E hene, 29.04.2024, 05:04 AM (GMT+1)

Speciale

Besim Muhadri & Nexhat Çoçaj: Masakra e Ujzit e vitit 1913, shprehje e çmendurisë, hegjemonizmit dhe antishqiptarizmit të pushtuesve serbo-malazez

E merkure, 04.08.2010, 10:00 PM


Gjenocidi serb në Kosovë në dritën e së vërtetës dhe dëshmitarëve

 

Masakra e Ujzit e vitit 1913, shprehje e çmendurisë, hegjemonizmit dhe antishqiptarizmit të pushtuesve serbo-malazez

 

Në nëntor të vitit 1913 ushtria serbe në Ujz të Hasit i vrau dhe i dogji 72 shqiptarë, pjesëtarë të familjes së atdhetarit Avdyl Zeqa, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Në mesin e të masakruarve dhe të të djegurve ishin edhe dhjetë fëmijë dhe foshnje në djep dhe po aq agra. Kjo ishte një ndër masakrat më të tmerrshme të asaj kohe, për të cilën shkroi edhe shtypi i kohës

 

Shkruajnë: Besim Muhadri - Nexhat Çoçaj

 

Më 28 nëntor të vitit 1912 u bë shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ndërkaq, një pjesë e madhe e trojeve shqiptare mbeti nën pushtime të huaja, përkatësisht të shteteve fqinje, të cilat vazhduan të ushtronin terrror ndaj popullatës së pambrojtur e të harruar shqiptare. Viti 1913 shënon edhe vendosjen e kufinjve, që u përshkua nga një pakënaqësi e madhe e popullatës shqiptare, për shkak të copëtimit të mëtejmë  të viseve shqiptare dhe të ndarjes së popullatës në shumë pjesë. Aneksimi i viseve të banuara me shumicë shqiptare (të mbetura jashtë kufinjve administrativ të Shqipërisë), i sanksionuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, u shoqërua edhe nga vendosja e një regjimi të egër, shtypës dhe kriminel serb. Në këtë kohë, në Kosovë terrori serb dhe malazez ishte i papërballueshëm, për shkak të pakënaqësisë se Serbisë ndaj vendimeve të Konferencës së Londrës për mosrealizim të apetiteve hegjemoniste të saj, dhe të mosarritjes së përmbsuhjes së ëndrrës të moçme të marrjes së pjesëve të preferuara nga ajo dhe të sigurimit të një korridori për dalje në det, vendos në mënyrë arbitrare “kufi strategjik”, i cili kalonte gjatë luginës së Drinit.

Gjatë kësaj kohe, sidomos gjatë muajve të verës së vitit 1913, ndaj popullsisë shqiptare u bënë ndjekje dhe vrasje të shumta. Në këtë kohë, pa kurrfarë gjyqesh bëhej edhe ekzekutimi me vdekje i shqiptarëve, ndërkohë që rezistenca e shqiptarëve vazhdonte nga grupet e kaçakëve nëpër shumë vise të Kosovës, ku po bëheshin përgaditjet për një kryengritje të madhe kundër regjimit ushtarako-policor serb, që po bënte masakra dhe terror mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare. Ndërkaq, kah fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit të atij viti (1913), Lëvizja Kombëtare Shqiptare, e udhëhequr nga Isa Boletini, Bajram Curri, Elez Isufi, Qazim Lika, Sadik Rama etj, po bënte përgaditjet e fundit për t’u hedhur në kryengritje të armatosur. Qeveria serbe, ndërkaq, kur plasi kryengritja, deklaronte zyrtarisht se do të shuante në çdo mënyrë këto kryengritje, madje duke përdorur edhe medoda të papara.

 

Kur ndodhi masakra e Ujzit

 

Vargut të masakrave dhe terrorit serb dhe malzez, përkatësisht nga ushtria dhe xhandarrmëria e tyre, ndaj popullatës shqiptare të Kosovës do t’i shtohet edhe masakra e Ujzit të Hasit, që ndodhi në kapërcyell të shekullit njëzet, përkatësisht në nëntor të vitit 1913. Këtë masakër, në të cilën u vranë dhe u dogjën për së gjalli 72 shqiptarë të familjes Gashi të Ujzit, e ka evidencuar edhe shtypi i kohës. Kështu, studiuesi Xheladin Shala, në librin e tij “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1912-1918, duke cituar gazetën “Politika” të Beogradit të datës 3 dhe 16.XI.1913 ndër të tjera shkruan se në një shtëpi afër Gjakovës ushtria (serbe, v.j) pasi masakroi 72 veta edhe i dogji. Ndërsa studiuesi tjetër, Shaban Braha, në librin “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1844-1990), botura më 1991 në Tiranë, duke u bazuar në raportete e konsujve të fuqive të mëdha dërguar nga Prizreni- Vjenës, më datën 18.09.1913 dhe nga Shkodra-Parisit, më datën 21.09.1913, ndër të tjera thotë se në Ujz janë kallur 35 anëtarë të një familjeje. Po i njëjti autor, në të njëjtin libër, duke u bqzuar në të dhënat e gazetës “Përlindja shqiptare” nr.14 të vitit 1913, thotë se “Në Ujz, pranë Drinit, 32 veta u mbyllën dhe u dogëjn në një shtëpi”.

Këto të dhëna, janë fakte të mjaftueshme për të mësuar për të vërtetën e kësaj ngjarjeje të tmerrshme, të përmasave gjenocidale dhe kriminale kundër njerëzimit në përgjithësi dhe të popullit shqiptare, në veçanti, bërë nga ushtria serbe 91 vjet më parë. Datat e ndodhjes së kësaj ngjarjeje të shënuar ngë stuediuesit e lartpërmendur, të cilët thirren në analet e gazetave të kohës, sikur përputhen e me rrëfimin e dëshmitarit okular të saj, plakut Cufë Sadik Gashi, nga Ujzi (1903 – 1997), i cili njëmbëdhjetë vjet më parë, me kërkesën tonë pat pranuar që të tregonte se si kishte ndodhur ajo ngajrje, çka kishte parë dhe përjetuar ai si fëmijë dhe familja e tij e ngushtë që arritën t’i shpëtojnë asaj katrahure. Cufë Gashi, i cili në atë kohë ishte një fëmijë dhjetëvjeçarë, atë të cilën e ka parë jo vetëm që ka mundur ta mbajë mend mirë, por në një farë mënyrë flet edhe për rrethanat dhe shkakun e ndodhjes së saj. Ai të masakruarit jo vetëm që i kishte fqinjë, por edhe njerëz të fisit, të gjakut dhe të barkut, siç shprehej ai në atë kohë. Tani kur po e ripublikojmë këtë (ngase një pjesë e shkrimit është publikuar njëmbëdhjetë vjet më parë në revistën lokale “Etja të Hasit), dëshmitari Cufë Sadiku s’është në mesin tonë, por fjalët dhe rrëfimet e tij autentike kanë mbetur.

 

Vrasja e dy xhandarëve apo preteksi i kryerjes së krimit

 

Në kohën kur kryengritjet e shqiptarëve kundër dhunës së egër serbe kishin shpërthyer në shumë vise të Kosovës, regjimi serb po merrte të gjitha masat për t’i shuar ato. Kështu, gjatë asaj kohe, ishin ngritur shumë stacione xhandarmërie dhe ushtarake, të cilat ishin shndërruar edhe në varre të shqiptarëve të pambrojtur. Një stacion i tillë i xhandarmërisë serbe ishte ngritur edhe në Fshej të Hasit.

“Ishte vjeshta e vitit 1913, kohë e të korrave të misrit, që do të thotë kohë në mes muajve shtator dhe nëntor. Gjatë kësaj kohe xhandarët serbë në një shtëpi të fshatit Fshej hetojnë dy kaçakë shqiptarë. Në stacionin e xhandarmërisë ishin tre xhandarë, ndërkaq njëri prej tyre shkon për të kërkuar përforcime në ndjekje të kaçakëve, kurse dy të tjeët e rrethojnë shtëpinë ku ndodheshin kaçakët. Por në ndërkohë dikush nga të shtëpisë njofton kaçakët se ishin rrethuar nga xhandarët. Atëherë krisë pushka, ku vriten që të dy xhandarët. Në mesin e të vraravë ishte edhe vetë pisari(sekrertari) i naçellnikut”.

Kështu  rrëfente Cufë Sadik Gashi, nga Ujzi i Hasit, për fillimin e asaj ngjarjeje, e cila do të kalojë me pasoja të rënda për familjen e tij dhe të farefisit të gjerë. Cufa në atë kohë s’ishte më shumë se nëntë vjeç. “Kur erdhën pëforcime, vazhdon rrëfimin ai, kaçakët tanimë kishin ikur, ndërsa xhandarët, kur i kishin parë të vdekur shokët e tyre, të tmerruar dhe plot egërsi e çmenduri thërrasin komandantin e xhandarmërisë në Fshej, Tomë Markun (gjithnjë sipas rrëfimeve të Cufë Gashit). Me atë rast ata vendosin të djegin shtëpinë e Tunë Çettës, ku kishin qenë të strehuar kaçakët. Vendimi ishte i prerë dhe, në shenjë hakmarrejeje, ata djegin shtëpinë e Tunës e së bashku me të edhe vetë Tunën së bashku me grua. Që të dy i djegin të gjallë. Hakmarrja s’kishte të ndalur. Pas djegies së shtëpisë së Tunës, të Tunës vetë dhe gruan e tij, përforcimet e forcave të xhandarmërisë sa vijnë e shtohen. Përveç xhandarëve, tani në aksion hidhen edhe ushtria serbe. Aty kah mbrëmja prej Fshejit, ia mësyjnë katundit të Ujzit, ku dyshonin se mund të ishin strehuar kaçakët, të cilët kishin vrarë dy xhandarët.

 

Pasi djegin Tunë Çettën më gjithë grua,

serbët ia mësyjnë kullave të Gashëve të Ujzit

 

Në Ujz në atë kohë ishin në zë familjet dhe kullat e gashjanëve, të cilët ishin të njohur si për patriotizëm dhe trimëri, ashtu edhe për bujari, mikpritje dhe pasuri. Në kullat e Avdyl Zeqës, Ali Tafës, Jusuf Selmanit e të Daut Sadikut, që të gjithë të fisit të Gashit, jatakun  e tyre e kishin kryengritësit shqiptarë. Gjithë ky atdhetarizëm dhe kjo bujari e pashëmbullt nuk ishte e rastësishme. Ajo kishte rrënjët shumë më herët. Më i vjetri i kësaj familjeje, Avdyl Zeqa (Gashi), jo vetëm që ishte pjesëmarrës i Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, por së bashku me Dërvish Salihun nga Lugishta edhe organizatortë të mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes. Duke qenë një njeri edhe me shkollë (kishte të kryer medresen), Avdyl Zeqa ishte edhe organizator dhe pjesëmarrës i Lëvizjeve Kaçake të asaj kohe. Shokët e tij më të ngiushtë, jorastësisht ishin Sulejman Vokshi, Bajram Curri, Shaban Manxholli, Azem Bejta etj., të cilët tek Avdyli dhe familja e tij kishin gjetur një konak të fortë dhe mbështetje të fuqishme për organizimin e kryengritjeve dhe për zhvillimin e luftërave kundër hordhive pushtueseë serbe, që në atë kohë po bënin kërdinë ndaj popullatës shqiptare.

“Para se të arrinin ushtria dhe xhandarmëria serbe dhe ajo malezeze në Ujz, tregonte plaku Cufë Sadiku, në shtëpinë e tonë erdhi Hazir Makolli, i cili në atë kohë ishte polic dhe i thotë gjyshit tim, Dautit që të largonte familjet nga shtëpia, sepse, i kishte thënë ai gjyshit, edhe juve e kanë ndërmend t’ju kallin si Fshejin. Pas këtij paralajmërimi, gjyshi im del e i tregon Avdyl Zeqës, në mënyrë që të ndërmerrnin të gjitha masat dhe të largonin familjet nga shtëpia, por Avdyli, si njeri me ndjenja të zjarrta që ishte, s’kishte pranuar ta bënte një gjë të tillë. “Punë që s’bëhet, kishte thënë ai, duke thënë edhe këtë se ai që tenton ta bëjë një gjë të tillë, apo që do të largohet nga shtëpia, s’ka më vend këtu”. “Më kujtohet si sot, thoshte plaku Cufë Sadik Gashi, ku erdhi dhe na tha gjyshi që të largoheshim nga shtëpia dhe të dilnim në mal të gjithë anëtarët e familjes, pasi që s’kishte mundur ta bindte Avdylin që edhe ai ta bënte një veprim të tillë. Morëm me vete ato që mundëm të merrnim. Bashkë me ne në mal dolën edhe familja e Halil Sadikut, mirëpo gjatë rrugës, djalit të Halilit, Bajramit i thotë gruaja se kishte harruar dukatët (stolitë) dhe ai kthehet për t’i marrë. Në ndërkohë ushtria dhe xhandarmëria serbo-malazeze kishin hyrë në Ujz dhe atë e zënë duke dalë nga shtëpia dhe e vrasin menjëherë në prag të derës.

Sipas rrëfimeve të Cufë Sadikut, familjet që kishin mbetur pa ikur, xhandarët dhe ushtarët serbo-malazëzë i rrethojnë, në fillim gjoja për t’i kontrolluar, sepse dyshonin se aty gjendeshin komitët që kishin vrarë xhandarët. Fillimisht, ata i thonë Avdyl Zeqës që t’i nxirrte në oborr të gjithë robët e shtëpisë (gjithësej 45) dhe më pas ata të vendosen që të gjihtë në shtëpinë e Avdirrahim Halilit, që ishte e ndërtuar me dërrasa. Në ndërkohë në atë shtëpi ushtarët dhe xhandarët serbë sjellin edhe 14 anëtarët e  familjes së Ali Tafës, 12 anëtarët e familjes së Jusuf Selmanit dhe dy mysafirët nga Pataçani, të cilët ndodheshin aty. Që të gjithë bënin 73 veta. Xhandarët dhe ushtarët serbë e malazëzë bënin kontrollimin në kërkim të kaçakëve, por pasi që s’i gjetën dot, ata e ndajnë me një anë vetëm Avdylin të cilit i thonë: “Po na i dhe dukatët që i ke do të lëmë të gjallë, në të kundërtën do të të kallim të gjallë ty dhe krejt familjen”. Ndërkaq, Avdyli plak, me shpresën se pasi që katilat të kenë marrë dukatët, do të shkonin kah ishin ardhur, vendos t’ua jep një pjesë të dukatëve që kishte. Mirëpo, kriminelët s’e lënë vetëm ke kaq. Pasi që marrin dukatët nga Avdyli, ata e urdhërojnë edhe atë që të futet në shtëpinë me dërrasa, ku ishin edhe 72 pjesëtarët e tjerë të tri familjeve. Sapo hyn Avdyli, kriminelët mbyllin derën e shtëpisë dhe fillojnë të gjuajnë në drejtim të njerëzve të mbyllur aty, në mesin e të cilëve ndodheshin edhe dhjetë fëmijë në djep dhe shumë gra. Pas pak u ndalën pushkët, të cilat ne që ishim në malin mbi fshat, i dëgjonim shumë mirë. Poashtu edhe ne me vete kishim shumë fëmijë dhe gra, në mesin e të cilëve isha edhe unë, që me trishtim po përcillja atë ngjarje. Kriminelët, pasi që ndalën pushkët, filluan të mbeldhin dushqet, që i kishim prerë për bagëtinë, me të cilat e rrethojnë shtëpinë dhe më pas ia vunë flakën. Flaka sa vinte dhe rritej në mes të kullave të Gashëve. Në fillim ne pamë vetëm flakë, por s’vonoi shumë dhe filluam të dëgjonim edhe britma njerëzish që po kalleshin të gjallë brenda. Që të gjithë ishin njerëzit tanë të gjakut e të barkut. Aty, në atë flakë, që sa vinte dhe rritej, unë kisha edhe shumë bashkëmoshatarë, me të cilët ishim lindur dhe po rriteshim së bashku. Ata po kalleshin, po vdisnin për gazepi, o zot, rrëfente xha Cufa, në sytë e të cilit vërehej trishtimi i asaj dite të largët dhe lotët e tradhëtuan.

Sipas rrëfimeve të plakut Cufë Sadik Gashi, me rastin e shpërthimit të flakës kishin arritur të ikin Binak Avdyli (djali i Avdylit dhe  Et’hem Tafa, vëllau i Aliut. Por edhe ata ishin plagosur. Binaku vdes vetëm pas pak ditësh, ndërsa Et’hemi pas dy tre vjetësh. Siç tregonte Cufë Sadik Gashi, Et’hemi që arriti të jetojë edhe tri vjet, kishte parë se si po digjeshin njerëzit dhe se si ai kishte parë një ushtarë malazias të hiqte nga flaka një fëmijë, por me urdhëra të eprorëve të tij se nëse e bënte një gjë të tillë (pra nëse nuk e linte që të kallej fëmija), në vend të fëmiut do të digjej ai, ai e kishte hudhur sërish në flakë. Sipas Cufës ky fëmijë quhej Ukë dhe ishte bashkëmoshatar i tij.

Dhe kështu, atë ditë vjeshte të vitit 1913, kriminelët serbë e malazias, vranë dhe i dogjën madje edhe për së gjalli, 45 anëtarë të familjes së Avdyl Zeqës, nga e cila shpëtuan vetëm dy, Smajli, djali i Avdylit, që atë ditë nuk ndodhej në shtëpi dhe gruaja e tij, Shaha, që ndodhej në gjini në Ramoc. Pastaj nga familja e Ali Tafës u vranë dhe u dogjën 13 anëtarë dhe më pas vdiq nga plagëte edhe i katërmbëdhjeti, Et’hemi. Nga familja e Jusuf Selmanit u dogjën të gjithë nga të dymbëdhjetët nuk mbeti asnjë. Edhe nga të familjes së Avdylit s’do të mbetej askush, po të mos kishte qëlluar në gjini gruaja e Smajlit, Shaha, e cila ishte edhe shtatzënë dhe vetëm pas tre muajsh lind djalë, të cilin e pagëzuan me emrin e  të parit të familjes, Avdylit. nga i cili sot janë 60 anëtarë. Xhandarët do ta vrasin edhe Smajlin me t’u kthyer në Kosovë, me të vetmin qëllim që të humbnin gjurmët e këtij krimi dhe të shuanin në tërësi familjen e atdhetarit Avdyl Zeqa.

 

Eshtrat e të masakruarve dhe të të djegurve varrosen pas dy vitesh

 

Pas kryerjes së aktit barbar dhe antinjerëzor të masakrimit dhe të djegies së 72 shqiptarëve, ushtria dhe xhandaarmëria kriminele serbe dhe malazeze dogji në tërëis kullat e gashëve, kurse me vete i mori  edhe 1500 krerë dele, rreth 100 lopë dhe disa kuaj, të cilët i çiti dhe i shiti në treg. Para se t’i digjte kullat serbët plaçkitën tërë atë qi ishte për t’u plaçkitur. E padjegur mbeti vetëm kulla e Daut Sadikut, poashtu të gashëve. “Këtë e kishin lënë me qëllim që të kteheshin ne dhe të na kallnin poashtu të gjallë brenda”, thoshte plaku Cufë Sadik Gashi. Por ne, duke ditur qëllimin tinëzar të kriminelëve, s’u kthyem në shtëpi për gati dy vite, ku gjatë asaj kohe qëndruam në Shqipëri. Serbët kur e kishin parë që ne s’e kishim ndërmend të ktheheshim, e kishin kallur edhe kullën tonë, kështu që me djegien edhe të kullës sonë, u bë rrafsh me tokë tërë vatani i gashjanëve të Ujzit, thoshte plaku Cufë.

Kishin kaluar gadi dy vjet që kur ushtria dhe xhandarmëria serbe dhe malazeze kishte djegur 72 njerëzit e familjeve Gashi të Ujzit dhe tërë pasurinë e tyre që kishin, kur pushteti ushtarako-policor me një dekret i shpalli ato si të pafajshme. Por edhe pas kësaj kohe, Daut Sadik Gashi, që së bashku me familje ndodhej në Shqipëri, s’kishyte besim që të kthehej në trollin e tij, ngase ajo që kishte ndodhur dy vjet më parë ishte vështirë të harrohej dhe kishte dronë se serbët këtë farë dekreti po e bënin vetëm sa për sy e faqe dhe donin t’i fusnin në grackë edhe të tjerët që kishin shpëtuar. Por, më në fund ai vendosi që të kthehej në Ujz, në trollin e bërë shkrumb e hi, ku për dy vite me radhë s’kishte guxuar të shkilte këmbë njeriu. Aty ishin shenjat e masakrës, pothuajse të frekëta. Aty ishin kujtimet e djegura e të shkrumbuara. Flaka, tymi, era e mishit të djegur të njeriut dhe klithmat e njerëzve të barkut të tij të lëshuara gjatë kohës kur digjeshin të gjallë.

“E kishim të vështirë kthimin”, rrëfentë plaku Cufë, duke kujtuar momentin e kthimit në trollin e të parëve. Tani ai kishte dymbëdhjetë vjet. Atij tani i mungonin të gjithë shokët e fëmijërisë, i mungonte edhe Uka, që kishte dashur ta shpëtonte ushtari serb, por që i shtrënguar nga eprorët e kishte gjuajtur sërish në flakë. “Dita e kthimit tonë ishte dita më e trishtuar në jetën timë, thoshte plaku Cufë Sadik Gashi. Në këto momenyte atë sërish e tradhëtojnë lotët, që i rrjedhin faqeve tatëpjetë, sikur një fëmijë që kujton diçka të papërmbajtshme. Në vendin ku dy vite më parë ishte shtëpia me dërrasa e Avdirrahim Gashit, kishin mbetur gjurmët e krimit, gjurmët e vdekjes dhe të barbarisë antinjerëzore. Aty, në vend të shtëpisë, ishte grumbulli i eshtrave të njerëzve të mi, të cilat dukeshin sikur dikush i kishte paluar me kujdes njërin mbi tjetrin. Por më e keqja ishte se shumë eshtra mungonin, të cilat i kishin shpërndarë shtazët e egra gjithandej malit. Shumë prej tyre i gjetëm larg vendit të ngjarjes. Më kujtohet si sot kur gjyshi Daut, babai Sadiku, gjyshja dhe ne fëmijët tërë ditën e kalononim duke kërkuar dhe mbledhur eshtrat e njerëzve tanë që ishin shpërndarë nëpër shumë vende. Dhe pasi i mblodhëm ato që mundëm t’i gjenim, në vendin ku ishin djegurm gjyshi hapi një gropë të madhe në formë varri dhe me lotë në sy nisi t’i palonte një nga një. I mbuluam ashtu së bashku për të ruajtur kujtimin dhe historinë e dhimbshme të ndodhur në atë kohë, në mënyrë që një ditë dikush ta kujtonte se këtu kishte ndodhur një masakër, kishte ndodhur një krim, që e kishte bërë një ushtri e huaj ndaj një populli të pambrojtur dhe të mbetur pothuajse jetimë. Kjo është historia e fisit të gashëve të Ujzit, e ndodhur tash e tetëdhjetë vjet më parë, thoshte nbjëmbëdhjetë vite më parë Cufë Sadik Gashi, dëshmitari i drejtpërdrejtë i asaj ngjarjeje, të cilën më vonë e pasuan edhe shumë të tjera të pokëtij lloji. “Kjo është historia e asaj ngjarjeje tragjike, me sa mbaj mend unë Cufë Sadik Gashi, i lindur para treqind apo kërqind vjetësh”, thoshte plaku, duke aluduar në të gjitha ato përjetime e vuajtje të bartura mbi kurrizin  e tij nëntëdhjetëvjeçar. “Ndoshta diçka edhe kam mundur të harroj, por ma falni “kabahatin” se edhe jam plakur, edhe jam lodhur. Por ta dini se ajo që ka ndodhur këtu, nuk ishte e rastësishme. Shkijet kurrgjë s’e bëjnë me pahir, sepse ata të gjitha i kanë të shkruara, e po tutem se gjëra të tilla edhe mund të përseriten, prandaj keni kujdes, thoshte plaku në vitin 1993, pesë vite para se të fillonte lufta në Kosovë se po ndodhin ngjarje rrëqethëse si ajo e vitit 1913 që e pa dhe e përjetoi vetë. Por atë që thoshte plaku Cufë dhe që ia kishte dronë se edhe mund të ndodhnin, s’arriti t’i përjetonte përseri, ngase vetëm një vit para se të fillonte lufta për çlirimin e këtyre trojeve, nga ata që e kishin bërë të gjitha ato masakra dhe krime dhe po i bënin, ai u largua nga kjo botë dhe shkoi për t’u takuar me njerëzit e gjakut e të barkut të tij, klithmast e të cilëve i ndjeu dhe i pau kur u vranë dhe u dogjën për gazepi.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora