Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Shënohet 11 vjetori i rënies së shumë dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë

| E hene, 19.04.2010, 09:59 PM |


Shënohet 11 vjetori i rënies së shumë dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë

 

18 PRILLI I VITIT 1999, SHËNON DITËN KUR KANË RËNË MË SË SHUMTI DËSHMORË TË KOMBIT NË KOSOVË

 

Nga Milazim KADRIU

 

Më 18 prill të vitit 1999, në mbrojtje të pozicioneve të luftë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dhjetëra dëshmorë. Në Marec dhe në Malësinë e karadaket kanë rënë trimërisht dhe heroikisht 24 dëshmorë, 5 dëshmorë të tjerë kanë rënë në mbrojtje të pozicioneve të SHP të UÇK-së, në Gradinë të Rrafshnaltës së Berishës, tetë të tjerë kanë rënë në zonat e luftës në Dukagjin, disa të tjerë në frontin e Kosharës dhe në shumë vende të tjera, ku luftimet mes UÇK-së dhe forcave ushtarake e policore serbe po zhvilloheshin fyt për fyt. Po atë ditë, janë plagosur edhe shumë luftëtarë të lirisë. Gjenerali serb Deliq kishte raportuar në Beograd se forcat e UÇK-së të përkrahura nga aeroplanët e NATO-s ishin pozicionuar fuqishëm dhe tashmë ishin të pathyeshëm. Më 17 dhe 18 prill forcat policore serbe, të zemëruara se nuk po i thyenin dot frontet e luftës së UÇK-së kanë kryer edhe disa masakra të çmeritura në fshatrat e Drenicës si në Paklek të Vjetër, Vasilevë, Korraticë e Epërme ku kanë vrarë dhe kanë masakruar 75 shqiptarë, në mesin e tyre edhe shumë gra e fëmijë. Me këtë rast kanë pësuar mizorisht familjet Muçolli dhe Elshani. Po më 18 prill të vitit 1999 në fshatin Dyz të Besianës janë masakruar 70 civilë shqiptarë.

 

Në masakrën e Dyzit, forcat ushtarake dhe policore serbe pushkatuan dhe masakruan mbi 70 civilë shqiptarë

Në fshatin Dyz të Besianës  u mbajt manifestim përkujtimor  ku u përkujtuan  me nderim dhe respekt dëshmorët dhe martirët e kësaj ane të Llapit heroik. Në këtë 11 vjetor u përkujtua  njëra ndër masakrat më të mëdha në Llap, ku forcat ushtarake dhe policore serbe pushkatuan dhe masakruan mbi 70 civilë shqiptarë. Në këtë ditë dhe këtë vend, në përpjekje për të mbrojtur popullatën civile ra edhe dëshmori i kombit, Mustafë Llapashtica. Andaj për të përkujtuar dëshmorin Mustafë Llapashtica dhe martirët e 18 prillit të vitit 1999, në manifestim morën pjesë  qytetarë të shumtë nga Besiana   e rrethina, si dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe përfaqësues të institucioneve vendore,përfaqësues ët subjekteve politike dhe familjarë të martirizuarve. Forcat pushtuese  serbe në pamundësinë për t’u përballuar bombardimeve të forcave të NATO-së dhe luftës  së UÇK-së, u  vërsulën mbi popullatën  civile, ku  s’kursyen  as fëmijët, as  pleqtë dhe  as gratë. Përvjetorët për dëshmorët dhe të rënët, është përkujtimi i një dhembje por edhe një krenarie e qëndrese të popullit në përgjithësi. Mu para 11 vitesh një lum njerëzish nga këto anë të Llapit dhe Gollakut ishin një turmë njerëzish që ishin një qëndresë për të mbijetuar dhe mbrojtur pragun e shtëpisë,për të mbrojtur vendin,atdheun,këtë pjesë të Kosovës dhe mbarë trojeve shqiptare.

 

Në emër të institucioneve lokale  në këtë përkujtim foli kryesuesi i Kuvendit  të komunës  së Besianës foli  z. Hazir  Raçi, i cili ndër tjera tha se ” Sot jemi këtu, që pas njëmbëdhjetë  vjetësh të kujtojmë ata që ranë e u vranë për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Njëmbëdhjetë vjet pas krimit që ndodhi këtu , mbi fëmijët , pleqtë, njerëzit e pambrojtur, dhembja juaj dhe  e jona, vjen edhe  sot e natyrshme. Edhe në Dyz, ndodhi terrorizmi serb, ndodhi ajo që ndodhte tashmë anë e mbanë Kosovës. Po  në këtë vend u vranë mbi 70 civil, sepse e donin lirinë dhe vatrat e veta, 36 varret këtu janë dëshmia e vërtetë që ndodhi në vendin tonë, ato janë fakte dhe argumente që flasin vet.

 

Liria dhe  shteti ynë kanë emrin dhe jetën  e  atyre që u vranë e ranë !

 

Ceremonia e sotme, por të qenit përjetësisht me shpirtin e të rënëve , përkujdes për familjet e tyre gjatë gjithë kohës, duhet të bëhen emblemë e punës së institucioneve në Republikën  e Kosovës. Liria dhe  shteti ynë kanë emrin dhe jetën  e  atyre që u vranë e ranë ! Ata, do    jenë  gjithmonë me ne, edhe  pse mungojnë fizikisht, janë dhe  do të  jenë gjithnjë me ne shpirtërisht. Ata hapën , dyert e  lirisë, pavarësisë dhe të  ardhmes së vendit  tonë. Raçi më tej tha se ajo që  ndodhi më 17 shkurt 2008, né Kosovë, e  që ne  po i gëzohemi sot, ndodhin falë sakrificës sublime të rënëve, që ne sot po i kujtojmë. U vranë fëmijë, gra, pleq të cilët fajësoheshin se jetonin të lirë në vatrat  e tyre, dhe pse qëndronin të palëkundshëm në kërkesat e tyre, që të jetojnë të lirë. Përkujtimi dhe nderimi i dëshmorëve vetëm atëherë ruan kuptimësinë , ndërkaq ne me punën tonë pasurojmë jetën dhe i japim përjetësinë pjesës së historisë që e bënë më të dashurit tanë” u shpreh Raçi.

 

Në Dyz të Besianës, nga armiku i njëjtë ndodhën më 1878, 1912, 1921 dhe 1999

 

Masakra e Dyzit e vitit 1999 nuk është masakra e parë në këtë vend e shkaktuar nga armiku i njëjtë por ajo është vazhdimësi e masakrave të njohura të vitit 1878,1912,1921 e deri tek kjo e fundit që shpresojmë se do të jetë e fundit. Sa herë që vjen kjo ditë neve gjithmonë na kujtohet ajo pamje e tmerrit njerëzor. Në këtë vend atë ditë në skenë dolën nga njëra anë njerëz që donin lirinë e vendit të vetë dhe nga ana tjetër ishin ata që kishin formën e njerëzve por që ishin plot urrejtje dhe që shkaktuan tmerr dhe shkaktuan masakrën. Sa herë që kujtojmë dëshmorët e kombit kujtojmë figurat më të lavdishme të kombit sepse si rezultat i gjakut të tyre sot jetojmë të lirë,u tha në këtë tubim. Në fund të manifestimit u vunë kurora lulesh të freskëta pranë Pllakës përkujtimore të rënëve dhe u dha një program kulturo-artistik.

 

 

Mustafë Llapashtica
Mustafë Llapashtica
ASNJËHERË LUFTUAN SE NDALI

 

(Mustafë Llapashtica)

 

Babai i tij Ismaili

Hapi shumë shkolla shqipe

Por edukoi edhe fëmijët

Në frymën patriotike.

 

Mustafa edhe pse i ri

Shkoi në të shkaut ushtri

Por pas shtatë muajsh u kthye

Qe betuar se s’do ti shërbej shkaut të zi.

 

Që nga viti1968

Deri më 1997

Në të gjitha demonstratat

Dhe asnjëherë s’u ndal.

 

Shok i Ahmet Haxhiut

E Hasan Ramadanit

Nuhi Berishës e Rexhep Malës

E më vonë edhe Enver Topallit.

 

Kreu shumë aksione

Ai “Në qafën e Shaikovicës”

E në nëntor 1998

“Te Tabet e Llapashticës”.

 

U vra në vendlindje

Në luftë me barbarë

Pas veti la Dardanën,

Doruntinën e Gentritën

Heroi ynë kombëtarë.