E merkure, 30.04.2025, 08:36 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Termopilja shqiptare

E premte, 17.09.2010, 09:59 PM


Termopilja shqiptare

 

Nga Reshat Kripa

 

Më 13 shtator nacionalistët shqiptarë përkujtuan një nga betejat më të lavdishme, që kanë zhvilluar forcat nacionaliste shqiptare kundër pushtuesit italian dhe nderuan heronjtë e kësaj beteje ku dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë tridhjetegjashtë  burra të shquar..

Ata nderuan kujtimin e komandantit legjendar Hysni Lepenica dhe trimave të tij të pavdekshëm: Sefer Imeraj, Nano Gjoni, Hasan Gjoni, Hasan Xhaferi, Mehmet Koka, Shazivar Karabina, Abaz Dauti, Neki Mahmutaj, Izet Ruka, Sherif Buhuçi, Bilal Bilaj, Ali Sheme, Agim Cane, Agim Selfo, Qamil Gërbi, Shahin Rrapi, Hamza Tola, Isuf Kola, Kutbi Lifti, Ziher Bihoçi, Tahir Vasili, Fuat Azizaj, Haki Dajlani, Rustem Xhufi, Filo Miceko, Seit Dema, Ali Loçi, Dajlan Tahiraj, Ismail Saraçi, Vaid Goshi, Ibrahim Graci e të tjerë.

Duke kujtuar këta të rënë, para syve më del një skenë nga romani “Lufta dhe paqja“ të shkrimtarit Leon Tolstoj. Beteja e Borodinos. Kapiteni rus Andrea Bollkonskij, prin kompaninë e vetë me flamur në dorë. Një plumb e goditi dhe ai bie i plagosur dhe pa ndjenja, i mbuluar nga flamuri. Me mbarimin e betejës Napoleon Bonaparti del të inspektojë fushën e luftës. Shtanget para trupit të mbuluar me flamur të kapitenit dhe u thotë shoqëruesve:

- Voilá une belle mort! (Ja një vdekje e bukur!)

Po për rënien e komandantit tonë të paharruar dhe tridhjetepesë trimave të tij, ku shumica ishin komandantë çetash, a nuk duhet të përulet me respekt i gjithë populli shqiptar, për të cilin ata dhanë jetën? Kjo betejë ishte Termopilja shqiptare. Dikur komandant Leonida ra me treqind trima në mbrojtje të lirisë së vendit. Të njëjtin veprim bëri edhe Hysni Lepenica me tridhjetepesë trimat e tij. Më thoni një betejë tjetër të zhvilluar në vendin tonë ku të kenë rënë kaq trima dhe unë do të përulem me respekt para tyre. Ky është një rast unikal në historinë e luftrave të popullit tonë dhe këtë rast ia dhuruan atdheut trimat nacionalistë, sepse vetëm po të jesh nacionalist mund të arrish në një sakrificë të tillë.

Është pikërisht ky shkaku pse komunistët, kundërshtarët kryesorë të nacionalistëve, u munduan ta errësonin këtë ngjarje madhështore, ashtu siç kishin vepruar edhe për raste të tjera. Por e vërteta është si drita e diellit. Sado të mundohen retë ta mbulojnë atë, ajo më në fund do i përhapë ato me dritën e tij të zjarrtë. Ashtu janë edhe heronjtë. Me shembullin e tyre ata përshkojnë periudha të zymta dhe dalin përsëri në dritë më me shkëlqim dhe më të nderuar.

Ndryshimet demokratike të ndodhura në vendin tonë gjatë viteve nëntëdhjetë, hapën rrugën dhe për vlerësimin e figurave të shquara. Ne mendonim se sado të mundohen hijet e së kaluarës të errësojnë kujtimin e nacionalistëve të rënë për liri,  ata nuk do të mundin kurrë t’ia arrijnë qëllimit të tyre të errët.   Prisnim me këtë rast të zhvillohej një ceremoni zyrtare nga ana e autoriteteve shtetërore apo partiake. Por, për fat të keq, përveç përkujtimit fare të thjeshtë, të bërë nga dy partitë e Ballit Kombëtar, askush nuk u kujtua për këtë ditë të shenjtë të historisë së kombit tonë.

Para   syve      del   ceremonia  e  zhvilluar    shumë   vjet      parë,   kushtuar

vendosjes së eshtrave të këtyre martirëve në varrezat e ngritura për këtë rast në vendin e rënies së tyre, në Grehot të Gjirokastrës. Atëherë u zhvillua një ceremoni madhështore, me pjesmarrjen e autoriteteve më  të larta të shtetit. U mbajtën fjalime të zjarrta, u bënë premtime të mëdha.  Po si paraqitet gjendja sot?

Gjendja e varrezës është mjerane. Edhe varrezat e qytetarëve të thjeshtë janë më dinjitoze se ato. Asnjë investim për ngritjen e tyre. Asnjë fond për mirëmbajtjen. A nuk janë edhe këta dëshmorë të luftës për liri? Përse varrezat e dëshmorëve komunistë janë shumë herë më dinjitozë dhe këto të dëshmorëve nacionalistë në gjendje të tillë? Kjo pyetje kërkon përgjigje.

Përse në varreezat e dëshmorëve (që konsiderohen të kombit) qëndron ende ylli i kuq i komunizmit? Më shpjegoni, këta dëshmorë u vranë për komunizmin apo për kombin? Nëse janë vrarë për komunizmin le ta mbajnë atë yll. Por nëse janë vrarë për kombin ylli i kuq i komunizmit është i papranueshën në to, pasi në ato varreza janë vendosur edhe eshtrat e disa nacionalistëve të rënë nga gjembat e atij ylli. Kjo është një fyerje për kujtimin e tyre.

Kam edhe shumë raste të tjera të diskriminimit që i bëhet shtresës nacionaliste nga politikanët tanë, por nuk po zgjatem pasi nuk dua të dal nga tema me të cilën nisa shkrimin. Ndaj në mbyllje doja të thosha:

Heronjtë tanë do jenë të pavdekshëm, sepse i pavdekshëm ishte edhe ideali për të cilin dhanë jetën. Ky ideal ishte Shqipëria dhe ata iu kushtuan asaj. Edhe Shqipëria nuk do t’i harrojë kurrë bijtë e vetë!

 



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx