E hene, 29.04.2024, 03:33 AM (GMT+1)

Speciale

Idriz Zeqiraj: Betaja e Loxhës - E vetmja betejë e fituar

E merkure, 21.07.2010, 09:59 PM


BETEJA E LOXHES - E VETMJA BETEJE E FITUAR

 

Kolonel Tahir Zemaj nuk është dezertor. Ai nuk ishte as anarshist. Ai ishte ushtarak kalibri dhe respektonte hierarkinë ushtarake. Sepse ushtria pa komandë është bashibuzukizëm e haxhiqamilizëm, që degjeneron në një bandë grabitëse e vrastare, siç ndodhi, realisht,në Kosovën tonë. Ai kishte epror dhe zbatoi urdhërin. Hapi ushtrimorën në Drojë të Kurbinit dhe përgatiti kuadrin luftarak për Kosharën dhe tërë Kosovën.

                             

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

 

     Të gjitha parashikimet e bëra nga hyjnori President Rugova, kanë rezultuar të sakta. Njëra nga këto parashikime ka qenë se në Kosovë nuk mund të ketë luftë të mirëfilltë, por masakër: Dhe, nga bilanci përmbyllës - rezultoi masakër. Kushdo që mundohet ta trajtojë ndryshe, do të ishte një batakçi e falsifikator i radhës.

 

     Pas masakrave numerike, Kosova u boshatis dhe Serbia e shkeli anëpërtej Kosovën, me përjashtim të Kosharës, e cila mbijetonte në saje të sigurisë ajërore nga NATO - Pakti. Pra, është falsifikim i marrëzishëm të deklarosh se ne, shqiptarët e Kosovës, e çliruam Kosovën, ndërkohë që dështimi në fushë - betejë ishte i pritshëm dhe i tërësishëm.

 

     Mund të ishim më dinjitoz në atë përballje hiç të barabartë, por e majta staliniste e Kosovës e sabotoi luftën, e shtyrë në intriga e krime nga agjentura serbe dhe Sigurimi shqiptar - enverist, që vepronin suksesshëm në Kosovë.

 

     Policia zyrtare e paramilitare sëbashku me administratën serbo-sllave u larguan, "me bisht ndër shalë", nga Kosova, nën breshëritë e bombave të NATO-s, duke u zëvendësuar nga stalinistët e Kosovës, me SHIK-un e tyre, që bënte politikën e kuadrit në Kosovë. Përgjatë të gjithë luftës, kuadri komunist-stalinist  nuk hodhi asnjë pushkë kundër pushtuesit. Përkundrazi, lëshoi në etër lum fjalësh, akuza e gënjeshtra të panumërta kundër Presidentit Rugova dhe partisë të tij - LDK-së, e cila, të paktën, rezistonte branda Kosovës, me aksione të rrufeshme dhe tërheqje të shpejt, për ta shmangur ndeshjen ballore me pushtuesin, gjë që ishte e papërballueshme.

 

     Për habinë tonë, tashmë, në Kosovën e çliruar nga NATO, stalinistët pushtetarë, po aq të dhunshëm sa edhe pararendësit e tyre, u kujdesen të krijonin të ashtuquajturat shoqata dhe organizata "të dala nga lufta", edhepse nuk kishin hyrë fare në luftë!!! Këto do t`u shërbenin për demagogji e terror ndaj kundërshtarëve polititikë.

 

     Janë këto shoqata famëkëqija, që, të instruktuara nga Serbia, në mars - prill 2004 , sulmuan serbët e kishat e tyre! U vranë djem të rinj  shqiptarë, pa kuptuar djallëzinë serbe dhe të veglave të tyre shqipfolës, ndërkohë që organizatorët, përveç arrestimeve disa javore, asgjë nuk pësuan. Për rrjedhojë, Kosova u dëmtua me vrasje, me kallje, me fikje dhe koritje. Ishin këto sulme të marrëzishme, mirë të organizuara nga Serbia, me prijetarë shefat e shoqatave "të dala nga lufta", pa hyrë hiç në luftë, që shkaktuan krijimin fshat e enklavë, fshat e komunë serbe! Dhe, kjo e vërtetë, tashmë e njohur nga të gjithë, heshtet poshtërsisht, duke u lënë hapësirë hafijeve të Serbisë, që, më vonë, të djegin edhe flamujtë e Dardanisë, të denigrojnë, sot,  personalitete dhe heronjtë e Kosovës, të cilët u sublimuan, pikërisht,  për lirinë e Kosovës.

 

     Populli i Kosovës, këto ditë, përkujtoi, me ndjenjen e krenarisë të ligjshme dhe të dhimbshme, betejën e Loxhës - betejën e vetme të fituar. Me këtë rast, Presidenti Fatmir Sejdiu jetësoi porosinë e Presidentit Rugova për dekorimin e kolonel Tahir Zemaj "Hero i Kosovës". Organizata fantomë e "veteranëve të luftës", duke keqpërdorur poshtërsisht dëshmorët dhe invalidët faktik të luftës, reagoi turpshëm, duke bërë etiketime të marrëzishme dhe tërësisht rrugaçërore, si "tradhtar" e "dezërtor" e tjera.

 

     Pas dajakimit të deputetëve në Drenicë, ndërrimi i dhunshëm i komandantit të Dukagjinit, kolonel Tahir Zemaj, është sabotimi i dytë i madh i luftës, për të kulmuar me vrasjen e ministrit të mbrojtjes - Ahmet Krasniqi - sabotimi i tretë, që shënon edhe nismën e dështimit të rezistencës të armatosur në Kosovë.

 

     Heroi i Kosovës, kolonel Tahir Zemaj, ishte jo vetëm ushtarak kalibri, por edhe një politikan për lakmi. Ai mençurisht shmangu provokimin e madh, të gatuar në Tiranë e Beoigrad, për menjanimin e kuadrit profesional nga lufta, duke e zëvendësuar me amator, të cilët,duke qenë të paaftë të përballën me pushtuesin, gjakosën shqiptarët.

 

     Kolonel Zemaj kishte forca të mjaftueshme, për të qeruar hesapet me veglat e dirigjuara nga jashtë Kosovës, por nuk donte gjakderdhjen ndërshqiptare. Dhe, për të mos ndodhur kjo, ishte gati ta përsëriste aktin e bërë, gjatë Luftës Dytë Botërore, të profesor Safet Butkës, komandant i forcave balliste të Shqipërisë Juglindore (Korçës me rrethina), i cili, në momentin kur partizanët e ideologjisë sllaviste ishin gati të mos kursenin gjakun e shqiptarëve, sepse kjo ishte porosi e Dushan Mugoshës dhe e Milladin Popoviçit, e tërhoqi këmbëzën e revolës në temthin e kokës të tij.

 

     Kolonel Tahir Zemaj as nuk tradhtoi dhe as nuk dezërtoi. Përkujdesja e Tij, sëbashku me komandantin e Rugovës - Smajl Hajdaraj, për mbrojtjen e popullatës civile, në tërheqje, ka qenë nga më të mençurat dhe më heroikët në tërë Kosovën. Është e pakuptueshme vonesa e mëtejme për dhënien e titullit të heroit të Kosovës edhe Smajl Hajdarajt.

 

     Kolonel Tahir Zemaj nuk është dezërtor. Ai nuk ishte as anarshist. Ai ishte ushtarak kalibri dhe respektonte hierarkinë ushtarake. Sepse ushtriua pa komandë, është bashibukizëm e haxhiqamilizëm, që degjeneron në një bandë grabitëse e vrastare, siç ndodhi, realisht, në Kosovën tonë. Ai kishte epror dhe zbatoi urdhërin. Hapi ushtrimoren ushtarake në Drojë të Kurbinit dhe përgatiti kuadrin luftarak për Kosharën dhe tërë Kosovën.

 

     Zhvillimet luftarake në Koshare ishin një sëri betejash heroike, një luftë në vijimësi, e cila përfundoi me ndërhyrjen e trupave tokësore të NATO-s në Kosovë. Është thënë dhe pranuar botërisht se Kosharja ishte legjitimim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Por, përderisa të ndahet krimi dhe kriminelët, të "strehuar" brenda kësaj emërtese zëmadhe, le ta themi se Kosharja legjitimoi luftën në Kosovë.

 

     Është fikësuar në prononcime të zëshme kasetore dhe në shkrimet e  kolkonel Zemaj, mospajtimi i tij me kufizimin që iu bë për të mos u rikthyer në luftë në Kosovë, madje këtë e shpreh jo pa habi. Por, eprorët e dinin se qendrat armike të kohës, të zyrtarizimit të largimit të tij nga komanda e Dukagjinit, ishin të gatshme të shkonin edhe mëtej në veprimtarinë e tyre supërkriminale.

 

     Beteja e Loxhës është betejë e vetme e fituar në Kosovë. Madje, ajo është edhe e vetmja betejë ballore me armikun. Dhe, për të vetmen betejë, Beogradi zyrtar ka thënë se "tashmë nuk kemi të bëjmë me grupe bashibuzuke, por me një detashment ushtarak mirë të organizuar e profesional".

 

     Të gjitha rastet tjera, që dikjujt i pëlqen t`i quajë beteja, janë masakra, pa mundësi shpagimi. I tillë është edhe Prekazi, edhe Reçaku, edhe Llapashtica, Krusha e Landovica dhe dhjetra masakra të tjera. Kush i kremton si beteja, imiton Serbinë, si në cilësimin dhe kremtimin si fitore të "Luftës të Kosovës", e humbur shekuj më parë.

 

     Kolonel Tahir Zemaj me shokë, qofshin ata të rënë apo të gjallë, janë heronj, qysh në ditën e betejës të vetme të suksesshme të Kosovës, të zhvilluar në fshatin Loxhë të Pejës.

 

     Në qoftë se vlerësimi bëhet nga kriteret e luftës dhe të rezultatit të saj, siç veprohet kudo në botë, komanduesi dhe fitimtari i betejës të Loxhës - kolonel Tahir Zemaj është hero faktik qysh në përfundim të betejës të Loxhës .Dhe, nëse do ta bënim renditjern sipas përmasës të heroizmit, gjë që nuk këshillöhet, siç bëjnë komunistët, madje me subjektivizëm, kudo që ata  sundojnë, Tahir Zemaj do të ishte DYSHI, pas Presidentit Rugova, i cili, gjithësesi, është NJËSHI i kësaj emërtese të lavdisë kulmore. Sepse po të mos ishte urtësia dhe maturia, tashmë, proverbiale e dr. Rugovës, nuk do t`i vinte radha as heroizmit të Tahir Zemaj me shokë.

 

     Koha dëshmoi se liria e Kosovës është rezultat i paqës dhe jo i luftës. Sepse lufta e nxori tërësisht humbëse Kosovën. Ishte dekada e mençurisë dhe e urtësisë unikale e botërore e dr. Ibrahim Rugovës, me rezistencën aktive, të krijimit dhe të jetësimit të institucioneve paralele dhe e bojkotit masiv absolut të pushtetit serbo-sllav në Kosovë, me lutjet e Tij hyjnore e dinjitoze - në qendrat e vendosjes botërore, që solli bombarduesit e NATO-Paktit, mbi qiellin e ngrysur të Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi.

 

     Këtë të vërtetë të madhe, tashmë ua kanë kujtuar dhe përsëritur manipulatorëve dhe falsifikatorëve stalinistë të Kosovës dy aktorët qendrorë të lirisë tonë: Presidenti amerikan Bill Klinton dhe Kryeministri britanik Tony Blair.

 

     Kuadri i lartë i Ministrisë të Kulturës të Shqipërisë, zoti Enver Bytyqi, në shkrimin e tij me titull: "Heshtja si art i vrasjes të vlerave" shkruan: "Kur Töny Blear e filloi fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, me një mirënjohje dhe përkujtesë për rolin, personalitetin dhe figurën e shquar të Ibrahim Rugovës, kishte në atë sallë deputetë, të cilët ishin zverdhur, ishin nxirë ose ishin  skuqur.

 

      Kundërshtarët ekstremistë të Rugovës ishin zverdhur, sepse ende nuk pajtohen me vlerat monumentale që ai kishte prodhuar. Ata që nuk dëshironin vlerësimin dhe rivlerësimin e emrit të Rugovës, ngaqë u pakësohen "meritat", ishin nxirë. Një pjesë e vogël, e cila ka hedhur baltë mbi presidentin historik të vendit, por që e ndjen peshën e fajit për këtë, ishte skuqur.

 

     Me gjithë dallimet midis tyre, të tri këto kategori "mëkatarësh" kanë diçka të përbashkët: - Duan me çdo kusht që jehona e asaj që pohoi ish-kreministri britanik për Presidentin Historik të Kosovës, të kufizohet në kohë dhe hapësirë, mundësisht të mbetej "pronë" e sallës të parlamentit, pra, të mos bëj vend në median e shkruar dhe elektronike".

 

     Zotëri Bytyqi na e jep bindshëm ndjenjën inferiore dhe shqetësimin e madh që manifestojnë hiç-kushët kundërshtarë të dr. Rugovës dhe tendencën ngulmuese të tyre, për zvetnimin, deri në harresë, të personalitetit të Tij të papërsëritshëm.

 

     Është koha t`u thuhet stop manipiulimeve dhe falsifikimeve të historisë. Pas arkitektit të vënies të themeleve të shkencës luftarake, për mbrojtjen dhe lirinë e Kosovës, të ministrit Ahmet Krasniqi si dhe të zbatuesit faktik të kësaj strategjie - kolonel Tahir Zemaj, tashmë, heronj të Kosovës, duhet të mendohet dhe të veprohet, mençurisht e vendosmërisht, për statusin moral të vlerësimit dhe të dekorimit edhe, për të paktën,  të 950 viktimave, të rëna nga dora kriminale e të majtës staliniste e fashizoide të Kosovës.

 

     Po citojmë vetëm njërin syrësh me emër - kuadrin e lartë të LDK-së, avokatin Shaban Manaj. Tashmë, dihen presionet ndaj Tij, për ta konvertuar partinë. Ai qëndroi stoik në kundërshtitë ndaj stalinistëve, edhepse e dinte përmasën e rrezikshmërisë kushtuese të këtij qëndrimi. Dhe, një kundërshti e kësaj natyre, duke i marrë parasysh pasojat fatale, është më shumë heroike, se sa rënia me pushkë në dorë në një fushë-betejë. Dhe,akti terrorist, i tipit alkaidian, i kryer  në Ozdrim të Drenicës, i torturuar ngeshëm, madje deri në mbytje, i djegur deri në karbonizim, për të terrorizuar një popull të tërë, "ose ne, komunistët në pushtet, ose do t`ju karbonizojmë ju, rugovistëve si zotin Manaj", dëshmon për peshën e qëndresës dhe të krimit - njëherësh. Për të shkëputur fijen e krimit, vrasësit grupor ekzekutuan, më vonë, edhe kreun e tyre, si i akuzuar i parë. Atëherë, pse të mos  shpallet "Hero i Kosovës" martiri i lirisë dhe i demokracisë të Kosovës - Shaban Manaj?!?

 

     Presione të formave të ndryshme kanë përjetuar edhe viktimat e tjera të krimit stalinist në Kosovë, të cilët kanë rezistuar, duke mbrojtur idealet e parimet e lirisë dhe të demökracisë. Le të sjellim ndërmend, qoftë edhe për pak sekonda, skenat makabre të shantazhimeve dhe të kidnapimeve, që përshkruan, saktësisht e besmikërisht, vrasësi i penduar i SHIK-ut - Nazim Bllaca. Dhe, e gjithë kjo qëndresë, ndaj murtajës komuniste-staliniste, e përgatitur në kruzhokët fashizoide të Tiranës, nga sigurimsat vrastarë të Enver Hoxhës, meriton studim, vlerësim dhe shpërblim moral e material të viktimave seriale, kryesisht, kuadro dhe anëtarë të LDK-së dhe të së djathtës të Kosovës.

 

     Presidenti i Republikës Fatmir Sejdiu, ka mbështetjern e pjesës dërmuese të popullit të Kosovës, për të vepruar në bazë të detyrimeve dhe të drejtave, që ia siguron Kushtetuta. Dekorimi i Komandantit të Dukagjinit dhe i strategut të betejës të vetme të fituar në Kosovë, kolonel Tahir Zemaj, është mirëpritur, por pa e justifikuar vonesën.

 

     Presidenti duhet ta fillojë procedurën për dekorimin real e meritor edhe të tre dëshmorëve të kësaj beteje të lavdishme: Rrustem Bruçi, Lumni Surdulli dhe Enver Alaj, si dhe një dekoratë të përbashkët për luftëtarët e mbijetuar, sepse duhet të shquhet e vetmja betejë e fituar nga shumë dhjetra masakra, që, gjithësesi, duhert nominuar me emrin real e adekuat.

 

     Ata që fshihen pas deklaratës të turpshme të "veteranëve të UÇK-së", të dëshmorëve dhe të invalidëve, janë disa të akuzuar dhe të burgosur, si vrasës të shqiptarëve dhe të liruar me marrëveshje të UNMIK-ut me Serbinë, për të vazhduar krimet, me qëllim të diskreditimit të Kosovës në sy të botës.

 

     Familjet e dëshmorëve dhe invalidët faktik të luftës, duhet të distancohen nga deklarata të tilla politike të urryera. Ata duhet ta shpallin botërisht se emërtesa e UÇK-së, është bërë sinonim i krimit kundrashqiptar, sepse për 11 vjet radhazi  vazhdojnë gjyqet e dënimet e kriminelëve vrastarë, politikë, ekonomikë dhe ordinierë. Dhe, çuditërisht, të gjithë të dënuarit mbajnë krenarishëm siglën e "UÇK-së"!!!

 

     Për derisa të saktësohet se çfarë ishte "UÇK-e dhe çfarë janë kriminelët, që thirrën në emër të saj, familjet e nderuara  të dëshmorëve dhe invalidët shumë të respektuar, duhet të emërtohen dëshmorë dhe invalidë të luftës të Kosovës, duke e shmangur tërësisht siglën "UÇK-e", ndonëse në të  është "përzier gjithfarë ujemi". Dhe, ky ndryshim duhet bërë që sot.

 

     Në vendet demokratike të Evropës, ngjitur formularit të kërkesës për shtetësi, ofrohet edhe një listë emërore të organizatave terroriste. Si e tillë figuron "Lëvizja Popullore e Kosovës" (LPK). Por, çdo ditë e më shumë po lakohet edhe emri i UÇK-së. Madje, në shtypin prestigjioz evropian , herëpashere, hasim tituj shkrimesh si: "Skandali Kosovë", "Krimi në Kosovë", "Palaçot e Kosovës" dhe të tjera xhevahire të ngjashme. Dikur UÇK-në e shpëtuan nga emërtesa fatale terroriste Presidenti Rugova, duke i justifikuar aksionet goditëse se, "njerëzit në Kosovë mbrojnë pragun e shtëpisë". Ndësa kolonel Tahir Zemaj, me formacionin  e tij ushtarak e luftarak bashëkohor, dëshmoi se vetëmbrojtja e një populli është detyrë e shenjtë dhe larg çdo kualifikimi tjetër negativ.

 

     Riaktualizimi për t`i dhënë ngjyrime terroriste UÇK-së, ka rrjedhur nga ato qindra krime të bëra në Kosovë, nga grupe bashibuzuke e kriminale, të cilat, paprejashtimisht, fshihen, fallso, pas emrit të UÇK-së.

 

     Prandaj, për të ruajtur vlerat e mirëfillta të luftës në Kosovë, derisa vrastarët të qerohen dhe dënohen, për krimet e bëra, nuk ia vlen as  të përdoret emërtesa, dikur simpatike, tre gërmëshe UÇK-e, sepse UÇK-ja e mirëfilltë ka qenë e angazhuar në luftë kundër pushtuesit dhe jo të vrasjes të shqiptarëve, në pusira e prapa shpine, gjatë dhe pas luftës, siç kanë bërë bashibuzukët e deklaratave të sotme.



(Vota: 62 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora