Speciale
Vebi Xhemaili: Forcat vullnetare kombëtare ngrenë flamurin e Skënderbeut në Shkup
E hene, 19.04.2010, 09:59 PM
FORCAT VULLNETARE KOMBËTARE NGRENË FLAMURIN E SKËNDERBEUT NË SHKUP
Nga Prof. Dr. Vebi Xhemaili
Në shtator të vitit 1944, Qemal Jashari, me përcjellësin e tij Qemal Iljazin, u nisën për Kaçanik dhe ndaluan para dyerve të fabrikës së çimentos “Sharr’. Në këtë rajon vepronte Ushtria Vullnetare Shqiptare dhe bënte përgatitjet e fundit që të hyjë triumfalisht në Shkup. Policia rrugore e emëruar nga Komandanti i saj Avdyl Dura, pasi e legjitimojnë Qemal Jashar beun, e kuptojnë se kush janë dhe menjëherë e dërgojnë në oborrin e fabrikës, ku ishte zyra e Komandantit Avdyl Dura.[1] Pas një bisede të gjatë e cila zgjati mbi dy orë në mes këtyre dy udhëheqësve shqiptarë për veprim të mëtutjeshëm të forcave vullnetare në përgatitjen e planit për marrjen e Shkupit dhe ngritjen e flamurit kombëtar në Shkup.[2]
Në këtë kohë Avdyl Dura ishte komandant në rajonin midis Ferizajt-Kaçanikut dhe Gjilanit, ky e mbante në duar të veta kontrollin e këtij rajoni që lidhej me Tetovën. Ky pasi bisedoi me Emin Jashar beun për situatën e krijuar në Shkup me rrethinë, i telefonoi Komandës në Kaçanik që ta presin si duhet në biseda udhëheqësin e shqiptarëve të Shkupit i cili po bënte përgatitje me krerët shqiptarë për marrjen e qytetit.[3]
Pas kapitullimit të Bullgarisë, në koordinim me Xhafer Devën, Hamit Ferat Kruja erdhi në Shkup, i cili më parë kishte qenë Prefekt në Gjilan.[4] Në Shkup u bashkua me Komitetin e Shkupit, në krye të cilit ishte Emin beu, pasi e kishte zëvendësua Stefan Stefanovin. Ky me largimin e Bullgarisë e kishte lëshuar vet Komitetin. Hamit Kruja me Emin Jasharin së bashku shkuan në komandën gjermane dhe kërkuan që armët e mbledhura t’i kthehen përsëri rinisë shqiptare, për vetë mbrojtje.[5]
Gjatë sundimit bullgarë në anën e Kumanovës vepronte me çetën e vetë Sulejman Sulejmani si “kontraçetnik”. Ky pas kapitullimit të Bullgarisë deklaron: “Më thirri Hamit Kruja dhe Xhafer Deva në Prizren”. Në këtë takim merrnin pjesë disa atdhetarë dhe një oficer Gjerman. Në këtë takim unë mora urdhër për ngritjen e flamurit kombëtar në Matejçe dhe themelimin e Shtabit për mbrojtjen e vendit që me çdo kusht mos të lejojmë depërtimin e forcave partizane në këto anë, sepse komunistët do të bëjnë kërdi në këto troje shqiptare. Në këtë takim kuptova se në Shkup është themeluar pushteti shqiptar në krye me Hamit Krujën. Nga dëshira e madhe për lajmin e hapur, kur Hamit Kruja u nis për Shkup unë i ofrova 15 ushtarë vullnetarë për mbajtjen e rendit dhe paqes në qytetet me rrethinë”.[6]
Në marrjen e Shkupit kanë marrë pjesë: Xhemë Gostivari, Arif Kapetani, Mefailat e Kërçovës. Pasi hynë në Shkup, mbajtën një konferencë te Medreseja e Isa Beut. Pas tubimit te Ura e Gurit e ngritën flamurin e Skënderbeut.[7]
Forcat partizane ishin shumë afër Shkupit, në këtë kohë vazhdojnë luftimet në disa drejtime: më të njohura janë beteja e Treskës dhe ajo e Karadakut. Një aradhë Tetovare me vullnetarë nga fshatrat e Tearcës, Sllatinës, Odrit, Nershtit e tjerë, vazhdojnë luftën mbrojtëse në drejtim të Karadakut. Udhëheqës i kësaj aradhe ka qenë Arif Kapetani. Në betejën e Karadakut ranë dëshmorë kapedanët e çetave: Kadri Azemi, Ferit Saliu nga fshati Dobrosht. Për pjesëmarrje në këtë luftë më vonë do të pushkatohn nga pushteti komunist Fetah Bakiu, Isni Velia, Xhelil Sulejmani, dhe Abdiraman Qazimi të gjthë nga fshati Nerasht. Më vonë nga ky fshat do të zhduket nga dora çetnike e UDB-a jugosllave edhe Zulçe Emini.[8] Po ashtu në luftërat e Shkupit dhe Karadakut, pati edhe disa të rënë nga Tetova dhe disa fshatra të Gostivarit.[9] Historiografia maqedonase pranon: “Se Xhemë Gostivari gjatë kësaj periudhe kishte krijuar territorin lirë, dhe kishte shpallë në pjesën e Maqedonisë Perëndimore ”Shtetin e pavarur shqiptar ”.[10]
Sipas dëshmive të Luan Gashit: pas lirimit tim nga kampi i internimit në Prishtinë, unë me disa bashkëveprimtarë kemi ndihmuar në furnizim me armatim dhe veshmbathje edhe çetat e Mefailit të Madh dhe Xhemë Gostivarit, me ç’rast këta heronj shkruan epopenë e lavdishme antikomuniste të Maqedonisë shqiptare. I bindur se krahas luftës me armë në dorë kundër komunistëve, bullgarëve dhe maqedonasve. Këtë aktivitete luftarak, duhej gërshetuar me një propagandë konkrete, gjatë kësaj kohe Luan Gashi dhe Ibrahim Kelmendi organizojnë marrjen e Radio – Shkupit dhe fillojnë aty emetimin e emisioneve në gjuhën shqipe. për rreth 3 muaj, deri në ndërhyrjen e “nacionalçlirimtarëve” sllavo maqedonas.
Radio-Shkupi, i drejtuar prej këtyre dy burrave nacionalistë, jo vetëm që foli në gjuhën shqipe, por u kumtoi krejt banorëve të Maqedonisë shqiptare, të ngriheshin në këmbë për të fituar lirinë dhe bashkimin kombëtar.[11]
KONTRIBUTI I SULË HOTLËS DHE IBRAHIM KELMENDIT NË MBROJTJEN E PRESHEVËS NGA KOMUNISTËT
Pas largimit të Bullgarisë fashiste, Sulë Hotla me çetën e vetë vazhdoi luftën për mbrojtjen e popullatës sipas direktive që mori nga Komiteti i Prizrenit. Ky me ftesë të Hamit Krujës u takua më parë në Gjilan. Në këtë takim Hamit Kruja i tha Sulë Hotlit se duhet të ngrihej flamuri kombëtar në rajonin e Kumanovës, më konkretisht në fshatin Matejçe.[12] Poashtu veproi edhe Ibrahim Kelmendi në rajonin e Preshevës, ky e ngriti flamurin në ndërtesën e Komunës dhe filloi përgatitjet për mbrojtjen e qytetit. Këtu del në pah lufta heroike e shqiptarëve të Preshevës duke çuar në vend urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm të shtetit shqiptar Fuad Dibrës, për mbrojtjen e Shqipërisë Etnike.[13] Por edhe sipas vendimeve të Komitetit të luftës me seli në Prizren, parashihej organizimi i forcave vullnetare shqiptare, për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë Etnike, sipas nenit I.[14] Për organizimin e luftës Komandanti i Kumanovës Sulë Hotla dëshmon: “Në këto rrethana të përgatitjes së luftës kundër partizanëve u ftova në Prizren, në një Konferencë së bashku me Xhafer Devën dhe disa udhëheqës tjerë.[15] Sulë Hotla deklaron: “Pas themelimit të Shtabit ushtarak u thirra në Prizren te Xhafer Deva, atje takova Hamit Krujën dhe disa oficerë gjerman me grada ushtarake”. Në këtë mbledhje u vendos që të luftojmë së bashku kundër partizanëve deri në Preshevë. Komanda gjermane pranoi se do të na ndihmojë me armë dhe municion. Pas kësaj mbledhje gjenerali gjerman shkroi një letër: ku e emëronte Hamit Krujën për Prefekt të Shkupit.[16]
Në marrëveshje me Hamit Krujën, rashë dakord se duhet të jap disa njerëz për mbajtjen e rendit dhe qetësisë në Shkup. Kur Hamiti u nis për Shkup i dhashë 15 vullnetarë, që t’i merr me vete si përcjellës.[17] Kur themelova Shtabin tim të luftës, deklaron Sulë Hotla, kam marrë urdhër nga Xhafer Deva dhe Hamit Kruja.[18] Në anën tjetër forcat vullnetare të komanduara nga Xhemë Hasa e kishin marrë Shkupin dhe këtu me përpikeni funksiononin organet e Shtetit i shqiptar.[19]
Pas largimit të bullgarëve Sulë Hotla u bë komandant i pavarur dhe ka bërë disa beteja kundër partizanëve, së bashku me Dinë Hoxhën, Mulla Idrizin, Adem Staniqi, Fazli Seferi nga Bersalci, Ramiz Cërnica i Parteshit, Prof. Ibrahim Kelmendi, Ali Staneci dhe Limon Staneci Prefekt i Preshevës. Isen Tërpeza deklaron: “në Preshevë e filluam luftën ‘me besa besë’ por na tradhtuan komunistët e Fadil Hoxhës”.[20]
Sulë Hotla në një bisedë që ka pasur me një komandant komunist i deklaron: “se ne luftojmë për Shqipëri”. Komunisti Teodor Georgievski pasi e dëgjon mirë Sulë Hotlën, ky i fundit e çon te hekurudha e Kumanovës që lidh vijën Nish-Beograd i thotë:”‘se njëra është e jona dhe i takon Shqipërisë, ndërsa tjetra është e juaja, bllokut partizanë”.[21] Në vendin e vetë Sula ishte i plotfuqishëm dhe jepte vendime në kokën e vetë, pra, ishte i pavarur.[22] Gjatë këtyre luftërave heroike në çetën e Sulës kanë marrë pjseë: Jusuf Azir Bajrami, së bashku me Sherif Asipin, Esat Alinë, Mexhit Sulejmanin dhe shumë atdhetarë tjerë.[23]
Periudha e Shqipërisë së bashkuar zgjati deri më 14-15 nëntor 1944, kur edhe Presheva u shpall si zonë e lirë dhe e bashkuar me tokat etnike. Por me ardhjen e pushtetit komunist ajo terrorizua si Shkupi, Kumanova, Kaçaniku, Tetova, Bllaca dhe viset tjera shqiptare. Pra fjalët Fadil Hoxhës se kjo do të jetë Shqipëri ku bukës i thuhet bukë, e ujit-ujë, pas luftës nuk ndodhi.[24] Ndërsa fjalët e Sulë Hotlës dhe Hysen Tërpezës kundër komunistëve dolën shumë të sakta. Kosova ra në duar të armiqve.[25]
Sipas Hysen Tërpezës, Forcat Vullnetare luftonin në çdo vend, ata shkonin nga beteja në betejë për të ndalë depërtimin komunist në këto anë që mos të bëjnë kërdi mbi popull. Kjo tezë e tyre doli shumë e saktë, partizanët bënë terror të paparë në gjitha qytetet shqiptare duke filluar nga Bujanoci, Presheva, Gjilani e deri në Dibër e Strugë.[26]
E para në front, në këto ngjarje tragjike ishte Presheva heroike e cila përjetoi një terror të pa parë duke ra viktimë nga partizanët dhe OZN-a edhe pas luftës, ku numri i të vrarëve arinë mbi 600 vetë.[27] Një ngjarje trishtuese përjetoi edhe Ali Aliu nga Presheva me të birin e vet. Këtë komunistët e lidhën me tel, për trupin e djalit, por teli ishte këputur, ku ishte i lidhur me djalin e vrarë, Aliu u kishte shpëtuar plumbave dhe kishte kërcyer natën murin e shtëpisë, ku ishte komunisti dhe komandanti preshevarë Abdulla Presheva. Aliu i patë thënë: :”Ore Abdulla Presheva, të dëgjova deri sot, do të dëgjoja edhe nesër, por dëgjomë edhe ti njëherë: lëre që ma vranë djalin, e këputa telin, ku isha i lidhur me dorën time, por i vranë edhe 70 veta tjerë. I shkretuan fshatrat: Stanec, Bukiq, Ilndë, Bukurocë e kuqe.[28] Ne dolëm t’i presim me gëzim ata me yll të kuq në kapela, siç na pate porositur ti, Abdulla Presheva, por ata na vranë. “Nuk kemi pandehur se janë vrasës të tillë sllavo-komunistët, këta sllavo-komunistët që mbanin flamuj të kuq, por edhe yll të kuq kishin, e në këto shenja kishin fshehur sadizmin, o Abdulla Presheva. Pse na vranë, o Abdulla Presheva”!. Ai heshti sa nuk shpërtheu në vaj nga heshtja e turbullt. Unë kurrë nuk kisha pandehur, edhe sikur të ma këputnin kokën, si Ali Aliu që jam, se do ta shihja kaq të zhgënjyer dhe kaq të pikëlluar Abdulla Preshevën. Dy-tri ditë më vonë po ata sadistë të kuq e helmuan edhe Abdulla Preshevën. Vdiq në rrethana tejet të dyshimta.[29] Sipas Selim Selimit, “Abdulla Presheva ka vdekur nga sëmundja e barkut në spitalin e Shkupit.”[30]
Shqiptarët për këtë tradhti shpejtë u bindën pas kapitullimit të Bullgarisë, pasi ushtria e saj qe reshtua me komunistët në të gjitha anët e Jugosllavisë, dhe në disa divizione në Kosovë. Por grushtin më të madh kosovarëve ja patën dhënë brigadat komuniste të Shqipërisë, të cilat në Kosovë komandoheshin prej Shefqet Peçit dhe në Maqedoni prej Aqif Leshit. Si thotë profesori i Historisë Ibrahim Kelmendi: “Arma më e fortë e tyre ishte propaganda në gjuhën shqipe, për të cilën gjuhë shqiptarët luftonin”. Mbas marrjes së qyteteve dhe të vijave të komunikacionit, bullgarët qenë tërheqë. Ndërsa brigadat shqiptare të komanduara nga Shefqt Peçi, e pranuan bashkëpunimin dhe tradhtinë e luftës, edhe për shumë kohë në trojet etnike. [31]
Pas mbarimit të luftës me një grup luftëtarësh Sulë Hotla doli në mal, me të kanë qenë Samiu, Shuka, Amza, Isen Sahiti dhe disa të tjerë. Komandant Sula, u fliste luftëtarëve të vetë: “se në qoftë se vinë në pushtet Komunistët, ata do të therin dhe do të vrasin popullin shqiptar dhe nuk do të ngel asnjë xhami dhe kishë”. Në mal Sulën e ka ndihmuar Ferat Qazim Ganiu i cili i çonte bukë dhe duhan. Në vitin 1945 Ganiu dezerton nga ushtria partizane dhe shkon në fshatin Brest, ku takohet me Sulën, ku qëndroi 4-5 ditë. Pas këtij takimi Ganiu rregullisht e ka ndihmuar Sulën dhe Shukën në mal.[32]
Efendi Shaban Jashari në emër të komunistëve shkon te Sula për ta kthyer ka partizanët por Sula kurrë nuk pranon dhe botërisht deklaron: “Unë më parë do t’i lëshojë të hynë bullgarët dhe rusët se sa partizanët”. Shaban Jashari një ditë mori një letër nga Komandanti i Brigadës së III Cekiqi, që të shkojë te Sula ta lus për dorëzimin e tij, por ai më tha: “se kurrë nuk do të lëshoj që këndej rrugës të futen forcat partizane”. Herën e katërt na dërgoi Shtabi Bullgar që Azem Hoxhën ta largojmë nga çeta e Sulës. Pranova të shkoj në Likovë dhe fshatra tjerë që t’i lus që të mos luftojnë. Para u futa në Likovë në dyqanin e Qazos dhe Selimit, i luta ata që ishin prezentë që të largohen nga çeta e Sulës dhe mos ta ndihmojnë atë. Nga dyqani u nisa për te Sula i cili ishte në shtëpinë e Haxhi Alisë, aty e takuam Sulën me 20 vetë vullnetarë. Këtu ishte edhe Azem Hoxha. Ata pyetën se çfarë ka të re në Kumanovë dhe për çfarë arsye ke ardhur, u thashë se kam ardhur që mos të luftoni dhe se kush nuk është fajtor do të kthehet lirisht në shtëpi dhe se nuk do të përgjigjet para ligjit. Ndërsa ata që kanë faj do të dalin para gjyqit.[33]Pas kësaj bisede Azem Hoxha, Efendi Shaban Jashari dhe Sula, shkuan në shtëpinë e Haxhi Ramazanit që të flenë. “E luta Sulën përsëri që mos të sulmojë partizanët në fshatin Vaksincë, pasi sulmi ishte i paraparë për këtë natë. Komandant Sula nuk dha përgjigje definitive. Në mëngjes Sula kishte shkuar në aksion kundër partizanëve, ndërsa ne u kthyem në Kumanovë”.[34] Në viti 1947, Sula me shokë duke kaluar kufirin për Greqi, kapet nga sigurimi jugosllav.[35] Ndërsa pas luftës OZN-a vendosi të shpërngulte me dhunë edhe Shaban Jasharin. Shabani përgjigjet: “Ju mund të më pushshkatoni, por unë, nuk kam ku të shkoj”.[36]
Bajram Rashqja (Kaçaniku), si i besuar i Ismail Hoxhës ishte komandant i një çete kontraçetnike kundër partizanëve. Çeta e tij ka numëruar mbi 15 veta. Kjo çetë ishte e formuar me lejen Asen Bogdanovit, i cili ishte kryeshef i policisë Krahinore në rajonin e Shkupit.[37] Pas kapitullimit të Bullgarisë, ky bashkohet me Forcat e Xhemës dhe Arif Kapetanit, e çlirojnë Radushën, fshatin Rashqe me rrethinë dhe së bashku hyjnë në Shkup.[38] Më 12 shtator 1944, Xhemë Hasa e ngriti flamurin kombëtar mbi urën e Gurit, duke e mbrojtur Shkupin me Forca Vullnetare Kombëtare nga depërtimi komunist, deri më 14 nëntor 1944.
Marrë nga Libri i Prof.Dr. Vebi Xhemailit;
“Shqiptarët e Maqedonisë në mbrojtje të Shqipërisë Etnike 1941-
[1] Ramadan Asllani, Avdyl Dura me bashkëluftëtarë për Shqipërinë Etnike, Prishtinë
[2] UDB-a, kut. nr. 11. 18.
[3] UDB-a p aty.
[4] UDB-a, kut. 11.
[5] UDB-a, kut. 11.
[6] UDB-a, po aty. kut. 11.
[7] OZN-a, kut.12, Dëshmi të Qemal Rasim Ilijazit, 8.XII.1948.
[8] Xhevair Shaqiri, Profesor nga fshati Nerasht, i lindur në vitin 1922.
[9] Shënime të mbledhura nga terreni.
[10] Boro Mitrovski, Tetovo i tetovsko vo nov 1941-1945, Tetovë, 1991, f.321
[11] Deklaratë e Rakip Raçës në OZN-a; në Gjilan Prefekt ishte Rifat Berisha unë shoqërohesha me të deri sa isha me detyrë në Gjilan, Rakip Raça kur ishte në punë në Gjilan pastaj vendoset në Gostivar
[12] OZN-a, kut.11; Deglaratë e Sulë Hotlës.
[13] Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë
[14] Daut Bislimi, Formacionet politike-ushtarake në Kosovë, vep. e cit. f.111.
[15] OZN-a. Kut, 11. Dëshmi të Sulë Hotlës.
[16] Po aty
[17] Po aty.
[18] Sulejman Sulejmani, deklaratë e tij në OZN-a.
[19] Sulë Hotla flet vetë para organeve të hetuesisë në Shkup.
[20] Hysen Tërpeza, një legjendë për Kosovën…..
[21] OZN-a, Kut XIII, Sulë Hotla është i lindur në vitin 1875, në fshatin Hotël, Rrethi i Kumanovës, Gjatë Jugosllavisë së vjetër ka qenë kryetar komune në fshatin Matejçe. Gjatë luftës u bë udhëheqës i kontra çetës kundër partizanëve. Ka mbajtur lidhje me kryeshefin e policisë krahinore të Shkupit Asen Bogdanovin. Nga i cili merrte armë dhe material luftarak.
[22] Sulo Hotla ka qenë në burg në vitin 1941 dhe e ka liruar Krsto Konjushki. Shukri Hasani e ka pasur inat Sulë Hotlën. Ai në Shkup ka pasur Lidhje edhe me Shaban Jasharin i cili pastaj deklaroi se e ka lut Sulën që të mos formojë çetë, por Sula i ka thënë: “se unë do të formoj çetë dhe se çeta ime do të jetë shembull dhe se nuk do të bëjë dëme askujt”.
[23] Sulë Hotla, po aty.
[24] Adem Murati, Ramadan Agushi, Prishtinë
[25] Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, vep. e cit. f.180.
[26] Hysen Tërpeza, Një legjendë për Kosovën, Prishtinë 2004; Mehmet Kajtazi, Shqiptarët në Goli-Otok, Prishtinë 1991, 83; Në Goli Otok pati nga viset shqiptare edhe nga Tetova, f. 88.
[27] Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, vep. e cit. f.182; Vebi Xhemaili, Forcat kombëtare në mbrojtje të Shqipërisë etnike 1941-1945, vep. e cit. f. 365.
[28] Po aty. Mehmet Kajtazi, Shqiptarët në Goli-Otok.
[29] Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, f.132.
[30] Selim Selimi, Kohë e svidave historike, Preshevë,
[31] Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë
[32] Po aty
[33]Po aty, Kut. XVIII, Deklaratë e Shaban Jasharit dhe Azem Hoxhës në OZN-a,
[34] OZN-a, kut. XVII; Deklaratë e Jashar Shabani në OZN-a; Ali Presheva udhëheqës i një kontra çete në Preshevë, së bashku me Ismail Hoxhën dhanë 30 shqiptarë, për formimin e aradhës së Birmanit në gjysmën e dytë të vitit 1943.
[35] Po aty
[36] Hajrrilla Kola, Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve në viset e tyre etnike në Jugosllavi 1941-1967, Tiranë
[37] OZN-a, Po aty.
[38] Ismail Iseni nga Saraji; këto shënime të mbledhura nga terreni Radushës dhe rajoni i Rashqes.