E hene, 29.04.2024, 03:21 AM (GMT+1)

Speciale

Thanas L. Gjika: Për reagimin e ashpër të zonjës Gjuliana Malaj ndaj romanit E penguara të Kadaresë

E diele, 01.08.2010, 10:00 PM


PER REAGIMIN E ASHPER TE

Z-njes GJULIANA MALAJ

NDAJ ROMANIT E PENGUARA

TE I. KADARESE

 

Nga Prof. Ass. Dr. Thanas L. GJIKA

 

Disa muaj më parë lexova romanin e ri të Ismail Kadaresë E PENGUARA, i cili më preku për faktin se autori kishte vendosur në qendër të veprës fatin tragjik të një vajze të re që kishte jetuar në internim gjatë kohës së diktaturës dhe se këtë vepër ua kushtonte gjithë vajzave që kaluan jetën në kampet e internimit komunist.

Faktikisht me këtë vepër, Kadareja solli në letërsinë e sotme një problematikë të re: jetën, ëndërrat e parealizuara, pasionet e ndrydhura, hallet e femrave të përvuajtura të kampeve të internimit. Pra ai kishte kthyer kokën nga pjesa më e përvuajtur e popullit tonë. Por, sipas zonjës Malaj, problemi nuk është shtruar drejt, vajzat e internuara nuk mund të përfaqësohen nga heroina e tij, dhe mjedisi ku janë vendosur ngjarjet nuk i përgjigjet realitetit të asaj kohe. Kadareja ka kthyer vetëm kokën nga jeta e vajzave të internuara, por jo sytë e mendjes dhe as zemrën, për ta njohur e pasqyruar si duhet tragjedinë e tyre.

Jeta e vajzave të internuara ka qenë shumë më tepër tragjike, jo prej sëmundjes së kancerit si jepet për vajzën Linda B, por prej trajtimit çnjerëzor të partisë shtet. Jetë kjo, që ka mbetur shumë pak e njohur prej të gjithë ne që nuk e patëm atë fat të keq. Nuk e njohëm atëhere, sepse na ishte fshehur prej partisë shtet gjatë sundimit të saj; kurse sot nuk e kemi njohur si duhet sepse kemi lexuar shumë pak vepra që shkruajnë për atë jetë të popullit.

Nuk kam lexuar vlerësimet ose kritikat që janë shprehur nga kritikët e studiuesit e Shqipërisë, por më tërhoqi reagimi i publikuar në internet i zonjës Gjuliana Malaj, një nga femrat shqiptare, e cila kishte jetuar vetë në kampet e internim-dëbimit që prej moshës 4 muajshe derisa ishte liruar në vitin 1990, kur ishte 42 vjeçare, nënë me tre fëmijë. U bëra kureshtar të mësoja për jetën e kësaj femre, e cila pa qenë e kualifikuar si kritike, madje me arsim vetëm 8-vjecar, pati kurajën të reagojë me një kritikë të ashpër ndaj shkrimtarit më të famshëm shqiptar. Ajo e kritikon veprën për shpërfilljen e jetës së vërtetë plot vuajtje e mundime të të internuarave, si dhe qendrimin e tyre fisnik e të pamposhtur ndaj pushtetarëve dhe shërbëtorëve të tyre, ku ajo fut dhe shkrimtarët të cilët gjatë kohës së diktaturës me veprat e tyre i shërbyen propagandës së pushtetit.

Mësova se babai i Gjulianës, Nikoll Malaj,  ishte arratisur në Jugosllavi në vitin 1948.  Mbas kësaj ngjarjeje, nëna e saj, Zorka, një vajzë malazeze, nënë e re e dy vajzave, Maries 3 vjeçare dhe Gjulianës 4-5 muajshe, ishte internuar bashkë me Gjulianën në kampin e Tepelenës, ku ishin internuar edhe familje të tjera si, Gjomarkajt, Pervizët, Bajraktarët, Dinet,  Kaloshët, Demajt,  Kupët, Merlikët, etj, etj.

Në fillim nusen e re dhe foshnjën Gjuliana i mbyllën në një kasolle lopësh me familje të tjera vermoshase, burra, gra e fëmijë. Nusen e re polici e kishte urdhëruar të merrte me vete vetëm vajzën e vogël, sepse të dyja nuk mund t’i mbartëte në krahë për të ecur në këmbë nga Vermoshi deri në Selcë.  Nëna pranoi të ndahej nga vajza e madhe duke menduar se mbas disa muajsh do ta kthenin përsëri në Vermosh. Mirëpo ajo ndarje paskej qenë e përjetshme. Në Selcë  i mbyllën për dy javë në një mulli të braktisur, pa i lejuar të dilnin jashtë as për nevojat personale, që i kryenin në prani të të gjithëve. Bukën ua hidhnin si qenve. Tre burra lidhur këmbë e duar, i mbytën me kandakët e pushkëve dhe pastaj i hodhën në një greminë. Në atë mjedis mulliri, një nga nuset lindi një fëmijë, vajzë, që më vonë u bë shoqe e Gjulianës. Pastaj i ngarkuan në një kamjon. Në rrugë e sipër mbi kamion një grua lindi një fëmijë tjetër. Nëna me Gjulianën shkuan e mbetën në kampin e Tepelenës e më vonë në kampe të tjera, kurse Maria u rrit prej hallës së saj. Halla mbas disa vjetësh u verbua dhe Maria, nëntë vjeçare, pra ende fëmijë, u detyrua ta shoqëronte dadën e vet kudo që shkonte, derisa ajo vdiq, kur Maria ishte nënë me fëmijë, nga martesa me malësorin Gjergj Rezaj. Maria u njoh me nënën dhe motrën e saj mbas 16 vjetësh, kur ato nuk e njihnin njëra tjetrën. Ky takim shumë i dhimbshëm u realizua prej guximtarit të paharrueshëm, të ndjerit Gjergj Rezaj, në vitin 1965, në Lushnjë. Ky burrë trim pati dhe guximin të arratisej me gjithe familje: nënën, gruan e tre djemtë, në Mal të Zi e pastaj u vendos në USA, ku dhe vdiq.

Kampi i Tepelenës ishte krijuar për të zhdukur jetët e të gjithë atyre që partia shtet i kishte shpallur armiq të popullit. Kushtet e jetës në atë kamp, që ka përshkruar në vizatimet dhe në shkrimet e tij z. Lek Pervizi, ishin mizerabël. Fëmijët e pleqtë vdisnin nga dizanteria e tuberkulozi, por zyrtarët e policët e kampit nuk shqetësoheshin aspak, madje ngushëlloheshin duke thënë: një armik më pak. Midis këtyre armiqve mbijetoi foshnja Gjuliana, së cilës të internuarit i ngjitën emrin e dytë: Beba e kampit, që i mbeti tërë jetën e u bë lëgjendë. I kishte mbijetuar vdekjes masive të moshatarëve të saj. Nëna e saj, nga nuse e re u thinj e u mplak kampeve të internimit. Ajo u rimartua me një djalosh malazes të internuar në Plug dhe lindi tre djem në kushtet e kampit, kurse Beba u rrit e u martua me Lek Pervizin. Kjo martesë e rëndoi biografinë e saj, sepse i shoqi, ishte një i internuar i përjestshëm,  ishte i biri i Gjeneral Prenk Pervizit, i arratisur politk i konsideruar armik nga më të rrezikshmit e regimit komunist. Të dy këta të rinj nuk kishin bërë asnjë faj ndaj shtetit, por vuanin internimin vetëm sepse baballarët e tyre ishin arratisur prej Shqipërisë në vitet 1946-1948. Më e keqja ishte se faji trashëgohej edhe tek fëmijët që ky çift e çiftet e tjera lindnin në internim. Më saktë, të internuarit ishin skllevër që lindnin skllevër, ata nuk kishin të drejtë të lëviznin nga territori i caktuar, veçse me lejë të posaçme që ua jepte Dega e Brendshme për një periudhë 24 ose 48 orëshe. Të internuarit nuk kishin të drejtë të shkolloheshin më tej se arsimi 8-vjeçar, kishin të drejtë të punonin vetëm punë krahu në bujqësi ose ndërtim, sapo mbushnin moshën 15 vjecare. Pra shumë më ndryshe nga sajesa e Kadaresë, Linda B, e cila përshkruhet si një gjimnaziste normale, që madje merr pjesë në ballon e fundit të vitit. Në vitet 70-80-të kushtet në kampet e internimit u përmirësuan dhe qëndrimi ndaj të internuarve disi u zbut, sepse në këtë kohë u dërguan në internim familje komunistësh ushtarakë ose pushtetarë të lartë. Për fëmijët e tyre u lejua arsimi i mesëm me profil bujqësor, por jo ai i përgjithshëm, gjimnazi. Pra Linda B nuk përfaqëson dot asnjë nga brezat e vajzave shqiptare të internuara.

Duke e pasë jetuar dhe njohur mirë atë jetë plot mungesa, z-nja Malaj e kritikon autorin e romanit:

1. Për mos njohje te realitetit çnjerëzor të kampeve të internimit dhe shtrembërim të realitetit.

2. Për paraqitjen tepër të zbutur të politikës çnjerëzore që ndoqi partia shtet ndaj të internuar(a)ve përgjatë 47 viteve me radhë.

3. Për shtrembërim të ndjenjave dhe ëndrrave të vajzave të intenuara, të cilat kurrë nuk patën ëndërruar të dashuroheshin prej ndonjë djaloshi që jetonte jashtë kampeve, sepse ato e dinin se këta të rinj nuk guxonin t’i përshëndesnin, pa le t’i takonin e t’i dashuronin ato. Aq më pak ato mund të ushqenin simpati a të dashuronin një shkrimtar që i shërbente regjimit komunist, armikut të tyre që ua kishte nxirrë jetën. Pra, gjithë linja e ëndrrave dashurore të Linda B, përfaqësueses së vajzave të internuara, për shkrimtarin e talentuar e të privilegjuar të pushtetit, që përfaqëson vetë autorin, është pjellë e një fantazie jo të shëndetshme.

4. Vetë I. Kadareja kishte pasur kolegë të internuar, por kurrë nuk guxoi të shkonte e të takonte ndonjë prej tyre, ai kurrë gjatë diktaturës nuk përmendi në veprat e veta ekzistencën e burgjeve dhe të kampeve të internimit. Pra ai, sipas z-njës Malaj, nuk ka të drejtë morale të krijojë një personazh shkrimtar, që nënkupton veten e tij, si i admiruar e i dashuruar prej Linda B, përfaqësueses së vajzave të internuara, dhe as ta paraqisë këtë shkrimtar si njeri të depolitizuar që mund të simpatizonte e të donte të flirtonte me një vajzë të internuar, etj.

Të tilla vërejtje e kritika më bënë të mendohem e rimendohem, të meditoj për vlerat reale të këtij romani. Gjithashtu kjo kritikë më nxiti të mendoj për faktin se sa e si e ka pasqyruar letërsia jonë e pas 1992-shit jetën e vuajtjet e mëdha të popullit tonë e sidomos të atyre që vuajtën në kampet e burgjet e asaj kohe. Po ashtu më nxiti të shoh se si dhe sa e ka përgjithësuar këtë aspekt të jetës Historia e Shqipërisë vëll. IV që botoi Akademia e Shkencave më 2008. Dhe të mësoj se sa dhe si janë përvehtësuar prej shkrimtarëve dhe studiuesve veprat e atyre shkrimtarëve dhe studiuesve të përvuajtur, që kanë shkruar mbas vitit 1992 për jetën e burgjeve e të kampeve të internimit komunist.

Mbas shqyrtimesh nxora disa përfundime për veprat e shkruara mbas 1992-shit prej shkrimtarëve dhe studiuesve që nuk kanë vuajtur në kampet dhe burgjet e komunizmit:

Së pari, ata nuk e kanë çarë kokën të njohin si duhet dhe të pasqyrojnë si duhet në veprat e tyre jetën e njerëzve të trajtuar si skllevër. Ata i kanë qëndruar larg kësaj problematike dhe kanë mbushur veprat e tyre me dashuriçka e përshkrime skenash pornografike, për t’u treguar lexuesve se janë bërë modernë, se po e shfrytëzojnë drejt lirinë e sotme, por në fakt këto dukuri fshehin arratisjen e tyre nga e vërteta dhe mungesën e dëshirës për katarsë shpirtërore.

Së dyti, ata nuk janë përpjekur të zbulojnë dhe ta dënojnë faktin se kultivimi i frikës tek çdo qytetar, ka qenë thelbi i politikës së PKSH / PPSH-së gjatë 47 vjetve të sundimit të saj. Duke ndjekur në mënyrë sistematike një politikë tmerri e terrori PKSH / PPSH-ja mundi t’i transformonte partizanët trima të dikurshëm dhe gjithë popullin në njerëz pa dinjitet, në shërbëtorë besnikë, në zbatues të verbër të urdhërave të saj. Madje shumë ish partizanë u transformuan në kriminelë duke punuar mbas luftës nëpër degët e brendshme, në hetusi, burgje, etj, ku detyroheshin të zbatonin urdhra çnjerëzore.

Së treti, shkrimtarët dhe studiuesit as nuk kanë guxuar ta mendojnë, pa le t’a demaskojnë luftën e klasave si një truk i sajuar prej partive komuniste për të shpallur armiq gjithë ata që nuk i nënshtroheshin, ose që mund të mos iu nënshtroheshin urdhrave e vendimeve të tyre.

Së katërti, ata nuk kanë synuar të zbulojnë  dhe të dënojnë tiparin tjetër të rëndësishëm të politikës së PKSH / PPSH: varfërimin e skajshëm të popullit, i cili kryhej me synimin djallëzor që çdo banor i Shqipërisë duke mos pasur mundësi të tjera jetese përveç mundësive të kufizuara që i jepte partia shtet, të bëhej një raja i bindur e i pagojë.

Së pesti, në veprat e tyre shkrimtarët dhe studiuesit shqiptarë nuk i kanë konsideruar dhe nuk i kanë dënuar si krime të rënda njerëzore: kultivimin e frikës, shpalljen armiq të popullit të gjithë nacionalistëve, ballistëve, legalistëve  dhe borgjezëve të cilët ishin në fakt patriotë, zhdukjen e mundësisë ekonomike për të jetuar i pavarur nga partia shet dhe luftën e ashpër ndaj fesë dhe institucioneve fetare, që kreu PKSH / PPSH-ja..

Njeriu i ri, që luftoi të krijonte partia shtet përmes frikës, fukarallëkut të skajshëm dhe edukimit antifetar, shpuri në prishjen e shumë tipareve njerëzore të shqiptarit, në prishjen e traditave të tij më të mira, të cilat është shumë vështirë të rikultivohen sot…

Së pesti, shkrimtarët, studiuesit, si dhe gazetarët e formuar gjatë kohës së diktaturës, kur ishin rrogëtarë e propagandistë të vijës së partisë, nuk e kanë kuptuar se sot puna e tyre nuk është më një profesion, por një mision qytetar, që kërkon sakrifica e luftë si me vetevehten dhe me trysnítë që mund t’iu bëhen nga drejtime të ndryshme. Ky misioni i lartë nuk mund të përmbushet prej njerëzve që kanë ende psikologjinë e rrogëtarit, ata duhet të jenë në radhë të parë qytetarë të moralshëm dhe idealistë të vendosur, përndryshe duhet ta thyejnë penën, sepse shpejt a vonë do të turpërohen...

I nxitur nga shkrimi kritik i zonjës Malaj, i shkurtër e modest, por shumë i thellë në përmbajtje, i këshilloj shkrimtarët e studiuesit e sotëm shqiptarë të venë në qendër të veprave të tyre pasqyrimin dhe analizën e proceseve jetësore që shpunë gjatë diktaturës në lulëzimin e disa tipareve negative në karakterin e shqiptarit, femonen që ka qenë një tragjedi e madhe kombëtare. Të tilla tipare janë:

A. Dyfytyrësia, servilizmi e gënjeshtra, të cilat u kultivuan prej frikës që mbiu në mendjen e çdo shqiptari si pasojë e politikës së terrorit që zbatoi partia shtet për 47 vjet.

B. Hajnia e vjedhja që u bë natyrë e dytë e shqiptarit si pasojë e politikës së varfërimit të skajshëm të popullit. Fshatari, mbasi cfilitej duke punuar gjithë ditën në arat e kooperativës për 50 lekë, nuk mund ta quante vjedhje marrjen e disa kokrave domate ose kallëpëve misri, sepse nuk kishte mundësi reale t’i blinte ato.

C. Kallzimi e spiunimi, që u nxit prej partisë tek çdo anëtar i saj si detyrë mbi detyrat që duhej të kryente çdo komunist për të informuar partinë për gjithçka dëgjonte e shikonte, si dhe prej trysnísë që ushtronin organet e ish sigurimit të shtetit për të rekrutuar sa më shumë informatorë, që të realizonin planin e arrestimeve, burgimeve e internimeve.

d. Përçarja dhe urrejtja e shqiptarit ndaj shqiptarit që erdhi si pasojë e ngulitjes në trutë tona të politikës së luftës së klasave. Ende shumë prej nesh, që jemi formuar në kohën e diktaturës, vuajmë nga prania e gogolëve armiq në mendjet tona dhe ende i gjykojmë nacionalistët, ballistët e borgjezët si armiq të popullit, kur në të vërtetë ata ishin atdhetarë të mëdhenj, por u shpallën e u dënuan si armiq të popullit vetëm e vetëm se ishin kundrakomunistë, ose se nuk ishin simpatizantë të komunizmit.

Partia shtet, e cila i mënjanoi nga jeta e përditëshme kundërshtarët e saj, duke i izoluar nëpër burgjet dhe kampet e internimit; në vitet 1990-91, kur pa se po i rrëshqisnin këmbët, u bë zemërgjerë dhe i ndihmoi pasardhësit e nacionalistëve, ballistëve, legalistëve e të borgjezisë, që të largoheshin nga Shqipëria ku të mundnin. Kjo zemërgjerësi para se të fillonin proceset e pluralizmit, ishte pjesë e lojës djallëzore për t’i mënjanuar përsëri nga jeta e përditshme këta

Pamje e brendëshme e kazermave të kampit të Tepelenës ku stivoseshin të internuarit nga gjithë krahinat e Shqipërisë. Vizatim i piktorit Lek Pervizi (Belgjikë).
Pamje e brendëshme e kazermave të kampit të Tepelenës ku stivoseshin të internuarit nga gjithë krahinat e Shqipërisë. Vizatim i piktorit Lek Pervizi (Belgjikë).
kundërshtarë realë të saj. Ata nuk duhej të merrnin pjesë nëpër partitë e reja që do të krijoheshin, sepse ata nuk duhej të merrnin pjesë në garën për pushtet. Në këtë garë duhej të merrnin pjesë vetëm pasardhësit e komunistëve. Pra komunistët mbasi e sunduan Shqipërinë për 47 vjet duhej ta vijonin sundimin me anën e bijve të tyre...

Mirëpo sot, kur është bërë e qartë se Komunizmi ishte një ideologji e gabuar dhe se sistemi politiko-shoqëror komunist dështoi; nacionalistëve, ballistëve, legalistëve e borgjezëve të dënuar duhet t’u jepen vlerat e merituara në të gjitha fushat.

Eshtë detyrë e shkrimtarëve, studiuesve, gazetarëve dhe politikanëve kryesorë e seriozë, që të punojnë seriozisht për të krijuar opinionin se Shqipëria do të ecë shumë më shpejt drejt Evropës duke u qeverisur prej pasardhësve të ndershëm të grupeve shoqërore që u përndoqën prej diktaturës, sesa duke u qeverisur prej bijve e bijave të komunistëve, shërbëtorë të privilegjuar të ish partisë shtet. Ndershmëria dhe atdhetarizmi dhe jo thjesht shkollimi, duhet të jenë tiparet dalluese të pushtetarëve të Shqipërisë, natyrisht dhe të Kosovës, për t’i siguruar popullit shqiptar shpejt një të ardhme më të mirë.

Qeveria Berisha, në rast se do që të hyjë në histori si një qeveri e vërtetë demokratike, duhet të bëjë përpjekje serioze për të sjellë në pushtet shumë prej pasardhësve të nacionalistëve të ndershëm që tashmë janë formuar në Evropën Perëndimore, SHBA dhe Kanada, si një rrugë për të luftuar e zhdukur korrupsionin, servilizmin, dyfyryrësinë dhe mungesën e moralit të shumë pushtetarëve e opozitarëve të sotëm.



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora