E diele, 28.04.2024, 10:47 PM (GMT+1)

Speciale

Baki Ymeri: Simbol i gjallë i atdhetarizmit shqiptar

E hene, 31.05.2010, 08:05 PM


SIMBOL I GJALLË I ATDHETARIZMIT SHQIPTAR

 

Shenjtëria e atdhedashurisë lidhet në mënyrë të pashmangshme me respektin ndaj njerëzve që trasuan rrugën e rezistencës. (B.Berisha)

 

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

 

Sipas Biblës së Shenjtë, në fillim ishte fjala, dhe fjala ishte Zot. I vetmi popull në botë që e mban fjalën e dhënë, janë shqiptarët. Që të ndërtosh diçka, ekziston nevoja për vlera dhe karakter. Vlerat më e madhe e Rafiut është qëndresa shqiptare. Rafi Halili ka ditur ta mbajë fjalën e dhënë, ngase fjala e tij ka qenë ligj, dhe ligji i tij ka qenë besë. Dikush parashtron pyetjen në historia është pjesë e së vërtetës historike, apo e vërteta është historia e fjalës së pathënë. Historia dhe fati kanë ngjashmëri. Fati i Rafi Halilit ndërlidhet me guximin për të shkruar faqe të arta të historisë sonë përdrejtësi sociale dhe çrobërim kombëtar. Ideali kombëtar, nderi dhe patriotizmi janë çështje të prekshme dhe dilikate. Sipas Viktor Eftimiut, “Njeriu i ndershëm nuk flet për nderë, ngase e mban përherë me vete, në mënyrë diskrete, si një mekanizëm të shëndetshëm. Vetëm organeve të sëmura ua ndjen mungesën e nderit.” Patrioti i vërtetë nuk e shndërron patriotizmin në mjeshtri lakmitare për interesa personale. Rafi Halili ka qenë dhe ka mbetur simbol i guximit shqiptar dhe kundërshtar i atyre që na sjellnin padrejtësi, vuajtje dhe trishtim në jetë.

Inisiativa e Rami Kamberit për të hartuar një monografi kushtuar Rafi Halilit në 60 vjetorin e tij, është një inisiativë e shenjtë, ngase veprat e shenjta nuk krijohen pa sakrifica, siç e sakrifikoi edhe Rafiu rininë, studimet dhe shëndetin e tij. Cila është vepra e Rafiut në 60 vjetorin e lindjes së tij? Është rinia e tij studentore kur militonte për të krijuar rezistencën e shqiptarëve të Maqedonisë për t’i bërë ballë një sistemi bastard që fabrikonte armiq, që krijonte padrejtësi dhe pabarazi, që tradhëtonte idealet e “internacionales socialiste” në emër të “vetëqeverisjes jugosllave”, një sistem satanik që tallej me fatin e kombit shqiptar duke stimuluar papunësinë dhe varfërinë, drama individuale dhe drama kolektive. Ishin vitet e ’70-ta të shekullit të shkuar, vitet e entuziazmit, të vrullit revolucionar dhe etjes për liri, për dituri dhe arsimim. Literatura e shëndetshme që i vjente nga Bukureshti dhe Tirana mënjanë, padrejtësia dhe pabarazia e shqiptarëve të Maqedonisë me “kombin” artificial maqedonas në anën tjetër, ishin kushte elementare që e detyruan Rafi Halilin të krijojë “Kushtrimin e Lirisë”, duke patur në ballë shokë të idealit që s’e tradhëtuan kurrë, ndër ta duke qenë edhe një veteran i pavdekshëm i atdhetarizmit shqiptar, Gafur Loku, i likuiduar më vonë në mënyrë perfide nga forcat e xhandarmerisë serbe në Kosovë.

Rafi Halili është simbol i gjallë i atdhetarizmit shqiptar ngase militonte për një rend të ri botëror konform modelit politik pa klientelë politike, konform modelit ekonomik pa hajdutëri ekonomike, dhe konform modelit patriotik pa karikatura ballkanike që e ngatërrojnë shqiptarizmin me enverizëm, titizëm apo islamizëm. Rafi Halili është shqiptari më i ndjekur në kohën e titizmit në Maqedoni. Shqiptarët e lagjes së tij nuk i harrojnë kurrë bastisjet policore të “milicisë” maqedone të udhëhequr nga një shqiptar i shitur, nga shefi i “Sigurimit Shetëror” që i shiste edhe anëtarët e ngushtë të familjes së tij, për të inkuadruar në vend të tyre pjestarë të komunitetit maqedonas. Kjo është një e vërtetë e hidhur të cilën e kemi dëgjuar nga vëllau i tij, Sinan Kadriu, ishveteran i arsimit shqiptar dhe arsimtar i gjuhës shqipe në Tetovë. Nuk na ka hije të flasim për “njeriun” që ka vajtur në botën e hijeve, dhe sidomos për anëtarët e familjes së tij, ngase faji nuk ishte i familjes së tij, por i etjes së pangopshme për pushtet, për pushtetin e një shteti të cilin historia e flaku në koshin e plehërave të harresës.

 

Arti i durimit shqiptar për çrobërim kombëtar

 

Shqiptarë të persekutuar dhe procese të montuara politike me karakter antishqiptar. Në kuadrin e artikullit “Organizatat ilegale të Shqiptarëve të Maqedonisë”, Tome Batkovski do të botojë një fejton në të përditshmen “Nova Makedonija” (1994), duke e përshkruar “Bashkimin” dhe “Frontin e kuq popullor” të Xhafer Shatrit, organizata në gjirin e së cilës vepronte edhe “Kushtrimi i Lirisë”, e udhëhequr nga Rafi Halili me bashkëluftëtarët e tij, një mekanizëm patrotik “që ftonte shqiptarët e robëruar në një luftë të përbashkët për liri dhe pavarësi, për zhdukjen e armikut shekullor, për shpartallimin e borgjezisë dhe trashëgimtarëve të tërbuar të saj, të revizionistëve jugosllavë në ballë me klikën e Titos” (N. Makedonija 27 mars 1994). Në kuadrin e fejtonit në fjalë defilojnë edhe emra atdhetarësh tjerë nga Kosova dhe Maqedonia: Ali Ahmeti me grupin ilegal nga Kërçova (Pasho Maksuti, Tahir Hana, Bajram Limani), pjestarë tjerë nga Struga, Tetova, Kumanova e Kosova (Zija Shemsiu, Gëzim Koleci, Mersim Selmani, Sulejman Hani, Garip Qaba, Abedin Hyseini, Zeqir Emini, Muhadin Bajrami, Veli Emini, Zaim Beqiri etj.)

 Sipas këtij publicisti maqedonas “Qysh në vitin 1981, në Komitetin e Qarkut të Tetovës, pjestarë që vepronin ishin vëllezërit Fatmir dhe Afrim Ibrahimi, si dhe Bilall Sherifi, të njohur për “aktivitet kundërkushtetues nga pozitat e nacionalizmit shqiptar”. Sipas Batkovskit, “karakteristikë është se Fatmir dhe Afrim Ibrahimi ishin të indoktrinuar nga Rafi Halili, organizatori i “Kushtrimit të Lirisë” me pjesmarrjen direkte në shumëzimin dhe shpërndarjen e materialeve propagandistike në Tetovë gjatë viteve 1981-1982.” Solidariteti dhe rezistenca shqiptare nëpër kazematet jugosllave ishte një rezistencë e jashtëzakonshme. Në bazë të argumenteve prezente në aktakuza të ndryshme të pjestarëve të ndëshkuar nga Gjykata komuniste e Qarkut të Shkupit, konstatojmë se qëllimi i këtyre “grupeve armiqësore” siç i karakterizon administrata antishqiptare e Shkupit, ishte “masovizimi i organizatës me njerëz të rinj, ndërlidhja me emigrantët shqiptarë, përdorimi i flamurit shqiptar, bashkëveprim me Tiranën dhe Prishtinën, ndërmarrje masash konkrete për përmbysjen e revizionizmit jugosllav”. Cili ishte roli im në këtë kontekst?

Nuk më ka hije të flas për vetveten ngase kush flet për veten e tij s’e dëgjon askush. Roli im nuk kishte të bëjë me anëtarësim në organizatat respektive, por me demaskimin e titizmit dhe intrigave të huaja kundër kombit shqiptar, duke i dhënë prioritet furnizmimit të aktivistëve me literaturë shqiptare nga Bukureshti dhe Tirana, gjë për të cilën flasin me admirim Rafi Halili, Iljaz Kamberi, Tasin Voka, Ilir Kosova etj., edhepse në ndërkohë, pas arrestimit tim nga udbashët e Serbisë, të udhëhequr nga Bedri Sinani (Pançevë, 8 dhjetor 1975), u intensifikuan përmasat e anketimit të bashkëfshatarëve të mi për të kompletuar dosjen kundër meje, por Shipkovica trime ka ditur të më mbrojë me mençuri, duke më mbrojtur madje edhe Zëri i BBC-së në Londër, përmes emisioneve ku reflektohej e vërteta mbi terrorin e UDB-es jugosllave kundër patriotëve shqiptarë në Kosovë e Maqedoni. Çka shkruan “Nova Makedonija” më 29 maj 1976, në kuadrin e artikullit “I dënuar me 6 vjet burg të rëndë për veprimtari armiqësore”?

Baki Ymeri i dënuar me 6 vjet burg të rëndë (Nova Makedonija, 29 maj 1976)
Baki Ymeri i dënuar me 6 vjet burg të rëndë (Nova Makedonija, 29 maj 1976)
“I dënuari Baki Ymeri nga Shipkovica e Tetovës i përkiste grupit të dënuar më 1972 në Shkup për kryerje veprimtarishë armiqësore kundër bashkësisë sonë socialiste.” Në kuadrin e kësaj kronike, përveç disa fakteve që janë prezente në aktakuzë, përmendet fakti se “Pas kthimit të tij në atdhe dhe përpjekjes për të vazhduar me veprimtari të mëtejshme armiqësore, Shërbimi i sigurimit shtetëror e arrestoi më 8 dhjetor të vitit të shkuar në Shkup”. Artikullshkruesi gënjen, ngase arrestimi nuk kishte të bëjë me Shkupin, por me Pançevën. Mund t’i thuash “veprimtari armiqësore” faktit pse ktheva në redaksinë e gazetës “Libertatea” të Pançevës për të marrë disa ekzemplarë të revistës “Lumina” me përkthimet e mia nga proza e Rexhep Qosjes në gjuhën rumune? Kanë kaluar 35 vjet që nga ajo kohë dhe më kujtohet si sot: Në lokalet e redaksisë hyri Bedri Sinani me revolen në dorë, drejtuar kundër meje për t’u dorëzuar, duke bërtitur shkinisht “Ruke u vis!” (Duart lart!), së bashku me një agjent serb me përkatësi rumune nga Vojvodina. Duke e ndjerë veten të pafajshëm, siç do të deklarojë më vonë edhe Gafur Loku në procesin tim, ia ktheva shqip: “O shqiptar i shitur! Nuk kam pse ti ngrej duart lart ngase nuk jam i poshtër si zotrote që i shet shqiptarët te pala pansllaviste!”, fjali të cilën e thash edhe në gjuhën rumune, që ta dëgjojnë edhe të tjerët që ishin prezentë në lokalet e “Luminës”, edhepse, në bazë të dosjes policore prej 500 faqesh, del në pah e vërteta se ai që më kishte shitur mua se do të vi në Pançevë, ishte drejtori i Shtëpisë Botuese “Lumina”, Florin Ursulescu, ishfunksionar i ambasadës jugosllave në Bukuresht, i cili mund të ketë qenë edhe bashkëpunëtor i UDB-es jugosllave.

Faktikisht unë nuk kisha gisht në dhënien e idesë për thyerjen e kabinetit paraushtarak të Gjimnazit të Tetovës, nuk pata bërë shumëzim materialesh propagandistike me makinën time të shkrimit, nuk e kisha ngritur flamurin shqiptar në zemër të Tetovës por në Shipkovicë, dhe nuk isha ideator për krijimin një grupi patriotik siç theksohet në aktapadi, por të gjitha këto merita të pakonestueshme i përkasin veteranit të atdhetarizmit shqiptar, Rafi Halilit. Rafi Halili nuk ka shitur kend, nuk ka tradhëtuar shokët e idealit dhe nuk ka shkelur kurrë parimet morale të humanizmit, solidaritetit dhe atdhedashurisë. Vetëm ai e din se çfarë presionesh dhe traumash ka përjetuar gjatë anketimit të tij në qelitë e burgut hetues të Shutkës, në periferi të Shkupit, anketim të cilin e kam përjetuar dhe unë (1975-1976), nga ana e inspektorit Sllobodan Matevski, i cili vepronte sipas direktivave të kryeshefit të sigurimit shtetëror të Tetovës (B. S.), gjykatësit hetues Sllobodan Zherajiq, dhe prokurorit publik Bozhidar Stankoviq, qëllimi i të cilëvet ishte mashtrimi i trupit gjykues gjoja se qenkam “nacionalist”, “irredentist”, “armik i vetëqeverisjes jugosllave” dhe shqiptari që e konsideron Titon  “shkurtabiqi i Beogradit”.

Sipas Rami Kamberit, “Puna është krenaria e njriut. Çdo vepër është një shtizë kundër asaj që na robëron.” Mëkatarit i mungojnë frymëzimet ngase e robërojnë mendimet. Mund të kemi edhe ne ndonjë mëkat të vogël, të cillin mund ta identifikojnë dhe ndriçojnë mëkatarët e mëdhenj, ata që kërkojnë lesh në lëvore veshë, duke e bërë mizën buallicë dhe duke e kërkuar pleshtin në plevicë. Për momentin i bëj publike vetëm disa fragmente nga e shkuara fisnike e Rafi Halilit, duke hedhur ca fjalë edhe për të shkuarën time me të cilën nuk mund të mburrem sa mund të mburret Rafiu. Pse? Ngase  një pjesë e konsideruar e gjeneratës sonë (të moshës mbi 50 vjeçare) e ka nga një pikë të zezë në biografi, nga një  pikë të vogël apo të madhe, titiste apo enveriste, edhepse në krahasim me disa pseudodemokratë që i kanë zëvendësuar interesat nacionale me interesa personale, Shkurtabiqi i Beogradit dhe Gjarpëri i Gjirokastrës ishin më të mirë. Sidoqoftë kjo e shkuar, e turbullt apo e kristaltë, ata që ndjekin shembujt e shenjtë te rilindësve tanë, dinë ta fshikullojnë vetveten duke e zëvendësuar të zezen me të bardhë, ndërsa ata që mbeten të ngujuar në kotarin e enverizmit me konotacione shesheliste, i thurrin temena vetvetes duke i devalvuar vlerat kombëtare, dy nga këto vlera të pavdekshme duke qenë Ismail Kadareja dhe Ibrahim Rugova.

 

Shqiptari që e trazoi rrugën e rezistencës

 

Në bazë të burimeve elektronike, misioni elementar i shërbimeve të fshehta është mbrojtja e presidentit. Bedri Sinani vjente deri në Prishtinë për ta mbrojtur Titon gjatë vizitës së tij në Kosovë. Dhe shkonte madje edhe në Gjermani për ta arrestuar autorin e këtij shkrimi (1973), por më kot e pat ngase bashkëfshatarët e mi, të prirë nga Tasin Voka dhe Iljaz Kamberi, më strehuan në shtëpinë e një gjermani në Bindlach të Bavarisë, prej nga bashkëpunoja me Xhelal Gjurën në Tiranë, Lazim Rexhepin në Moldovë, Dhimitër Kristo Rëmbecin në Bukuresht, redaksinë e Fjalës në Prishtinë. Ku janë letrat me vlera të larta historike të Xhelal Gjurës dhe Lazim Rexhepit, e pyes një bashkëfshatar timin i cili i boton memorjet e tij në një libër ku përveç vlerave atdhetare hedh edhe bagla ballkanike kundër shqiptarit që ia ndezi dritën e atdhedashurisë? S’po ia përmendi emrin kësaj rradhë për të mos anashkaluar subjektin e këtij shkrimi që ka të bëjë me shqiptarin më të persekutuar në kohën e ttitizmit në Maqedoni.

“Sipas Rafi Halilit”, na shkruan Rami Kamberi nga Tetova, “Ju keni qenë shumë aktiv dhe i suksesshëm, dhe për veten Tuaj Ju dini më shumë se të tjerët. Të dhënat do t’i shërbejnë historisë dhe kombit, ngase puna dhe veprat janë arma më e fortë për të gjitha sfidat që i kemi përpara.” Rafi Halili është tribun i betejave shqiptare për liri, drejtësi dhe pavarësi. Rafiu është një vjet më i ri se unë dhe njëmijë vjet më i pjekur, më trim, më besnik, më i qëndrueshëm dhe më i persekutuar nga kriminelët e UDB-es jugosllave që duhet të japin llogari për dhunën psiko/fizike që kanë përdorur kundër këtij studenti të guximshëm në fushën magjike të atdhedashurisë. Sa herë kam shkruar për Flamurin Kombëtar si simbol i shenjtë i bashkimit, e kam përmendur edhe Rafi Halilin, ishmikun tim të rinisë revolucionare, studentin e drejtësisë që e vu jetën dhe shëndetin në rrezik, për t’i mbrojtur shokët e idealit. E kam përmendur edhe Zaim Beqirin, por ai e përmbysi mirësinë time duke plasuar gënjeshtra dhe trillime fantasmagorike të Kujtimet e tij. Rafi Halili është shqiptari i pavdekshëm i Tetovës kreshnike që e meriton një përmendore për së gjalli, ngase jeta dhe vepra e tij janë burim frymëzimi për gjeneratën tonë dhe brezin e ri që trason shtigjet e reja për të fisnikëruar demokracinë, duke vajtur gjurmëve të shenjta të rilindësve tanë.

Në kuadrin e artikujve Gjashtë vjet burg për veprimtari armiqësore dhe  Armiku i dënuar (Nova Makedonija dhe Vecer, 29 maj 1976), autori i këtij shkrimi ndëshkohet “sipas ligjit në fuqi” pse pat krijuar me Rafiu Halilin, Gafur Lokun, Rushit Nesimin, Elmaz Afemin etj. «platformë politike për veprim kundër bashkësisë sonë socialiste». Nga aktgjykimi prej 12 faqesh me rradhë të ngjeshura (nr. 162/1976), kuptojmë se Gjyqi komunist i Shkupit, i kryesuar nga gjykatesit Miladin Stojanov, Dragan Spasov, Boshko Stojkoviq, Aleksa Boshkovski etj., pas procedurës kundërshqiptare të prokurorit Bozhidar Stankoviq dhe gjykatësit hetues Sllobodan Zherajiq, në një process të montuar politik më patën ndëshkuar me burg të rëndë për propagandë armiqësore dhe veprimtari të organizuar kundër sistemit jugosllav që diskriminonte kombin shqiptar. Rekomandimet për një ndëshkim të këtillë vinin si pasojë e ahmarrjes së kryeshefit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të policisë komuniste të Tetovës, të cilin e pata pështyrë derisa më ndiqte me «fiçon» e tij për të më arrestuar (korrik, 1971), duke ikur pastaj në Bukuresht.

