Speciale
Fejzulla Shabani: Mendime dhe horizonte për librin më të ri të Prof. dr. Vebi Xhemaili
E enjte, 20.05.2010, 09:58 PM
Mendime dhe horizonte për librin më të ri të Prof. dr. Vebi Xhemaili
Me titull:
”SHQIPTARËT E MAQEDONISË NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE” (1941-1945)
Nga Prof. Dr. Fejzulla Shabani
Tezat e paraqitura në librin më të ri shkencor të Prof. Dr. Vebi Xhemailit, “SHQIPTARËT E MAQEDONISË NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE (1941-1945)”.
Historia e shqiptarëve të Maqedonisë është pjesë e pandarë e trashëgimisë historike të popullit shqiptar, kërkesat kombëtare që kanë mbetur sot e kësaj dite gjithnjë pezull, është tejet e dhimbshme me plot sakrifica gjatë historikut tonë. Shqiptarët si popull më i vjetër midis Ballkanit të parët çuan zërin kundër Perandorisë Romake, Bizantine dhe asaj turke. Shqiptarët të njohur në histori si liridashës shpeshherë kërkuan edhe aleatë Ballkanikë për çlirim të përbashkët nga betejat e lavdishme të Skënderbeut e deri më sot.
Në këtë monografi kushtuar luftës së shqiptarëve të Maqedonisë gjatë luftës së Dytë Botërore 1941-1945, bëhen përpjekjet e para në historiografinë tonë më të re, të thuhet e vërteta historike “se kush luftoi për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare në Maqedoni”.
Sipas autorit, pas luftërave ballkanike dhe okupimit të territoreve shqiptare nga ushtria serbe në vitin 1912, dhe rrënja e territoreve shqiptare nën sundimin e saj për 30 vjet, deri më 1941, pozita ekonomike dhe politike e shqiptarëve ishte tejet e vështirë. Në këtë kohë kishte filluar aplikimi i reformës agrare dhe kolonizimit, ku u merrej toka shqiptarëve dhe u jepej kolonistëve serbo-malazez. Populli përjetonte varfëri të pa parë deri në këtë kohë, duke marr rolin e lypësit, e cila çonte kah asgjësimi i plotë. Dita ditës shtoheshin kërkesa absurde të borgjezisë serbe kundrejt shqiptarëve si metodë më e sigurt e çrrënjosjes nga trojet e tyre etnike. Por, me këtë ndryshim të ngadalshëm të strukturës së popullsisë në territoret etnike shqiptare, nuk ishin të kënaqur ideologët e politikës borgjeze serbe. Prandaj ata në prag të fillimit të luftës Dytë Botërore ose më saktësisht në vitin 1938 aplikuan edhe projektet e akademikëve serb për shpërngulje masive të shqiptarëve për Turqi. Kjo marrëveshje për shpërngulje të shqiptarëve kinse ata janë turq, u nënshkrua midis dy qeverive, asaj serbe dhe turke. Me këtë marrëveshje tani më legalizohen presionet e pushtetit Jugosllav në të gjitha fushat kundrejt shqiptarëve, ata merrnin dimensione të paparashikuara.
Kjo monografi e pagëzuar “Shqiptarët e Maqedonisë në mbrojtje të Shqipërisë Etnike 1941-
Pra, veprimtaria kombëtare e Frontit nacionalist të komanduar nga Xhemë Gostivarit me bashkëluftëtarë, sot ka hy në historinë tonë më të re si forca kombëtare, meriton një studim të mirëfilltë dhe sa më objektiv para brezave të rinj. Por, duhet theksuar se nuk ka dy të vërteta, nuk mund të pranohet ajo që po tenton me plotë falsifikime të shkruan pala serbe dhe ajo maqedonase për këtë veprimtari kombëtare të forcave nacionaliste të komanduar nga ky kolos shqiptar nga mbarimi i luftës deri më sot. Forcat Kombëtare kanë mbrojtur pragun e shtëpisë kundër rikthimit të sundimit serb apo sunduesit e rij të pagëzuar sllavo-komunistë. Kjo ideologji komuniste ka tentuar ti bindë shqiptarët se ata kur të vinë në pushtet do ti zgjidhin problemet e shqiptarëve në lidhje me reformën agrare dhe kolonizimin, do tu kthej tokën e grabitur me reformën agrare. Kjo propagandë komuniste u zhvillua edhe më fuqishëm gjatë luftës së Dytë Botërore. Por me mbarimin e luftës u pa medalja e kësaj ideologjie tejet të rrezikshme, e cila ka pasur po ato qëllime ekspansioniste si Mbretëria Jugosllave ndaj zgjedhjes së drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë dhe Preshevë.
Në këtë distancë kohore studiuesit dhe historianët e shteteve të huaja ballkanike, fuqishëm i kanë besuar propagandës komuniste, ideologjia e saj arriti me oratorinë e vet propaganduese ti verbojë jo vetëm historianët titist, por ajo shkoi aq lagë sa që verboi edhe një pjesë të historianëve shqiptarë të cilët u besonin pa masë veprimeve komuniste. Në fund del ky konstatim, ideologjia komuniste ua mbylli gojën para fakteve të gjalla studiuesve shqiptarë, ku si rezultat të fundit konstatonin, sikur i ka lindur një nënë: “Fronti i Bashkuar Nacionalist (Balli Kombëtar) ka bërë kërdi mbi popullatën e pafajshme sllave”. Ndërsa në Shqipëri këto forca u shpallën tradhtare dhe u quajtën bashkëpunëtorë të fashizmit. Në Jugosllavi komunistët shqiptarë për kolltuqe u shitën para pansllavizmit, i cili më se një shekull ka luftuar të gllabëroj tërë Shqipërinë.
Me këtë medalje të ideologjisë, komunistët në emër të vëllazërim bashkimit arritën ta fusin në harresë veprën kombëtare të Forcave Nacionaliste e cila gjatë viteve 1941-1944, e udhëhequr nga bijtë më të mirë të kombit shqiptar, kudo që kanë vepruar kanë qenë në piedestal, për të mirën e Shqipërisë dhe popullit të vet. Ndërsa akuzat kundër Ballit Kombëtar nuk qëndrojnë, pasi Balli kurrë nuk ka qenë në ekzekutivë as në Shqipërinë politike as në Kosovë. Ndërsa këtu në pjesën e Maqedonisë shqiptare, vepronin forcat e shëndosha kombëtare në krye me ideolog të shkolluar: si dr. Xhafer Sulejmani, Shaip Kamberi, Kadri Saliu, Mentor Çoku, Murat Llabënishta, Gajur Derralla dhe shumë patriotë të tjerë.
Sot e kësaj dite mbisundon bindja se kjo pjesë e historisë sonë kombëtare është më errët dhe më e hidhura, njerëzit e gjallë dhe pjesëmarrësit e kësaj historie tragjike të kombit tonë nuk duan fare të flasin për detaje, te ato shihet një dhimbje, në sytë e tyre të lotuar. Ata kanë shumë dhimbje të mëdha brez pas brezi. Në takim të parë ata kur flasin për këto ngjarje trishtuese janë të rezervuar dhe nuk kanë disponim, pasi nga brendia e shpirtit të mbledhur me dekada për abuzimet që u ka bërë pushteti komunist, për ato vuajtje që patën shqiptarët si këndej po ashtu edhe andej kufirit shqiptar, ku sundonte në mënyrë absolutiste Enver Hoxha dhe klika e tij. Ky terror kurrë nuk harrohet, për djemtë, vëllezërit, familjet, dhe bashkëveprimtarët e forcave nacionaliste që flijuan veten, për një ardhmëri më të lumtur, për një Shqipëri të bashkuar dhe demokratike.
Në bazë të dokumenteve ekzistuese shihet qartë për një organizim të mirëfilltë të pushtetit shqiptar të udhëhequr nga forcat nacionaliste në një territor të lirë nga Kërçova deri në Shkup. Pra periudha nga 10 shtatori deri më 16 nëntor, kur Tetova u dorëzohet komunistëve shqiptarë, merret si periudhë e qeverisjes së Shtetit shqiptar të udhëhequr nga forcat nacionaliste në krye me ideologun Shaip Kamberin dhe Komandantin e Përgjithshëm të Forcave Vullnetare Shqiptare Xhemë Has Gostivarin dhe dy ndihmësit e tij Mefail Zajazi dhe Arif Tetova-Dragomanci.
Në këtë periudhë të vetëqeverisjes shqiptare të udhëhequr nga forcat nacionaliste në pjesën e Shqipërisë Lindore (sot Maqedonia Perëndimore), Historiografia maqedonase dhe ajo serbe tentojnë të nxinë veprimtarinë kombëtare shqiptare, në të gjitha fushat e administrimit, duke e quajtur “si periudha më e vështirë për sllavët e Maqedonisë, (bullgarëve dhe serbëve)”.
Në këtë interval kohor pushteti shqiptar ka funksionuar i pavarur me të gjitha organet shtetërore: si policor, juridik, civil, arsimor deri te ai komunal, që udhëhiqeshin nga vetë shqiptarët, Në kuadër të shtetit funksiononte edhe Ushtria Vullnetare Shqiptare, për mbrojtjen e vendit nga depërtimet e forcave komuniste.
Por për këtë periudhë kemi shumë raporte të diplomacive të huaja e në veçanti ato anglo amerikane, që dëshmojnë për rend dhe rregull të shqiptarëve, duke funksionuar të gjitha institucionet shtetërore. Po ashtu, sot ekzistojnë fakte dhe dëshmi të reja nga anëtarët e Parisë Komuniste, e në veçanti nga pala maqedonase:”Se periudha e Xhemë Hasës ka qenë shumë e sigurt, si në aspektin e sigurisë, rendit, dhe barazisë, po ashtu edhe në atë ushtarak-ku vetë Xhema si Komandant i ka mbrojtur nga internimi”. Pra, këto akuza kundër pushtetit të shqiptarëve gjatë Shqipërisë së bashkuar fare nuk përkojnë me të vërtetën e funksionimit të shtetit shqiptar. Pasi ato vetë pranojnë se dr. Xhafer Sulejmani, Hysen Derralla, dhe Xhemë Hasa nuk kanë lejuar veprime negative ndaj popullsisë jo shqiptare.
Në gazetën “Zani i Sharrit” shihet qartë një urdhër i Komandantit të Forcave Vullnetare të Xhemë Hasës, kur ky kërkon për të gjithë; siguri, qetësi dhe rend, pa marr parasysh përkatësinë nacionale të tyre. Ky urdhër i Komandantit të Përgjithshëm u botua në gazetën shqiptare “Zani i Sharrit” në tetor 1944. Po ashtu, Komandant Xhema për sjellje të pahijshme dhe jo korrektësi në veprimet e tyre luftarake largon shumë grupe vullnetare me çetat e tyre. Një ndër ta ishte edhe çeta e Sherif Zhelinës dhe bashkëluftëtarëve të tij. Të cilin e pastron nga veprimi i mëtutjeshëm politiko-ushtarak.
Në bazë të rezultateve të arritura në këtë punim shkencor mund të konstatojmë: se, lufta e forcave vullnetare në krye me Xhemë Gostivarin është lufta e drejtë, për mbrojtjen e shtetit etnik Shqiptar të themeluar gjatë luftës së Dytë Botërore 1941-1944.
Prandaj, jemi të bindur se forcat nacionaliste që u bashkuan me Partinë e Bashkim Kombëtar ishin më largpamëse se të gjitha forcat e tjera politike që u paraqitën gjatë vitit 1941, në Shqipërinë e Ahmet Zogut, për të marrë pushtetin në Shqipëri: si PKSH, Balli Kombëtar dhe Legaliteti. Në Shqipëri fituan komunistët të mbështetur nga emisarët dhe politika jugosllave. Nuk ka nevojë për koment, pasi dihet se si arritën komunistët shqiptarë të marrin pushtetin, duke mashtruar masën e gjer popullore dhe fshatarësinë e saj: “se Kosovën dhe viset tjera shqiptare do ti bashkojmë pas mbarimit të luftës”.
Por aspak më të mirë nuk kanë qenë partizanët shqiptarë në Maqedoni, Ata e kishin harruar kombëtaren, këta nuk kryenin asnjë veprim politiko-ushtarak pa pyetur komandën serbo- maqedonase. Për çudi të gjithëve, veprimtaria e partizanëve shqiptarë në Maqedoni ka qenë e pamundur pa “vëllezërit sllav”. Udhëheqësit dhe komandantët shqiptarë për problemet ndër shqiptare shpesh kanë njoftuar komunistët sllavë: si në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni. Më i freskët është rasti me Organizatën Partiake të Dibrës, të cilët e ftuan Tempon që të lidhen me Partinë Komuniste të Jugosllavisë. Ndërsa pas kapitullimit të Italisë Tempo e shpalli Kërçovën zonë të lirë të partizanëve.
Për historinë e popullit shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni, faktor tejet me rëndësi është të theksohet pjesëmarrja e njësiteve partizane të Enver Hoxhës këndej kufirit, kjo pjesëmarrje me direktivë në operacionet luftarake ka pasur peshë të madhe politiko-ushtarake në kalimin e shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore nga krahu komunist. Enver Hoxha, dha urdhër për pjesëmarrje direkt, njësiteve të veta në luftë kundër forcave nacionaliste shqiptare. Ky veprim do të shtojë besimin te ushtarët partizanë të Titos të cilët deri në këtë kohë nuk guxonin të hynin në qytetet shqiptare të Maqedonisë. Operacionet e përbashkëta të partizanëve të Enver Hoxhës dhe Titos, kanë pasur pasoja negative për disfatën e forcave vullnetare që luftonin në mbrojtje të Shqipërisë Etnike kundër ardhjes së komunizmit në trojet shqiptare. Operacionet e përbashkëta të partizanëve kanë ndikuar negativisht te disa shqiptarë të luhatshëm që ti besojnë kësaj propagande komuniste e cila paraqitej si shpëtimtare midis dy popujve, duke krijuar parullën e vëllazërim bashkimit midis dy etnive, për çlirimin e Jugosllavisë. Komunistët shqiptarët u besonin më shumë komunistëve sllavë, se sa forcave nacionaliste. Kjo ishte arsyeja e bashkëpunimit me ta.
Në bazë të fakteve del se udhëheqësit komunist shqiptarë në krye me Enver Hoxhën, “ishin të bindur se ky veprim ishte i drejtë dhe i qëlluar politikisht”. Prandaj PKSh kërkonte vendosmërisht bashkëpunim midis partive komuniste serbo-shqiptare dhe serbo maqedonase edhe në aspektin ushtarak. Enver Hoxha deklaronte; “Se me këtë bashkëpunim ushtarak sigurohet ardhmëria e shqiptarëve në një shtet të bashkuar”. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë do të kishte garanci të plota, pas mbarimit të luftës, për të kërkuar Kosovën. Pra, të dy partitë komuniste propagandonin se kjo është garanci për realizimin e kërkesave shqiptare, që trojet etnike të banuara me popullatë shqiptare pas mbarimit të luftës do të bashkohen me shtetin amë.
Pas mbarimit të luftës, komunistët e Titos nuk e pranonin ndihmën e ofruar të partizanëve shqiptarë. Komunistët jugosllav pas luftës nuk pranuan deklaratat e Titos të botuara në gazetën “Proletar”, se shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë do të fitonin të drejtën për vetëvendosje pas mbarimit të luftës së Dytë Botërore. Por në anën tjetër duhet theksuar se komunistët titistë dhe Beogradi, paraqitën platformën e saj edhe gjatë luftës: “se Jugosllavia dhe kufijtë e saj janë të paprekshëm”, por komunistët shqiptarë sikur nuk i kuptonin këto fjalë të komunistëve jugosllav : “Se Jugosllavia duhet me çdo kusht të ruaj stabilitetin e brendshëm në kufijtë ekzistues, të caktuar nga Fuqitë e Mëdha në Paqen e Versajit më
Nga ana tjetër duhet pranuar se Forcat nacionaliste të komanduar nga Xhemë Hasa në Maqedoni e ruajti vizionin një komb një popull. Ky kërkoi nga bashkëpunëtorët e vet të jenë të kujdesshëm në luftën që do të pasojë midis forcave vullnetare që vepronin në Strugë, Dibër, Kërçovë, Tetovë, Shkup deri në Kaçanik. Komandanti Përgjithshëm i Forcave Vullnetare e kishte bërë të qartë çdo ushtari vullnetarë se nuk guxon të vritet shqiptari edhe pse lufton në anën e komunistëve. Xhema deklaronte:” ne si shqiptarë jemi të gjithë nga i njëjti gjak, prandaj s’guxojmë të vrasim njëri tjetrin”.
Komandant Xhema, partizanët shqiptarë të kapur rob në fushë beteja nuk i vriste, por i lëshonte të shkojnë nëpër shtëpitë e veta. Për këtë vepër madhore të Xhemë dëshmon Komisari politik Brigadës së VII Shqiptare Qemal Agolli. Por, të njëjtën gjë e dëshmon edhe Qazim Lusha, i cili ishte prezent në betejën te fshati Kollar, kur Xhema ia fali jetën Xhafer Kodrës me disa partizanë tjerë shqiptarë. Këtu duhet përmendur edhe dy zëvendësit e tij: Mefailin me Arif Tetovën, të cilët nuk merrnin asnjëherë vendime pa pëlqimin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave Vullnetare të Xhemë Has Gostivarit. Pra, këtu qëndron madhështia e kësaj lufte mbrojtëse të forcave nacionaliste që vepronin në shtetin etnik shqiptar, pasi respektohej fjala e Komandantit Suprem.
Në këto rrethana lufte, kah fundi i vitit 1944 u ndërlikua edhe më shumë situata politiko-ushtarake, pasi duhej luftuar edhe armikun sllav edhe bashkëpunëtorët e tyre. Pra lufta civile ishte e pa evituar pasi partizanët shqiptarë ishin të urdhëruar nga komanda maqedonase të luftojnë në vij të parë të Frontit, pasi maqedonasit frikoheshin shumë nga shqiptarët dhe Komandanti i tyre Xhemë Hasa. Pra, këtu qëndron madhështia e tij luftarake dhe njerëzore, pasi Xhemë Hasa gjithmonë kërkonte nga ushtarët e vet të jenë të kujdesshëm, pasi në vijë të parë gjithmonë ishin shqiptarët, ndërsa partizanët maqedonas gjithmonë rrinin pas tyre. Kjo u vërtetua edhe në vrasjen e Toma Shumskit, pasi sot e kësaj dite nuk dihet nga të cilët plumba u vra ky komunist shkodran, deklaron vetë Qemal Agolli. Ardhja e njësiteve shqiptare në Maqedoni me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm në krye me Enver Hoxhën, ishte me plotë kuptimin e fjalës, thikë pas shpine për Forcat Vullnetare Shqiptare.
Shtabi i Përgjithshëm Maqedonas doli në janar dhe shkurt të vitit 1944, me dy qarkore: “Shqiptarë dhe maqedonas bashkohuni në luftë kundër forcave “Nacionaliste”. Po ashtu, ajo përmes brigadave: kosovare dhe maqedonase doli me proklamatë: ku i bënte thirrje popullit shqiptar që masovikisht ti bashkohet” “LNÇ”. Ata në veçanti u drejtohen;”shqiptarëve të ndershëm dhe bashkëpunëtorëve të tyre, që të largohen nga Ushtria Vullnetare të komanduar nga Xhemë Hasa dhe bashkëpunëtorëve të tij”.
Shqiptarët për fat të keq edhe gjatë kësaj lufte ishin të ndarë në dy blloqe: nacionalistë dhe komunistë. Pra, shqiptarët edhe kësaj radhe nuk kishin program të përbashkët politik dhe nuk ditën ta gjejnë çelësin e unitetit që hapte rrugën drejt bashkimit kombëtar, një shtet një komb. Fajtor për këtë janë komunistët shqiptarë, pasi dirigjoheshin nga emisarët e Titos.
Sidomos situata bëhet më e trishtuar me fillimin e luftës vëlla vrasëse në Shqipëri pas Konferencës së Mukjes kur Enver Hoxha publikisht u shpalli luftë të gjithëve që e kundërshtonin në rrugëtimin e tij për të marr fronin në Shqipëri. Enver Hoxha me ndihmën e komunizmit jugosllav dhe emisarët e tij pas vitit 1943, u bë i paprekshëm në luftën e tij për pushtet. Ai tani më pranonte vetëm sugjerimet e misionarëve të Titos, ndërsa të gjithë të tjerët i trajtonte si armiq të tij dhe Partisë.
Prandaj, mendojmë se obstruksionizmi pas ndarjes që u bë në Konferencën e Mukjes nga pala komuniste të udhëhequr nga misionarët jugosllav, të përkrahur fuqishëm nga vetë Enver Hoxha. Faktori i dytë është se asnjëra parti nuk lëshoi pe para kësaj shtrëngate pansllaviste që trokiste midis Tiranës, që po përgatisnin me paramendim emisarët jugosllav. E treta, hap tjetër i madh ishte Konferenca e Dytë e mbajtur në shtator në Labinot. E kontrolluar me kujdes nga jugosllavët. Konferenca e Labinotit hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes. Për Enver Hoxhën, tani më lufta për pushtet ishte primare, ajo u pa qartë në fund të muajit maj 1944, kur Hoxha e thirri Kongresin e Përmetit, ku vulosi politikisht ardhjen e tij në krye të pushtetit me bashkëpunëtorët e vet. Ky ndryshoi LNÇ (nga Lëvizja Nacional Çlirimtare, në Front Nacional –Çlirimtar, ku PKSH, fitoi një qeveri të përkohshme identike me atë jugosllave.
Nga këto që u tha më lartë bindshëm del se komunistët jugosllav ishin fajtorë kryesorë me atë shkopin magjik. Komunistët shqiptarë nuk ishin në gjendje ti deshifronin jugosllavët. Prandaj PKSH e para e përdori forcën dhe i drejtoi armët e tyre kundër Forcave nacionaliste që ishin në pushtet. Enver Hoxha, vetë pranon:”Se qeveria kuislingë shqiptare e bindi Hitlerin që të detyrojë qeverinë bullgare të heqë dorë nga pretendimet territoriale të pjesës shqiptare të Maqedonisë”. Kjo veprimtari kombëtare e krahut nacionalist, më vonë u injorua nga Komunistët e Hoxhës, formacionet nacionaliste u shpallën (njësite non grata), ushtarët e tyre, armiq të popullit dhe të komunizmit, ndiqeshin si heretikë, andej edhe këndej kufirit, u damkosën si armiq të ideologjisë komuniste.
Partizanët e Hoxhës janë fajtorë pasi të parët e filluan luftën e armatosur kundër të gjithëve që nuk pranonin komunizmin, pas Konferencës së Mukjes. Historiografia botërore këtë periudhë lufte në Shqipëri e ka pagëzuar si luftë civile. Në Qeverinë e Përkohshme të Enver Hoxhës në Berat, bënin pjesë; Sejfulla Mallëshova i shkolluar në Moskë, i cili tani mbante postin e ministrit të Shtypit dhe propagandës, ndërsa Koçi Xoxi kumbarë i politikës titiste në Shqipëri, tani më mbante postin e zëvendëskryetarit të Këshillit në Qeverinë e Përkohshme pas Kongresit të Përmetit, ndërsa vetëm dy nga 11 anëtarë të këshillit qeveritarë nuk ishin komunist. Edhe pse forcat partizane të Hoxhës përbënin mbi 25%, por kurrë nuk deshën të ulen dhe të bisedojnë me nacionalistët e partive të ndryshme në Shqipëri, pasi Koçi Xoxi kishte aspirata për pushtet me ndihmën e jugosllavëve. Ky e paramendonte Shqipërinë si konfederatë të saj. Prandaj këtë propozim e paraqiti edhe Velimir Stojniqi në Plenumin e të Beratit. Hoxha defakto tani më ishte nën kontrollin e jugosllavëve dhe pasi hyri në Tiranë më 28 nëntor 1944, filloi fushatën kundër nacionalistëve duke i shpallur të gjithë për kriminel lufte dhe antikomunist. Numri i të pushkatuarve tejkalon disa mijëra, më në fund këtë katrahurë e shijon edhe vetë Koçi Xoxi, me disa shokë.
Me plot të drejtë mund të thuhet; se nacionalistët që vepruan në Shqipëri, rreth Frontit Bashkimi Kombëtar, të cilët erdhën në pushtet nga dita e parë pas ardhjes së forcave italo-gjermane që shpallën në Mbretërinë Shqiptare, ishin vizionar të shtetit të parë të bashkuar demokratik midis Ballkanit. Më vonë të gjithë këta veprimtarë të komit u shpallën për armiq të popullit dhe komunizmit. PKSH në krye me Enver Hoxhën kanë bërë shumë padrejtësi, ndaj kësaj fryme të shëndosh kombëtare, në veçanti duhet theksuar se nacionalistët që kanë vepruar nën sundimin jugosllav, kanë qenë faktor i shëndosh, të cilët u flijuan gjithçka për bashkimin e kombit. Këto forca nacionaliste janë bartës kryesor të kauzës kombëtare kundër hegjemonizmit të egër serbo sllav. Këta arritën të themelojnë shumë organizata politike, për t,iu kundërvu asimilimit total nga sundimi jugosllav. Në veçanti këtu duhet përmendur organizatën politike “Besa”, e themeluar nga studentët shqiptarë në Beograd, të cilët dhanë një kontribut tejet të rëndësishëm kombëtar në ngritjen e vetëdijes nacionale në Kosovë dhe Maqedoni, ata propagandonin kudo se shqiptarët nuk duhet trajtuar si turq. Ata janë shqiptarë dhe duhet të qëndrojnë këtu, për të luftuar kundër sundimit serb dhe çlirimin e trojeve shqiptare nga Jugosllavia, duke bashkuar trojet tona me Shqipërinë në një shtet të përbashkët, pa marrë parasysh rendin shoqëror të Shqipërisë.
Komunistët e vëllazëruar dhe emisarët e Titos fare nuk donin të dëgjonin për Shqipërinë e bashkuar të themeluar nga projekti italo-gjerman. Udhëheqësit komunistë shqiptarë, pas njoftimit se i ka njohur Kominterni, deklaruan në Dibër: “Se ne komunistët, kurrë nuk do ti njohim këta kufij që i ka caktuar boshti qendror në bashkëpunim me Frontin e Bashkuar nacionalist”.
Për fatin tonë të hidhur edhe komunistët shqiptar me seli në Dibër assesi nuk ishin në gjendje të kuptonin se me veprimin e tyre të një anshëm ishin mobilizuar gabimisht në bllokun komunist, në anën e internacionalizmit proletar, veprimi i tyre ishte në kundërshtim me interesat tona kombëtare.
Po ashtu edhe partizanët e Enver Hoxhës ishin të bindur thellë në ideologjinë komuniste të plasuar nga Kominterna me seli në Moskë. Ata mendonin se përmes Kominternës dhe Internacionales, do t’i kthejnë territoret që i takojnë Shqipërisë, me “vullnet të mirë” të dy palëve, do të arrihej qëllimi i marrëveshjes, por komunistët shqiptar harruan se kjo ishte vetëm një premtim me gojë nga komunistët jugosllav: “Pasi të përfundonte lufta antifashiste do ta zgjedhim çështjen e Kosovës”.
Nga ana tjetër, faktor me rëndësi gjatë luftës në Shqipëri ishte Balli Kombëtar, i cili në fillim të luftës ishte në nivel të kombëtares, por më vonë stagnoi në veprime politike dhe para opinionit ndërkombëtar ishte konfuz, në veçanti në kërkesat anglo-amerikane, nuk kishte strategji të qartë për ta marrë pushtetin në Shqipëri. Në të njëjtën vij lundronin edhe zogistët, të cilët propagandonin se me mbarimin e luftës Shqipëria do të jetë Mbretëri. Pra makineria propaganduese komuniste e me ndihmën e emisarëve të Titos e shfrytëzoi këtë konfuzitet dhe doli fitimtare te masat e gjëra popullore dhe ato fshatare. Ajo përhapi parullën duke premtuar: “Se kush është me ne do të fitoj punësim dhe një ngastër tokë”.
Ndërsa më vizionar ishin forcat nacionaliste për bashkim kombëtar që vepronin në Maqedoni, Kosovë e Preshevë në luftë kundër komunizmit Jugosllav, këta në këtë kohë të vështirë luftonin në dy fronte: Në një dorë mbanin pushtetin duke e zhvilluar në të gjitha segmentet e në veçanti atë arsimor, këtu duhet theksuar veprimtarinë e shenjtë të mësuesve shqiptarë nga Shqipëria dhe Ministrit Ernest Koliqi. Këta mësues pasi erdhën në tokat e liruara patën përkrahje të fuqishme nga pushteti lokal të udhëhequr nga kombëtar si: dr. Xhafer Sulejmanit, Kadri Saliut, Shaip Kamberit, Selim Shehapit, Tafil Boletinit dhe Komandanti Xhemë Hasa dhe shumë funksionarë tjerë që vepruan në kohën e Shqipërisë së bashkuar.
Mesazhi i Prof. Vebiut për të shkruar historinë më të re kombëtare duhet pranuar si domosdoshmëri të kohës. Pasi është koha që këto ngjarje të stërmbushura me ideologji, duhet sistemuar dhe gjeneratat e ardhshme të kenë njohuri se çfarë skenarësh janë përgatitur dhe realizuar në këto troje etnike nga pushteti komunist, ku pas mbarimit të luftës u krijuan kampe përqendrimi të stilit fashist. Pra me ardhjen e komunistëve në pushtet, rasti i Monopolit të Tetovës, është një nga ata që duhet ndriçuar, derisa kjo mund të bëhet në mënyrë sa më autentike, derisa i kemi gjallë pjesëmarrësit direkt të këtij kampi të përqendrimit që për shqiptarët e kurdisën partizanët sllavo komunist të udhëhequr nga Tempoja dhe të tjerë në mes të Tetovës kreshnike. Për fat të keq pas luftës në të njëjtin stil ka vepruar edhe PKSh në Shqipëri. Dënimet më të ashpra kanë qenë për të gjithë shqiptarët që kërkuan strehim atje nga pushteti komunist i Enver Hoxhës.
Më në fund duhet pranuar se ideologjia e Partisë Komuniste e Jugosllavisë doli fitimtare kundrejt shqiptarëve. Ajo arriti ti angazhojë në luftë deri në Srem, Zagreb e vise të tjera, ku u derdh gjaku i të rinjve shqiptarë për interesa të huaja nacionale. Në bazë të dokumenteve ekzistuese në këto luftëra për çlirimin e Jugosllavisë humbën jetën më shumë se 28.000 shqiptarë, për interesa të huaja ideologjike. Pra, shqiptarët u vranë dhe u helmuan nga partizanët sllav në shumë vise të ndryshme të Jugosllavisë: si në Shkodër, Tivar, Dubrovnik, Valevë, Preshevë, Shkup, Bllacë, Tetovë, Gostivar e shumë vende tjera.
Historiografia me re shqiptare duhet të dalë në sipërfaqe me fakte, se veprimtarët e Frontit Nacionalist ishin atdhetarë dhe vizionarë në rrugën që çonte drejtë bashkimit kombëtar. Veprimi i tyre në Maqedoni ka qenë i pastër, ata disa herë me luftë fuqishëm i thyen forcat komuniste, duke mos u lënë hapësirë veprimi në trojet shqiptare. Pra fama e tyre luftarake rritej dita ditës në trojet e Maqedonisë, ku Vullnetarët e Xhemë Hasës arritën piedestalin më të lartë të luftës në mbrojtje të qenies shqiptare kundër ideologjisë komuniste.
Fronti i forcave nacionaliste i njohur si Lidhja e Dytë e Prizrenit” gjatë luftës së Dytë Botërore i bëri thirrje popullit shqiptar se tani është momenti në luftë për çlirim e bashkim kombëtar kundër sunduesve sllav të Beogradit. “Fronti Nacionalist” në Maqedoni paraqitet si forcë e shëndoshë kombëtare e cila kurrë nuk u gjunjëzua përpara propagandës dhe ideologjisë komuniste. Bartës të këtyre sukseseve luftarake padyshim kanë qenë veprimtaria e palodhshme e Komiteteve shqiptare që vepronin në pjesën shqiptare të Maqedonisë, të koordinuara mirë nga qendra e saj me seli në Prizren.
Komitetet shqiptare si bartës kryesor të kësaj lëvizje të fuqishme kombëtare e udhëhoqën popullin në mbrojtje të çështjes, ku në krye të saj qëndronte paria e qyteteve. Në Gostivar aksionet luftarake i çimentoi Xhemë Hasa me heroizmin e vet të pashoq. Xhema ishte verdikt i popullit, ai u rritë me ta dhe kurrë nuk i tradhtoi as në luftë as në paq. Ai gjithmonë ishte pranë tyre, me të mirat dhe me të këqijat. Prandaj, populli e deshi jashtë mase këtë trim legjendar.
Komandanti Xhemë Hasa në historinë tonë kombëtare radhitet pas Skënderbeut, me luftërat dhe heroizmin që tregoi: nga Dibra, Kërçova deri në Shkup. Ky deri sa ishte në Shqipëri luftoi edhe kundër grekëve në jug së bashku me vëllezërit e tij, Hysen Tetovën e të tjerë. Xhemë Gostivari e donte shumë arsimin dhe njerëzit e arsimuar. Prandaj, ky u siguroi kushte solide për punë mësuesve të Gostivarit me rrethinë, ai ishte strateg dhe e dinte se arsimimi është arma më e fortë në mbrojtje të një kombi. Populli i arsimuar kurrë nuk gjunjëzohet përpara stuhive. Ngritja arsimore parapërgatit popullin në fitore të reja.
Xhemë Hasa nuk ishte vetëm Komandant, por ishte edhe njeri me virtyte të larta njerëzore. Ky diti me vendosmëri të ndaj drejtësi për të gjithë dhe kurrë nuk i ndau nacionalitetet. Kjo drejtësi e bëri të pavdekshëm në historinë tonë kombëtare e kujtojnë shqiptarët, por e kujtojnë edhe ata që ua fali jetën dhe i mbrojti nga emigrimi. Ka pasur raste kur vetë ka intervenuar nëpër rrugët e qytetit që të fshihen maqedonasit që mos të internohen nga komanda gjermane, ose rasti tjetër ku pala maqedonase nuk mund të pajtohet me realitetin e njerëzve të mëdhenj, kur Xhema e vizitoi burgun dhe aty hasi në një komunist të sëmurë urdhëroi përcjellësin e vetë që ta çon te mjeku dhe i dha urdhër që pastaj ta çon në shtëpi të vetë dhe ta len të lirë.
Kjo është ajo vepër humane që e bëri Xhemë Gostivarin të shkëlqen midis qytetarëve të vetë, që ne sot të gjithë jemi krenarë për veprën e tij humane dhe kombëtare. Ky kolos mund të merret midis udhëheqësve ushtarak si trim i radhë pas luftërave të Skënderbeut. Periudha e art e Skënderbeut u shërbeu si frymëzimin rilindësve për ngritjen e vetëdijes nacionale. Ndërsa periudha e Xhemë Gostivarit u shërbeu brezave të rij për frymëzim drejtë bashkimit Kombëtar. Xhemë Hasa me heroizmin e vetë në mënyrë të shkëlqyer diti ta çon në piedestal trimërinë shqiptare, heroizmi i tij me shokë në luftë kundër forcave italiane dhe komuniste i dha shpirt lëvizjes mbarë kombëtare në të gjitha trevat shqiptare që ngelën edhe pas luftës nën sundimin jugosllav.
Lufta e shqiptarëve të Maqedonisë gjatë periudhës 1941-1945 e komanduar nga Xhemë Gostivari, është një ndër epopetë më të ndritura të luftës së Dytë Botërore në hapësirën shqiptare. Ky kolos deri në fund të lutës kori shumë fitore me vullnetarët e tij. Ky edhe në ditët më të vështira të vitit 1945, vendosi të qëndroj në shpatet e ftohta të malit Sharr. Por, i tradhtuar nga disa shokë, u vra prapa shpine në kështjellën e pa thyer të malit Sharr. U vra në besë nga njerëzit e vetë, Komandanti që korri aq shumë fitore kundër komunistëve dhe partizanëve jugosllav. Ushtria dhe OZN-a për të frikësuar popullin shqiptar, se më nuk ekziston prijësi i tyre, kokën e tij e vendosi në burgun e Tetovës, pastaj shëtiti nëpër Gostivar dhe më në fund e vendosi në Kalanë e Shkupit.
Kjo sjellje e komunistëve maqedonas ishte një tradhti e madhe, por edhe ofendim i rëndë për të gjitha forcat nacionaliste shqiptare. Pala komuniste diti ti shfrytëzoi vrasësit e Xhemë Hasës deri sa kishte nevojë. Ata i la të lirë për disa vite me radhë të bëjnë kërdi dhe plaçkitje mbi popullatën e pafajshme shqiptare. Këta hajdutë ordinerë filluan të prekin, të dhunojnë edhe moralin e shqiptarit. Pas disa viteve u erdhi fundi edhe këtyre….?, disa nga ata vetë i likuidoi UDB-a, ndërsa disa i dënoi me burg të rëndë në Idrizovë, disa i dërgoi edhe nëpër burgje jugosllave.
Xhemë Hasë Gostivari si komandant i forcave vullnetare të shqiptarëve të Maqedonisë me veprën e tij heroike do të ngelë gjithmonë i gjallë, i dashur dhe i ledhatuar. Xhemë si komandant do të ngelë për jetë sinonim i rezistencës, dhe trimërisë shqiptare në trojet e veta etnike. Vepra e tij kombëtare do të jetoj brez pas brezi deri sa do të jetojë Shqipëria e Skënderbeut. Xhemë Hasa lindi dhe u rritë për të luftuar sunduesit sllav, për çlirimin e vendit të vetë dhe mbrojtjen e Shqipërisë Etnike. Lufta e shqiptarëve të Maqedonisë falë këtij kolosi, gjithmonë do të jetoj në shpirtin e çdo shqiptari, e shkruar në histori si ngadhënjimtare. Kjo vepër e shqiptarëve të Maqedonisë do të jetojë gjithmonë mbi shpatet e malit Sharr si luftërat e Skënderbeut.
Sipas të dhënave që na ofron historiografia maqedonase, forcat nacionaliste në luftë kundër partizanëve në shkurt të vitit 1944 formuan Ushtrinë Vullnetare, të përbërë nga atdhetarë dhe simpatizantë të bashkimit kombëtar. Udhëheqës të kësaj ushtrie vullnetare vepronin: në Dibër me komandantë Miftar Kaloshi, Ukë Cami etj, në Strugë Beqir Aga, në Rostushë Ali Maliqi, në Kërçovë Mefail Zajazi, në Gostivar Xhemë Hasa në Tetovë Arif kapiteni etj. Sipas këtyre të dhënave, forcat vullnetare shqiptare, duke shfrytëzuar ndihmën materiale nga komanda gjermane, nga dhjetori 1943-prilli 1944 u forcuan shumë. Sipas të dhënave të pakonfirmuara sllave, forcat e Xhemës dhe të Mefailit gjatë vitit 1944 u shtuan në 3 000 veta, duke ardhur edhe vullnetarë edhe nga vise të tjera shqiptare. Nga fundi i vitit 1944 numri i tyre u katërfishua. Kërkesat e mbrojtjes kombëtare pala sllave tentoi t’i paraqes si metoda të dhunshme të ballizmit”. Por ajo harron: Se Forcat Vullnetare nuk i takonin asnjë formacioni politikë, por vetë vullnetarisht aplikonin në luftë për të mbrojtur shtetin e bashkuar shqiptar dhe kufijtë e tij etnik.
Por në fund duhet rikujtuar përkrahësit e kësaj ideje kombëtare, se ky Front nacionalist i udhëhequr nga patriotët më të shquar të kombit doli më vizionar, pasi kurrë nuk u gjunjëzuan para propagandës sllavo komuniste, në veçanti shqiptarët e Kosovë dhe Maqedonisë. Sot, pas shumë dekadave kur komunizmi ka nxi shumë fytyra kombëtare, është shumë vështirë të shkruash për këtë koncept të luftës, për bijtë më të zgjedhur të saj, është sa vështirë aq edhe nderë, duke përkujtuar heroizmin e tyre të pa shoq, që flijuan veten dhe familjet e tyre për kombin dhe Shqipërinë e Etnike.
Por, në anën tjetër nuk do të jemi të rezervuar kundër atyre që e njollosën luftën heroike të shqiptarëve dhe forcave nacionaliste që devijuan nga programi Kombëtar. Të gjithë ata të cilët për interesa personale dhe ideologjike devijuan nga kauza kombëtare dhe në momente të caktuara harruan se lufta e shqiptarit për Shqipërinë e bashkuar është e shenjtë, ata fare nuk di ti përmendim në altarin e lirisë. Pra, të gjitha ato grupe, parti, apo individë, që devijuan nga ky program mbarëkombëtar nuk i kanë shërbyer me nderë as kombit, as Shqipërisë së bashkuar. Pra, nuk e kanë vendin në historikun e programit që e shpalli Lidhja e Parë dhe Lidhja e Dytë e Prizrenit, të udhëhequr nga forcat më të shëndosha kombëtare në krye me Bedri Pejanin, në luftë për të mbrojtur Shqipërinë e bashkuar dhe demokratike midis popujve të lirë në Ballkan dhe Evropë.
Trimëria e këtyre patriotëve që udhëhoqën Forcat Nacionaliste në Tetovë, Gostivar dhe më gjerë, së bashku me komandantin e tyre legjendar Xhemë Has Gostivarin, krijuan një histori me plotë lëvdatë kombëtare, jo vetëm në Maqedoninë shqiptare, por edhe në mbarë trojet etnike. Për fat të keq edhe kësaj radhe rrota historike veproi kundër të drejtës së shqiptarëve, të cilët edhe pse luftuan me vetëmohim nuk arritën të mbrojnë Shqipërinë e bashkuar pasi u tradhtuan nga komunistët shqiptarë.