Speciale
Besim Muhadri: Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar u themelua si një organizatë politiko-ushtarake
E merkure, 21.04.2010, 09:59 PM
FRONTI I REZISTENCËS DHE I BASHKIMIT
KOMBËTAR - ORGANIZATË POLITIKO-
USHTARAKE QË KISHTE TENDENCA
PËR THEMELIMIN E NJË USHTRIE TË
MIRËFILLTË GJITHSHQIPTARE
“Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar u themelua si një organizatë politiko-ushtarake, me tendencën kryesore të krijimit të një ushtrie, e cila do të përgatitej për një rezistencë aktive kundër të gjitha atyre përgatitjeve që bënte Serbia për shfarosjen e shqiptarëve, apo të “zgjidhjes” së problemit shqiptar me anë të mjeteve të dhunës”. Qëllimi i themeluesve të kësaj organizate ishte që të krijonin një organizëm të fuqishëm politiko-ushtarak, deri atëherë të paqenë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet tjera shqiptare jashtë kufinjve administrativë të Shqipërisë”, thotë në mes tjerash ish kryetari i kësaj organizate politiko-ushtarake, z. Mentor Kaçi
Nga Besim MUHADRI
Në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar (XX) është folur dhe përfolur shumë për një organizatë politiko-ushtarake e quajtur Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar (FRBK), e cila kishte funksionuar në ato vite, ndërkaq shumica prej themeluesve, por edhe veprimtarëve të saj, në nëntor të vitit 1991 u hetuan nga organet serbe dhe jugosllave të sigurimit, të cilat i arrestuan dhe i dënuan me shumë vite burg. Gjatë atyre viteve(pra para luftës së UÇK-së), por edhe gjatë viteve të përfundimit të luftës, për këtë organizatë është folour, por kurrë nuk është shkruar në mënyrën e duhur. Prandaj, duke pasur rëndësinë, rolin, por edhe qëllimet shumë të mira të asaj organizate, për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, por jo vetëm kaq, ne kontaktuam me njërin nga themeluesit, përkatësisht ish-kryetarin e saj, z. Mentor Kaçi, me të cilin bëmë një bisedë të shkurtër, në të cilën ai flet për Frontin e Rezistencës dhe Bashkimit Kombëtar; për themelimin dhe qëllimet e themelimit të saj si dhe për aktivittein e kësaj organizate.
Kush ishte Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar?
FRBK-nisma e formimit të një ushtrie
të rregullt gjithshqiptare
Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar u themelua si një organizatë politiko-ushtarake, me tendencën kryesore të krijimit të një ushtrie, e cila do të përgatitej për një rezistencë aktive kundër të gjitha atyre përgatitjeve që bënte Serbia për shfarosjen e shqiptarëve, apo të “zgjidhjes” së problemit shqiptar me anë të mjeteve të dhunës”. Qëllimi i themeluesve të kësaj organizate ishte që të krijonin një organizëm të fuqishëm politiko-ushtarak, deri atëherë të paqenë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet tjera shqiptare jashtë kufinjve administrativë të Shqipërisë, ku do të përfshiheshin të gjitha trojet e banuara me shqiptarë. Fronti ishte një subjekt, i cili mëtonte të ishte nisma e ushtrisë së rregullt, nisma e një kryengritjeje të armatosur për çlirimin e vendit nga okupatori serb. Ky ishte Fronti, kjo ishte ideja e themelimit të kësaj organizate.
Sipas ish kryetarit të Frontit të Rezistenës dhe Bashkimit Kombëtar, z. Mentor Kaçit , “finalizimi i themelimit të kësaj organizate u bë më 11 nëntor të vitit 1990 në lagjen Dardani (ish-Piskotë) të Gjakovës, përkatësisht në shtëpinë e Palush dhe Zef Palushit”[1]. Në këtë takim, i cili për shkak të rrethaneve të mbajtjes së tij, nga ana e nikoqirëve u proklamua si një gazmend familjar, përkatësisht si një fejesë, morën pjesë përfaqësues pothuajse të të gjitha viseve shqiptare, në mesin e të cilëve edhe: Mentor Kaçi, Sokol Dobruna, Fatlik Lila (Gjakovë), Naim Krasniqi, Ismet Kryeziu (Prizren), Nuhi Bytyçi, Afrim Morina (Therandë), Hamzë Jashari e Avdyl Krasniqi nga Drenica, Çerkin Peci nga Mitrovica, Hamit Muja nga Vushtria, Fatos Aliu dhe Ali Aliu nga Presheva, Fadil Curri, gazetar nga Shkupi, Hamdi nga Presheva (mbiemri nuk i kujtohet bashkëbiseduesit, por si duket është Hamdi Hajdini-plotësimi ynë- B. M.). Pra siç shihet kishte përfaqësues nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë (kuptohet jashtë kufinjve administrativë të Shqipërisë).
Mentor Kaçi
Pra, në këtë ditë u themelua dhe iu vu emri kësaj organizate. Fillimisht (nga M. Kaçi vër. ime - B.M) ishte propozimi që të emërtohej Fronti i Rezistencës, që, siç pohon M. Kaçi, përkonte me një emër që nënkuptonte shumë dhe që ndërlidhej edhe me periudha të mëhershme të rezistencës së shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj. Mirëpo, nga dëshira që kjo organizatë të kishte edhe qëllime më të mëdha, siç ishte çlirimi dhe më pas edhe bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare të ndara dhe të aneksuara nga fuqitë e mëdha, gjatë diskutimit iu shtua edhe togfjalëshi Bashkimi Kombëtar, pra tash e tutje organizata do të quhej Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar (FRBK).
Puna e FRBK-së (tash e tutje do të thirret kështu), vazhdoi shumë shpejt, ndërsa shtrirja e tij u bë në të gjitha trojet. Në Kosovë kishte shtatë ndarje territoriale, pastaj nga një në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, që bëjnë nëntë. Shqipëria ishte një përfaqësim tjetër, që duhej të hynte si element më vete.
FRBK kishte një strukturë të mirëfilltë organizative-udhëheqëse. Ai përbëhej nga udhëheqja e përgjithshme dhe Këshilli. Këshilli ishte paraparë që të shërbente si një strukturë ushtarake profesionale, e cila do të planifikonte dhe do të organizonte luftën, por edhe konstituimin e grupeve që do të merreshin në mënyrë tejet profesionale me konsolidimin e radhëve të organizatës, përkatësisht të pjesëtarëve të saj, veçanërisht të asaj pjese që kishte të bënte me Organizimin e luftës së ardhshme në Kosovë.
Udhëheqësia e FRBK-së fillimisht ishte kjo: Mentor Kaçi, (kryetar), Fatlik Lila, Sokol Dobruna, Naim Krasniqi, Ismet Kryeziu, Afrim Morina, Çerkin Peci, Fatos Aliu etj., anëtarë të kryesisë. Organizata shumë shpejt u zgjerua, ndërsa numri i pjesëtarëve të saj u shtua në mënyrë marramendëse, sa që udhëheqësit e organizatës i shtyri të mendojnë se çfarë dhe si
të vepronin më tutje.
Aktiviteti i saj shumë shpejt u shtri edhe në territorin e shtetit shqiptar, ku hirerarkia e saj arriti të kontaktojë me udhëhqjen më të lartë shtetërore të asaj kohe (në atë kohë president i shtetit ishte z. Ramiz Alia), nga e cila mori një përkrahje të plotë. Në mesin e pjesëtarëve të hirerakisë ushtarake të Shqipërisë që i përkrahu dhe që mori përgjegjësinë e ndihmës konkrete ishte edhe Sami Maçellari, në atë kohë gjeneral brigade në ushtrinë shqiptare. Një pjesë të aktivitetit të saj FRBK arriti ta shtrinte edhe në diasporë (ku mblidheshin kryesisht fonde), ndërsa bazat e saj i kishte vendosur në rrethin e Tropojës, përkatësisht në Luginën e Valbonës, në shtëpinë e një ushtaraku, pastaj në një internat në qytetin e Bajram Currit etj. Në të njëjtën kohë, në Gjakovë arrijnë të qepen 1.000 uniforma ushtarake nën emblemën e FRBK-së, 600 prej të cilave, për fat të keq, do të konfiskohen nga ana e policisë serbe e me këtë rast të burgoset edhe njëri nga rrobaqepësit. Kjo ndodhi pas rënies në burg të disa prej krerëve të Frontit, akt i cili ndodhi në nëntor të vitit 1991, mu në kulmin e përgatitjeve për finalizimin e planeve dhe përpjekjeve të Frontit. Mu në kulmin e pjekurisë politike, por edhe organizative, disa nga krerët e Fronit, si Mentor Kaçi, Naim Krasniqi, Zenel Sadiku etj., kapen në fshatin Babaj të Bokës, në kohën kur po kalonin kufirin shqiptaro-kosovar. Ndërkaq, në ndërkohë, burgosen pothuajse pjesa dërrmuese e udhëheqjes, në mesin e të cilëve edhe Sokol Dobruna, Fatlik Lila e shumë e shumë të tjerë, ndërsa një pjesë e atyre që mbetën pa u burgosur, u arratisën jashtë territorit të Kosovës. Me këtë akt, në një farë forme, edhe do të shuhet aktiviteti i organizatës.
Megjithatë, Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar mbetet një nga organizatat politiko-ushtarake, ndoshta ndër të parat deri në atë kohe, që tentoi të bënte një përpjekje serioze për themelimin e një ushtrie të mirëfilltë shqiptare në Kosovë, e cila do të luftonte kundër regjimit dhe forcave policore dhe ushtarake serbe, përkatësisht të asaj pjese të mbetur të Jugosllavisë. “Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar padyshim që do të mbetet edhe si një pararendës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në radhët e së cilës (UÇK-së) do të jenë shumë pjesëtarë të Frontit. Madje ka ndër ta që edhe ishin themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantë të saj, si Azem Syla e të tjerë, por edhe të tillë që sot mbajnë epitetin e dëshmorëve të kombit, si Adem e Hamzë Jashari, Luan Haradinaj, Zahir Pajaziti, Gaspër Karaqi e të tjerë...”,- pohon në mes tjerash ish kryetari i Frontit të Rezistencës dhe Bashkimit Kombëtar, z. Mentor Kaçi.
[1] Këto informacione u morën nga ish kryetari i FRBK-së, z. Mentor Kaçi, me të cilën biseduam me gjatë në lidhje me të gjitha ato aktivitete dhe plane që kishte organizata që ai udhëhiqte në ato vite. Kjo bisedë mbase një ditë do të botohet si libër i veçantë, ku do të pasqyrohet tërë aktiviteti i kësaj organizate, që nga themelimi e deri me shuarjen e saj.