Më kujtohet si sot shtëpia e Muhamet Xhelilit tejmatanë stacionit teleferik, ku u strehova për një kohë të shkurtë, duke u ngjitur pastaj kodrinave të vreshtës për të parë nga lart se si “milicët” me automatikë në dorë rendnin si qenj të tërbuar përrreth godinës së teleferikut për të më zënë të gjallë. I strukur në një tufishtë, duke pritur të kaplojë terri për të vajtur në fshat, dhe prej atje për të marrë arratinë për në Bukuresht, e lexoja “Kosmosin” e Viktor Eftimiut, vëllim poetik të cilin e mbaj si kujtim në bibliotekën e sentimenteve letrare që kam krijuar në këtë vatër të shenjtë të atdhetarizmit shqiptar. Më kujtohet si sot Muhamet Xhelili i Shipkovicës që mbante në bibliotekën e tij Enciklopedinë e Sami Frashërit në gjuhën turke, si dhe fjalët e tij: “Mos harro se unë jam hoxhë, por Pejgamberi i shqiptarëve nuk është Muhamedi, por Jezu Krishti! Pse? Ngase derisa Muhamedi e kaloi jetën me njëqind gra, Jezu Krishti e sakrifikoi jetën fizike për shpëtimin e shpirtit të shenjtë!”

 

B. Ymeri i ndjekur nga UDB-a jugosllave
B. Ymeri i ndjekur nga UDB-a jugosllave
Mua më vjen keq pse dënohen njerëz të pafajshëm këtu

 

Kaluan disa vite bastisjesh të shtëpisë sime, nga ajo kohë, derisa më arrestuan në Pançevë, pa e ditur se korbat e kombit, në bashkëveprim me shërbimet e fshehta pansllaviste e kishin parapregaditur një proces të kurdisur edhe kundër meje. Në 12 faqet e  aktgjykimnit komunist që e mbaj si kujtim i trishtë në bibliotekë, defilon edhe emri i Gafur Lokut, një nga heronjtë e panumërt të kombit shqiptar, i cili në procesin kundër meje (28 maj 1976), do të deklarojë: “Mua më vjen keq pse njerëz të pafajshëm dënohen këtu”. Rafi Halili dhe Gafur Loku kanë mbetur si një kujtesë e bukur në memorjen e bashkatdhetarëve tanë. Vepra e tyre ta përkujton çetën e Themistokli Gërmenjit kur shpallej vetëqeverimi shqiptar, në kohën kur Themistokli e ngriti me duart e tij flamurin kombëtar në ballkonin e prefekturës së Korçës (më 10 dhjetor 1916). Themistokli Gërmenji, Çerçiz dhe Bajo Topulli, Adem Jashari dhe Rexhep Mala, Agim Ramadani, Gafur Loku dhe qindra bij të tjerë të Shqipërisë Reale e vaditën me gjak të freskët truallin e bekuar të Kosovës për një ideal të shenjtë.

Ata nuk janë tjetër veçse pasardhësit më besnikë të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, të Adem Jasharit dhe Ibrahim Rugovës. E përmendim me admirim këtë të fundit, ngase kishte një shpirt të florinjtë, ngase nuk merrej me të shkuarën por me ardhmërinë, ngase nuk i duronte kriminelët e enverizmit që e likuiduan në Tiranë kolonelin Ahmet Krasniqi, ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, ngase dinte ta përvetësojë diplomacinë evro/amerikane për ta dekoruar Kosovën me sovranitet dhe pavarësi. E kemi thënë dhe vlen ta përsërisim fjalën e poetit, se derisa Adem Jashari është Zemra, Ibrahim Rugova është Truri i Dardanisë, shqiptari që e preferonte nacionalizmin shqiptar në funksion të humanizmit dhe demokracisë, flamurtar i demokracisë shqiptare që militonte për një Kosovë të hapur ndaj vlerave të Perëndimit dhe Perëndisë. Flamuri është një krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë. Të këtilë ishin edhe Gafur Loku dhe Rafi Halili. Le të shkëlqejnë gjithë shqiptarët me shembullin e tyre! Çdokush e din se Gafur Loku dhe Rafi Halili kishin qëndrime dinjitoze në burg. I kemi parë disa herë dhe kemi kuvënduar fare pak me ta, për të mos u dhënë shkas spiunëve të na përgjojnë dhe përgojojnë, njëri ndër ta duke qenë edhe Stojan Smilevski, kushëriri i një gardiani të burgut në Idrizovë. Këtë e kishte parë edhe Binak Ulaj, i persekutuar politik, i cili na e përkujton faktin se edhepse të ndjekur, ishim të barabartë me të gjithë, të afërm dhe solidar. Falë këtyre qëndrimeve, kemi arritur t’ u përballojmë sprovave të shumta dhe të dalim faqebardhë.

 

Gafur Loku dhe atdhetarizmi i tij

 

Derisa Rafi Halili ka lindur para 60 pranverave në Gajre të Tetovës, Gafur Loku, sipas shënimeve të biografit të tij (Shaban Çupi), ishte me prejardhje nga Kotlina e Kaçanikut. Jetonte në Tetovë, si dhe në fshatin Palë dhe Nikë të Hanit të Elezit. Vetëm pse kërkonte të drejta dhe barazi kombëtare, shpifet, ndiqet, arrestohet dhe dënohet dy herë me nga tetë vjet e gjysmë burg të rëndë, nga gjykatat komuniste të ish/Jugosllavisë. Disa herë iu mor e drejta nga ana e prokurorëve për finalizimin e studimeve të larta në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës. Ishte i martuar dhe baba i gjashtë fëmijëve, anëtar i Këshillit për Financim të Republikës së Kosovës, dega në Han të Elezit. Nga intervista dhënë revistës E vërteta (nr. 4/1997), kuptojmë se më 4 maj të vitit 1968, së bashku me Rafiun, Gafuri kishte ngritur flamurin kombëtar në Fabrikën e Tekstilit në Tetovë.

Nuk e dimë në i kanë ngritur përmendore për së gjalli Rafi Halilit, apo në i kanë sigurur pension më të majmë se pensionet e udbashëve që ende nuk i kanë bërë publike  mëkatet e veta, por në bazë të artikujve të botuar e dimë se më 21 shtator 1971, Gafuri arrestohet nga ana e UDB-es së Maqedonsië në Prishtinë. Pse? Ngase së bashku me Rafiun dhe bashkëveprimtarët e tij kishte kërkuar flamurin shqiptar, hapje shkollash në gjuhën shqipe, përdorimin e dygjuhësisë në administratë, shmangjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë. Aktakuza e ngarkonte për “veprimtari kundërshtetërore nga pozitat e nacionalizmit shqiptar.” Sipas kujtimeve të tij, “Torturat që i kemi përjetuar kanë qenë nga më të rëndat, dhe përdoreshin forma të ndryshme persekutimesh, të cilat përfundonin me humbjen e vetëdijes. Dënimet i kemi mbajtur deri në ditët e fundit, në burgun e Idrizovës, pa gëzuar asnjë ditë amnistie.”

Këto ishin disa nga kujtimet e tij të hidhura nga ajo kohë barbare. Papërkulshmëria e tij dhe e Rafi Halilit, e Rexhep Malës dhe Rushit Nesimit, e Binak Ulajt dhe Zaim Beiqrit, e Xhafer Shatrit dhe qindra të përsekutuarve të tjerë në burgun e Idrizovës, ishte papërkulshmëri fenomenale. Mbarimi tragjik i Gafurit nga rafalet e automatikut serb të shërbimeve të fshehta të kriminelëve të Millosheviqit, në shkurt të vitit 1999, ta përkujton parandjenjën tragjike dhe dëshirën e shenjtë të atyre që militonin për ta bërë Shqipërinë Shqipëri: “Ndoshta Ju kujtohet dëshira e fundit e Themistokli Gërmenji”, i thoshte Gafur Loku Shaban Çupit, duke vazhduar: Para se të pushkatohet nga toga armike, Themistokli nuk kërkoi asgjë tjetër, pos lirisë për ta kënduar Këngën e Lirisë.” As që kemi fjalë tjera për ta dëshmuar atdhetarizmin e shenjtë të Rafi Halilit dhe të këtij kosovari të shenjtë që ra si një martir i shenjtë, për shenjtërimin e një vendi të shenjtë.

 

Faqja e parë e Aktakuzës së B. Y.
Faqja e parë e Aktakuzës së B. Y.
Mrekullia e shenjtë e atdhedashurisë shqiptare

 

Dokumentet dëshmojnë se në krye me Rafi Halilin, grupi i tij  është gjykuar me 21 janar 1973 në Shkup: Rafi Halili është dënuar me 7 vjet, Baki Ymeri (në mungesë) me 6 vjet, Gafur Loku me 5 vjet, Rushit Nesimi me 5 vjet, Elmaz Ademi me 4 vjet dhe Ajet Ademi me 2 vjet e 6 muaj. “I nderuar mik”, na shkruan Binak Ulaj nga Kosova, “Më gëzoi fakti se tani mund të komunikojmë pa kurrëfarë frike nga ata që na ndiqnin. Ç’është e vërteta, edhe më parë ka rënë të lexoj ndonjë përkthim apo punim tëndin. Kjo më jepte të kuptoj se jeni mirë, se ende punoni e veproni me përkushtim, po njëkohësisht ma kujtonte edhe Idrizovën, pavijonin C, shqipfolësin nga Gostivari që e kishim cimer, i cili ishte sjellë me aq poshtërsi. Këto, dhe sprova tjera në ndëshkimoret e ish-Jugosllavisë, më kanë mbetur thellë në kujtesë. Nuk e di nëse  ke shkruar diç për këto,  nëse ke mbajtur ditar apo shkruar memoare, për Ty, për Rafi Halilin, për Gafur Lokun etj.  Nëse të bie rasti të vish në Prishtinë, të pres me përzemrësi, për të ripërkujtuar ato peripeci, për ta freskuar kujtesën lidhur me përjetimet e një realiteti aq të vrazhdë e të hidhur.”

Unë ika në Rumani ngase më lajmëruan dashamirët (njëri ndër ta duke qenë edhe Abedin Murati, asokohe student i Drejtësisë, ndërsa më vonë drejtor i Fabrikës “Molika” në Tetovë), duke ma bërë të ditur se më ndjekin. Nuk e dija pse më ndjekin, por e morra vesh më vonë se Rafiu ka përjetuar persekutime të tmerrshme nga udbashët e Shutkës. Mua më “dekoruan” me 6 vjet në bazë të një deklarate gjoja se paskam hedhur idenë për krijimin e grupit respektiv, gjoja se paskam thënë se “maqedonasit duhet ti zhdukim një nga një”, gjë që s’është e vërtetë, gjë që mund të jetë montim policor, edhepse këtë deklaratë e ka nënshkruar një bashkëfshatar imi, duke e ditur se unë gjendem këtu ku jam, pa e ditur se një ditë do të më arrestojnë dhe ndëshkojnë, siç ngjau më 8 dhjetor 1975, për të më ndëshkuar në maj të vitit 1976, gjë për të cilën nuk kam shkruar, ngase ende nuk më ka kapluar mosha e pleqërisë për të shkruar kujtime, ngase prioritet i kam dhënë afirmimit të Kosovës në këtë vend, edhepse disa hije të fshehta më ndjekin edhe sot e kësaj dite, duke bërë çmos për të ma ndërprerë veprimtarinë. Për më tej, lidhur me këtë subjekt ndjekjesh dhe kërcënimesh terroriste, pason ta shohë dritën e botimit një ditë fejtoni “B. Y. në shënjestër të shërbimeve të fshehta të djallit”, djallin, për fat të keq, duke e patur prezent edhe në vendlindje, edhe në diasporë, edhe ndër shqiptarë, edhe ndër të huaj.

 

Mbrojtësit tanë ishin dashamirët dhe engjëjt

 

Me një fjalë, nuk është me rëndësi çështja ime, por me rëndësi është të identifikohen kush ka qenë gjykatësi hetues që e ka  anketuar Rafiun, duke i detyruar policët ta ndëshkojnë fizikisht, madje edhe me elektroshok policor, gjë për të cilën duhet të përgjigjen penalisht. Kush ishte  Sllobodan Matevski i cili na anketonte sipas direktivave të Bedri Sinanit për të përfituar grada, për të arritur me funksion nga Shërbimi Shtetëror i Punëve të Brendshme të Tetovës në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Shkup. Nuk e dimë në jeton Sllobodani, Sllobodan Matevski i cili e ka dulmuar fitikisht edhe një engjëll tjetër të atdhetarizmit shqiptar, Shaban Xheladinin, por e dimë se aq shumë na kanë ndjekur dhe ngulfatur udbashët e burgut në qeli me spiunë romë, shqiptarë dhe maqedonas, duke dyshuar gjoja se paskam qenë “agjent i ambasadës shqiptare në Bukuresht”, saqë u detyrova t’ia kushtoj një poezi Titos, duke i mashtruar gjoja se qenkam titist, edhepse poezi i ka kushtuar Titos edhe Ali Podrimja, pa e ndjekur dhe pa e detyruar kush. Tekefundit, pse të merremi me të shkuarën e  “ngatërruar” jo vetëm me vepra të mira, por edhe me nga ndonjë mëkat të falshëm apo të pafalshëm! Disa gjëra mund të kristalizohen kur do ta përkthejmë aktpadinë, për të shkëputur prej atje fragmente ku bëhet fjalë për atdhetarizmin e shenjtë të Rafi Halilit, i anketuar nga gjykatësi hetues më 22 shtator 1972, më 13 tetor 1972, më 17 nëntor 1972, më 22 nëntor 1972, më 15 nëntor 1972, më 22 janar 1973,  më 12 janar 1976. Në bazë të arsytimit të aktpadisë sime, unë qenkam fajtor ngase:

“Që nga vjeshta e vitit 1971 e deri në zbulimin më 1972, së bashku me të dënuarin Rafi Halili, në Prishtinë dhe Tetovë, kanë ngritur platformë politike për veprim kundër popullit dhe shtetit, gjë për të cilën kanë krijuar grup i cili ka për qëllim që permes forcës dhe rrugës kundërligjore të rrëzojnë pushtetin e popullit punues dhe të shpartallojnë vëllazërim-bashkimin e kombeve dhe kombësive jugosllave,  rast me të cilin u janë drejtuar disa personave me përkatësi shqiptare, duke i angazhuar që të bëhen anëtarë të grupit, kështuqë në këtë mënyrë, së pari në këtë grup e futën dhe angazhuan tashmë të dënuarin Gafur Loku, ndërsa pastaj përmes të dënuarit Rafi Halili, në këtë grup i inkorporuan si anëtarë Rushit Nesimin, Elmaz Ademin, Ajet Ademin dhe persona tjerë, duke kërkuar prej tyre që të

Reagim i B. Y. kundër Tome Batkovskit
Reagim i B. Y. kundër Tome Batkovskit
veprojnë në drejtim të realizimit të platformës politike të grupit, për të përvetësuar edhe anëtarë të tjerë, duke shkruar parolla me përmbajtje armiqësore, në të cilat me qëllim të keq dhe të pavërtetë i përshkruanin rrethanat shoqërore-politike në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, duke bërë ftesë për rezistencë të hapur dhe përmbysje violente të rendit kushtetues, parollat duke i shpërndarë përmes anëtarëve të grupit në objekte të ndryshme në Tetovë, që pastaj, më 13 shtator 1973, nga ana e këtij grupi qe kryer vjedhje armësh për ti shfrytëzuar për sulm në rast nevoje, ndërsa i fajësuari Baki Ymeri, pas zbulimit të grupit, në shtator 1972, ik nga organet e pushtetit, kështuqë më 28 tetor 1972, del ilegalisht në botën e jashtme, prej ku do të vazhdojë me veprimtari armiqësore kundër rendit politik dhe shoqëror, rast me të cilin do të shkruajë dhe dërgojë letra të panumërta me përmbajtje armiqësore.” Dhe më tej:

“Në bazë të veprimeve të sipërpërmendura, i fajësuari Baki Ymeri ka kryer vepër penale – Bashkim kundër popullit dhe shtetit – sipas nen. 117, pikë 1, lidhur me nenin 100 të Ligjit Penal. Në pajtim me përshkrimet e cituara dhe nenin 3, 28, 38, 45 të Ligjit penal dhe nenit 89 dhe 92 të Ligjit për Procedurë Penale, e dënon me burg të rëndë në kohëzgjatje prej 6 vitesh, rast me të cilin i llogaritet qëndrimi në paraburgim prej 8 dhjetor 1975 deri në plotëfuqizimin e kësaj aktpadie.” Me këtë rast, duke e përkujtuar një fragment të grisur të jetës sime, vlen të potencojmë faktin se dëshmitarë të mbrojtjes sime në Gjykatën komuniste të Qarkut të Shkupit, përveç avokatit mbrojtës, Panta Polenak (me origjinë vllahe), ishin edhe Rafi Halili, Gafur Loku, Tasin Qahili, Zaim Beqiri, Adem Baftjari, Kadir Shabani dhe Demir Seferi. Me një fjalë, qoftë në procesin tim, qoftë në atë të Rafi Halilit dhe të ndëshkuarve të tjerë shqiptarë, ndjekës ishin serbët dhe maqedonasit të prirë nga një udbash i shitur shqiptar, ndërsa mbrojtësit tanë ishin shqiptarët, familja, farefisi, dashamirët dhe engjëjt. E këtillë ishte politika titiste e Jugosllavisë antishqiptare: Përçaj e sundo, nxit shqiptarin të shpifë kundër shqiptarit, nënshkruaj deklarata në faqe të pashkruara, ndiqe shqiptarin deri në skaj të botës, etiketo shqiptarin me sintagmat titiste: ekstremist, enverist, irredentist, nacionalist!

         

Vlera të dëshmuara atdhetare dhe intelektuale

 

Për fat të keq, shqiptarët mbeten edhe më tej të përçarë në baza ideologjike, fetare apo politike. Duke bërë fjalë për krijimintarinë letrare si një mrekulli e kristaltë, Shqiponja Duro fshikullon pandjeshmërinë e disa politikanëve që militojnë për interesa të ngushta, urrejtje, përçarje (a)politike, klane interesash meskine që ngacmojnë prushin e dhimbjeve dhe plagëve të së kaluarës, ndërsa Ramize Sherifi uron që mosmarrëveshjet të mos ndikojnë negativisht për pasqyrimin e së vërtetës. Të nderuar miq, - do të shkruajë Bardhyl Mahmuti në janar të këtij viti (2010):

“Më vjen keq kur shoh që njerëz me vlera të dëshmuara atdhetare dhe intelektuale, të cilët kanë bashkëvuajtur në kazamatet sllave, hynë në spiralen e konflikteve joproduktive të atyre që kanë lënë gjurmët e veta në historinë e rezistencës sonë kombëtare, dhe as polemikat e tyre nuk mund t'ua humbin vlerat. Shenjtëria e atdhedashurisë lidhet në mënyrë të pashmangshme me respektin ndaj njerëzve që trasuan rrugën e rezistencës. E kjo rrugë e rezistencës së shqiptarëve nën Maqedoni lidhet, ndër të tjerë, edhe me emrin e Baki Ymerit, edhe të Rafi Halilit, edhe të Zaim Beqirit. Janë emra të personave për të cilët ka fakte se kanë dëshmuar guxim ndaj okupatorit, kur, siç thotë populli, pasuli numërohej kokërr për kokërr. Vlerat e tyre për historinë e rezistencës sonë kombëtare nuk mund t’i zbehin as stigmatizimet si titist apo enverist, që mund t’ua bëjnë të tjerët, por as akuzat e ndërsjellta që mund të jenë rezultat i inateve personale (me të drejtë apo pa të drejtë). Këto mendime nuk rrjedhin nga statuti partiak, por nga respekti i ndërtuar për dekada të tëra për ta.” Përfundimisht mund të themi se Rafi Halili digjej dhe digjet për Shqipërinë, siç digjej edhe Gjergj Fishta kur do të shkruajë: “Deri sa mundem me ligjrue/ E sa gjallë une me frym' jam/ Kurrë Shqypni s'kam me t'harrue/ Dhe në vorr me t'përmend’ kam”. 



(Vota: 34 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora