E merkure, 01.05.2024, 02:11 AM (GMT+1)

Speciale

Behxhet Dibrani: Gjendja e popullatës katolike shqiptare të Kosovës gjatë shekujve

E marte, 01.06.2010, 09:59 PM


Gjendja e popullatës katolike shqiptare të Kosovës gjatë  shekujve

 

Nga Behxhet Dibrani

 

Gjendja e popullatës katolike shqiptare duke filluar nga sundimi i Samuilit, kur Ohri qe shpallur Kishë e pavarur mitropolive nuk ishte e mirë.[1]

Edhe më vonë në vitin 1303 me kërkesën e arqipeshkvit të Tivarit Marinit, Benedikti XI  ia dha të drejtën t’i emëroj dhe ndërroj udhëheqësit e kishave në  Bërskovë, Rudnik, Rrogoznë, Trepçë e Graqanicë, krejt kjo bëhej për arsye se ipeshkvijtë e këtyre anëve nuk e respektonin dhe praktikonin ritin e kishës së Romës.[2]

-Pra kjo ishte një tregues i qartë se qysh në shek. XIV involvimin e kishës lindore e cila tentonte t’i përvetësonte dhe njëkohësisht të mos i   respektonte parimet që lidheshin me   kishën   perëndimore. Ndërsa sa i përket popullatës vendase ata vazhdonin t’i qëndronin besnik Papatit në shumicën e vendeve  të lartpërmendura.

Por çrregullimet ndodhnin si rezultat i mos disiplinës të udhëheqësve zyrtarë fetare të cilët ndikoheshin nga kisha lindore dhe krejt kjo ndikonte  negativisht  te  popullata  vendase .

-Edhe në kohën e   Stefan   Dushanit (1331-1355), nuk ka lajme të mira sa i përket sjelljes së tij me popullatën vendase katolike shqiptare, raportet flasin që sjelljet e tij ishin mjaft të vrazhda  ,të cilat nuk mund të ishin të pranueshme për Papatin, një rast i tillë ndodhi kur u rrahën të dërguarit e Papës, në përgjithësi përshkruhet një situate e mjerë e popullatës vendase.[3]

Edhe pse kur Stefan Dushani e dërgoi e ipeshkvin katolik Marku nga Shkodra për të treguar kalimin nën autoritetin e Romës, prapë se prapë me kodin e shpallur më 1349 situata reale  në teren tregonte për një gjendje të vështirë të besimtarëve katolik vendas. Mjafton të përmendim disa nga dispozitat e kodit; ku katolicizmi shpallej si herezi latine, kur prifti katolik dënohej nëse kthente ndonjë ortodoks në katolik si dhe ndaloheshin martesat e përziera.[4]

Roli i klerit katolik shqiptarë në proceset e gjithëmbarshme politiko-shoqërore ishte i madh, në këtë kontekst vlen të përmendim Formulën e Pagëzimit më 1462 si dhe Marin Barletin   me shkrimet e tij për Skënderbeun, për të cilat u njoh opinioni  i atëhershëm evropian me aktivitetet dhe luftërat e popullit shqiptar. Me këto shkrime Barleti ngriti Gjergj Kastriotin në piedestalin më të lartë.[5] 

Edhe gjatë shek. XVI -XVII,  Ballkani  qe i kapluar nga lëvizje dhe përndjekje të rrymave  politiko-fetare të cilat  vepruan edhe në Kosovë. Kongregata duke parë këtë situate më 1634 dërguan grupin e parë të misionarëve françeskan në viset shqiptare më 1636 grupin e dytë, të cilët do të fillonin ndërtimin e kishave dhe zhvillimin e aktiviteteve fetare dhe hapjen e shkollave fetare. Një nga këto qe edhe Kisha e Zymit. Për kuvendin franqeskan në Zym flasin edhe relatorë të ndryshëm të cilët thonë që deri më 1701  Zymi ka qenë rezidencë e prefekturës françeskane[6].

Me prishjen e rendit françeskan më 1688 në Zym famullitar ishte Pjetër Zoganji, me të cilin fillon rendi i  ri  dioqezian dominikan, të cilën famulli e mbajnë gjatë gjithë shek. XVIII. Gjatë luftërave austro-osmane kjo kishë së bashku me atë të Janjevës shpëtuan dhe këtu vlen të përmendet që gjetën strehim krye ipeshkvi i Ipeshkvisë Shkup-Prizren Pjetër Karagiqi etj

Kjo famulli sipas relatorëve i takonte juridiksionit të Ipeshkvisë së Prizrenit. Pas luftërave austro-osmane  fusha e veprimit të klerit katolik u keqësua shumë, zyrtarët osman filluan t’i ndiqnin duke pare si rrezik aktivitetin e tyre dhe e ndërlidhin atë me aktivitet politik, kështu kleri katolik mbi kurrizin e vet përjetoi dhunë fizike e morale deri në ekzekutim, në këtë mënyre përfunduan një plejadë e tërë ne po i përmendim disa prej tyre si;Pjetër Budi, Dom Andre Kalimashi, Pjetër Mazreku, Pjetër Bogdani, Anton Pavloviqi misionar apostolik i Trepçës Vushtrrisë dhe Prishtinës kontributi i tyre i tejkalonte përmasat fetare dhe ishte i ndërlidhur edhe organizimin e luftës çlirimtare kundër pushtetit osman.[7]

Pushteti osman nuk u ndal me kaq raportet flasin për plaçkitje të kishës së Janjevës tri here radhazi gjatë vitit 1688, forma tjera të presionit nga nëpunësit osman në këtë kohë përmenden kur klerikët mbingarkoheshin me pagesa dhe fshatra të tëra iu nënshtroheshin grabitjeve të organizuara nga qeveritarët osman, kishte raste kur osmanët nuk pranonin as para por vepronin në mënyra të liga duke përdhunuar gra dhe djegur shtëpi të shqiptarëve katolik.[8] Një rast i tillë  ndodhi  nga  Sanxhakbeu i Dukagjinit.

Mjafton të përmendim rastin kur Pjetër Bogdani gjatë një vizite pune në Novo Bërd u arrestua dhe u dënua pas shumë lutjeve dhe pagesave të majme u lirua, por prapë në vitin 1689 forcat ushtarake osmane ia dogjën shtëpinë dhe të zhveshur lakuriq e shëtitën nëpër Prizren dhe u rrah deri për vdekje, zyrtarët osmane nuk u ndalën vetëm me kaq, pas disa ditësh të vdekjes së tij trupi i tij u zhvarros dhe iu hodh qenve për të ngrënë, raportet e kohës flasin për një realitet të tillë me të cilin u ballafaquan  popullata vendase e ritit katolik si dhe udhëheqësit e tyre në fillimet e shek. XVIII.

Si rezultat i presioneve nga më të ndryshmet dhe vëshëtërsimit të jetës së popullatës katolike vendase kemi edhe fillimin e një procesi të vështirë dhe mjaftë të komplikuar të Kriptokristianizmit (laramanisë) i cili proces i komplikoi mjafte raportet e klerit vendas me Romën.

 



[1] Gaspër Gjini “Ipeshkvia shkup-prizren nëpër shekuj” Drita Ferizaj 1986 fq.90

[2] Vepra e cit.fq 93

[3] Vepra e cit. fq 93

[4] Po aty fq 97

[5] Isak Ahmeti “Kleri katolik shqiptarë dhe letërsia” Ferizaj 1994 fq.22

[6] Nikollë Kërhanaj,at Ndue Kajtazi “Zoja e Hasit “ Zym 2000 fq.15

[7] Petrika Thëngjilli “Shqiptarët midis lindejs dhe Perëndimit 1506-1839” Tiranë 2002 fq.128

[8] Po aty fq.123



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora