shpie ujin në mulli/, për t’i vuar në lëvizje gurët e Mullirit. Një jaz ka shërbyer për disa mulli.

Mullinjtë janë ndërtuar në ata lumenjë që kanë pasur rrjedhë të shpejtë të ujit, ramje të shpejtë të ujit. Kështu ramje më të shpejtë prej 85.71 m vlerësohet te ketë lumi i Tërrnavës, pastaj lumi i Preshevës me 7o m dhe lumi i Rahovicës me 31.71 m.
Sigurish që edhe lumi i Llaposhnikut ka ramje të shpejtë të ujit, por nuk gjetëm shënime për lartësinë.

Në Preshevë punojnë Mulli me një dhe dy gurë. Prej të gjithë Mullinjve sa kishin ekzistuar në të kaluarën, tashti punojnë vetëm dy /2/ mulli : në Rahovicë dhe në Tërrnavë, për të cilët do të shkruajmë në vijim të shkrimit.  

Ndërtesat e Mullinjve ishin të vogla dhe përbëheshin prej disa pjesëve: pjesa ku bluhej,dhoma e fjetjes së atyre që mbeteshin apo ishin larg mullirit dhe ndonjë mulli më i njohur kishte edhe ahurin e kafsheve /shtallen/.

Në Preshevë kanë ekzistuar dhe janë përdorur mullinj dore dhe ata me ujë, ndërsa nuk ka pasur mullinj me erë dhe kuajë. Më vonë në Preshevë, me instalimin e rrymës elektrike, më 1951, lajmërohen Mullinj, gurët e  të cilëve i ka lëvizur rryma elektrike.

Presheva me rrethinë është e pasur dhe e njohur me Mulli të Vjetër uji, sepse hapsira e saj është e pasur me përrocka , përroi dhe lumenj, të cilët sëbashku formojnë sistemin e lumit Moravicë, i cili është lumi më i madh në Preshevë, derdhet në Moravë, pastaj vazhdon me Danub dhe në Detin e Zi dhe sistemin e Banjkës, e cila derdhet në Vardar dhe Detin Egje. 
Mehmet Jusufi shkruan : “Lumenjtë e Preshevës kanë rëndësi të dyfishtë: shfrytëzohen për ndërtimin e Mullinjve dhe për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore. Numri më i madh i Mullinjve është ndërtuar në lumin e Preshevës, pastaj në lumin e Tërrnavës, Buhikës e me radhë. Rrjedhat e këtyre lumenjve nuk janë stabilë, ngase varen më shumë prej të reshurave atmosferike. Niveli maksimal i ujit në këta lumenj arrihet në pranverë, përshkak të shkrirjes së borës.” Shkrimi : Vështrim gjeografik i Preshevës me rrethinë” “Përparimi, nr.7-8, Prishtinë, 1965, f.484.

Në Preshevë me rrethinë janë këta lumenjë, në të cilët janë ndërtuar mullinjë : Lumi i Preshevës me ate të Kurbalisë, Lumi i Tërrnavës, Banjka, Lumi i Rahovicës, lumi i Llaposhnikut me degët : Bihika dhe lumi i Caravajkës dhe lumi Moravica e Leranit, siç kanë dëshirë ta quajnë banorët e këtij fshati.


Mullinjtë e shek 16 në Preshevë


Presheva gjatë historisë së saj ka pasur gjithëherë mullinjë, edhe para shekullit të 16, por edhe pas tij. Në mungesë të shënimeve dhe të dhënave, po i cekim vetëm numrin e Mullinjve në shekullin 16 dhe pas këtij shekulli.
Sipas Aleksandar Stojanovskit, në librin: “Kadillëku i Vranjës në shekullin 16”, Vranjë, 1985, f. 126, sipas regjistrimit të pronave të vitit 1519, në Preshevë ekzistonin 10 Mulli, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 1570 në Preshevë kishte 13 Mulli, ndërsa në Tërnoc kishte 7 Mulli. Në këto shënime nuk jepen emrat e pronarëve të Mullinjve, por nëse hulumtohet në Arkivin e Stambollit, në Tapu defteri besojë se mund t’i gjejme edhe emrat e pronarëve të Mullinjve.

Njëzëtë /20/ Mullinjtë e Vjetër të Preshevës

Presheva është e njohur me njëzetë /20/ Mullinjtë e saj. Ata janë të ndërtuar në lumin e Preshevës, shumica prej tyre në kohën e Turqisë, disa prej tyre janë  më të vjetër se 15o vjetë.
Lumi i Preshevës ka burimin në malin Ostrovicë /1100 m/, në rrjedhë teposhtë merr lumin e Kurbalisë dhe në hyrje të qytetit, te Mullinjtë e Preshevës  edhe një përrockë, që vjen nga perëndimi. Deri këtu rrjedha e lumit është në drejtim veri-lindje, ndërsa prej këtu merr drejtimin lindor. Lumi kalon nëpër qytet, deri më 1912 kaloi nëpër qendër të qytetit dhe rrugës së sotme të Ramiz Sadikut, teposhtë Mëhallës së Karavelive dhe Kamberëve, ndërsa pas këtij viti shtrati i rregullohet drejtë rrugës së sotme të Rinisë, teposhtë Mëhallës së Liçajve, Rrahmonëve,Berajve dhe Gollomehëve. Kështu te Stacioni Hekurudhor pranon lumin e Norçës dhe derdhet në Moravicë.

Sipas autorit Jovan Haxhivasuleviq, lumi i Preshevës deri në hyrje të qytetit nuk ka pasur emër dhe më vonë quhet lumi i Preshevës./ Libri : “Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, libri II, Beograd, 1913, f. 19/.


photo
Skica 1: Mullinjtë në Preshevë

Për Mullinjtë e Preshevës shkruan Ramadan Rexhepi, shkrimtar nga Presheva, jeton në Suedi dhe Agron Boriçi, në librin : “Sherri i Preshevës në derë të Stambollit”, “…Dikur ishin mbi 20 mullinjë uji…Kryesisht gati çdo preshevar dikur ka pasur ndonjë episodë dashurie “te mullit” sepse ishte vend ideal për dashuri…Aspak nuk befason se si Mirkoja krijoi “Arbër vitaen”, e si mos të bënte kur pjesën më të mirë të jetës e kaloi aty. Sa herë që kam ndenjur me mikun tim të madh e që më quante “vëllau i vogël”, s’kishte se si mos të pyeste për mullinjtë e Preshevës.” f. 12.

Për Mullinjtë e Preshevës bisëdova me Qani Qerimin, Nazmi Kadriun, Selajdin Hysenin dhe Bafti Rexhepin.

Plaku Qani Qerimi i Reçkëve të Preshevës përmend dhe i numron njëzetë /20/ Mullinj në Preshevë:

1.Mulliri i Shaip Miratocit, në jug të lumit, te Mëhalla e Kajallarëve,
2.Mulliri i Kadri Mullinxhisë, në jug-perëndim të lumit, te Mëhalla e Karaponxhëve,
3.Mulliri i Maksut Karavelisë, te Kisha
4.Mulliri i Qorvelisë, te Kisha,
5.Mulliri i Horosanëve dhe Majancalive, te Kisha, të cilët sëbashku kanë një jaz të ujit, bile jazi i ujit të këtyre  dyve  të fundit, para se të bjerë uji në mulli ndahet në dy jaze /vija/ që janë ngjitë njeri tjetrit.
6.Mulliri i Rashëve, te Currili, te Mullinjtë,
7.Mulliri i Karavelisë,
8.Mulliri i Haxhi Halimit, te Mullinjtë,
9.Mulliri i një Serbi, te Mullinjtë,
10.Mulliri i Ymer Efendisë,
11.Mulliri i Hanucëve,
12.Mulliri i Karaponxhëve,
13.Mulliri i Stanojës,
14.Mulliri i Laz Norçës,
15.Mulliri i një serbi,
16.Mulliri i Arif Kurbalisë-Nuhallarëve,
17.Mulliri i Behë Kurbalisë,
18.Mulliri i Kadri Norçës,
19.Mulliri i Jonuz Kurbalisë dhe 
20.Mulliri i Zejnë Kurbalisë.

Me Nazmi Kadriun e Mëhallës së Karaponxhëve biseduam për mullinjtë dhe sëbashku ecëm përpjetë lumit të Preshevës deri në Kurbali. Me ne ishte edhe Hasan Emërllahu i Rahovicës, i cili bëri fotografi të bukura nga ky udhëtim i jonë. Nazmiu është njohës i mirë i kësaj ane, banon afër mullinjve.
Nazmiu me nostalgji fletë për mullinjët, sepse me shokë aty e kaloi fëmijërinë, rininë, por po e kalon edhe pleqërinë e tij. Duke ecur i kujtohen mullinjët, i numron një nga një, ndërsa unë shënojë  e Hasani fotografon.

photo
Autori dhe Nazmiu te Mullinjtë

1.Mulliri i Shaip Miratocit, te Mëhalla e Kajallarëve, nga mulliri nuk kanë mbetur as gërmadhat,

2.Mulliri i Kadri Shaban Sahitit-Kadri Mullinxhisë, te Mëhalla e Karaponxhëve, i vjetër sipas Nazmiut më se 300 vjetë, daton që kur Mëhalla e Karaponxhëve u shpërngulën në shekullin 18, më 1750.

Hisetar i Mullirit ishte edhe Ymer Efendia, prej të cilit më vonë u ble hisja, tregon Nazmiu.
Mulliri ka punuar pa ndërpre dhe me një gurë, ka mbetur muri dhe jazi i mullirit.

photo
Vendi dhe gërmadhat e Mullirit  të Kadri Mullinxhisë

3.Mulliri i Maksut Karavelisë,te Kisha, hisetar Daut dhe Abdurrahim Karaveliu’ nga mulliri nuk ka as gërmadha,

4.Mulliri i Qorvelisë, te Kisha, i vëllezërve : Veli, Shukri, Fehmi dhe Ismailhaki. Hisetar ishin edhe Baballëkët, nga mulliri nuk ka as gërmadha, shihet vetëm jazi,

5.Mulliri i Horosanëve dhe Majancalive, te Kisha, shihet vetëm jazi,
Këta tre mullinj të fundit kishin një jaz uji. 

photo 
Vendi ku lëshohej uji për Mullirin e Horosanëve dhe Majancalive

6.Mulliri i Rashëve, te Mullinjtë. Mulliri është në gjendje të mirë dhe i gatshëm për të bluar, sipas fjalëve të Isa Rashës, mulliri është në gjemdje të mire për të bluar. 
 
photo
Mulliri i Rashëve

7.Mulliri i Bajrush Berajve i njohur si Mulli i Haxhi Halimit, te Mullinjtë, i Mëhallës së Berajve, shumë hisetar, nga mulliri nuk kanë mbetur as gërmadhat, por shihet vendi i mullirit,

8.Mulliri i Manasije Qiprijanoviqit, te mullinjtë, nuk ka as gërmadha,

9.Mulliri i Ymer Efendisë, te Mullinjtë, ende qëndron ndërtesa me pjesët e mullirit :  dhoma për blurje, oda e mysafirëve, gurët dhe jazi i mullirit.

photo  
Mulliri i Ymer Efendisë


photo
Brendia e Mullirit të Ymer Efendisë


10.Mulliri I Hanucëve, te Mullinjtë, nuk ka as gërmadha

11.Mullirii i Karaponxhëve, te Mullinjtë, nuk ka as gërmadha,

12.Mulliri i Stankut, nuk ka as gërmadha

13.Mulliri i Stanojës, nuk ka as gërmadha

14.Mulliri i Nedelkit, nuk ka as gërmadha

15.Mulliri i Hysenëve të Kurbalisë, ende ekziston ndërtesa e mullirit, por nuk funksionon,
 
photo
Mulliri i Hysenëve

16.Mulliri i Musa Jakupit të Kurbalisë,

17.Mulliri i Hazir Kurbalisë,

18.Mulliri i Hajdar Kurbalisë,

19.Mulliri i Zejnë Kurbalisë dhe 

20. Mulliri i Kadri Norçës. 

Selajdin Jusufi i Mëhallës së Hysenëve të Kurbalisë në Preshevë i cek këta 20 mullinjë : I Shaip Miratocit, I Kadri Mullinxhisë, I Maksut Karavelisë, i Qorvelive, i Horosanëve, i Rashëve, i Haxhi Halimit, i një serbi, i Ymer Efendisë, i Hetem Hanucit, i Karaponxhëve, i Stankut, i Stanojës, i Nedelkit, i Hysenëve, i Musa Jakupit të Kurbalisë, i Hazir Kurbalisë, i Hajdar Kurbalisë, i Zejnë Kurbalisë dhe i Kadri Norçës.

Plaku Bafti Rexhepi i Kurbalisë, i lindur më 1934, jeton në Preshevë i numron këta mullinjë : të Hetem Hanucit, të Halil Maksutit, të Hysenëve, të Shefki Hamidit, të Hazir Hafëzit të Kurbalisë, të Bekë Kurtishit të Kurbalisë, të Zejnullah Maksutit të Kurbalisë, të Jonuz Bidës të Kurbalisë, të Kadri Norçës dhe të Laz Norçës. Pra ai cek njëmbëdhjetë /11/ mullinjë.


Mullinjtë e Vjetër në lumin e Rahovicës


Lumi i Rahovicës e ka burimin diku në Karadak, në Ilincë. Në rrjedhje teposhtë pranon disa degë,  përrocka. Lumi rrjedhë në drejtim nga veri-perëndimi /VP/ në jug-lindje /JL/, nga malet e Karadakut nëpër fushën e Rahovicës dhe derdhet në Moravicë.

photo
Skica 2: Mullinjtë në Rahovicë

Shënimet për Mullinjtë e Rahovicës i mora nga Rexhep Rushiti dhe Nexhbedin Rashiti të Rahovicës. Sëbashku me ta shënova dhe i fotografova mullinjtë në lumin e Rahovicës, por edhe Pendën e Rahovicës në këtë lum, Kacipupin e shumë vende me rëndësi për Rahovicën.

1.Mulliri i Ramadan Kadriut të Haxhiajve, tashti pronar Hasan Rexhepi i Haxhiajve, në anën veriore të lumit, karshi Kacipupit legjendar. Biseduam me mullisin Abdullah Rexhepin, i cili kujdeset për mullirin dhe punën e tij.Ai thotë se mulliri punon kur ka ujë.
Pronari dhe mullisi thonë se ky mulli ka vjetërsinë prej 150 vjetëve.

photo 
Mulliri i Ramadan Kadriut, tashti pronë e Hasan Rexhepit

photo
Brendia e Mullirit të Ramadan Kadriut


2.Mulliri i  dikurshëm i Sefë Ahmetit të Xhemkit të Mëhallës së Sejdajve, në anën jugore të lumit. Regjistruam vetëm vendin e tij, nuk kishte as gërmadha të mullirit. 
3.Mulliri i Zejnullah Latifit, i Mëhallës së Dukëve, i cili thotë se mulliri është ndërtuar para 70 vjetëve.Më parë pronar i mullirit dhe i bahçës ishte i ashtuquajturi “Dhaskalli”. 
4.Mulliri i Cen Pajës / Hysen Pajaziti/, të cilit  nuk i kishin  mbetur as gërmadhat.Më herët ky mulli ishte i Avdush Rexhepit të Mëhallës së Haxhiajve dhe
5.Mulliri i Zeqirja Ademit të Mëhallës së Haxhiajve, në anën veriore të lumit.


Mullinjtë e Vjetër në lumin e Tërrnavës

Lumi i Tërrnavës ka burimin në jug-perëndim të malit Ostrovicë, me burimin e Rekës së Zezë dhe të Kodrës së Zezë takohen te Pusat e Sherrave, përmbi Tërrnavë, ndër Shpellën e Arushës. Rrjedha e lumit vazhdon nëpër fshat, në lindje. 
Shënimet shumë të sakta mbi mullinjtë i mora nga Isak dhe Idriz Behluli, vëllezër nga Tërrnava.

Sëpari po i numrojmë Mullinjtë në anën jugore të lumit, prej se larti mbi fshat e teposhtë :

1.Mulliri i Ymer Destanit i Mëhallës së Bucelëve,
2.Mulliri i Bajram Destanit i Mëhallës së Bucelëve,
3.Mulliri i Rexhep Limanit,
4.Mulliri i Destanit të Dushkajve,
5.Mulliri i Jakupajve, më vonë e bleu Bojko Manasijeviqi, përmbi fshat, karshi Fabrikës së dikurshme të kromit, ende qëndron ndërtesa e rrënuar prej kohës, ku shihet pjesa e mullirit për bluarje, dhoma e fjetjes dhe ahuri i kafshëve,

photo 
Mulliri i Jakupajve

6.Mulliri i Nazmi Gaxhajve,

7.Mulliri i Ismail Gaxhajve. Djali i tij Xhemail Ismaili na hapi derën e mullirit, i cili ishte në gjendje të mirë. Mulliri kishte pjesën ku bluhet me dy gurë dhe dy kosha, ku mbahet drithi, dhoma e ndejës-fjetjes dhe ahuri i kafshëve. Mullisi Xhemail tregon se përpara kemi bluajtë grurë, misër e tjerë, ndërsa tashti bluajmë vetëm misër, të cilin e shesin në treg të Preshevës dhe ushqim për kafshë.
 
photo
Mulliri i Ismail Gaxhajve

photo 
Brendia e Mullirit të Ismail Gaxhajve

8.Mulliri i Shaban Salihut i Mëhallës së Jakupajve,

9.Mulliri i Millojës së Cakanocit, më vonë e bleu Nderim Mehmeti i Miratocit dhe

10.Mulliri I Aleksës, më vonë e bleu Osmani i Xhelepëve të Miratocit 

Po i numrojmë Mullinjtë në anën veriore të lumit prej së larti teposhtë rrjedhës së lumit :
1.Mulliri i Radovicës,

2.Mulliri i Isa Osmanit të i Mëhallës së Jakupajve, 

3.Mulliri i familjes së Diniqëve dhe

4.Mulliri i Jakupit të Mëhallës së Jakupajve.
 
Të gjithë Mullinjët  që i numruan më lartë nuk i kanë mbetur as gërmadhat, as atyre në anën jugore, as atyre në anën veriore, pos Mullirit të Jakupajve dhe Mullirit të Ismail Gaxhajve, për të cilët folëm më lartë. 
 

photo 
Skica 3: Mullinjtë në Tërrnavë dhe Miratoc


Mullinjtë e Vjetër në Miratoc

Mullinjtë e Miratocit kryesiht ishin të vendosur në lumin Banjkë, në Rekën e Shullonit-Reka e Thatë dhe në Përroin e Kajës.
Rrjedha e lumit Banjkë është në drejtim veri-jug dhe derdhet në Vardar.
Ndërsa Reka e Thatë dhe Përroi i Kajës ka rrjedhën perëndim-lindje.

Shënimet për mullinjtë e Miratocit i mora nga Xhafer Aziri i Mëhallës së Kajoshëve të Miratocit dhe nga Sami Agushi, professor i gjeografisë nga Miratoci.

Plaku Xhafer Aziri, i lindur më 1928, në bisedën që pata foli dhe numroi këta mullinjë, te lumi i Banjkës :
1.Mulliri i Haxhi Maliqit, në anën lindore të lumit,

2.Mulliri i Aziz Kajoshit, me Haxhi Nexhatin dhe Haxhi Abedinin e Kajoshëve, në anën lindore të lumit,

3.Mulliri i Haxhi Kamberit të Xhagadurëve, në anën lindore të lumit,

4.Mulliri i Haxhi Halitit dhe Haxhi Rexhepit të Xhelepëve, në anën lindore të lumit, 

5.Mulliri i Mustafës së Tosunëve, hisetar Vasilki i Cakanocit, në anën perëndimore të lumit,

6.Mulliri i Nevzad, Faik dhe Sadri Aqifit të Fesllarëve, në anën perëndimore të lumit dhe

7.Mulliri i Salim Mehmetit të Fezllarëve

Në Përroin e Kajoshëve, limi i Kajoshëve si e quan plaku Xhafer janë :

1.Mulliri i Qahil Iljazit të Mëhallës së Kajoshëve, në anën veriore të përroit dhe
2.Mulliri i Haxhi Ramadanit, në anën veriore të lumit.

Me profesorin e gjeografisë Sami Agushi biseduam për mullinjtë, çezmat, burimet etjerë të Miratocit. Ai foli shumë për mullinjtë dhe i numroi :

photo
Miratoci nga Banjka, ku ishin të ndërtuar Mullinjtë

Te lumi i Banjkës

1.Mulliri i Xhelepëve,në anën perëndimore të lumit,
2.Mulliri i Kamer Xhagës, në anën lindore të lumit,
3.Mulliri i Poshtëm, në anën perëndimore të lumit,
4.Mulliri i Aqifit, në anën perëndimore të lumit,
5.Mulliri i Nexhatit, në anën perëndimore të lumit,
6.Mulliri i Qahilit, në anën lindore të lumit,
7.Mulliri i Mustafë Tosunit, në anën perëndimore,
8.Mulliri i Haxhi Maliqit në anën perëndimore të lumit dhe
9.Mulliri i Brahim Malokit, në anën lindore të lumit

Te Reka e Shullonit-Reka e Thatë : :
1.Mulliri i Destan Eminit, në anën jugore të Rekës.
 
Te Përroi i Kajës :
1.Mulliri i Haxhi Selimit, në anën veriore të përroit dhe
2.Mulliri i Qahilit, në anën veriore të përroit.
 

photo
Përroi i Kajës, ku ishin të ndërtuar Mullinjtë

Mulliri i Xhelepit, Aqifit dhe Haxhi Maliqit janë shumë të vjetër tregon Samiu.
Mullinjtë e Miratocit janë rrafshuar me tokë, as gërmadhat nuk duken, pos kulmit të Mullirit të Haxhi Maliqit.

Samiu tregoi për një gojëdhënë : Një ditë kishin dalë 2-3 djemë të rinjë të  Mëhallës së Xhelepëve dhe kanë plaguar një kaprrroll, të cilit i kanë shkuar pas gjurmëve të gjakut dhe ai strehohet në gërmadhat e një prej mullinjëve. 


Mullinjtë e Vjetër në Karadak


Mullinjtë e Vjetër në Karadak ishin të ndërtuar në lumin e Stanecit, Seferit dhe në lumin e Llaposhnikut. Përrocka e Kurbalisë, Gruhalisë, Nezajve dhe e Lezbalisë formojnë lumin e Stanecit.
Lumi i Stanecit dhe lumi i Seferëve te Urat, afër shkollës fillore të Caravajkës bashkohen dhe formojnë lumin e Llaposhnikut, i cili derdhet në Moravën e Binçit mbi Pograxhë.

photo
Skica: Mullinjtë në Karadak

Shënimet mbi Mullinjtë e Karadakut i mora nga Demush Berisha i Buhiçit të Preshevës.

Mullinjtë në lumin e Stanecit:
1.Mulliri i Beçës së Stanecit,

2.Mulliri i Buhiçit,

3.Mulliri i Idriz Seferit, me dy gurë dhe 

4.Mulliri i Xhelil Seferit

Mullinjtë në lumin e Seferit :
1.Mulliri i Bafti Seferit,
2.Mulliri i Kamer Seferit,
3.Mulliri i Ali Ferizit të Caravajkës dhe
4.Mulliri i Kureçëve

Mullinjtë në Llapushnicë :
1.Mulliri i Xhinajve të Depcës,

2.Mulliri i Xhanëve të Maxherës,

3.Mulliri i Dalip Kokës, me dy gurë,

4.Mulliri i Kokajve,

5.Mulliri i Muçibabës

photo
Lumi i Llapushnicës, ku ishin Mullinjtë

Sipas Demush Berishës, Mulliri i Xhelil Seferit dhe Mulliri i Kureçëve kanë qenë afër njëri tjetrit, vetëm në largësi 5o m.

Mulliri i Idriz Seferit dhe Mulliri i Ali Fejzës kanë pasur edhe Han-bujtinë.
Pos këtyre Mullinjëve që i cekëm, kemi edhe një mulli në Bukurocën e Keqe, një mulli në Bukuroc të Nexhat Vaxhid Shabanit, i cili nuk punon, është i vjetër dhe gjenden vetëm gërmadhat e tij.Për këtë mulli shënimet i siguroi Muhamed  Shabani, gjeodet nga Bukuroci.

Poashtu të përmendim se lumi i Leranit në gjatësi prej 7,5 km, burimin e ka në Dedovicë të Rujanit dhe derdhet në Moravicë, ndërsa banorët e këtij fshati e quajnë lumi i Moravicës.. Në atë lum janë ndërtuar dy mullinjë, pronarë janë serbë, por nuk mundëm t’i sigurojmë emrat e tyre.


Mullinjtë industrial /me rrymë elektrike/ në Preshevë

Presheva u elektrifikua më vitin 1951.

1.Mulliri i Ismail Sylejman Veliut nga Presheva, punoi prej vitit 1961, ndërsa ndërpreu punën më 1975,

2.Mulliri i Lubomir Miladin Gjekiqit nga Zhunica, punoi gjatë viteve 1962-1988,

3.Mulliri i Stojan Gjorgjeviqit nga Zhunica, punoi gjatë viteve 1968-1973,

4.Mulliri i Halim Rufat Halitit nga Zhunica, punoi gjatë viteve 1968-1976,

5.Mulliri i Nexhip Hajdar Kadrisë nga Rainca, punoi gjatë viteve 1968-1972,

6.Mulliri i Kadri Hasan Fazliut nga Rahovica është mulli i madh që e filloi punën më vitin 1968 dhe punon edhe sot. 

7.Mulliri i Dilaver Mehmetit nga Corrotica, punoi gjatë viteve 1968-1971,

8.Mulliri i Rangjell Spira Mladenoviqit nga Bushtrani, punoi gjatë viteve 1968-1985,

9.Mulliri i Aleksandar Stamena Gjorgjeviqit nga Zhunica, punoi gjatë viteve 1968-1973,

10.Mulliri i Jakup Kamber Shabanit nga Miratoci, punoi gjatë viteve 1969-1995,

11.Mulliri i Sylejmman Demirali Ahmetit nga Rahovica, punoi gjatë viteve 1973-1975,

12.Mulliri i Bushat Hysen Hajdinit nga Presheva, punoi gjatë viteve 1973-1989,

13.Mulliri i Nazmi Dalip Jasharit nga Rahovica, punoi gjatë viteve 1973-1983,

14.Mulliri i Janja Stanimir Janjiqit nga Lerani, ishte mulli i madh që punoi gjatë viteve 1975-1986,

15.Mulliri i Musa Jusuf Behlulit nga Ranatoci, ishte mulli i madh që punoi gjatë viteve 1975-1979,

16.Mulliri “Moravica” i Xheladin B. Mustafës nga Zhunica, është mulli i madh që filloi punën më 1981 dhe punon edhe sot. Në mulli biseduam me pronarin, i cili na lejoi fotografimin e mullirit dhe tha se në mulli bluajnë nga Presheva, Bujanoci e më larg.

photo 
Mulliri i Xheladin Mustafës

17.Mulliri “Katër Vëllezër” i Alajdin Shemsedinit-Kamberit nga Presheva, është mulli i madh që filloi punën më 1988 dhe punon edhe sot.
 
photo
Mulliri i Alajdin Kamberit



18.Mulliri “ Burimi” i Remzi Fazliut nga Rahovica, është mulli i madh që e filloi punën më 1989 dhe punon edhe sot.   

Ditën që e vizitova Mullirin, aty e takova Mullisin Selami Abdullahun të Durçajve, me të cilin biseduam për punën e mullirit dhe mullisit. Selamiu ishte i kënaqur se e ushtron këtë mjeshtri, na priti buza gaz. Në bisedë na thotë për të bluar sjellin drithin nga Presheva, 
Bujanoci e më largë. Pronarin nuk e takuam, për të cilin mësuam se ka hapur edhe furrë buke.

photo 
Mulliri “Burimi” i Remzi Fazliut

photo 
Mullisi Selami Abdullahu 


19.Mulliri “Azizi” i Ali Azizit nga Rahovica, është mulli i madh, punoi gjatë viteve 1990-1997 

photo 
Mulliri “Azizi” I Ali Azizit


20.Mulliri i Bajram Lutfi Sylejmanit nga Rainca, është mulli i madh që filloi punën më 2002 dhe punon edhe sot.
 Shënimet mbi mullinjtë i nxorri autori dhe Reshat Aliu i Norçës nga Shërbimi i komunës së Preshevës, regjistri i zejtarëve prej 1-423, libri nr. I, në Preshevë.

Të përmendim edhe Mullirin e Kooperativës Bujqësore të Preshevës, i cili filloi punën më 1956. U ndërtua në brendi të Hamamit të Vjetër në Preshevë.

Është me rëndësi të madhe të ceku se Muhamed Shabani, gjeodet nga Bukuroca, në Shërbimin e Gjeodezisë më dha shënime të duhura dhe të sakta mbi pronarët e Mullinjëve të Vjëtër, mirëpo vendosa të mos i shkruajë Mullinjët sipas pronarëve, së pari ndoshta pa nevojë po i hy problemeve pronësore të pronarëve të Mullinjëve dhe e dyta, në shkrim po i ceku vetëm emrat e Mullinjëve ashtu qysh i njeh populli nëpër vendbanimet e Preshevës.

Mullinjtë e Vjetër me rrethinë kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e populates së Preshevës, duke ia siguruar kafshatën e bukës kësaj populate dhe më gjërë dhe ushqimin për kafshët e kësaj treve.

Nga e shkruara përfundojmë se Presheva me rrethinë kishte një pasuri të madhe mullinjësh, për të cilët u frymëzuan dhe shkruan shkrimtari Ramadan Rexhepi, Agron Boriçi, poetët e ndjerë Mirko Gashi dhe Qerim Arifi.

Poashtu propozojë që Mulliri i Isa Rashës në Preshevë, mulliri i Hasan Rexhepit nga Rahovica dhe mulliri i Ismail Gaxhajve nga Tërrnava të renovohen dhe të hyjnë në listën e Mullinjëve të mbrojtur nga shteti.







Referencat


1.Fjalor i Gjuhës së sotme shqipe A-ZH, Prishtinë, Rilindja, 1985
2.Mehmet Jusufi, Vështrim gjeografik i Preshevës me rrethinë, “Përparimi”, nr.7-8, Prishtinë, 1965, f.484
3.Aleksandar Stojanovski, Vranjski kadiluk u XVI veku, Vranje 1985, f. 126
4.Jova Hadzivasilevic, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj. II, Beograd, 1913, f. 19
5.Agron Boriçi, Sherri i Preshevës në derë të Stambollit, Preshevë, 2001
6.Bisedë me plakun e Preshevës, Qani Qerimin e Reçkëve, më 08.06.2010
7.Bisedë me Nazmi Kadriun e Karaponxhëve të Preshevës, më 17.o7.2010
8.Bisedë me Selajdin Jusufin e Kurbalisë në Preshevë, më 18.07.2010
9.Bisedë me plakun Bafti Rexhepin e Kurbalisë në Preshevë, më 18.07.2010
10.Bisedë me Rexhep Rushitin nga Rahovica, më 23.07.2010
11.Bisedë me Nexhbedin Rashitin nga Rahovica, më 23.07.2010
12.Bisedë me Isak dhe Idriz Behlulin nga Tërrnava, më 29.07.2010
13.Bisedë me plakun Xhafer Azirin nga Miratoci, 06.08.2010
14.Bisedë me Sami Agushin professor i gjeografisë nga Miratoci, më 14.08.2010 dhe 29.08.2010
15.Bisedë me Demush Berishën i Bujiçit në Preshevë, më 30.08.2010 apo Demush Berisha, Karadaku gjatë shekujve, në botim, Preshevë, 2010
16.Shërbimi i komunës së Preshevës, regjistri i Zejtarëve prej 1-423, libri I, Preshevë
17.Shënimet e Muhamed Shabanit, gjeodet nga Bukuroci, me punë në Shërbimin e Gjeodezisë në Preshevë, më 26.07.2010
18.Jahi Murati, Savremene socijalne-geografske i ekonomske karakteristike presevske komune, Vranjski glasnik, knj. XI, Vranje, 1975, f. 377-431
19.Radojko M. Andjelkovic, Vodenice u Vranjskoj pcinji, Vranjski glasnik, knj. XXIV-XXV, Vranje, 1992, f. 191-209
20.Jovan Trifunoski, Vodenice u Skopskoj Crnoj Gori, Vranjski glsnik, knj. VIII, Vranje, 1972, f.413-423
21.Jovan Trifunoski, Kumanovsko-Presevska Crna Gora, Beograd, 1951, f.17,18,19,20,21
22.Radovan Rsumovic, Presevska potolina, geomorfoloska proucavanja, Vranjski glasnik, knj. V, Vranje, 1969, f. 1-16
23.Vidosava Nikolic-Stojancevic, Vranjsko pomoravlje, etnoloska ispitivanja, Vranje, f. 38, 426



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx