Kulturë
Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (VI)
E diele, 19.09.2010, 03:59 PM
Çerkin Ismaili
Ethe të trishta
(Roman)
3
Kujisja e qenëve që nxirrnin jargë me gjuhë të nxjerra jashtë dhe minjtë e trazuar që kishin dalur nga birucat bëri që ata pak njerëz që kishin mbetur në kryeqytet të dyshonin se diç e jashtëzakonshme gjatë natës do të ndodhte ! Dikush mendonte se qentë e mësuar të lëpinin eshtrat e ushtrisë së gjeneral Gexhës kanë mbetur të uritur dhe se kujisjet e tyre vinin si kërkim mëshire që t’u hidhet ndonjë koskë ! Njerëz të tjerë që njihnin më mirë teket e qenve mendonin se qentë frigacakë kujisin kur hetojnë se u kanoset ndonjë rrezik, ndërsa disa të tjerë që ishin më supersticiozë pasi panë edhe minjtë, që nuk u zihej vendi vend, dyshuan se sjelljet e çrregulluara të qenve dhe minjve mund të jenë paralajmërim i ndonjë tërmeti, i shpërthimit të ndonjë vullkani ose, qoftë larg e liga , fundit të botës, që e quanin herë apokalipsë e herë kijamet! Sipas bestytnive të lashta të kryeqytetit, qenve që kujisnin pa ndonjë arsye të veçantë ose u futnin kokat në thes dhe i humbnin diku larg, prej nga nuk do të mund të ktheheshin kurrë ose i vritnin, duke druajtur se do të tërbohen ose i thirrnin ndonjë kob të zotitt të shtëpisë, ndërsa kur pula kakuriste si gjel i prehej koka. Kënga e pulës si gjel kuptohej si grishje e të ligave për të zotin e shtëpisë ose si grishje e mordes për te dhe nuk parashihej larg se i zoti i shtëpisë do të vdiste! Kur minjtë trazoheshin, besonin se ndonjë katastrofë, medoemos, do të ndodhte jo vetëm në një shtëpi, por me të gjithë njerëzit!
Qentë e minjtë, atë natë, ishin shkaktarët kryesorë që kishin stërzgjatur muhabetet dhe drojën e kryeqytetasve , duke i lënë pa fjetur! Ata nuk mundën ta zgjidhnin në asnjë mënyrë enigmën e bestytnisë së tyre pse atë natë, në të cilën mund të ndodhte fundi i botës, nuk këndoi si gjel asnjë pulë, madje, atë natë nuk këndoi asnjë gjel i kryeqytetit, as në mesnatë e as para agimit! Edhe heshtja kryeneqe e gjelave të kryeqytetit, kryeqytetasve që u kishte ikur treni humanitar i gjeneral Gexhës rriti dyshimet se diçka e pakëndshme , medoemos , do të ndodhte ! Dikur pasmesnatës një fatziu që e quanin baksëz i ra ndërmend se ajo natë e së martes ishte nata e trembëdhjetë e muajit dhe kur u përkujtoi të tjerëve se pikërisht ajo natë ishte natë baksëz, kryeqytetasit u bindën plotësisht se kishte arritur fundi i tyre! Atë natë në kryeqytet nuk u dëgjua, madje asnjë krismë , ndërsa kryeqytetasit e mësuar me krismat e topave të gjeneral Gexhës dhe krismat shurdhuese të raketave dhe uturimës së motorëve të avionëve të NATO-s , nuk i zuri as gjumi! Plaka e pleq me tespihe në dorë i luteshin Allahut dhe profetit Muhamed t’i shpëtonte ! Disa të tjerë i luteshin Jezu Krishtit e Shën Mërisë , por askush nuk dinte saktësisht përse lutej dhe nga çka dhe nga kush t’i shpëtonin lutjet! Kryeqytetasit kaherë ishin mësuar t’i luteshin Zotit e profetënve t’i thenin qafën gjeneral Gexhës dhe ushtrisë së tij, ndërsa lutjet e tyre të shndërruara në avaz, që përsëriteshin pesë herë gjatë ditës në xhami , nuk i bënin kujt përshtypje, as gjeneralit nuk i thyhej qafa!
Enigmën e sjelljes së përçudnuar të qenve e minjve askush në kryeqytet nuk mundi ta përkufizonte shkencërisht, përveç Lugatit, i cili jo vetëm që i kuptonte sjelljet e qenve dhe minjve , por edhe i kishte studjuar mirë. Madje, Lugati ishte etologu i vetëm në kryeqytet, që mund të nxirrte rezultate paradoksale nga sjelljet e trazuara të minjve dhe qenve , duke i vëzhguar aktivitetet e parëndomta të tyre dhe duke i ndërlidhur me aktivitetet sizmike.
- E pati puna jonë!- tha Lugati, ndërsa vëzhgonte një qen tek derdhte lotë e jargë dhe kujiste pa ndërprerë, jo se parandiente ndonjë tërmet apo shpërthim vullkani, por që përpëlitej ta nxirrte jashtë nga prapanica ashtin e përpirë që i kishin hedhur ushtarët e gjeneral Gexhës pak para se të iknin.
- O, tu thaftë goja Lugat e të humbët nami me fis e me farë! Si ta zë goja të thuash se mbaruam, or i mallkuar, që na thërret kob!- e mallkoi Lugatin, Rahila. Si mund ta shohësh fundin e botës sipas sjelljeve jonormale të një qeni që ka përpirë ashtin pa e matur mirë se a mund ta nxjerrë jashtë!
- Ju, zonjë, nuk e kuptoni qenin që derdh lot! Ju nuk i kuptoni as minjtë që kanë dalur nga birucat! Sjelljet e tyre janë paralajmërim i kobit! Dhe...! Kobi po na godet! Ju jeni çmendur të gjithë dhe nuk po e parashihni kobin! A ka kob më të madh se sa të mbetesh pa pushtet! I poshtri, gjeneral Gexha iku si bushtër dhe na la në këtë skëterrë pa shtet e pa pushtet! Tash edhe pushteti im po vdes! Ju nuk po i dëgjoni gërrahmat e fundit para se të ngordhë, ndërsa sapo të na ngordhë pushteti do ngordhim edhe ne ! Pa pushtet Lugati do të ngordhë! Edhe ti Rahilë do të ngordhësh! Edhe ti Harun do të ngordhësh! Edhe ti Akun do të ngordhësh! Ndoshta para se të ngordhësh do ta prejnë bishtin, ndërsa jeta jote pa bisht nuk ia vlen të quhet jetë! E gjithë fuqia jote ishte në bisht! Me bishta e krijove pushtetin, ndërsa me pushtetin lumturinë!
- Lugat, ti je dogmat! Me dogma e bestytni forcove pushtetin ! Tash...! Ec bir bushtre dhe tregoje veten! Na nxjerr nga situata ose do ta çjerrim maskën para kryeqytetit që nuk lëre të keqe pa i bërë!- Akuni e kundërshtoi Lugatin me një zë të ngritur dhe goxha kërcënues.
- Shihe! Shihe, Akun Bishtin sa trimosh na qenka ! Bile edhe zërin ditka ta ngrejë! Barabar me ju i kam duart e përgjakura, or të gjorë! Madje, unë nuk bëra krime sa ju! A nuk i vodhët ju kufomat dhe ia dorëzuat gjeneral Gexhës!? A nuk e organizuat ju trenin humanitar bashkë me gjeneral Gexhën dhe e shpërngulët gjithë qytetin! Ndërsa, ti Rahilë, a nuk i mblodhe kurvat e gjithë qytetit për t’u zbutur bolet ushtarëve të gjeneral Gexhës, ndërsa tash shtiresh si engjëll pa asnjë mëkat! Të gjithë jeni mëkatarë! Agjentë të mi të pashpirt të gjithë jeni! Kuptoni, ju spiunë debilë! I fundit që do ta pësojë nga kjo katastrofë do jem unë! Edhe një herë do të kënaqem duke iu parë tek përpëliteni në katranin e ferrit, pastaj si satana, duke u zgëdhirë, edhe unë do të hudhem në ferr si kërmë që as hijena nuk e ha! – tha Lugati i mllefosur.
- Mos u nxeh zoti Lugat! Mos u nxeh!Ule zërin se tash më nuk je kurrkushi! Ule zërin, o ta bëra kokën shoshë! - u kërcënua Harun Bixhozxhia që njërën pas tjetrës ngrente gotat e rakisë. Sikur mos të ndërhyrte Rahila, zënka midis miqve të vjetër do të përfundonte në betejë të përgjakur!
Derisa Lugati dhe Akunët përpiqeshin të pastronin hesapet, në një cep të Mëhallës së Xhehenemve, kryeqytetasit me ankth kaluan natën e trembëdhjetë të muajit. Për çudi askush nuk u gëzua për diellin e mëngjesit, madje as që panë diellin kur nxori rrezet e para mbi bjeshkë tek paralajmëronte edhe një ditë. Të gjithë kryeqytetasit , si gjumash që janë , i kishte zënë gjumi i rëndë dhe kush nuk doli nga dera të shihte ç’kishte ndodhur gjatë natës kur kujisnin qentë, trazoheshin minjtë, nuk këndonin gjelat dhe nuk u dëgjua asnjë krismë!
Kujisjen e qenëve , shqetësimin e minjve , heshtjen e gjelave dhe pushimin e krismave në kryeqytet e kishin kuptuar vetëm Akunët dhe Lugati i Mëhallës së Xhehenemve , të cilët edhe ata sikur kryeqytetasit tjerë, gjatë tërë natës nuk kishin fjetur, herë duke u grindur e herë duke ia marrë rakisë e muhabetit shtruar, duke përkujtuar me emocione ditët e lumtura të kohës së gjeneral Gexhës. Sa pushonte së qari Lugatit duke shkulur flokët, ia niste vajtimit Harun Bixhozxhia, ndërsa ku ndalej Haruni, vajtimin e vazhdonte Akun Bishti!
Dikur pas mesnatës Rahilës i ra ndërmend porosia e fundit e gjeneral Gexhës që Lugati me gjithë Akunët e Mëhallës së Xhehenemve të visheshin solemnisht me uniforma si të çlirimtarëve dhe të parët me lule të prisnin në bulevardin e kryeqytetit ushtrinë e re që të nesërmen pritej të shfaqej në kryeqytet. Rahila nuk e dinte se vëllezërit Akunë dhe Lugati me kohë ishin përkujdesur të blinin uniforma çlirimtarësh me gjithë emblemat e tyre që i kishin qëndisur në supe. Ishin përkujdesur të fotografoheshin me uniforma çlirimtarësh, gjithnjë më parë duke u shikuar në pasqyrë para se të pozonin. Gjithashtu, ishin përkujdesur që ceremonia e pritjes solemne e parakalimit triumfal të ushtrisë së NATO- të shfaqej me lule!
Pasi që kryeqyteti nuk kishte asnjë kopësht të kultivuar me lule, ndërsa lulet atë ditë për kryeqytetin ishin më të nevojshme se buka , uji e ajri, Akunët dhe Lugati, sapo i dhanë lamtumirën gjeneral Gexhës, shfrytëzuan nga rasti dhe filluan biznesin e parë me lulet, që shteti i gjeneral Gexhës u kishte shitur Akunve ! Një lule shitej dhjetë fish më shtrenjtë se që i kishin blerë Akunët e Lugati nga shteti i gjeneral Gexhës! Turma e çakërdisur priste në radhë të gjata për ta blerë një lule, madje ishte e gatshme të vdiste , por pa lule nuk mund ta mendonte pritjen solemne të ushtrisë së NATO-s. Nuk kishte rëndësi as ngjyra, as aroma e luleve. Nuk kishte rëndësi as prejardhja e luleve. Për kryeqytetasit nuk kishte rëndësi nëse lulet ishin të freskëta apo të vyshkura. Me rëndësi ishte ruajtja e fytyrës së kryeqytetit që shpëtimtarët të nderoheshin me lule. Pastaj, cili do të ishte ai torollak që në ankthin e pritrjes do të përkushtohej me pasion për ngjyrën apo aromën e një luleje? Cili i krisur, në anarkinë që krijon turma e çakërdisur, do të përqendrohet te një lule, që nuk mund të jetë më tepër se një dekor i zymtë në atmosferën gri të anarkisë së turmës që dukej budallaqe. Harun Bixhozxhia kujtoi me nostalgji pritjen solemne të Lugatit me lule e më vonë edhe të gjeneral Gexhës me shumë buqeta lulesh që i kishte vjedhur në varreazat ortodokse të kryeqytetit:
-Lugat, a të kujtohet se kështu unë e Akuni të patëm pritur edhe ty, kur pate ardhur për herë të parë! Lule të freskëta e përqafime të ngrohta të patëm falur! Lule që i vodhëm në varreza! – përkuijtoi Haruni takimin e parë me Lugatin.
-Ju më falët lule e përqafime, ndërsa i tërë qyteti shpejt nisi të më mallkojë!- përkujtoi Lugati injorancën e kryeqytetetit ndaj tij.
-Aq të bën për mallkimet e një qyteti të mallkuar!-reagoi Akuni. Qe tridhjetë vjet jeton si mbreti në harem. Tamam, si ai mbreti ynë i parë Akun Kani dhe prapë ankohesh nga jeta në kryeqytet. Sa i poshtër je , Lugat!
-Ndryshon jeta e mbretit nga jeta e spiunit, o zoti Akun!- përsëri reagoi Lugati. Jetë luksoze , por e neveritur është jeta e spiunit. Spiuni nuk mund të ketë miq, as shokë, as të vërteta ... Të gjithë njerëzit i ka armiq ose, së pakut, ashtu i duken. Nuk mund të quhet jetë, jeta kur të gjithë të urrejnë dhe nga frika shtiren se të kanë mik. Kurrë askush nuk më ka besuar dhe askujt nuk i kam besuar në kryeqytet.
-As mua?!- pyeti i habitur Akuni.
-As ty , as Harunit!- u përgjigj Lugati.
-E mua ?!- pyeti Rahila e çuditur.
-Aq sa më besonit , zonja Rahilë, po aq u besoja! E, si t’u besoja ? Ju shpesh ishit më spiunë se unë! Më katolik se papa, më ortodoks se patriku! Unë spiunova në favor të shtetit tim , ndërsa ju në dëm të njerëzve tuaj. E,si do të besoja Rahilë, kur sekretet e mia i shisje Enverit, Karterit, Bushit Plak, ndërsa sekretet e tyre m’i shisje mua, kurse unë i shisja Titos ?!
- Ky vend nuk është shtet dhe kurrë nuk mund ta paramendoj si shtet! Shteti yt është shtet yni, Lugat i nderuar!- reagoi Haruni.
-Spiunimin tuaj, shteti im e kupton si servilitet , si lajkë, si ego të sëmurë, dhe po të fërgoheshit si peshqit në fërtezë për shtetin tim, unë dhe shteti im kurrë nuk do t’u besonim. Mos harroni se shteti i do spiunët, por lajkat e tyre i urren! Adulatoribus non credimus ! klithte latini i vjetër.
-Lugat, të njihja si agjent të rryer, por jo si humorist dhe filozof . Di edhe të tallesh mirë dhe të krijosh atmosferë argëtuese- tha Rahila duke u përpjekur ta zbuste me pak humor atmosferën që kërcënonte miqësinë e vjetër.
-Kësaj radhe nuk tallem zonja Rahilë. Kësaj radhe e them të vërtetën. Janë tridhjetë vjet që një karikator fishekësh ruaj për kokat tuaja. Sigurisht që edhe ju keni ruajtur ndonjë të shkretë të ndryshkur për kokën time. Por, mirë që nuk shkrepën në koka . Gjeneral Gexha mbrëmë më porositi të mos i lerja të ndryshken ... Por...! Nuk desha...? Me ndihmën tuaj kam tredhur njerëz si tredheshin skllevërit në Mesjetë. Kam rrahur, përdhunuar, fyer, sharë, burgosur sa kam dashur... Më besoni,dhe gjak kam pirë!- fliste i mërdhezur Lugati, ndërsa Rahila , Haruni e Akuni fshinin sytë dhe nuk dinin nëse ishin ëndërr apo zgjëndërr tek fliste Lugati!
-Do të thotë se qenke kriminel!- tha Haruni i mllefosur
-Më pak se ju, zoti Akun Bishti!- u përgjigj Lugati. Të gjitha viktimat, ti dhe yt vëlla m’i sillnit të lidhura, zoti Akun! Ju ma sollët edhe Rahilën në shtrat të flija me të! Për hatrin tuaj, Lush Rebelin e shtrova nën hu dhe i dhash hiq më pak se dhjetë vjet burg, pasi që e trodhët ju! Ju e diferencuat dhe shantazhuat tridhjetë vjet nënë Nazën! Atë katundarin e shkretë të Drenicës të parin e tredha sipas akuzave tuaja të rrejshme! Ju të tretë u futët zjarrin mullarëve të sanës së Manastirit të Deviçit! Ju e kurdisët me paraskevën rrenën se katundari i shkretë , gjeja se pasi që ka ndezë mullarët e ka shkordhyer . Sipas gënjeshtrës suaj , të gjorit ia futa bolet në sirtar. Derisa u alivanos dhe mbet i tredhur nuk e lëshova . Ju i ngarkuat kamionët me kufoma që dhe eshtrat t’u humbni viktimave ...! Ju...! Ju...! Ju...! Ju dhe unë bërëm e ç’nuk bërëm...!?
-Ne ishim nën urdhërin tënd dhe të gjeneral Gexhës!- tha Akuni që ndjeu veten të shantazhuar.
-Dhe me pagesën tonë në dinarë, marka e dollarë, miku im i vjetër!- tha Lugati nervoz.
-Pra, punonim për para! Të punosh për para është nder edhe kur humb moralin!- tha Rahila e indinjuar.
- Por, krimi mbi trupin fizik qëndron mbi moralin , Rahilë e dashur! Ju jeni krimenelë as më pak as më shumë sa unë...!
- T’i lëmë këto llafe !- tha Rahila e zënë ngusht, e cila e kishte ditur se ishte edhe kurvë edhe spiune, por kurrë nuk e kishte ditur se ishte kriminele e karrierës. Vetëm tash po kuptoj kush isha dhe kush jam! Nata po ikën , zoti Lugat E nesër nuk guxojmë të lodhemi. Na presin shumë punë! Mos i harruat kaq shpejt porositë e gjeneral Gexhës , sidomos porosinë si të veprojmë me ushtrinë e re që sapo nuk ka arritur në kryeqytet. Sa të poshtër që qenkit, ndërsa unë budallaqja kurrë nuk e kam ditur se spiunët mund t’i ndërrojnë padronët si mushka samarët apo si kurva hamshorët!- dhe e kaploi një ndjenjë melankolie kur kujtoi momentet e para të takimit me Lugatin duke e kthyer Rahilën në një gjendje idilike ..?!
- Pajtohem me mendimin tënd zonja Rahilë. Ne spiunët kështu e kemi, kur nuk kemi viktima merremi me vetëveten. Pasi të ngopemi me viktima, hamë rrashtat e njëri tjetrit dhe nuk ngopemi derisa ta hamë rrashtat tona. Historia e spiunimit thotë se të gjithë spiunët, nëse nuk janë vrarë nga të tjerët, ose i ka vrarë shteti për t’i fshehur gjurmët e krimit të tyre, ose e kanë vrarë njëri tjetrin, ose e kanë vrarë veten! I tillë do të jetë edhe fundi ynë- përfundoi Lugati.
- Fund tragjik?!- pyeti i lemeritur Haruni.
- Tragjik dhe komik! Por nuk e di nëse më tepër do të jetë tragjik apo komik! Vdekje tragjikomike do të thotë të vdesësh duke u tallur dikush me vdekjen dhe kufomën tënde!
- Je tepër ironik, Lugat!- tha Rahila, ndërsa Akuni e Haruni fshinin djersët në qafë.
- Aq sa ju sarkastik! Mos harruat injorimin dhe sarkazmin tuaj të mbrëmshëm kur i vidhnit kufomat me qëllimin final stërshitjen e tyre ?!
- Ne mund të konsiderohemi si robër lufte dhe alibinë do ta fitojmë, duke ju paditur juve si okupatorë!- u përpoq të arsyetohej Akuni.
- Do të thotë se do të heqni dorë nga milionat e stërshitjes së kufomave?!
- Ne vetëm duam të na paguhet mundi!- reagoi Haruni.
- Do të thotë se ende dëshironi të mbeteni nën tutelën e shërbimit të intelegjencës së gjeneral Gexhës?!- provokoi Lugati.
- Përdrerisa ti të jesh shef yni?!
Lugati qeshi me të madhe duke përqafuar së pari Rahilën pastaj Harunin e Akunin. Kërkoi ndjesë për mahinë e këndshme me të cilën provokoi miqët e vjetër.
Akunët u këndellën nga të qeshurat e Lugatit dhe shpejt nisën bisedën serioze për pritjen e të nesërmes që duhej të dukej sa më pompoze dhe sa më madhështore .
* * *
Haruni e Akuni e nisën tregtinë moderne me lule, duke iu përmbajtur parimit të ofertës dhe kërkesës në treg. Pasi që nuk kishte fare konkurencë , ndërsa lule nuk mund të gjendeshin në treg, i shisnin me çmime të larta si bukëpjekësi simitet e nxehta. Sapo në qytet u duken tanket e para të ushtrisë së Paktit Veriatlantik edhe shitja e luleve gati kishte mbaruar. Për të bërë bujë me stërshitjen e luleve e tërë Xhehenemli Mëhalla ishte veshur me uniforma si të çlirimtarëve. Me automatikë varur në krahë, që i dhuroi një ditë më parë gjeneral Gexha , Xhehenemli Mëhalla rrahte gjoks se ishte mëhalla më e devotshme e kryeqytetit me njerëz të sakrificës dhe patriotë të kulluar, të cilët edhe në momentet më të vështira kur turma kërkonte lule ishin vënë në shërbim të saj. Si për çudi kush në qytet nuk i njihte Akunët e kohës së gjeneral Gexhës. Harresa i kishte vënë perde në sy të kryeqytetit. Si duket, kryeqytetin e kishte goditur lëngata e vjetër e etheve të trishta dhe rrokatja! Djali kishte harruar si duket i ati, nëna kishte harruar si i dukeshin fëmijët,ndërsa në kryeqytet kush kë nuk e njihte ! Truri i qytetit dergjej në anarki, ndërsa anarkia e trurit pillte pandërprerë absurd. Fëmijë të gjorë absurdi dukeshin të gjithë. Të vegjël si ata xhuxhat e përrallave që shndërrohen në heronj mitikë.
Xhehenemli Mëhalla, atë ditë, dukej sa e përvuajtur po aq krenare duke e harruar shpejt ushtrinë e gjeneral Gexhës që në fund i përshëndeti nga kupola e tankut me rafal mitralozi . Gjatë natës, si gjarpërinjtë lëkurën , xhehenemët zhveshën uniformat e gjeneral Gexhës dhe u konvertuan në çlirimtarë, duke i shitur lule turmës së çakërdisur.
-Lule! Lule! Urdhëroni lule!- çirrej telallxhiu , duke reklamuar lulet e Akunve për ushtrinë e NATO-s, ndërsa Xhehenemli Mëhalla i shkonte prapa si kofini pas të vjelash, duke mbajtur buqeta lulesh në duar.
-O, ta lofsha nënën me gjithë lule, o Akun Bishti!- u dëgjua një sharje nga mesi i turmës, sigurisht, nga ndonjë i krisur, që ndoshta nuk e kuptonte seriozitetin e solemnitetit dhe filozofinë e pritjes me lule të ushtrisë më të madhe të globit.
-O, falemnderit për respekt! – u dëgjuan zërat e ngazllyer të Akunit dhe Harunit , që u tretën në zhurmën e turmës dhe krismat e daullës së telallxhiut.
-More budalla, e di kë shave ?- pyeti të krisurin një njeri tjetër i turmës, A shahen Haruni e Akuni more budalla?
-Shahen edhe mirë bile! Dje me gjeneral Gexhën e sot shesin lule sikur të mos kishin asnjë gjynah?!
-Do të vrasin?
-Kurrë!- nxori mllefin i krisuri
-Kujt i frigohen Haruni e Akuni?
-Vetëvetes! Nga vetëvetja do të çmenden! Vetëvetja do t’i vrasë!
-O Zot,mos e dëgjo të krisurin!- tha njeriu nga mesi i turmës. Edhe pa u çmendur kryeqyteti nuk mund t’ia dilte me Harunin e Akunin e lere më me çmendurinë e tyre! Harabë dynjanë do ta bënin po të dëgjonte Zoti ty!
I krisuri për inat të njeriut të turmës që e kundërshtoi edhe një herë shau me sa fuqi pati Harunin, Akunin dhe lulet që i shisnin.
Uturima e motorëve të tankeve që hynin në bulevard dridhnin rrugën dhe ndërtesat përreth dhe ndërprenë fjalosjet e nxehta midis të krisurit dhe njeriut të turmës që u shqua frigacak.
Tankun e parë të NATO-s që hyri në kryeqytet me pompozitet trumfal doli ta përshëndeste Rahila, jo me një, por me një buqetë lulesh të zgjedhura. Ashtu e donte edhe rendi që zonja e parë e kryeqytetit të nderohej me pritjen solemne të ushtrisë më prestigjioze në mbarë rruzullin tokësor! Kapiteni i tankut ndaloi tankun mu para këmbëve të Rahilës duke u çjerrë, ndoshta duke sharë, por se kuptoi njeri gjuhën e tij, që t’i lironte rrugën. Lulet e Rahilës nuk i bënë përshtypje kapitenit, por pasi që Rahila kryeneqe nuk i lëshoi rrugën, kolona u detyrua të ndalet. Kapiteni i tankut i mllefosur zbriti prej tankut, luti Rahilën kryeneqe t’i hapte rrugë. Sapo doli oficeri, Rahila i ofroi lulet dhe iu lidh në përqafim si nepërkë oficerit të ri .Oficeri u përpoq ta largonte, por Rahila si shqitej dot me përqafime, puthje dhe ledhatime krahësh. Era e luleve dhe aroma e kozmetikës së Rahilës i morën mëndjen oficerit të panjohur, i cili sillej si të ishte në delirium. Mu para teatrit të kryeqytetit, aty ku me dekada janë shfaqur Hamleti, Tartufi Idioti, Duart e ndyta , Duke pritur Godonë... Rahila me oficerin evropian hodhën vallcerin e parë, që u përngjau skenave komike të teatrove parisiene. Pastaj, turma e etur për të hedhur lule mbuloi tanket dhe ushtarët me lule.
Nuk dihet kush i solli, por pas vallzimit të Rahilës në bulevardin qendror të kryeqytetit, jehuan tupani e zurna , për të cilat, ndoshta, ishin përkujdesur Zibani e doktor Zebeku. Vallja e njohur e Shotës nën jehonën e daullës së telallxhiut të kryeqytetit, në bulevard joshi turmën e çakëdisur që e tëra u hodh në valle. Valles prapë i priu Rahila , duke valëvitur në erë një shami të kuqe ku ishte stisur shqiponja e zezë dykrenare. Pastaj, dora-dorës me Rahilën valles iu u ngjitën Akuni,Dudie hanmi, Haruni, Tatlie hanmi, Lugati, Zibani, doktor Zebeku... që mbanin në duar shishe rakie, që u kishte dhuruar gjeneral Gexha , një ditë më parë. Herë pas herë zbraznin rafale automatikësh. Valles iu ngjitën edhe ushtarë e gjeneralë të NATO-s dhe lugetër të kryeqytetit! Kurrë lugetërit e kryeqytetit nuk ishin shfaqur ashtu ashiqare si në kremten solemne të ndërrimit të hyqymetit. Njerëzit e turmës, edhe pse harrestarë , spektaklin e quajtën spektakël lugetërish! Ndërsa kur lugetërit festojnë e vallëzojnë, dihet kush i bie tupanit.
Gjeneralët e NATO-s pandërprerë ahengun në bulevardin e kryeqytetit e fotografonin me kamerë, duke e fokusuar nergut Rahilën që hidhte trupin si njalë , sa në një anë në anën tjetër, ndërsa gjenerali rus që dukej fare i padisponuar, vallzimin e Rahilës e krahasoi me vallzimin e balerinës Isidora Dunkan, kur Lenini mbajti paradën trumfale në Sheshin e Kuq të Moskës! Gjenerali françez , komandant i kolonës së tankeve kujtoi paradën amerikane në bulevardet e Parisit në të ’45- tën, kurse lulet e turmës së kryeqytetit i krahasoi me lulet dhe dasmën e kryqytetit françez pas lirimit nga nazizmi i Hitlerit!
Dasmë më të madhe nuk mbahej mend të kishte pasur kryeqyteti, që kur kishin pushuar dasmat në stafetat për ditëlindjen e Titos që mbaheshin në të njejtin cep të bulevardit. Ndërsa, gjenerali anglez, dasmën në bulevardin e kryeqytetit dhe vallzimin e Rahilës e krahasoi me paradat triumfale të oborrit mbretëror në sheshin Waterlo, në qendër të Londrës!
* * *
Turma e etur për vallzim, pasi shkundi pluhurin dhe u djersit mirë , e entuziazmuar nisi të shpërndahej, por thirrjet e një oficeri se turma duhej të qëndronte akoma në bulevard bëri që turma të kthehej pa e ditur pse duhej akoma të qëndronte e djersitur në bulevard . Në platonë para teatrit të kryeqytetit u ngjit gjenerali françez dhe
-Popull i nderuar dhe i shumëvuajtur!- i drejtua në fund gjenerali turmës. Ju lutem të keni mëshirë ndaj qenve e minjve! Unë vij nga një shoqatë për mbrojtjen e shtazëve dhe si i tillë aktivitetet e mia kryesore do të jenë në shërbim të faunës! Pastaj, gjeneral Gexha që ishte deri dje kryezot i këtij qyteti ka ikur me brengën më të madhe për qentë dhe minjtë e kryeqytetit! Prandaj, popull i nderuar, unë dhe forca ushtarake që komandoj nuk do të lejojmë të vritet asnjë qen dhe asnjë mi!
Turma që nuk kuptoi të gjithat e fjalimit të gjeneralit vazhdoi herë të fishkëllojë, herë të brohorisë e herë të shajë, por fatmirësisht ashtu si turma nuk kuptoi gjeneralin, as gjenerali nuk kuptoi kurrë turmën dhe simbolikën e fishkëllimës, brohoritjeve e duartrokitjeve të saj. Turmës së rrokatur aq i bënte se ç’fliste gjenerali. Për turmën kryesore ishte se gjenerali e siguronte lirinë e saj për të ngrënë kur ka dhe për të fjetur sa të dojë, ndaj edhe fjalimi i gjeneralit nuk u nënkuptua si shantazhet e general Gexhës.
Pas duartrokitjeve e fishkëllimave , përkthyesi gabimisht përktheu fjalimin e gjeneralit:
”Popull i nderuar! Unë vij nga një shoqatë për shfarosjen e qenve dhe minjve , ndaj ju lutem vrisni qen e mij sa më shumë! Ashtu më ka porositur edhe gjeneral Gexha! Ai që vret më shumë qen e minj do të dekorohet për patriotizëm!”
Turma e etur për patriotizëm, e cila qindra herë kishte thyer brinjtë nëpër demostrata e kryeqytetit për t’u dëshmuar sa më patriotike, kur dëgjoi fjalën patriotizëm turr e vrap u
-Alo! Alo! Alo! Lugati jam zoti gjeneral! Vetë Lugati jam!- thërriste me një zë të mekur, Lugati që ishte fshehur pas një kontejneri bërllogu, prapa teatrit të kryeqytetit.
-Do të thotë se akoma je gjallë, a? Sa keq që Zoti nuk vret buallenj! Ti do të duhej të kishe ngordhur deri tash, por mirë që qenke gjallë!
-Jo, zoti gjeneral , prognozimi ynë meteorologjik plotësisht dështoi. Diçka misterioze që i përngjet mrekullisë po ndodh në kryeqytet. Ne parashihnim mjegull e rrufe , por moti është fare i kthjelltë. Nuk është më kohë ujqish, zoti gjeneral! Si duket karriera ime po vdes! Nuk mundem të frymojë pa mjegull! Drita e diellit po më vërbon dhe nëse nuk bie prapë mjegull , këta marroçët që dinë të tallen mirë do të më quajnë Lugat çorri! Ju lutem dërgoni mesazhin tim te popi Artemije t’u lutet zotërave ta kthejnë mjegullën!
-Do të thotë se akoma ke mbetur spiun budalla, a? Gënjen popi se mund ta kthjellë e ta vrërë motin, Lugat! Tash kam kuptuar se nuk jetohet me idhuj e mite të rrejshëm! Nëse moti është kthjellur, kthjellu edhe ti,more debil! Ujku ndërron qimet dhe i jep erës t’i humbas, ndërsa gjarpëri lë lëkurën në ferrë dhe
-
-Të gjithë jemi gjallë! Gjenerali françez nuk mbajti fjalën se do t’i mbrojë qentë e minjtë! Me veshët e mi e dëgjova kur urdhëroi turmën t’i vrasë të gjithë !
-Po Haruni e Akuni cilën anë e mbajnë?
-Edhe ata janë vënë në kërkim të qenve dhe minjve ! Dreçi e di ku janë tash në kanalizimet e kryeqytetit duke kërkuar minj, ndërsa puna e qenve mbaroi zoti gjeneral! Për pykë saji nuk mund të gjendet një të lehë ”Ham! Ham!”
-Kësaj i thonë tradhëti, Lugat! Ndërsa për tradhti ligji ia vlen edhe për Akunin e Harunin!
-Ata, moti ishin tradhtar, zoti gjeneral! Mos u shtir se nuk e ke ditur që moti! Ligji do forcë, forca mbron ligjin, zoti gjeneral!
-Ligji i shtetit tim dënon tradhtarët e shtetit tim, por mbron tradhtarët e atij vendi të mallkuar, që nuk mund të trajtoheshin si tradhtarë! Agjentë të rryer të spiunimit ishin ata
Nëse i sheh ndonjëherë, u thuaj Akunve se ata ishin agjentë të vegjël spiunimi, kur unë isha agjentë i shumfisht !
Alo ! Alo! Lugat , a je ti?
-
- Harrova të pyes për Rahilën.
-Rahila tash ka ndërruar hamshorët, zoti gjeneral! Vendin tënd e kanë zënë gjeneralët e NATO-s! Një dyzinë oficerësh i shkojnë prapa si qentë bushtrës dhe as që i bie ndër mend se të ka njohur apo më ka njohur!
- Punë kurve! Dukej kurvë histerike e budallaqe, por si duket ishte spiune e rryer!
- Druaj se me të do ta kemi punën në zgripc në Gjykatën e Hagës, zoti gjeneral!
- Lugat, medoemos, duhet ta vritsh! Ose, më mirë të urdhëroj ta përcjellësh hap pas hapi natë e ditë me kë takohet, me kë flet , si reagon në takime me ndërkombëtarët. Përcillni sidomos nëse në rrethana sekrete takohet me ndonjë nga rebelët e kryqytetit! Nëse ia pi sorra mendët e takohet me ta menjëherë duhet krijuar aferën e likuidimit të Rahilës. Nuk besoj se është aq e mençur sa mos të bjerë pre e provokimeve tuaja. Ujk i vjetër je Lugat.
- Është në mbrojtje të NATO-s , zoti general. Punë e kotë është të vritet Rahila . Rahila duhej të vritej në kohë të duhur me gjithë Harunin e Akunin. Tanimë, çdo gjë ka perënduar. Djallin e shti në shishe dhe shishes i vë kapak, pastaj luan me të ashtu si luante me ty. Në grusht të Rahilës është fati ynë, zoti general. Ti shkordheve Rahilën, ndërsa tash Rahila do të na shkordhejë neve të gjithëve. Rahilës tash i besohet shumë, zoti general. Me shaminë kuq e zi duke e valavitur në erë i priu valles së kapitullimit tone. I beson NATO-ja, i beson CIA, i besojnë rebelët që kanë filluar të kthehen nga mallet. I besojnë bythcullakët e kryeqytetit, që veten e quajnë elitë politike. Të gjithë i besojnë Rahilë kurvës. Të gjithë e përgëdhelin dhe lëpihen pas Rahilës. Pastaj, bëri e ndokujt i rrëshqiti pahiri gjuha se Rahila ishte kurvë dhe agjente jona do të zhbihet nga faqja e dheut si mos të kishte qenë kurrë i gjallë. Jo, zoti gjeneral nuk është më Rahila kurva e djeshme që të përkundte në luhaqë e të xigilonte lakun e këmbës,jo. Gabohesh nëse akoma e pandeh si të tillë Rahilën. Pushteti i saj dhe i Akunve tash shtrihet deri në Vjenë, Bruksel, Londër, Moskë e Vashington!
- Do të thotë se Rahila ishte spiune e dyfisht!?
- Si Mata Hari , zoti general!
Akoma pa mbaruar raportin, Lugati përsëri u shfaq në sheshin para godinës së teatrit , por gjenerali françez dhe
Ndërsa , gjeneralët çlodheshin duke u mburrë me fitoren, në ambientet e hotel Iliria, nëpër rrugicat e kryeqytetit filluan të dëgjoheshin krisma armësh , kuisje qensh e cërrcima minjsh. Akuni e Haruni, të parët, nisën luftën duke vrarë qenin e dekoruar me medalon që e kishte gëlltitur ashtin e ushtarëve të gjeneral Gexhës , mbase pa e matur saktësisht se a mund ta nxirrte jashtë. Qeni që ishte ulur galuc përpëlitej ta nxirrte herë nga prapanica e herë nga goja koskën e gëlltitur, pa e përtypur, por nuk arrinte dot. Kur e panë Haruni e Akuni se në ç’gjendje ishte katandisur i gjori, tek i rridhte bytha gjak, u përpoqën t’i ndihmonin për t’i nxjerrë koskën , por nuk ia dolën. Tërhiq Haruni e tërhiq Akuni , por koska si për inat nuk doli se nuk doli. Pasi që nuk mundën ta shlironin mikun e vjetër vendosën ta vrisnin. Pastaj kur kujtuan se me vrasjen e një qeni mund të shpërlahet e tërë e kaluara si spiunë as që ndien dhembje për të. Tekefundit, sa vlen jeta e një qeni në krahasim me karrierën e shpërlarë dhe të ardhmen e re të karrierës së spiunëve, që po lindej, kur zanatin e njeriut spiun po fillonte ta zëvendësojë teknospiunimi robotik, madje edhe aerospiunimi solar?! Në lule të ballit përnjëherë i zbrazën nga një rafal automatiku Haruni dhe Akuni. Qeni kuisi edhe dy- tre herë dhe si duket u nda i kënaqur me jetën e vet të kaluar qençe, ngase logjikisht kishte pritur një fund të tillë. Qentë e lemeritur dhe të befasuar nga sjelljet e turmës, që ishin mësuar të përgëdheleshin dhe të trajtoheshin si përendi, tamam, si lopët në rrugët e Nju Delhit, shpejt e kuptuan seriozitetin e situatës dhe ia mbathën kah syt këmbët, por megjithatë disa qen u vranë, sa për t’u ruajtur surrati i turmës në sy të gjeneralit. Minjtë me kohë kishin ndier kërcënimin e dridhjes sizmike të tokës dhe ishin strukur në birucat e veta dhe në kanalizimet e kryeqytetit, ndaj, falë kujdesit të tyre për jetë, fare pak patën pësuar.
Edhe minjtë ishin befasuar sikurse edhe qentë për luftën e pashpallur kundër tyre. Ata besonin që nëse i tërë njerëzimi do të shfarosej, prapë minjtë do të shpëtonin të pakërcënuar, ngase asnjë laborator eksperimental pa gjenet e tyre nuk mund të nxjerrë rezultate të sakta shkencore. Por, turmës së yshtur me kokë të nxehtë aq i bënte për laboratorët e eksperimentet e shkencëtarëve, jo se turma kishte instikt hakmarrjeje , por nuk lejonte t’i cenohej ndërgjegja patriotike!
Pas luftës së ashpër turma u kthye përsëri në bulevardin e kryeqytetit.
Turma hodhi njërin mbi tjetrin qentë e minjtë e ngordhur dhe përreth tyre përsëri filloi të vallëzojë! Valles, kësaj radhe, i printe Akun Bishti i djersitur, i cili gati harroi se i printe valles, kur pa të ngordhur qenin më besnik të gjeneral Gexhës dhe miun goxha burrë me mustaqe, por megjithatë vallen nuk e ndali derisa erdhi kopeja e gjeneralëve të NATO-s ”Këtu fillon hisatoria...!?”- thanë njëzërit Haruni e Akuni kur hodhën kërmën e mikut të vjetër! Vallëzimi i turmës përreth qenve e minjve të ngordhur i përngjau spektaklit makabër në arenat e gladiatorëve midis skllevërve dhe bishave.Dikush spektaklin e quajti spartakiadë, dikush mizantropi e dikush akt patriotik.
Kur e pa gjenerali françez grumbullin e kërmave të qenve e minjve sa nuk u çmend dhe pa u hamendur gjestin e turmës e kualifikoi si fashizëm kundër të cilit duhet të ngritej tërë njerëzimi. Turma prapë nuk e kuptoi gjeneralin, ose azilanti i Parisit , përsëri gabimisht përktheu reagimin e gjeneralit dhe i duartrokiti gjeneralit frënçez .
Gjenerali rus, një kokëshinik që i përngjante vjedullës ndihej i vetmuar në mesin e kopesë së gjeneralëve që nuk e honepsnin sikur të mos ekzistonte. Ai e kualifikoi masakrën si racizëm për të cilin duhet hapur një gjykatë speciale për kriminelët e paskrupullt, që nuk patën mëshirë , madje as ndaj shtazës më besnike të njeriut. Ndërkaq, gjenerali indian dhe pakistanez nuk dukeshin aq të brengosur pasi që asnjë simbol i totemit të tyre nuk kishte pësuar. Tërë kopeja e gjeneralëve reagoi sipas stilit dhe metodave përkatëse të filozofive të tyre luftarake. Në fund, pas reagimit frigjid të Rahilës, reagoi Lugati, i cili akuzoi Harunin dhe Akunin të kenë ndërsyer turmën kundër qenve e minjve të gjorë, ndërsa Harunit e Akunit aq u bënte për akuzat e Lugatit pasi që patriotizmin e vet e dëshmuan në vepër dhe gjithë turma ishte në anën e tyre. Turma nuk fliste, por simpatinë e vet e shprehte me duartrokitje, ndërsa çdonjëri që nuk i duartrokiti gjestit patriotik të Harunit dhe Akunit, u pa si i dyshimt.
Lugati, sapo mbaroi fjalimin, numëroi një nga një të gjitha viktimat e ditës së parë të pasluftës në kryeqytet dhe prapë u zhduk pa e vërejtur njeri, sigurisht për t’i raportuar komandës së gjeneral Gexhës!
Komanda Supreme e NATO-s , para se të urdhëronte varrimin e viktimave , nxori një komunikatë për medie , në të cilën betohej se do të hakmerrej për krimet dhe fashizmin e turmës, që e panë me sytë e vet, kurse Lugatit i premtoi funksione të larta në kryesinë e qeverisë së kryeqytetit që ishte planifikuar të formohej. Bile , Lugatin aty- për aty e nominuan si kryetar komisioni për përzgjedhjen e elitës politike dhe intelektuale të kryeqytetit! Lugati i entuziazmuar u betua para kopesë së gjeneralëve se do të veprojë konform urdhërave që do t’i jepen dhe se do ta vazhdojë aktivitetin e tij të më parshëm në ndjekjen e vampirëve që aspirojnë të vdesin me sy hapur për liri.
Gjenerali françez nuk e kuptoi mirë Lugatin apo azilanti i Parisit nuk i përktheu drejt, por kuptoi se në kryeqytet njerëzit vuajnë nga ethet e Aidsit:
-Unë frigohem nga ethet e trishta të Aidsit, zoti Lugat! Nëse vërtetë në këtë qytet ka virusë Aidsi që sonte do të ik me gjithë ushtarët e mi! Mëngjesi nuk do të më gëdhijë këtu.
Gjeneralit indian , një trashullak, sytë e të cilit ishin ngulur thellë në zgavrat e enjtura nuk i intersoi fare për maskrën rebeluese gjatë anarkisë së turmës . Me një lopë qime ngjyrë gri, që e tërhiqte për kapistre midis bulevardit dhe midis turmës diçka llomotiste në gjuhën e tij , të cilën nuk e kuptonte njeri dhe kërcënohej se do ta vriste çdo njeri që do të guxonte ta bezdiste lopën, e cila dukej e shqetësuar sa nga lufta, po aq edhe nga anarkia e njerëzve. Gjenerali indian mezi gjeti azilantin e Parisit t’i përkthejë turmës së çakërdisur se totemi i tij nuk bën të pësojë si totemi evropian! Azilanti përktheu të perifrazuara fjalët e gjeneralit indian, ndërsa turma u shkul së qeshuri nga fjalimi i gjeneralit.
Derisa gjenerali shëtiste nëpër bulevard, një fshatar i leckosur me kërrabë në dorë që kishte ardhur në kryeqytet, mbase ta kërkonte lopën e arratisur nga lufta, pa ndërprerë i lutej gjeneralit t’i jepte lopën, por gjenerali që nuk e kuptonte fshatarin nuk i jepte dot . Ndoshta nuk e kuptonte fshatarin , ndoshta i dhimbsej lopa. Azilanti i Parisit i përktheu përsëri gjeneralit indian, që fliste një frëngjishte të dobët ashtu si e flasin azilantët frëngjishten:
-Zotni, të lutem ma jep lopën time, Balushën! Një tufë fëmijësh i kam në tendën prej plasmasi që presin një pikë qumësht të Balushës! - lutej fshatari ndërsa i lëmonte qimet lopës, që derdhte lot gëzimi për ritakimin me të zotin.
-Ta jap, por është mëkat të milet përendia! – tha gjenerali që i fshinte lotët e lopes. Shiko si qan zoti im!! Është haram të pihet qumështi i përendisë! Sa të pashpirtë që qenkit ju! A kuptoni, ju të zgjebosur, unë jam këtu për ta mbrojtur perëndinë e shtetit tim dhe po mora vesh se ka pësuar, madje vetëm një lopë, do t’u zë belaja me batalionin tim!- tha gjenerali duke i dhënë fshatarit në dorë kapistrën e lopës. Fshatari i gëzuar herë lëmonte qimet e lopës e herë e përqafonte. Pasi kishin pushuar pak zurna e tupani , prapë nisën të jehonin në bulevardin e kryeqytetit. Përsëri nisi vallja. Fshatari sevdali u ngjit në valle me gjithë lopën , që e mbante për kapistre. Turma e djersitur në valle u kënaq së qeshuri me vallëzimin e fshatarit dhe lopës që i vinte pas kapistrës.
Derisa hidhej vallja, ishte e kotë që Lugati dhe azilanti nga Parisit ta bindnin gjeneralin françez se në kryeqytet nuk kishte njeri të prekur nga virusi i Aidsit dhe se njerëzit e këtij vendi as që dinin dhe as që kishin dëgjuar për Aidsin , ndaj edhe pasojat e sëmundjes as që përgojoheshin, siç është traditë e kryeqytetit të përflitet e shtrembërohet çdo gjë e diskutueshme dhe e padiskutueshme , sekrete dhe publike. Madje, në kryeqytet përfliten edhe gjërat e ndaluara, ndërsa përgojimet i shfrytëzojnë me mjeshtri regjisorët e filmit dhe dramës, shkrimtarët, estrada muzikore , piktorët ... si tema interesante për motivet e veprave artistike me të cilat kënaqen kryeqytetasit me shije të mprehtë për stilin dhe artin , madje në kafene hapin debate kritike për vlerën dhe kundërvlerën e artit. Në kafene promovojnë vlerat e artit dhe pasi ngopen raki dhe patriotizëm patetiko-folklorik pshurrin në vlerat e promovuara!
-Të garantoj zoti gjeneral se në këtë qytet akoma ka budallenj të krisur që vdesin me sy hapur për lirinë e ëndërruar, si pasojë e të cilave shfaqet lëngata e etheve dhe sulmi i senilitetit në tru të kryeqytetit, por Aids nuk ka ! Me jetë të garantojë se as ju, ekselenca juaj , as ushtarët tuaj nuk do të infektohen nga Aidsi! Kurva më të pastërta se në këtë qytet nuk mund të gjenden as në
Gjenerali françez ktheu kokën kah Rahila të vërtetonte nëse gënjente apo thoshte të vërtetën Lugati, ndërsa Rahila me lëvizje koke pohoi se Lugati për herë të parë për kryeqytetin thoshte të vërtetën .