Kulturë
Jorgo S. Telo: Jetëmbushuri me vlera
E diele, 19.09.2010, 03:48 PM
Raq Paskali e Jorgo Telo
Jorgo S. TELO
JETËMBUSHURI ME VLERA
(Raq PASKALIT- përshëndetje në 60-vjetorin e lindjes )
Po e shoh të udhës, Sotiraq,
Veç me gotë… të t’uroj me vargje.
Sot në shpirt më trazohen sakaq
të gjashtëdhjet’ vitet në qindra faqe…
Këto faqe a s’duheshin shkruar
Prej penash të tjera dhe më parë?
Ndaj dhe ti, përherë i duruar
Veveten shpalose palë – palë…
E shpalose në “Kokteil pasionesh”
Prej moshës së mitur e deri më sot…
Jetëmbushuri prej vrullesh e hovesh
Shumëkush zilinë s’e fsheh dot.
Qysh i ri diktove tek vetvetja
O sa bulëza dëshirash të forta!
Nuk i le të treteshin nga zbehja;
Ndaj ua çele tejepërtej portat.
Në rini – bandill mes vërsës sate
Dritë e gaz të kullonte syri
Me rreze sysh rroke një “njomëzake”;
Ty mrekullisht në jetë të hyri…
Ishte Frida – që t’i ndjeu drithmat
E një dashurie që s’kish cak.
Një pas një ju do ndienit klithmat:
Të tre zërat që shtuat në prag…
Dy të rinj të parrahur me jetën,
Me halle u ndeshët parakohe;
Dhe ngritët familjen e vërtetë
Dhe rritët tri jetë nëpër mote.
Apo s’ishin ca vite të sertë,
Kur skamja gjithë ëndrrat i venitte.
Porse ju dijtët dhe ecët vetë
Ndryshe nga koha që shpesh zvarritej.
Përherë, Sotir, me shije të hollë
Dhe, jo vetëm për syçkat e shkruar.
Art pas arti, sa lavdi ke korrë…
Ç’ta pinte syri, s’le pa e provuar…
Me guximin – thelb i jetës sate
Shkallë – shkallë kalove ti pengesat..
Krahas druajtjes dhe sedër pate;
Porsi një kreshnik merrje “fortesat”…
Një pas një sa kala shtive në dorë;
Së pari Fridën, që ta çiku zemrën…
Mandej nëpër dije – gjerë dhe hollë
Një mori pasionesh të dhanë emër.
Krahas bisturisë mbaje shtangën,
Që t’i jepje trupit hijeshinë.
Nëpër trille cirku s’le gjë mangët;
Cirku ty të jepte ngazëllim.
Mbrujte pasionantë si dhe veten
Nise me familjen dhe të tjerë.
Laegjendë në qytetin gri, o Raq, ti mbete!
Qyteti i Argjiros të dha vlerë….
Si pentagramin edhe penelin
Daltë dhe penë vure në punë…
Vetes e fëmijëve ua rrite nderin,
Porse Gjirokastrës edhe më shumë.
Shokë dhe miq i paske pa masë;
Të shumtë përherë le t’i kesh.
Shumëkush për ty ka ç’të flasë,
Shumëkush tek ty vullnetin ndesh.
Qytetit të shtrenjtë i dhe shumë
Dhe shumë qyteti ty të dha.
Të dha një publik të ndezur furrë
E ke në sy, në sy të ka.
Të ka në sy, të ka në gjoks
Duke të mbushur, o Raq, me urime…
Ndoshta një dorë do ta vulosë
Për ty meritën më sublime…
Ç’të kishte shpirti, ti njerëzve ua dhe…
Të uron, mik, kalaja krifëpërpjetë.
Ballëlart dhe i lodhur sot ti je
T’u dyfishoftë mosha gjashtëdhjetë!
(Gjirokastër, 4 mars 2000)