E shtune, 03.05.2025, 09:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Myslim Pasha: Ishulli i Franz Jozefit dhe kufijtë detarë me Malin e Zi

E diele, 19.09.2010, 01:03 PM


Ishulli i Franz Jozefit dhe kufijtë detarë me Malin e Zi

 

Nga Myslim PASHA

Mjeshtër Kërkimesh

 

Koloneli në lirim, Myslym Pasha, e shpjegon studimin e radhës si në fjalën popullore: "T'i dalim të keqes përpara". Autor i studimit që i nxorri petët e lakrorit paktit detar Shqipëri-Greqi, ku vendit tonë do t'i merrej mbi 354 km katror det, gati një vit më parë, mjeshtri i kërkimeve, kujton se ky nuk është një lajm, por pak dritë e hedhur para se të shkohet nesër te bisedimet apo ndoshta edhe lëshimet e radhës. Koloneli në lirim kujton premtimin e një zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare, kur ndërsa mbronte paktin me Greqinë, premtonte se të njëjtën marrëveshje qeveria e Shqipërisë do ta bënte edhe me Malin e Zi. "Pakti me Malin e Zi ende nuk është bërë por ne e kemi fjalën për studimet që duhen bërë sa nuk është vonë dhe një trokitje për atë indiferencë fatale që ndodhi një vit më parë, kur u negociua për paktin detar me Greqinë"-thotë koloneli në lirim.

 

Skenarët e rinj që duhen hartuar para marrëveshjes Shqipëri-Mali i Zi, pas bashkimit të Franc Jozefit me tokën shqiptare, për vijën ndarëse me Malin e Zi. Rëndësi merr pika fillestare e mesit të grykëderdhjes së Bunës, që ndryshon vazhdimisht dhe si është caktuar kufiri në marrëveshjen me ish-Jugosllavinë. Dhe së fundi, përcaktimi i pikës treshe mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, sipas barazlargësisë dhe zgjidhjes së barabartë, që do të kënaqte kërkesat e të tre shteteve.

 

Sipar

Në këtë hapje sipari, na del një ishull me emrin " Franz Jozef". Ndërkaq, teksa duam të flasim për kufijtë detarë me Malin e Zi, vjen një trazim i ri, kur ende nuk është mbyllur plaga e atij Pakti Famëkeq me Greqinë. Prandaj duke e sjellë në fillim, këtë ishull që është shënjë Dheu, në derdhje të Bunës, tregohet edhe orientimi i parë, për të hedhur sytë në gjeohapësirën detare, sepse vetëm ky Dhe, me rrethanat e tij diktojnë dhe zotërojnë edhe Detin. E sjellim këtë deltë dhe këtë ishull në Bunë dhe në fillimdet për të kujtuar harrimin e madh që u bë (me qëllim apo... u shpëtoi ...) një ekipi që tentoi të ndante detin Jon, kur u hutua nga ishuj të Arkipelagut të Korfuzit, dhe harroi diktatin dhe kanosjen e një gishti që vinte nga Dheu. Para disa vjetësh, duke shkuar për të parë ishullin e Franz Jozefit në deltën e Bunës nuk e gjetëm dot. S'kish më ishull, po ish bashkuar me Dheun, në drejtim të Shëngjinit, dhe e kish përqafuar atë. Ishte kthyer në një siujdhesë e vogël, duke e humbur shëmbëllimin dhe orientimin. Asilloj i ka ndodhur dhe vetë Bunës në këtë rrjedhë kohore, që prej këtu tregojnë se si erdhi kanosja me përmbytjet e vitit të fundit.

 

Në një vend ku mungojnë studimet.

Vetëm në një vend ku mungojnë studimet, mund të ndodhin ato gjëma siç ishte Gërdeci Tragjik, apo skandali diplomatiko-ushtarak i atij Pakti të cekur atypari, problemet mjedisore aq të mprehta në Vlorë, përmbytjet e mëdha dhe studimet e humbura të Bunës, me tunelin e Kalimashit, me projektimin e shpejtë të ALUIZNI-t dhe pronësinë e pazgjidhur, me planet rregulluese urbane etj etj...Për të gjitha këto institucionet shkencore shqiptare heshtin dhe përkunden në atë puhi që sjell valëvitja e flamujve...të fitoreve... Sepse në indiferencë të plotë ka qënë strategjia e Qeverive ( si të djathta ashtu edhe të majta). Prandaj po e sjellim këtu si një metaforë atë që ka ndodhur me Ishullin Franz Jozef, i cili s'është më. Kurse Qeverisë Shqiptare që i mungojnë studimet, ngre sytë nga qielli dhe me gojën e Kryeministrit i drejtohet ndryshimeve globale dhe terminologjisë astronomike, për ngrohje dhe tërheqje të hënës, për t'u mbushur mendjen shqiptarëve pse ndodhnin përmbytjet. Ndërkaq pak më herët, për Paktin Detar pat thënë se nuk "merremi me mite..." Kjo është tragjikomike, apo jo?

 

Marrëveshje e ardhme për ndarjen e shtratdetit kontinental midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Kjo marrëveshje do të jetë një vijim mirëkuptimi jo vetëm në Ballkanin Jugperëndimor por edhe e të gjithë prirjeve të sotme të zhvillimit ekonomik dhe të integrimeve euroatlantike. Ajo do të jetë, gjithashtu faktor i ri në forcim të lidhjeve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Aty do të jetësohet edhe një dëshirë e mirë, për të zhvilluar më tej bashkëpunimin ekzistues.

Del në pah nevoja për përcaktimin e kufinjve edhe pse në dukje të parë jepet përshtypja se ky kufi është përcaktuar, mbasi e kemi një marrëveshje të kryer midis ish- Jugosllavisë dhe Italisë (1968) që e ka sjellë pikën fundore ndarëse në ujërat tona, e po kështu e kemi një pikë fillimi të ndarjes së kufijve detare midis Italisë dhe Shqipërisë (1992). Por që nuk është përcaktuar një pikë treshe dhe një drejtim përfundimtar ndarës midis tri shteteve dhe një përmbyllje ndarëse midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Kjo është e domosdoshme për t'u bërë me saktësinë e duhur që të dy vendet të ushtrojnë sovranitetin, të drejtat, juridiksionin e tyre në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ka probleme të përbashkëta por edhe të veçanta për secilin shtet të cilat kanë nevojnë e trajtimit dhe të njohjes për hapësirat ujore dhe të Shtratdetit Kontinental për shumë probleme që kanë të bëjnë me peshkimin dhe të drejtat e shteteve fqinjë, të trafikut antiligjor në të dy vendet, në ruajtje të këtyre hapësirave ndaj këtij trafiku në fusha të ndryshme, për ndotje të mjedisit dhe të përgjegjësive të përbashkëta të të dy shteteve. Duke zbatuar Ligjin e Detit ( Konventën e Montego- Bay- 1982 ) do të përcaktohen të drejtat sipas ligjit ndërkombëtar, të cilat do të pasqyrohen edhe në dokumente hartografikë, harta të ndryshme detare dhe të llojeve të tjerë të cilat do t'i kenë në dorë shfrytëzues të fushave të ndryshme jo vetëm në lundrimin detar, por edhe në fusha të shfrytëzimit të detit dhe Shtratdetit, për qëllime ekonomike.

Sërish do të kujtojmë se atëbotë kur ndodhi ai Denoncimi i Paktit famëkeq me Greqinë, një përfaqësues i Qeverisë, me një siguri të lartë, për ta dëgjuar gjithandej u thosh shqiptarëve se " Asnjë milimetër nuk kemi lëshuar nga Deti ynë..." dhe se " së shpejti do të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Malin e Zi..." duke i siguruar shqiptarët se : " në kohën kur nuk ka Komisione Ndërkombëtare, që të na ndajnë, siç na patën ndarë dikur..." tani vetem dypalësh në fqinjëri do ta ndajmë Detin..."

 

4. Qasje historike.

Përcaktimi e kufijve tokësorë të Shqipërisë, pas mëvetësisë së shpallur, prej saj, më 1912 ishte aq tragjike. Përfytyroni që në një plan hartues paraprak të njerëzve të ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha, dikush midis tyre, mbante në dorë një penë apo laps të thjeshtë, mbi një hartë topografike të një vendi që s'e kish bërë kurrë një hartë të vetën, për fatin e tij tragjik. Ajo majë pene vizatimi, që lëvizte dhe shënonte, befas ishte shndërruar si të ishte një thikë që priste trupin e një kombi të ngjizur, këtu, në mushkëri të Ballkanit. E prisnin aty, këtu, atje më tej... në gjeografinë dhe historinë e tij, duke lënë anash, hapësira të tëra të një populli, të mbirë e ngulitur prej kohërash që nuk mbahen mend. Lëvizja e kësaj pene vizatuese, të shënjave të kufirit nga Komisioni Ndërkombëtar, ngarkuar nga Konferenca e Ambasadorëve për caktimin në natyrë të kufijve të Shqipërisë, na shfaqet si për të na zgjuar prej një ëndrre tronditëse. Orekse makutësh rreth e rrotull, të monarkëve fqinjë, të vjetër dhe të rinj, i rrinin përsipër, asaj penës së vizatimit dhe atyre koordinatave të piramidave të kufirit. Po edhe përfaqësuesit e fuqive të mëdha nuk e patën të lehtë. Konferenca e Ambasadorëve krijoi dy Komisione Ndërkombëtare; njerin për kufijtë me Malin e Zi dhe Serbinë dhe tjetrin për kufirin me Greqinë.

Më 22 mars 1913, u vendosën përfundimisht kufijtë veriorë. Nga trungu i Shqipërisë u shkëputën: Kosova dhe tokat shqiptare në Maqedoni, të cilat dënoheshin të kalonin, nën zgjedhën e re serbo-malazeze. Gjatë muajve qershor-gusht 1913, hapësira të tëra shqiptare, fillimisht, gjendeshin të pushtuara nga forcat ushtarake shoviniste serbe e malazeze në Veri dhe greke në Jug.

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, çështja ndërlikohet. Nënshkruesit e traktateve të mësipërme i shkelën ato, duke thyer asnjëanësinë e Shqipërisë dhe duke e shndërruar atë në arenë të luftimeve midis tyre. Shqipëria mbetet përsëri shesh i mpleksjes dhe përplasjes së interesave të shteteve të ndryshme. Për Austro-Hungarinë, Shqipëria zinte një vend të rëndësishëm si barrierë kundër vendosjes së Italisë dhe të Serbisë në brigjet lindore të Adriatikut dhe si urë për depërtimin e vet në Lindje.

 

Dihet se si më vonë Traktati i Fshehtë i Londrës më 26 prill 1915 nënshkroi një akt të ri, në dramën që kalonte Shqipëria e sapomëvetësuar. Sipas këtij Traktati, bregdeti shqiptar prej derdhjes së Bunës në Veri e deri në derdhjen e Drinit ( është fjala për Drinin që derdhej në Lezhë) duke përfshirë edhe portin e Shëngjinit, do t'i kalonte Serbisë dhe Malit të Zi. Lufta e Botërore e nëpërkëmbi edhe më shumë brishtësinë e shtetit të ri shqiptar.

Konferenca e Paqes, e Parisit më 18 janar 1919, në diskutimet e projektet e saj më 19 prill 1919, njohu aneksimin italian të qytetit të Vlorës, që përforcohet me memorandumin e 9 dhjetorit, të hartuar nga përfaqësuesit e Anglisë, SHBA-së dhe Francës. Kësilloj, u njoh si kufi me Jugosllavinë ( Malin e Zi) ay që ishte vendosur në vitin 1913. U deshën shumë vite pas Luftës së Parë Botërore dhe Odisseja e kufirit ende nuk do të kishte të mbaruar. Komisioni Ndërkombëtar u ngarkua sërish nga Konferenca e Ambasadorëve të saktësonte dhe hartografonte në natyrë ata kufij tragjikë.

 

Mbërrijmë në Bunën e Iliro-shqiptarëve

Buna e gjallë dhe e zgjuar përjetë, shënjonte ndarjen e saj në Veriperëndim. Buna ishte shenja e dashurisë qiellore që zbriste nga malet, buronte prej Albanideve, dhe u sillte njerëzve vetëm dashuri. Ndërkaq Buna mblidhte ujërat që nga Mali i Thatë (si buronjë Lasgushiane) deri, puqur me Devollin. Bisedonte me Ohrin e Prespën përmjet Drinit që i falej dhe ia shtonte shtatin. Prandaj bartte bukurinë dhe mrekullinë e thuajse gjysmës së Shqipërisë që e ndillte në trupin e ujanës së saj. Buna mitike po edhe e mistershme, nuk i sillte ujë Adriatikut, por ajo për më shumë, e afronte Detin deri në Hanin e Hotit ku janë fundi i Albanideve. Me madhështinë e saj arrinte në të njëjtin nivel sipëror, të syprinës ujore, me detin dhe i ngjante një gjiri Detar, të thellë, duke përfshirë edhe liqenin e Shkodrës që është rrjedhë e saj, po edhe buronjë. Kjo është Buna e Shenjtë e Iliro-shqiptarëve.

 

 

Ajo ishte e lundrueshme deri në Shirgj. Anijet pas Smarishtit drejtoheshin për në jug. Kalonin Obotin dhe arrinin në ndërtesën madhështore të Manastirit të Shën Sergjit dhe Bakut, që në shekullin e XIII-XV ishte një truall i njohur i lëvizjes, tregtisë dhe komunikimit, në Ballkanin Perëndimor. Kjo Bunë e lundrueshme, për anijet dhe për galerat, gjer në Shirgj, sillte tregtarë nga Venediku, Dubrovniku, duke lidhur në transport dhe komunikim Ulqinin dhe Tivarin dhe më tej...Këto na i kumton në pararendje Buna, e cila ka kohë që na thërret për të na thënë se sa shumë është rënduar prej kohës dhe lëndës së madhe të ngurtë që ka ardhur nga larg prej malesh e fushash dhe që s'e ka lënë që ajo të gjallojë në lundrimin e saj. Pse vallë? Sepse shqiptarët e sotëm s'ia kanë kthyer sytë Bunës po e kanë lënë në harrim saqë ajo shpesh e më shpesh "I ka marrë vetë vendimet" në mjedisin rrotull, në përmbytjet e mëdha, që pse të mos të themi se janë edhe pjesë e shenjtërisë së saj, kur troket dhe askush s'ia hedh sytë.

 

Na ish dikur ishulli "Franz Jozef" ...

Askund tjetër nuk ka një ishull me një emër të tillë, që ta njohësh nga gjeografia, por vetëm në Deltën e Bunës sonë. Është shenjuar dhe shkruar "ishulli Franz Jozef" Ky emër nuk ka ndonjë histori dhe asnjë vendim, e propozim studimor toponimik, por është thjesht një dëshirë që iu është zgjuar hartografëve të Perëndorisë së atëherëshme të Habsburgëve të cilët teksa bënin hartën e Shqipërisë veriore ( rreth viteve 1870 ) u mrekulluan nga Delta e Bunës dhe kur e panë se nuk kishte emërtim e shkruan në hartë, për nder të Perandorit, emrin e tij, sikur të kishin bërë një zbulim në hapësira të panjohura. Derdhja e Bunës s'ka qenë asnjëherë e Habsburgëve, por veriu i Shqipërisë, ishte nën mbikëqyrjen e kërkuar, po dhe aq i dëshiruar prej tyre. Aty e patën pasionin e madh hartues dhe studimor Baron Nopça, Herbert Louis e të tjerë...

Ndërkaq, uji Bunor rrjedh i tëri në Jug kurse në veriperëndim ka një shtrat të vjetër ku gjatë kohës së perendorisë Osmane u shkruajt: " Ada" që do të thotë "ishull"

 

A kanë ekzistuar kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë?

Që në vitin 1946 ka një VKM nr. 168, ku thuhet se " Caktohen ujërat territoriale shqiptare gjatë gjithë bregdetit shqiptar, ato ujëra që përfshihen në zonën prej 6 (gjashtë) milje detare duke filluar që nga çdo pikë e tokës Shqiptare, në drejtim të detit të hapët "

" Duke filluar nga Gryka e Bunës, gjatë paralelit 41º 45' e deri në paralelin 40 º verior, ujërat territoriale të Shqipërisë janë 6 milje, nga kepet e bregdetit, mbasi përballë bregdetit shtrihet deti i haptë".

Rrethanat në të cilat ndodhet ky kufi janë shumë të veçanta dhe që duhet të studiohen me kujdes edhe pse nuk kemi të bëjmë me shtete përballë ( në rastin e Malit të Zi) por vetëm me një vijë ndarëse, në brinjë.

Nisur prej këtij neni janë të domosdoshëm që të trajtohen:

(i) të dhënat e baticës astronomike të të dy shteteve

(ii) kushtet e ndryshimit të përhershëm të Deltës së Bunës.

(iii) ligjshmëria e brendshme e të dy shteteve lidhur me këtë vijë,

(iv) përshkrimi i vijës kufitare tokësore (lumore) të të dy vendeve sipas Komisionit Ndërkombëtar.

Niveli i sipërm i Bunës gjatë verës atje ku takohet me liqenin e Shkodrës arrin të jetë 5,4 metër mbi nivelin e Detit Adriatik. Po sa larg është Ura e Bunës prej bregut të Detit dhe ishullit të Fanc Jozefit? Plot 45 km gjatësi së toku me gjarpërimet e Bunës, në rrjedhën e saj të qetë. Po të marrim nivelin "0" atje ku bashkohet Buna me Detin në deltën e saj, atëherë, në çdo km gjatësi i bie që të keni një lartësi prej 11,5 cm. Në çdo 1 km ka një ndryshim lartësie prej 11.5 cm. Prandaj Buna pothuajse është, në një nivel me Detin e saj.

Duke patur ndryshime të vijueshme të cilat kanë sjellë një gjendje të sotme kur ishulli i Franc Jozefit i është bashkuar Tokës në drejtimin e Shqipërisë, na tregon se para se të bëhet një marrëveshje duhet të paracaktohen disa skenarë të ardhshëm se ç'do të ndodhë më tej më këtë Deltë dhe vijën kufitare tokësore (lumore ) tek ky bashkim me detin.

Kjo është një rrugë studimore e të dy shteteve që do t'u japë material për negociatat diplomatike, sepse nuk mund të kemi dot një pikë të qëndrueshme dhe po kështu nuk do të kemi dot një vijë bazore fikse, por gjithmonë të ndryshueshme. Mirëpo çdo ndryshim i pikës fillestare në Tokë është tregues i ndryshimit të vijës ndarëse në hapësirën ujore detare. Shteti i Malit të Zi ka një stacion matës në afërsi të grykëderdhjes së Bunës, por ne nuk i disponojmë matjet e tij. Kështu në përcaktimin e vijëdrejtës bazore, ndryshimet do të jenë të përvitshme. Këto ndryshime, edhe pse nuk kanë ndonjë ndikim të madh në vështrim të hapësirës ujore detare dhe Shtratdetit Kontinental, për vijën ndarëse me Malin e Zi, rëndësi merr pika fillestare e mesit të grykëderdhjes së Bunës e cila ndryshon në mënyrë të vazhdueshme.

Pika lidhëse në grykëderdhje ka ndryshuar në 150 metër në drejtim të veriperëndimit.

Në bazë të përshkrimit të vijës kufitare tokësore lumore të vitit 1913-1925 midis Malit të Zi (ish-Jugosllavisë) dhe Shqipërisë, sipas komisionit Ndërkombëtar, është në mesin e pasqyrës ujore të Bunës, nga bregu i ishullit të Franc Jozefit dhe brigjeve në veriperëndim.

 

Përcaktimi i pikës treshe

Duhet rënë dakord për metodën e matjes dhe të përcaktimit të pikës dhe vijës së mesme në pikën treshe. Rasti siç e trajtuam më lart është i veçantë. Prandaj dhe ka rëndësi që të mos nënvlerësohet por duke u nisur nga përvoja të hidhura duhet t'i kushtohet kujdes. Në radhë të parë, gjetja e metodës më të përshtatshme, kombinimi i tyre ( barazlargësisë dhe zgjidhjes së barabartë) në mënyrë të që të përcaktohet një vijë për të kënaqur kërkesat e të tre shteteve. Kjo do të ishte edhe udha më e mirë diplomatike, kur ekipet e shteteve në mënyrë profesionale gjejnë metodën ( apo metodat ) më të mira që sjellin rezultatin teknik i cili mbulon pas kësaj edhe të gjitha përpjekjet diplomatike.

Duke parë pozicionin e pikave të fundme të Marrëveshjeve midis Italisë dhe ish-Jugosllavisë dhe Italisë e Shqipërisë, mund të japim këto konsiderata:

1. Pika fundore në vijën ndarëse dhe mesoren, midis ish-Jugosllavisë dhe Italisë, na jep mundësinë që të kontrollojmë nëse plotësohen kushtet e metodës së barazlargësisë apo jo. Në këtë rast duhet thënë se po të pranohet kjo pikë si qëndër e rrethit atëherë mund të kontrollohet nëse plotësohen këto kushte.

2. Pika ku takohet Buna me detin, pra grykëderdhja, dhe delta e saj, do të jetë një pikë me koordinata të përbashkëta dhe të njëjta për të dy shtetet: Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kontrolli i ndërtimit të rrethit me qëndër në këtë pikë, na sjell rezultatin: (i) në grykëderdhje të Bunës : r = 103.76 km.(ii) ndërsa në kepin e Rodonit: r = 104.00 Diferenca: rreth 240 metër, çka na tregon se metoda e barazlargësisë e përdorur në pikën e fundit nuk kënaq vetem grykëderdhjen e Bunës por edhe Kepin Rodonit. Zgjidhja është shumë korrekte.

3. Pika e fillimit e marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Italisë nuk kënaq kepin e Rodonit.

Po të shihet në figurë, të dy pikat janë larg nga njëra-tjetra në 31.86 km, një largësi e konsiderueshme. Kjo na jep mundësi gjykimi se si do të përzgjidhet pika treshe. Pika treshe do të zgjidhet midis këtyre pikave sërish duke zbatuar parimin e barazlargësisë. Ky parim në këtë rast përputhet edhe me metodën e përperndikularitetit e cila kushtëzohet në mënyrë shumë të përshtatshme sa i përket paralelitetit të brigjeve detarë të Italisë dhe Malit të Zi që e kemi trajtuar edhe më parë. Pika treshe duhet të kënaqë brigjet uniformë prej derdhjes së Bunës në drejtim të qytetit të Ulqinit me ato përballë në gadillushin Apenin.

Qëndra e rrethit me rreze r = 91.39 km ( 49.35 md ) është pika treshe e cila në ekstremin ndarës të të tre shteteve. Kjo pikë duhet të zhvendoset 20.5 km në Jugperëndim të pikës së fundit të marrëveshjes midis ish-Jugosllavisë dhe Italisë ( 1968 ) në drejtim të pikës nr 1 të marrëveshjes midis Italisë dhe Shqipërisë.

 

Epilog i vetvetishëm...

Na ish një herë e një kohë një ishull i vogël po me emër të Madh por që s'është më sepse Deti me Dheun bënë një Marrëveshje të re njëri me tjetrin. Ia dhanë me mirëkuptim Dheut ishullin e Franz Jozefit, mirëpo Buna në mërzinë e saj të kahershme, ka bërë disa shënja në shkaparderdhje të vetvetes me përmbytje të mëdha. Këtë vjeshtë, pasi është qetësuar disi, ajo ka lëshuar një kumt bunor, për t'u thënë studiuesëve të Detit, hartografëve, diplomatëve dhe ushtarakëve se për të ndarë ujërat detërë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi duhet të pyesin në radhë të parë Bunën dhe aty do të gjejnë një kronikë se ku duhet të jetë vija ndarëse ujore detare me fqinjin tonë Malin e Zi, për të arrirë atë mirëkuptim që dëshirohet. Buna iliroarbërore do të jetë dëshmitare.

_________________

 

Kercenimet

"Edhe ti si Trebicka do përfundosh o tellall. Paret që të ka dhënë Edi Rama do t'i marrësh me vete në varr, se ditët të numëruara i ke".

Ky është vetëm një nga mesazhet që kolonel Myslym Pasha, profesori i hartografisë, i njohur si denoncues i Paktit Detar me Greqinë, ka marrë në adresën e tij në Facebook dhe në telefonin celular.

Mesazhet janë dorëzuar prej javësh në organet përkatëse, por deri më tani nuk ka asnjë ecje përpara me hetimet. Profesor Pasha ka preferuar të hesht për to, për të mos shqetësuar në veçanti familjarët e tij, megjithëse rrethi i ngushtë i miqve të kolonelit ka qenë në dijeni të tyre që në kohën që u dërguan.

Pas angazhimit publik në mbrojtje të intergritetit territorial të vendit, qeveria në detyrë e kryeministrit S.Berisha, zhvilloi një fushatë denigruese ndaj z.Pasha.

Gazeta e PD, "Rilindja Demokratike", e quante Pashën "pensionist të lajthitur" dhe "folklorist". Ajo botonte në faqe të parë foto ku hartografi i moshuar shfaqej duke kënduar me grupin polifonik të Mallakastrës.

Vetë S.Berisha, në një intervistë të dhënë për "Zërin e Amerikës" në ditët e fundit të vitit të kaluar e etiketoi profesor Pashën si "sharlatan".

 

 

***********************

 

Një libër për Paktin Detar

 

 

Doli nga shtypi libri " Deti që nuk falet" i Kolonel (R) Prof. Myslim Pashaj, i cili i përcillet lexuesit me trajtesa dhe përfytyrime të cilat zgjojnë një interes të veçantë.

 

Kush do të ishte ajo shtysë dhe prej kujt drejtimi do të vinte? Kush do të ishte ajo erë që do të frynte? Një bashkësi e tërë, për herë të parë do të njihej prej tronditjejes që do t'i sillte Pakti Detar, dypalësh Shqipëri-Greqi. Ky libër na sjell përballjen dhe sfidat: (1) për të takuar Ligjin e Detit dhe (2) për të kundërshtuar një Padrejtësi që ishte bërë në të Drejtën Ndërkombëtare.

 

Botimi " Deti që nuk falet" ruan një përpjestim të lakmueshëm të shkencës së hartografisë që i shërbeu implementimit të ligjit, me vet Ligjin e Detit, duke u bërë për herë të parë, një lëndë, e cila ra në duar të një drejtësie të vërtetë, si Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e cila me vendimin e saj nuk ruajti vetëm të Drejtën Detare Shqiptare, por në radhë të parë, tiparin thelbor të parimësisë së lartë, duke mos e lënë atë të përlyhet, si jo rrallë, ka ndodhur në Shqipëri.

 

Libri është botuar me kontributin financiar të avokatit Alban Mësonjësi, gazetarëve Adrian Thano e Mero Baze dhe ish-zv.shefit të Shtabit të Ushtrisë, Armand Vinçani. Ai do shpërndahet nga Shtëpia Botuese MAX.

 

 

Një këngë-koment

 

Franc Jozefit sju duru;

Tryez's m'grusht fort i ka m'shu;

Se edhe t'madhe ka ligjru.

Nji qind fjale,burra,per nji pare;

A me m'kambe Mretnin Shqyptare;

A se Vjene,tash ktheva filli;

E deri neser,tuj marre Dielli;

L'shu ja kam ushtrite ballkanit;

me ndihme t'Zotit et'Taljanit;

I a ve vet kufijte Shqypnise;

E s'ka burre,jo qe mi lot;

Se ato fjale t'Frances et'Rusise;

Qe na i qiten k'tu per pod;

Ato jane ,po,do fjale shkreta;

Thashe e thana per gazeta.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx