E diele, 28.04.2024, 09:37 AM (GMT+1)

Speciale

Thanas L. Gjika: Faik Konica hapi epokën e rikrishterizimit të shqiptarëve

E hene, 03.05.2010, 09:59 PM


Autori falenderon diskutantët për vlerësimet e sugjerimet që i bënë, në bazë të të cilave ai e përpunoi shkrimin dhe na e dërgoi për ribotim.
Redaksia.

 

FAIK KONICA HAPI EPOKEN E RIKRISHTERIZIMIT TE SHQIPTAREVE

 

(Me rastin e 115-vjetorit të pagëzimit të Faik Konicës)

 

Nga Prof. Ass. Dr. Thanas L. Gjika

 

Në historinë e krisherizimit të popullit shqiptar nuk është kuptuar dhe as është vlerësuar si duhet akti i pagëzimit të djaloshit Faik Bej Konica, i cili u konvertua në besimin e krishter katolik me emrin Faik Domenik Konica. Kjo ngjarje ndodhi në verë të vitit 1895 kur ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Dizhon (Dijon) të Francës për Gjuhësi Romane dhe Filozofi.

Ky djalosh koniciot mori mësimet e para në shtëpinë e tij atërore në Konicë, ku u njoh me qytetërimin persian e arab gjatë mësimit të arabishtes, persishtes dhe turqishtes prej një hoxhe të shkolluar, kurse italishten nisi ta mësonte prej një mësuesi privat. Duke parë zgjuarësinë e tij të vecantë, prindërve të tij iu sugjerua ta dërgonin për studime në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, ku ai shkoi e jetoi dy vjet. Ky dërgim për vijimin e studimeve në një shkollë katolike jezuite tregon, nga njëra anë tolerancën fetare të prindërve të Faikut dhe nga ana tjatër se mësuesi i tij privat duhet të ketë qenë një katolik (jezuit), shqiptar ose i huaj. Si tregojnë regjistrat e botuar të kësaj shkolle, Faiku studjoi në këtë shkollë në vitet 1884 dhe 1885, pra në moshën 9 dhe 10 vjecare.

Në Shkodër, kryeqendrën e katolicizmit shqiptar, Faiku mësoi më mirë italishten dhe u njoh më nga afër me idetë e qytetërimit evropiano perëndimor. Përvehtësimit dhe përhapjes së këtyre ideve ndër shqiptaret, si dihet, ai u kushtoi gjithë jetën. Mbas dy vjet ai la Shkodrën dhe shkoi për të vijuar studimet në shkollën katolike franceze të Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu më 1890, kur ishte vetëm 15 vjec. Në këtë shkollë ai u njoh me djaloshin tiranas Murat Bej Toptani, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare e toleranca fetare. Studimet e plota universitare Faiku i kreu në Universitetin e Dizhonit të Francës në vitet 1890-95 dhe ato pasuniversitare në Paris në vitet 1895-97, më tej ai studjoi dhe në Universitetin Harvard të Bostonit në vitet 1909-1912, vitet e para të emigrimit të tij në SHBA. Gjatë gjithë jetës shkollore Faik Konica doli me rezultate të shkëlqyera, gjë që dëshmon për zgjuarsinë dhe aftësitë e tij të vacanta.

Zgjuarsia e tij e vecantë u shfaq jo vetëm në rezultatet e larta shkollore, por dhe në shkrimet e tij publicistike, letrare e shkencore, si dhe në rastin e pagëzimit me vullnetin e tij të lirë si i krishter katolik, në moshën njëzet vjecare. Një veprim të tillë nuk e kishte menduar asnjë shqiptar tjetër para tij. Pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë dhe disa letra të viteve 1895-97 dërguar shqiptarëve të Bukureshtit, ku ai ka firmosur me emrin e ri Faik Domenik Konica, i cili nuk ishte aspak një pseudonim i tij, por emër që e mori gjatë pagëzimit. Këto letra ruhen edhe sot në dosjen e tij në Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar.

Shtysat kryesore që e nxitën këtë djalosh, pinjoll të një familjeje të shquar myslimane, të konvertohej në i krishter, mendojmë se duhen kërkuar në formimin e tij kulturor e shkencor, në përkushtimin atdhetar, në tolerancën fetare dhe në intuitën e tij. Duket se djaloshi Faik Konica që në rininë e tij mendonte se hapi i parë për ta shkëputur popullin shqiptar nga zgjedha e gjatë osmane ishte evoluimi i mendësisë fetare, shkëputja prej mendësisë myslimane përmes konvertimit në fenë e të parëve, në fenë e krishtere, në fenë e përbashkët të shqiptarëve të kohës së para pushtimit osman. Pra sipas tij shteti i pavarur shqiptar duhej të ishte i njëjtë për nga përkatësia fetare, me shtetin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut kur luftohej pushtuesi osman. Tërthorazi kuptohet se ai e lidhte procesin e clirimit kombëtar nga zgjedha osmane edhe me një proces katarse të pjesës myslimane të popullit tonë, e cila duhej të pendohej për braktisjen që i kishte bërë fesë së të parëve nën presionin e pushtuesit osman. Në rikrishterizimin e shqiptarëve myslimanë ky rilindas shihte një nga faktorët kryesorë për forcimin e unitetit kombëtar të shqiptarëve. Ndasia fetare e popullit shqiptar në të krishterë e myslimanë, e krijuar gjatë pushtimit osman, sipas tij, nuk i shërbente unitetit, por përcarjes kombëtare, pra vonimit të proceseve clirimtare. Vecse duhet të pohojmë se mendim e të tilla bashkë me pagëzimin e Faikut në të krishter, ndonëse ishin mendime e veprime pozitive, ishin të parakohshëm për atë kohë, kur mendësia myslimane ishte mendësia sunduese e shoqërisë shqiptare dhe të qenët mysliman përbënte krenari.

Për këto arsye mendimin dhe veprimin e Faikut nuk e vlerësuan si duhej dhe nuk i dhanë rëndësinë e duhur as konsujt e ndryshëm të shteteve evropiane që punonin në vilajetet shqiptare të Perandorisë Osmane, madje as atdhetarët shqiptarë. Për cudinë tonë, Luigj Gurakuqi tha se katolikët shqiptarë nuk fitojnë ndonjë gjë të madhe nga pagëzimi i Faik Konicës.

Pamundësinë e realizimit të këtij hapi të madh psikologjik të popullit shqiptar e tregoi dështimi i përpjekjeve të këtij rilindasi për ta kthyer pagëzimin e vet në një lëvizje të mbarë intelektualëve shqiptarë myslimanë.

Mbas pagëzimit, Faiku i propozoi mikut të tij të ngushtë, Murat Bej Toptanit, të pagëzohej dhe ai dhe të dy së bashku të nxisnin miq e shokë të tjerë për t’u pagëzuar dhe ata. Mirëpo Murati iu përgjigj se këtë hap ai nuk mund ta bënte, mbasi të parët që do ta sikterisnin (dëbonin) nga shtëpia do të ishin vëllezërit Frashëri, tek të cilët ishte dhëndër. Murati, pra i dha të kuptonte Faikut se pagëzimi në të krishterë i shqiptarëve myslimanë që jetonin brenda Perandorisë Osmane, ishte një veprim që nuk mund të kryhej, prandaj ai nuk nguli më këmbë për këtë problem...

 Djaloshi tiranas pati të drejtë, atmosfera shoqërore dhe ajo fetare në trojet shqiptare të perandorisë nuk mund të lejonte një kapërcim kaq të madh në ndërgjegjen e shqiptarëve myslimanë, të cilët kishin disa breza që ishin familjarizuar me besimin e ri.

Ndër kohë duhet të shtojmë se mendimi i Faik Konicës, për t’i pagëzuar shqiptarët myslimanë në të krishterë, me qëllim që të forcohej uniteti kombëtar i popullit shqiptar dhe të ndihmohej procesi i evropianizimit të mendësisë së tij, ndonëse ishte vërtet mendim i parakohshëm, ishte një nga ato mendime, të cilat i paraprijnë kohëve dhe hapin epoka të reja. Kështu, po të shohim ecurinë e mendësisë fetare të shqiptarëve nga viti 1895, viti i pagëzimit të Faik Konicës, deri më sot, do të vemë re se koha ka punuar për përqafimin e mendësisë së krishtere dhe lënien mënjanë ose braktisjen e mendësisë myslimane.

Po përmendim disa fakte, pa dashur të fyejmë ndjenjat e besimtarëve të mirë myslimanë, sepse për ne, besimtarët e mirë, qofshin myslimanë ose të krishterë, janë njësoj të vlefshëm për shoqërinë shqiptare dhe atë botërore. Madje ne mendojmë se, po aq të vlefshëm mund të jenë dhe jo besimtarët, pra ateistët, kur ateizmi i tyre buron nga bindjet e tyre të sinqerta dhe prapa ateizmit të tyre nuk fshihen mendime djallëzore e interesa të ulta:

 

1. Që në dhjetëvjecarët e parë të shtetit të pavarur shqiptar, në familjet myslimane atdhetare, filluan të emëroheshin fëmijët jo me emra të mirëfilltë myslimanë si Muhamned, Myftar, Mahmud, Mehmet, Mahmude, Ballkëze, etj, por me emra malesh a lumenjsh (Tomorr, Korrab, Drin, Vjosa, Valbona, Shkumbin, etj); me emra lulesh a stinësh (Lule, Vera, Manushaqe, etj); me emra kafshësh a shpendësh (Luan, Dash, Skifter, Petrit, etj), si dhe me emra të tjerë që nuk kanë lidhje me Kuranin e besimin mysliman si Drita, Dritan, Liri, Clirim, Shpresa, etj.

 

2. Ahmet Zogu mbas marrjes së pushtetit, në vitin 1925, aprovoi si kalendar zyrtar të shtetit shqiptar kalendarin evropian dhe jo atë mysliman; vendosi heqjen e ferexhesë dhe hapje vendesh pune për gratë, dha shumë bursa studimi për të rinjtë shqiptarë në vendet e Evropës Perëndimore, etj. Këto masa tregojnë për synimet e tij properëndimore dhe jo promyslimane aziatike. Kur u shpall mbret ai u martua me një bijë të krishtere hungareze të një familjeje kontësh dhe jo me ndonjë bijë të mbretërve a sheikëve të pasur të botës myslimane. Bijtë e tij i pagëzoi me emra të krishterë. Kurse fëmijët e djemve të Mbretit Zog jetojnë si të krishterë e jo si myslimanë.

 

3. Propaganda komuniste antifetare si dhe procesi i dhunshëm i luftës kundër besimeve fetare gjatë regjimit komunist, ndikoi për dobësimin e besimit fetar tek shqiptarët, por ky proces solli dëme më të mëdha tek besimtarët myslimanë, mbasi besimi i tyre ishte një besim më i ri e me rrënjë më të dobta. Populli shqiptar në trojet e veta kishte gati njëzet shekuj që kishte përqafuar fenë e krishtere prej misionarësh të mëdhenj si shën Pali, shën Timoteu, shën Asti, shën Kostandini i Madh, shën Jeronimi, etj. Nga radhët e besimtarëve të krishterë kishin dalë gjatë shekujve shumë bij të shquar, klerikë ose jo, si dhe shkrimtarë e martirë që kishin dhënë jetën për ruajtjen e lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për lirinë e atdheut. Kurse pjesa myslimane e popullit shqiptar kishte vetëm dy a tre shekuj që ishte konvertuar dhe këtë konvertim shumica e tij e kishte bërë nga halli ose nën dhunë. Prej pjesës myslimane të popullit shqiptar, edhe pse përbënte pjesën më të madhe numerike të popullit, bijtë e shquar dhe martirët e lirisë ishin më të pakët. Më keq akoma po diskreditohej feja myslimane midis shqiptarëve kur shihej se shumica e komunistëve e sigurimsave katilë, që po e mundonin popullin cnjerëzisht, ishin pikërisht nga radhët e familjeve myslimane. Edhe procesi i dhunshëm për emancipimin e gruas shqiptare në vitet e diktaturës, në të vërtetë ndikoi për dobësimin e mendësisë myslimane, sipas së cilës femra është vetëm një qënie shtëpiake dhe jo shoqërore.

 

4. Mbas viteve 1991-92, shkërmoqja e komunizmit në Shqipëri dhe kthesa e madhe që do të merrej, duhej të shoqërohej me një proces katarse. Ish udhëheqja e partisë komuniste shqiptare, e cila e kishte udhëhequr popullin në qorrsokak, mbas dështimit të sistemit socialist, duhej t’i kërkonte të falur popullit për gabimet e sidomos për krimet e kryera. Mirëpo ish udhëheqësit e kësaj partie nuk e ndoqën rrugën e ish udhëheqjes së partisë komuniste polake. Z. Ramiz Alia, z-nja Nexhmie Hoxha e kompani, duke qenë njerëz që e urrenin besimin e krishter, i cili në thelbin e vet ka pikërisht kërkesën e të falurit për të shkuar përpara, nuk e shkuan në mend një katarsë të tillë. Për më keq akoma edhe sot, mbas 20 vjetësh, ata nuk i kërkojnë falje popullit për krimet e bëra, por justifikohen duke thënë: ashtu ishte sistemi shoqëror. Por dihet, se me të tjerë njerëz, si Zef Mala, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Selfixhe Broja, etj që ata i zhdukën, ai sistem do të ishte zbatuar me tolerancë si në Poloni, Hungari, Ceki, etj.

 

5. Mbas vitit 1992, populli i thjeshtë iu fut rrugës për një shpëlarje shpirtërore, filloi një proces i rikthimit tek besimi fetar. U rihapën kishat, xhamitë e teqetë dhe populli filloi t’i frekuentonte ato për të treguar se nuk e kishte dëshiruar mbylljen dhe prishjen e tyre të vitit 1967. Filloi një fushatë pagëzimesh e ripagëzimesh, por krahas pagëzimit të ish besimtarëve të krishterë e bijve të tyre, pati dhe shumë pagëzime të shqiptarëve ish myslimanë në të krishterë, por asnjë shqiptar ish i krishter nuk u konvertua në mysliman.

 

6. Mbas vitit 1992, studimi, hartimi dhe botimi i shumë veprave që përshkruanin përndjekjet, torturat dhe vuajtjet e klerikëve, sidomos të atyre katolikë gjatë regjimit komunist, e forcuan më tej respektin dhe dashurinë ndaj fesë së krishtere.

 

7. Shkrimtari i talentuar shqiptar Ismail Kadare, edhe pse ishte ateist për nga bindjet fetare, u bëri thirrje shqiptarëve në vitin 1995, pikërisht që nga Franca, prej ku u kishte bërë të njëjtën thirrje një qind vjet më parë Faik Konica, që të ktheheshin në fenë e të parëve duke u pagëzuar si të krishterë katolikë. Kësaj thirrjeje iu përgjigjën mjaft intelektualë dhe njerëz të thjeshtë, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

 

8. Intelektuali dhe udhëheqësi i shquar i popullit shqiptar të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, gjeti një nga nxitjet dhe frymëzimet kryesore për pavarësinë e Kosovës tek jeta dhe vepra e priftit katolik Pjetër Bogdani dhe në bëmat e mirësisë së Nënë Terezës.

 

9. Sot, mjaft të rinj e të reja, që shkojnë për të punuar a studiuar në vendet e krishtera të Evropës ose Amerikës, po pagëzohen si të krishterë, ndoshta të detyruar nga rrethanat konkrete, por ndoshta dhe nga bindjet e reja fetare që përvehtësojnë aty. Ky fenomen po shtrihet sidomos tek fëmijët që lindin në ato vende. Mesa duket, prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre në këto vende të mos jenë të mangët, ose të mos jenë të dryshëm për nga formimi kulturor e fetar në krahasim me fëmijët vendas. Ata nuk duan që fëmijët e tyre të ndjehen si dhia ndër dhën.

 

10. Sa më shumë kulturohen shqiptarët, sa më shumë shtetet ku ata jetojnë (Shqipëria, Kosova e Maqedonia) u afrohen Evropës e Amerikës; sa më shumë vajzat shqiptare e përbuzin ferexhenë dhe pëlqejnë të vishen me minifunde e dekolte; sa më shumë ato marrin pjesë në jetën shoqërore, kulturore, politike të vendit, aq më shumë ato dhe bashkë me to e gjithë shoqëria, i largohet myslimanizmit...

Shkurt mund të themi se shumica e popullit shqiptar gjatë kohës së sundimit osman, e ndikuar prej mendësisë sunduese myslimane, u detyrua të ndërronte besimin nga i krishter në mysliman. Në atë kohë nuk mund të mburreshe se ishe i krishter, por se ishe mysliman, se ishe i një feje me sunduesin. Ndërsa gjatë viteve të shtetit shqiptar të pavarur, gjatë kohës së diktaturës dhe sidomos sot, kur synimi kryesor mbetet bashkimi me shtetet evropiane, ku sundon besimi i krishter, dashur padashur, shqiptarët po jetojnë procesin e rikthimit tek feja e të parëve, pra rikrishterizimin e tyre, atë proces që e hapi 115 vjet më parë djaloshi njëzet vjecar Faik Konica.

Duke parë ecurinë e mendësisë fetare të shqiptarëve gjatë këtyre 115 vjetëve të kaluara mund të kuptojmë se mbas 100 vjetësh ky proces ka për tu forcuar. Natyrisht që nuk mendojmë se do të shkohet tek zhdukja e besimit mysliman midis shqiptarëve, por në zvogëlimin e raportit midis besimit mysliman e atij të krishter. Shqiptarë myslimanë ka për të pasur sado që të shtohen radhët e të krishterëve dhe të afetarëve, për shkak të lidhjeve dhe interesave të ndryshme, si dhe për shkak të interesimit dhe investimit të vijueshëm që tregojnë disa qarqe myslimane botërore, të cilat urojmë të mos kenë qëllime të këqia prapa investimeve të tyre.

Në procesin e largimit nga besimi mysliman dhe kalimin në besimin e krishter prej disa shqiptarëve të sotëm duket se nuk mungon dhe një shtytje atdhetare, mbasi ata synojnë të forcojnë karakterin kombëtar të kishës së krishtere, sidomos të asaj orthodokse. Duke e ditur se pjesa kryesore e  kishës nuk janë murret e saj, godina, por bashkësia e anëtarëve që bëjnë jetën fetare në të, shqiptarët sot po mendojnë se po të ketë cdo kishë orthodokse në Shqipëri shumicën e anëtarëve shqiptarë atdhetarë, kjo shumicë do ta detyrojë klerikun e kishës, e pastaj dhe kryeklerikun, që të mbajë edhe meshë të vecanta për probleme që forcojnë lidhjet shpirtërore të kombit tonë, si psh meshë përkujtimore për viktimat e shqiptarëve të Camërisë, meshë për cdo shqiptar që vritet padrejtësisht në kurbet, etj. Mund të dërgohen dhe klerikë shqiptarë orthodoksë në diasporë për të mbajtur meshë shqip me besimtarët shqiptarë, ashtu si veproi Fan Noli gjatë udhëtimit të tij historik në vitin 1910 në Sofje, Odesë e gjetkë.

Po kështu në Kosovë e Maqedoninë Perëndimore, po të arrihet që kishat orthodokse të mbushen me shumicë besimtarësh shqiptarë atdhetarë, këta mund të nxjerrin nga radhët e tyre klerikët e vet dhe të fillojnë të mbajnë meshën në gjuhën shqipe e dalngadal t’i shqiptarizojnë ato kisha, që dikur ishin shqiptare, por gjatë pushtimit serbo-bullgar e atij osman, ato u sllavizuan.

Mësimi themelor që del nga ky vështrim i shkurtër mbi ecurinë e besimit fetar të shqiptarëve, se është ky: Shqiptarët, ashtu si dhe qytetarët e tjerë të botës, e kanë ndërruar dhe mund ta ndërrojnë besimin fetar duke iu përshtatur rrethanave në të cilat jetojnë, mbasi ky ndërrim nuk i armiqëson ata me bashkëkombasit e tyre; por ata nuk duhet të ndërrojnë përkatësinë kombëtare, mbasi ky ndërrim ka pasoja shumë më të rënda, që shpejt a von i shpie në armiqësi me bashkëkombasit e vet.  

 



(Vota: 57 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Vebi Xhemaili: Organizata ‘’Bashkimi Dibran’’ në mbrojtje të Shqipërisë së Bashkuar Agim Bacelli: Fajtorët e Historisë Fritz Radovani: Plot 65 vjet që qeveria komuniste shqiptare.., thotë: Mirë u pafshim… Evropë…! Avzi Mustafa: Ndihmesë e madhe arsimit shqip në Maqedoni Baki Ymeri: Kosova katolik dhe fantomat e fanatizmit ballkanik Ilmi Veliu: Kronistët dhe historianët osmanë japin të dhëna të pamohueshme se Skënderbeu ishte shqiptar Ramiz Bojaj: Njëzet vjetët e pajtimit shqiptar Sabile Keçmezi-Basha: Kujtojmë Atdhetarin e Madh - Ali Aliun Ilmi Veliu: Varre myslimane me simbole të besimit Ilir Vebi Xhemaili: Krahina e Rekës në mbrojtje të Shqipërisë Etnike (1941-1944) Besim Muhadri: Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar u themelua si një organizatë politiko-ushtarake Vebi Xhemaili: Forcat vullnetare kombëtare ngrenë flamurin e Skënderbeut në Shkup Milazim Kadriu: Shënohet 11 vjetori i rënies së shumë dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë Vebi Xhemaili: Organizata ‘’Besa’’ simbol i luftës për Shqipërinë Etnike Sabile Keçmezi-Basha: Reagimet e forcave kombëtare në Kosovë ndaj vendimeve të Kuvendit të Prizrenit (1945) Eshref Ymeri: Në gjurmët e letrës së Enver Hoxhës për Kosovën Etleva Lala, Musa Ahmeti: Mitologjia shqiptare në dokumentet arkivore Aristotel Mici: Mesazhi - ''memories'' së Gjon Muzakës Milazim Kadriu: Krimet në Llap ishin të porositura Arben Llalla: Dyshime për identitetin e grekëve të sotëm me grekët e lashtë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora