E premte, 02.05.2025, 10:08 AM (GMT+1)

Speciale

Fritz Radovani: Kur ideali triumfon mbi jetën...!

E enjte, 24.06.2010, 10:00 PM


KUR  IDEALI  TRIUMFON  MBI  JETEN…!

 

(Kujtime… 2 KORRIK 1950)

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Ishte muej Qershor i vitit 1950… Një verë e nxehtë.

Kishe shkue për pushimet shkollore në fshatin e Dajçit të Bregut të Bunës, tek daja i em Don Kolec Prennushi.

Kishin fillue me u pjekë fiqtë shëngjinsa. Unë si fëmijë, u zgjojshe herët dhe hypshe ndër fiqtë nga ana e shtëpisë së vjetër të Lac Gjushit, një mik i vërtetë i dajës…që, ma vonë e patne shpallë edhe “kulak”, ndonse komunistët nuk dinin asgja se, Laca, para vitit 1948, kur pritej arrestimi i dajës, i kishte propozue me u arratisë në Itali, tue i sigurue dajës kalimin me lundër të cilin, Laca, do t’ ia kryente Ai vetë… Don Koleci, nuk ishte pajtue me këte vepër mbasi “…jam betue një ditë mbi Elterë, kur jam Shugurue meshtar se, po, kje nevoja edhe unë do të derdhë gjakun tem si Mësuesi em Jezu Krishti, në krye të Popullit tem, në tokën teme Shqiptare.” (Dajç1948). Unë ruej edhe një kujtim përsonal, kur nipi i Lacës, Paloka, më pat shpëtue nga një mbytje e sigurt në lumin Buna, tek Vau i Dakejve, ku, më rrëshqitën kambët dhe Paloka i shkretë, që pat vdekë i rinj, më nxori nga ujë i lumit në 1948. Nuk shkoi gjatë dhe filloi tragjedia…

Mbas arrestimit të Don Kolecit me 5 Dhetor 1948, dhe qendrimit në hetuesi për 11 muej deri në Tetor të vitit 1949, Ai tregonte se vetminë e vuejtjet e asaj kohë i kishte kalue në podrumin e shtëpisë Fasli Ademit (nën farmaci) dhe një pjesë tjetër tek drejtoria e degës së mbrendshme, në rrugën e re. Aso kohe u patne arrestue shumë klerikë katolik ndër të cilët kujtoj: Don Mark Shllakun, Don Dedë Malaj, Don Zef Gila, At Ferdinand Pali, At Florian Berisha SJ., Don Dedë Plani, i cili edhe vdiq në tortura apo, ndoshta, e mbytën si Don Aleksander Sirdanin dhe Don Pjetër Çunin në gropat e zeza të hetuesisë së Koplikut … ndërsa, tjerët që mbijetuen, pothuej, të gjithë janë lirue njëherit … gjoja “për mungesë provash”, por, edhe si “politikë e zbutun” ndaj asaj që ndiqte terroristi “Koçi Xoxe”, i shpallun armik i popullit…një fakt që Populli Shqiptar e dinte që në kohën kur ai ishte mik dhe bashpuntor i Enver Hoxhës dhe i zëvendsit vet, kriminelit Mehmet Shehu,..por, këta krime u bane të njohtuna botnisht në gjyqin e tij që filloi me 11 maji 1949. Ndërsa, politika me qeverinë jugosllave kishte fillue “ftohjen e saj” me kohë, po lidhjet e sigurimit të shtetit dhe UDB – së”, kanë vazhdue “nën rrëgostë” për shumë kohë… Tashti orjentimi dhe veprimet e qeverisë sonë ishin direkt nën urdhnat e padronit vendeve të Lindjes komuniste, Bashkimit Sovjetik e Stalinit të “math”, prej ku, “buronin” të gjitha…mjerimet dhe vuejtjet e miljona njerzve të skllavruem mbas vendimëve të Jaltës, me vullnetin e presidentit paralitik amerikan Ruzvelt, në vitin 1945.

            Gjatë gjithë hetuesisë, Don Koleci ka tregue se asnjë fshatarë nuk ka pranue me i dalë dëshmitarë ose me lëshue deklarata false për Te. Dhe, Ju lumtë!

            Kujtoj, mbasi daja u lirue nga hetuesia, në darkë kur Ai përlonte kambët,  unë i futshe kambët e mija tek lageni i Tij, dhe, më pelqente me ia ferkue edhe Atij…se, mue më dukej sikur i largoj dhimbjet e tyne, sëpse mbi neje të kambve Ai kishte disa shenja si gropa, që, tezja Rozë, ma vonë, më pat shpjegue se ato gropa i kishin mbetë nga shtërngesa e vargojve në hetuesi…

            Gjendja shëndetsore e Tij ishte vazhdimisht me trazime dhe dhimbje trupi. Gjyshja, Nana Nine u mundonte me ia zgjedhë gojën, si thotë populli, por “një grup tre – katër vetësh i panjohtun” që vinin e shkonin nga Tirana, mbasi rrinin të mbyllun me nga 5 – 6 orë në dhomën e pritjes me dajën, e shqetsonin aq shumë sa asnjëherë nuk mund ta harroj merzinë e Tij ndër ato orë “diskutimesh të pafund…”. Njëditë tezja e marakosun për ardhjen e tyne e kishte pyet, se kush janë e pse vinë, po, daja i kishte përgjigjë shkurt: “Nuk tregojnë kush janë, po nga gjuha kuptoj se vinë nga Tirana, për me më pyet rreth lidhjeve që ka Kisha e jonë me Vatikanin…”. Ndër ata 6 – 7 muej mbas lirimit të klerikve nga hetuesia, në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres, ku ishte vetem Imz. Bernardin Shllaku dhe Don Ernesto Çoba, mbasi Ipeshkvijt tjerë nuk ishin ma, u patne ba edhe dy mbledhje aso kohe, që zbuluen arësyen e “lirimit” të këtyne klerikve nga hetuesia…Qeveria e Tiranës, nëpërmjet gojës së “shokut” Tuk Jakova, i kishte ba të ditun Klerit Katolik Shqiptar, se Papa i Romës dhe Vatikani, janë “armiq të betuar të socializmit” prandej, duhet mendue rruga përfundimtare e shkëputjes. Kleri Katolik kishte ngarkue për shqyrtim të “Projekt Statutit të Kishës Katolike Shqiptare” Don Kolec Prennushin, si teolog i njohtun dhe si konsulent i Tij, për problemet juridike që lidheshin me ligjët e Kushtetutës së Shtetit Shqiptar në fuqi, ishte dr. Av. Emid Tedeschini, i lauruem në Mynih të Gjermanisë, dhe mik i ngushtë e besnik i Don Kolec Prennushit, i cili ishte edhe i vetmi laik që lejohej me kenë prezent ndër mbledhje. Ish xhakojt, ndonjë nga ata që mendonin me u ba meshtarë apo që kishin marrë edhe urdhna mësheftas mbas 1944, nuk janë kenë lejue me marrë pjesë ndër ato mbledhje, kështu, shkrimet apo shpjegimet e atyne që nuk ishin klerikë për atë kohë, nuk janë të sakta, siç, më ka shpjegue për këte fakt At Konrrad Gjolaj OFM., i cili, ka shkrue mjaft gjatë për “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare” (fq. 123 – 129) në librin e Tij “Çinarët”, botue në Shkoder, në 1996, me një Parathanje modeste nga ana eme. Madje, për shkrimet e tyne tue u qeshë, shpesh, thonte: “Shkruejn për Statutin e Kishës, ashtu si për Pjerin Kçirën, që gjoja ka kerkue prift, si me pas kenë aty me te, kur, asnjeni nga ata që shkruejn për këte punë jo, vetëm, nuk janë kenë të arrestuem në hetuesi me Pjerinin, po, njeni prej tyne aso kohe as nuk ka kenë fare në burg…”.

            Çeshtja thëmelore mbi të cilën bazohej kundërshtimi i “Projekt Statutit të Kishës” nga Kleri Katolik Shqiptar ishte kenë, siç, më ka shpjegue At Konrradi, nga argumentët e paraqituna prej Don Kolec Prennushit, se: “Kisha Katolike nuk mund të jetë kurr nacionale, ndonse, Ajo nuk asht kundër nacionalizmit. Ajo nuk pranon asnjëherë identifikimin e Fesë me Kombin. Në pamjen e tyne kristjane dhe teologjike ky identifikim asht i papranueshem dhe jashta kohe, sëpse, Feja do të shndrrohej në ideologji, që nuk asht tjetër veçse tjetërsim i Dogmave të Vërteta të Kishës sonë Katolike dhe Apostolike, Dogma, të cilat, asnjëherë nuk janë kundër dashnisë që besimtarët shqiptarë kanë për nacionalen e tyne.”.

            Dhe, në shpjegimin e ngjarjeve At Konrrad Gjolaj, i pranishëm vetëm ndër dy mbledhjet e para të bame në Argjipeshkvinë e Shkodres, shkruen:

Don Koleci tha: Këta do të na kërcënojnë se do të mbyllim Kishat tueja, në kjoftë se nuk e aprovoni këte Projekt Statut, kështu si asht këtu. Ky Projekt nuk duhet aprovue prej nesh, se edhe mbas aprovimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurt se do t’ na thonë se, do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me e ba shka kanë ndër mend sot, se ma vonë. Le të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe, nesër, prap kanë me na mbytë, por na do të vdesim me faqe të zezë. E, nuk duhet me harrue se me këta, na jemi hupë se hupë. Komunistat kështu kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që po i njohim se kush janë.

Këta janë gjithkund njësoj..!”

            “Unë do të qendroj në këta mendime, fjalë tjetër s’ kam!”

            “…Zgjedhja e ipeshkvijve nga qeveria, asht shkatrrim i Kishës.”(fq. 125).

 

            Me datën 25 Qershor 1950, Don Koleci kishte 25 vjetorin e Meshtarisë.

            Nga gjysma e qershorit, Ai nuk ndihej mirë edhe nga një temperaturë që nuk i ndahej. Për këte, Ai vendosi me u nisë për Shkoder për me kenë në kontroll të mjekve. Atë ditë që do të nisej unë dhe kushrina eme Terezina, donim me shkue me e përcjellë deri tek vau i kalimit Bunës. Ai për mos me na ba me ecë në atë vapë që ishte mjaft e madhe, mu afrue dhe më tha në vesh: “Fritz, ban mirë me ndejë këtu tek qela, se mos vinë komunistat e mi vjedhin librat..!”, dhe, unë bashkë me Terezinën, që ishte ma e vogël se unë, vazhdueme me luejtë…

            Don Koleci shkoi në Shkoder, ku, Nana eme nuk i lente asgja mangut…

            Ishte nën kontrollin e dr. Karagjozit dhe dr. Pjetër Prelës. Të dy të njohtun dhe shumë të aftë si mjek. Dr. Karagjozi kalonte orë tue bisedue me Te në gjuhë gjermane dhe kënaqej nga bisedat interesante që banin njenimetjetrin. Ditën e diele, me 2 Korrik, mbas vizitës që i bani dr. Karagjozi, nana eme i solli një kafe doktorit dhe një filxhan qumësht Don Kolecit, që ishte i shtrimë në shtrat dhe po bisedonte me doktorin. Don Koleci tue dashtë me shtri dorën për me marrë filxhanin, këputët dhe bie në një krah, tue ju drejtue nanës s’eme: “Vidë, më thirrni shpejtë Don Erneston..!”. Dr. Karagjozi dallon një arritmi të theksueme zemret…ndërsa, prof. Gaspër Ugashi, që ndodhej në kuzhinë vrapon dhe shkon tek Don Ernesto Çoba në Argjipeshkvi dhe mbas pak minutash Ai ndodhet tek Don Koleci…Kur Don Ernesto doli nga dhoma ka tregue se, Ai, i tha këto fjalë: “Don Ernesto, më nep të zgjidhun se janë tue më pritë një tubë engjuj, mbasi më asht hapë qiella e më duket se po shkoj tek Jezu Krishti...” dhe, ka ra n’ agoni…

            Rreth orës 14.00 dr. Karagjozi dhe dr. Prela konstatojnë vdekjen e Tij.

            Nga darka vonë, arriti në Dajç, një mik i yni Pashko Berisha, i cili, solli lajmin se: “Don Koleci i asht lutë me i thirrë Nanën e vet Ninën…” dhe, për këte Pashko kishte ardhë me ia plotësue dëshirën... U nisme të gjithë për Shkoder...

Mërritëm kah mesnata tek shtëpia, ku, dritat ishin të ndezuna dhe në krye të shkallës kryesore ishte një mik dhe komshi i yni, Gjovalin Prendi, i cili, lajmoi mërritjen tonë, por njëkohsisht vaji i Nanës seme na njoftoi vdekjen e dajës…

            Daja ishte i veshun Meshtar dhe dukej sikur po buzqeshte i vdekun…

            Me datën 3 Korrik, mbasdreke, Ju ba salikimi në Kathedrale, tek Elteri i Zonjës me shtatë hanxharë, në fundin e Kishës, ku, përveç Don Ernestos, ishte edhe Imz. Bernardin Shllaku dhe fratel Ljarja…Kishte shumë fshatarë nga të gjitha fshatrat e Bregut të Bunës dhe qytetarë të Shkodres…mungonin xhakoj e priftën, shumica e të cilëve nuk kanë marrë pjesë nga frika…

Vorrimi u ba në Rrëmaji, në Shkoder.

At Frano Kiri, më ka pas tregue nga viti 1961 se, aso kohe në 1950, mbas vdekjes së Don Kolecit, kishte shkue në burgun e Burrelit Hilmi Seiti, kryetar i Seksionit të Mbrendshëm në Shkodër, bashkë me një oficer të naltë nga ministria e mbrendshme, dhe kishin thirrë: At Donat Kurtin, At Pjetër Meshkallën e At Franon. Hilmia i ka tregue se bisedohet për një “Statut të Kishës”, projektin e së cilës, ia kishte sjellë me vedi edhe atyne. Ne, po ua japim ju, shikojeni dhe na jepni mendimin tuaj, u kanë thanë ata dy... At Donati pa mbarue mirë fjalën ata, u kishte thanë: “Na e kemi Statutin e Kishës, se atë Statut e ka lanë Krishti, prandej, ketë që doni me ba ju, banje me ata që e keni fillue!”

Kanë pyetë At Meshkallën, edhe Ai i ishte përgjegjë: “Nuk kam çka i shtoj as çka i mungoj fjalës At Donatit”. Kanë dalë për dere të dy tue i sha e kërcënue: “As nuk keni për të dalur ndonjëherë nga ky vend!...”

            Në vitin 1951, Statuti u aprovue nga kleri katolik por, jo, si dëshroi shteti komunist. Kleri  Katolik Shqiptar asnjëherë nuk asht shkëputë nga Vatikani edhe pse nuk ka pasë mundësi asnjëherë me u lidhë direkt, Ai ka kenë gjithënjë i vëndosun në njohjen e Papës dhe të Vatikanit. Të vetmit që nuk e kanë firmue atë Statut ishin Don Dedë Malaj, Don Ejëll Kovaçi dhe At Konrrad Gjolaj.

 

            Disa mendime të përsonalitetëve kishtare të asaj kohë për Don Kolecin:

            At Zef Valentini SJ., e ka cilësue: “…il futuro Cardinale d’ Albania”

            At Gjergj Fishta OFM., i tha Nanës Don Kolecit (rreth vitëve 1915 – 16): “…Ai do të bahet nji prift i mbrekullueshëm, se ia kishte shndritë Zoti deri edhe ftyrën, kur e kishte thirrë për Meshtar.”

            At Pjetër Meshkalla SJ., shkruen në kujtimet e Tija: “Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur ishe në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjen e mikut tem të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit.”

            Kardinal Mikel Koliqi, tha (në vitin 1951): “Don Kolecin e paska dashtë Zoti ma fort se ne të tjerve, …Ai vdiq me faqe të bardhë. Zoti e mori për mos me e lanë me ra në durtë e këtyne, ndërsa, halli i jonë nuk po dihet, por ishalla edhe ne na ruen që mos të turpnohemi. Vullnesa e Tij u baftë!”

 

Don Kolec Prennushi  (1 Janar 1902 – 2 Korrik 1950),  vdiq në moshen 48 vjeçare…Ai nuk arriti me festue 25 vjetorin e Meshtarisë…

Edhe pse Ideali i Tij, kishte triumfue mbi jetën…

 



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Luan Rama: Skënderbeu dhe “Duka i Madh” i Përëndimit Pilo Zyba: Një udhëtim në botën shpirtërore të tyre Etleva Lala, Musa Ahmeti: Át Mate Zoriciq, një histori e pabotuar për Skënderbeun nga viti 1752 Ali Sh. Berisha: Masakrat në Bashkinë e Llukarit dhe lagjet përreth të Prishtinës (I) Etleva Lala, Musa Ahmeti: Skënderbeu në dorëshkrimet e panjohura të arkivave kroate Behxhet Dibrani: Procesi i islamizimit në Kosovë gjatë shekujve Eduard M. Dilo: U promovua në Washington DC libri i Leka Tasit ''Grabjani rrëzë kodrave'' Beqir Cikaqi: Hysen Uka, i mbijetuari i masakrës së Tivarit! Halit Bogaj: Jevrem Bërkoviq dhe miqësia e tij ndaj shqiptarëve Ali Sh. Berisha: Masakrat në Bashkinë e Llukarit dhe lagjet përreth të Prishtinës Fritz Radovani: Në Shkodër – 10 vjet nga terrori komunist, janë vepër e kriminelit Hilmi Seiti Behxhet Dibrani: Kriptokrisitianizmi (Laramania) si proces në Kosovë gjatë shekujve XVIII-XIX Saime Isufi: Kontributi i gruas në lëvizjen tone kombëtare për çlirim Fatbardha Demi: Shkruesit e historisë duhet të jenë njerëz të lirë Avzi Mustafa: Imam Vehbi Ismaili, një hallkë e rëndësishme e traditës islame shqiptare Joan Pelushi: Kriptokrishterizmi në Shqipëri Xhemaledin Salihu: Presheva heshtazi po e humb rëndësinë e qendrës rajonale të krijuar në shekuj Besim Muhadri: Hasi - Arterje kryesore e luftës së UÇK-së Behxhet Dibrani: Gjendja e popullatës katolike shqiptare të Kosovës gjatë shekujve Agron Shabani: Kur zoti nuk harron...

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx