Speciale
Milazim Kadriu: Shënohet 11 vjetori i rënies së shumë dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë
E hene, 19.04.2010, 09:59 PM
Shënohet 11 vjetori i rënies së shumë dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë
18 PRILLI I VITIT 1999, SHËNON DITËN KUR KANË RËNË MË SË SHUMTI DËSHMORË TË KOMBIT NË KOSOVË
Nga Milazim KADRIU
Më 18 prill të vitit 1999, në mbrojtje të pozicioneve të luftë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dhjetëra dëshmorë. Në Marec dhe në Malësinë e karadaket kanë rënë trimërisht dhe heroikisht 24 dëshmorë, 5 dëshmorë të tjerë kanë rënë në mbrojtje të pozicioneve të SHP të UÇK-së, në Gradinë të Rrafshnaltës së Berishës, tetë të tjerë kanë rënë në zonat e luftës në Dukagjin, disa të tjerë në frontin e Kosharës dhe në shumë vende të tjera, ku luftimet mes UÇK-së dhe forcave ushtarake e policore serbe po zhvilloheshin fyt për fyt.
Në masakrën e Dyzit, forcat ushtarake dhe policore serbe pushkatuan dhe masakruan mbi 70 civilë shqiptarë
Në fshatin Dyz të Besianës u mbajt manifestim përkujtimor ku u përkujtuan me nderim dhe respekt dëshmorët dhe martirët e kësaj ane të Llapit heroik. Në këtë 11 vjetor u përkujtua njëra ndër masakrat më të mëdha në Llap, ku forcat ushtarake dhe policore serbe pushkatuan dhe masakruan mbi 70 civilë shqiptarë. Në këtë ditë dhe këtë vend, në përpjekje për të mbrojtur popullatën civile ra edhe dëshmori i kombit, Mustafë Llapashtica. Andaj për të përkujtuar dëshmorin Mustafë Llapashtica dhe martirët e 18 prillit të vitit 1999, në manifestim morën pjesë qytetarë të shumtë nga Besiana e rrethina, si dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe përfaqësues të institucioneve vendore,përfaqësues ët subjekteve politike dhe familjarë të martirizuarve. Forcat pushtuese serbe në pamundësinë për t’u përballuar bombardimeve të forcave të NATO-së dhe luftës së UÇK-së, u vërsulën mbi popullatën civile, ku s’kursyen as fëmijët, as pleqtë dhe as gratë. Përvjetorët për dëshmorët dhe të rënët, është përkujtimi i një dhembje por edhe një krenarie e qëndrese të popullit në përgjithësi. Mu para 11 vitesh një lum njerëzish nga këto anë të Llapit dhe Gollakut ishin një turmë njerëzish që ishin një qëndresë për të mbijetuar dhe mbrojtur pragun e shtëpisë,për të mbrojtur vendin,atdheun,këtë pjesë të Kosovës dhe mbarë trojeve shqiptare.
Në emër të institucioneve lokale në këtë përkujtim foli kryesuesi i Kuvendit të komunës së Besianës foli z. Hazir Raçi, i cili ndër tjera tha se ” Sot jemi këtu, që pas njëmbëdhjetë vjetësh të kujtojmë ata që ranë e u vranë për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Njëmbëdhjetë vjet pas krimit që ndodhi këtu , mbi fëmijët , pleqtë, njerëzit e pambrojtur, dhembja juaj dhe e jona, vjen edhe sot e natyrshme. Edhe në Dyz, ndodhi terrorizmi serb, ndodhi ajo që ndodhte tashmë anë e mbanë Kosovës.
Liria dhe shteti ynë kanë emrin dhe jetën e atyre që u vranë e ranë !
Ceremonia e sotme, por të qenit përjetësisht me shpirtin e të rënëve , përkujdes për familjet e tyre gjatë gjithë kohës, duhet të bëhen emblemë e punës së institucioneve në Republikën e Kosovës. Liria dhe shteti ynë kanë emrin dhe jetën e atyre që u vranë e ranë ! Ata, do të jenë gjithmonë me ne, edhe pse mungojnë fizikisht, janë dhe do të jenë gjithnjë me ne shpirtërisht. Ata hapën , dyert e lirisë, pavarësisë dhe të ardhmes së vendit tonë. Raçi më tej tha se ajo që ndodhi më 17 shkurt 2008, né Kosovë, e që ne po i gëzohemi sot, ndodhin falë sakrificës sublime të rënëve, që ne sot po i kujtojmë. U vranë fëmijë, gra, pleq të cilët fajësoheshin se jetonin të lirë në vatrat e tyre, dhe pse qëndronin të palëkundshëm në kërkesat e tyre, që të jetojnë të lirë. Përkujtimi dhe nderimi i dëshmorëve vetëm atëherë ruan kuptimësinë , ndërkaq ne me punën tonë pasurojmë jetën dhe i japim përjetësinë pjesës së historisë që e bënë më të dashurit tanë” u shpreh Raçi.
Në Dyz të Besianës, nga armiku i njëjtë ndodhën më 1878, 1912, 1921 dhe 1999
Masakra e Dyzit e vitit 1999 nuk është masakra e parë në këtë vend e shkaktuar nga armiku i njëjtë por ajo është vazhdimësi e masakrave të njohura të vitit 1878,1912,1921 e deri tek kjo e fundit që shpresojmë se do të jetë e fundit. Sa herë që vjen kjo ditë neve gjithmonë na kujtohet ajo pamje e tmerrit njerëzor. Në këtë vend atë ditë në skenë dolën nga njëra anë njerëz që donin lirinë e vendit të vetë dhe nga ana tjetër ishin ata që kishin formën e njerëzve por që ishin plot urrejtje dhe që shkaktuan tmerr dhe shkaktuan masakrën. Sa herë që kujtojmë dëshmorët e kombit kujtojmë figurat më të lavdishme të kombit sepse si rezultat i gjakut të tyre sot jetojmë të lirë,u tha në këtë tubim. Në fund të manifestimit u vunë kurora lulesh të freskëta pranë Pllakës përkujtimore të rënëve dhe u dha një program kulturo-artistik.
ASNJËHERË LUFTUAN SE NDALI
Mustafë Llapashtica
(Mustafë Llapashtica)
Babai i tij Ismaili
Hapi shumë shkolla shqipe
Por edukoi edhe fëmijët
Në frymën patriotike.
Mustafa edhe pse i ri
Shkoi në të shkaut ushtri
Por pas shtatë muajsh u kthye
Qe betuar se s’do ti shërbej shkaut të zi.
Që nga viti1968
Deri më 1997
Në të gjitha demonstratat
Dhe asnjëherë s’u ndal.
Shok i Ahmet Haxhiut
Nuhi Berishës e Rexhep Malës
E më vonë edhe Enver Topallit.
Kreu shumë aksione
Ai “Në qafën e Shaikovicës”
E në nëntor 1998
“Te Tabet e Llapashticës”.
U vra në vendlindje
Në luftë me barbarë
Pas veti la Dardanën,
Doruntinën e Gentritën
Heroi ynë kombëtarë.