Speciale
Etleva Lala, Musa Ahmeti: Skënderbeu në dorëshkrimet e panjohura të arkivave kroate
E diele, 20.06.2010, 07:59 PM
Skënderbeu në dorëshkrimet e panjohura të arkivave kroate
Nga Dr. Etleva Lala, Dr. Musa Ahmeti
Qytetet bregdetare dalmatine ruajnë në arkivat dhe bibliotekat e tyre të shumta, qofshin ato publike, shtetërore, kishtare apo private një lëndë jashtëzakonisht të pasur dhe të vlefshme për shqiptarët dhe Shqipërinë. Është më se e vërtetë se një pjesë e kësaj lënde është vjelë tashmë, fillimisht nga studiues të huaj, e më vonë edhe nga disa studiues shqiptarë. Studiuesit shqiptarë, edhe pse është dashur që t’i hulumtonin më me përkushtim, vëmendje dhe këmbëngulje se sa të huajt këto burime, nuk kanë arritur t’i tejkalojnë botimet selektive, tashmë me metodologji të vjetruar dhe ndonjëherë edhe të papërdorshme të shekullit XIX dhe XX! Është e domosdoshme që në mënyrë sistematike, me një përgatitje serioze të bëhen hulumtime dhe kërkime në gjithë qytetet bregdetare të Adriatikut, sepse ekzistojnë të dhëna të shumta dhe të sakta për burime shumë të vlefshme, të cilat presin studiuesit dhe hulumtuesit seriozë e të përgatitur profesionalisht, si në aspektin gjuhësor, paleografik, diplomatik dhe epigrafik, kur bëhet fjalë për dorëshkrime, dokumente dhe burime të tjera.
Dorëshkrimi nga Shibeniku
Në Shibenik, në famullinë e Shën Lovrit, ruhet një dorëshkrim i át Mate Zoriçiqit, me titull: Ogledalo prisvitloga i ponosnoga vojevagna vlastelina Jure Castriochianina, recenoga Scanderbeg, në signaturën: R.K - 17/I. II. (Shih ilustrimin që po botojmë të faqes së parë të dorëshkrimit). Dorëshkrimi ka 92 faqe, me format të madh, me dimensione 26.3 x 49.5 cm dhe ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga nëntë kapituj; ndërsa pjesa e dytë ka 13 kapituj, pra gjithsej, 22 kapituj. Çdo kapitulli i paraprin një nëntitull i shkurtër, i cili në mënyrë përmbledhëse, tregon se për çfarë bëhet fjalë, në tekstin në vazhdim! I tërë teksti është i mbushur me data dhe vite të sakta, gjë që e rrit vlerën dhe rëndësinë e tekstit, pastaj me një korrektësi të jashtëzakonshme, janë shënuar emrat e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut dhe të kundërshtarëve të tij. Në disa raste, vërehet njëanshmëri e lehtë në favor të Venedikut, që autori me mjeshtëri të veçantë e arsyeton duke treguar madhështinë, forcën dhe diplomacinë e përkryer që kishte Republika e Shën Markut në atë kohë. Dorëshkrimi është shumë i dëmtuar, sidomos në faqet e para dhe në ato të fundit. Edhe në brendësi, vështirë lexohet në disa vende. Lagështira, e në disa vende edhe ngjyra, e kanë gërryer letrën, e cila është e cilësisë së dobët. Teksti lexohet lehtë: është i shkruar në gjuhën kroate, në dialektin e ikavicës. Është i përfunduar më 29 shkurt të vitit 1752. Këtë të dhënë na e ofron vetë autori, në faqen e fundit, /f. 92/. Kjo datë na bën të pohojmë, se ky krijim është një ndër më të vjetrat, të njohura deri më sot, të një autori kroat, në gjuhën kroate, për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ky dorëshkrim është edhe më i vjetër se libri i Andrija Kaçiq-Mioshiqit për Skënderbeun.
Dorëshkrimet nga Arkivi i Akademisë së Shkencave në
Në Arkivin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë, /HAZU-t/, në
Dorëshkrime të tjera nga arkivi i HAZU-t
Përveç dorëshkrimit të dramës së I. K. Sakcinskit, në Arkivin e HAZU-t ruhet edhe një dorëshkrim i historianit me famë ndërkombëtare Ferdo Shishiqit në 305 faqe. Mendojmë se deri tani ky është dorëshkrimi më i kompletuar për heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i shkruar nga një autori kroat. Dorëshkrimi përbëhet nga dy pjesë, përkatësisht katër tërësi. Pjesa e parë ruhet në signaturën: XIII/ B 47; ndërsa pjesa e dytë ruhet në signaturën: XIII/ B/ 775. Historiani i njohur kroat, për monografinë e tij në dorëshkrim, ka shfrytëzuar burime të shumta të botuara, por edhe të pa botuara si dhe ka konsultuar një literaturë jashtëzakonisht të gjerë. Nuk është shumë e qartë se si ka mbetur pa botuar një dorëshkrim i tillë, me vlera të jashtëzakonshme shkencore. Pjesa e parë, ka gjithsej 63 faqe. Dimensionet janë: 21 x 34 cm. Faqet nuk janë të paginuara. Autori në këtë pjesë analizon situatën politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore të Ballkanit në përgjithësi, e të Shqipërisë në veçanti, sidomos, periudhën paraturke. Pjesa e dytë ka 24 faqe, dimensionet janë të njëjta me pjesën e parë. F. Shishiqi në këtë pjesë të monografisë së tij, shqyrton në mënyrë kritike rininë e Skënderbeut, qëndrimin e tij pranë Oborrit mbretëror në Stamboll, lidhjet e tija të ngushta me vendlindjen dhe betejën e Nishit! Ndoshta është ndër biografët e parë të Skënderbeut, që hedh idenë se Gj. K. Skënderbeu nuk qëndroi kohë të gjatë pranë Sulltanit dhe se kishte lidhje shumë të ngushta me Shqipërinë, përkatësisht, ishte Sanxhakbe i Dibrës! Pjesa e tretë e dorëshkrimit, përbëhet nga 137 faqe, ka dimensione: 16.5 x 20.5 cm. Është e shkruar me shkrim të ngjeshur. Anash në margina të faqeve, janë shënuar referencat, por në mënyrë të shkurtuar. Në këtë pjesë, autori shqyrton gjithë jetën e Skënderbeut, deri në vdekje. Në 8 faqet e fundit, i bën një përshkrim të veçantë Shqipërisë pas-Skënderbegiane, veçanërisht luftërave të përgjakshme të Krujës dhe Shkodrës. Pjesa e katërt, përbëhet nga 21 faqe. Këtu F. Shishiq, ka shënuar me pedantëri dhe saktësi, gjithë literaturën e shfrytëzuar, dokumentet dhe burimet. Si shtojcë /aneks/ sjell edhe 17 dokumente nga periudha Skënderbegiane. Dokumentet janë të përkthyer në gjuhën kroate, por çdonjëri, poshtë, në të majtë, e ka të shënuar vendndodhjen e saktë, të origjinalit. Në Arkivin e HAZU-t, ruhen edhe disa dorëshkrime të tjera, përkatësisht një dorëshkrim për Skënderbeun nga Franjo Raçki, prej 27 faqesh, një tjetër nga T. Smiçiklasi, prej 52 faqesh, etj. Botimi i këtyre dorëshkrimeve, qoftë si monografi të veçanta ose si tërësi, do të begatonte me burime të dorës së parë, mjaft serioze, periudhën e Skënderbeut.
Arkivi Shtetëror Kroat, Fonde të pasura për historinë e Skënderbeut
Thesare të çmuara, për kulturën dhe historinë shqiptare, ruhen edhe në fondin e dorëshkrimeve, në Arkivin Historik Shtetëror Kroat, në Zagreb. Dorëshkrimet janë të fushave të ndryshme. Për disa nga këto dorëshkrime me saktësi përcaktohet viti i shkrimit të tyre dhe autori, por, për fat të keq, për pjesën dërrmuese nuk mund ta themi një gjë të tillë. E veçanta e këtyre dorëshkrimeve është, se të gjitha janë në gjendje të shkëlqyer duke i shpëtuar “dhëmbit” të kohës. Deri sot, askush nga studiuesit, qoftë kroat, shqiptarë apo të huaj, nuk kanë bërë një studim apo botim të veçantë për këto dorëshkrime. Këtu ruhen tekste të një volumi jashtëzakonisht të gjerë, p.sh. histori të gjata, por edhe nga ato më të shkurtëra që janë përmbledhese; ka përmbledhje këngësh popullore, aty nga fundi i shekullit të XVIII-të, pastaj përkthime të pjesshme të kronikave dhe dorëshkrimeve që tashmë janë të zhdukura; fragmente librash të rrallë, etj. I tillë është dorëshkrimi që mban titullin: “Pisma od Szlavnog Naroda Szlavinzkoga na diku Ungarzke i Arvanezke Gospode iz Kronika od Mudrih vam zibrane kak szlide”. Ky dorëshkrim nuk e ka të shënuar vitin dhe autorin. Por nga titulli dhe përmbajtja, kuptojmë se është fjala, për një përshkrim të një dorëshkrimi shumë më të vjetër, që i kushtohej Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Gjurmët e kronikës për të cilën bëhet fjalë, nuk gjenden askund! Ky dorëshkrim, konsiderohet kopje e bërë nga shekulli i XVII-të. Dorëshkrimi nuk është i faqosur. Edhe pas shumë konsultimesh me kolegët kroatë, specialistë të paleografisë dhe diplomatikës, nuk kemi arritur të përcaktojmë vitin dhe autorin e këtij dorëshkrimi. Në të njëjtin fond, ruhet edhe dorëshkrimi me titull: “Notizie e stemata degli famiglie Albanesi. Miscellanea” (Shënime dhe emblema të familjeve shqiptare. Përmbledhje varjetetesh. Edhe ky dorëshkrim, është kopje nga një dorëshkrimi më i vjetër. Kopja mund të datohet në fillim të shekullit të XVII-të. Gjithsej ka 298 fletë. Faqosja është vetëm recto. Për Skënderbeun dhe stemën e tij, bëhet fjalë në faqet 23-97. Fillimisht përshkruhet origjina e Kastriotëve, që është shumë e ngjashme me atë të Historisë së M. Barletit, pastaj jepet një trung gjenealogjik si dhe në fund stema tashmë e njohur e Skënderbeut nga dorëshkrimi i P. R. Vitezoviqit! Përveç këtyre dorëshkrimeve, në fondin e dorëshkrimeve të Milan Shuflaj, në një kuti të veçantë, ruhet përshkrime të dokumenteve origjinale për Skënderbeun, nga disa arkiva e biblioteka të Evropës. Dokumentet janë në gjuhën latine dhe spanjolle. Kësaj kutie i mungojnë dokumentet, që M. Shuflaj ia kishte huazuar Jovan Radoniqit, e ky i fundit i kishte botuar në monografinë e tij kushtuar Skënderbeut me titull: “Ðurað Kastriot Skenderbeg i Arbania u XV veku” (Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Arbëria në shekullin e pesëmbëdhjetë).
Dorëshkrime të pabotuara në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Zagrebit
Është fondi i librit të rrallë i Bibliotekës Kombëtare Universitare në Zagreb, që ruan më shumë se dhjetë dorëshkrime mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut. Përveç shkrimeve të tjera, në këtë fond ruhen edhe disa krijime letrare si drama, tragjedi, poema, poezi, etj. Të gjitha këto dorëshkrime janë të inventarizuara dhe pa vështirësi mund të shfrytëzohen nga studiuesit. Kryesisht janë të shkruara në gjuhën latine dhe kroate, por ka edhe në gjuhën hungareze, gjermane dhe italiane. Dorëshkrim me vlerë të veçantë është ai i Gjuro Feriqit, me titull: “Georgi Scanderbegi duella cum Alia Scythico ac Persis...” i cili ruhet në signaturën: R. 3424 [Signatura e mëparshme: SM. 32. A. 17]. Dorëshkimi është nga fundi i shek. të XVIII-të. Ka gjithsej 76 fletë. Është i shkruar në gjuhën latine, por nga vetë autori, pra në autograf, është i përkthyer edhe në gjuhën kroate. Ky dorëshkrim është një poemë e gjatë prej 1.740 vargjesh. Autori ka shfrytëzuar si burim Historinë e Barletit dhe atë A. K. Mioshiqit. Signatura R. 3617, ruan një variant të panjohur deri tashi të “Razgovora ugodnoga naroda slovinskoga”, me auotr Andria Kaçiq - Mioshiqin. Dorëshkrimi është në autograf. Autori i është rikthyer disa herë, ngase në margina të fletëve, ka shënime të shumta, burimesh, citimesh dhe emrash autorësh e tituj librash që autori i ka shfrytëzuar për të shkruar veprën e tij. Dorëshkrimi për Skënderbeun me titull: “Szedam piszam /od Jure Castioticha/” është shënuar në f. 16r-41r. Si duket, ky dorëshkrim, ka qenë themel për të shkruar veprën e tij të njohur “Razgovora ugodnoga naroda slovinskoga”, e cila është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, por në një varinat që rrënjësisht ndryshon nga ky dorëshkrim, i cili ka një vlerë të madhe, sepse në vetvete ruan ide, debate dhe një formulim të posaçëm për figurën psikologjike të Skënderbeut, që në tekstin e botuar nuk e gjejmë. Në vazhdim, në signaturën: R. 4046, ruhet dorëshkrimi në autograf i dramaturgut të njohur kroat me origjinë gjermane, Matija Juro Shporerit, me titull: “Juro Kastriotiæ. Xaloigra u 5 uskazah”. Shporeri tekstin e ka përfunduar në vitin 1839. Teksti ka 13 faqe, format i madh i shkruar me shkrim të imët dhe shumë të ngjeshur. Është e njohur se Shporeri ka shkruar më vonë një tragjedi për Skënderbeun dhe një tjetër për mbretëreshën Teutë. Ky dorëshkrim, mesa duket është pararendës për të dy tragjeditë e mëvonshme. Është i shkruar në gjuhën kroate dhe lexohet lehtë.
Dorëshkrime nga Biblioteka Shkencore e Dubrovnikut
Biblioteka Shkencore e Dubrovnikut, krahas Arkivit Shtetëror Historik Kroat të Dubrovnikut, Bibliotekës dhe Arkivit të Vëllezërve të Vegjël [Male Braæe], Bibliotekës dhe Arkivit të Domenikanëve, Jezuitëve... etj, ruan shumë dorëshkrime me vlera të veçanta për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilat deri me sot nuk janë botuar. Në fonde të ndryshme, nga autorë të njohur, por edhe anonimë, janë ruajtur një numër i konsideruar dorëshkrimesh nga shekuj të ndryshëm, vlera e të cilave është tepër e çmuar. I një rëndësie të veçantë për fushën e albanologjisë, është dorëshkrimi i Françesko Maria Apendinit, nga gjysma e parë e shekullit të XIX-të, që mban titullin: “Shënime mbi shqiptarët, gjuhën e tyre si dhe një gramatikë për gjuhën shqipe me një fjalorth të vogël, krahasuar me gjuhën italiane”. Ky dorëshkrim ka 4 fletë dhe ruhet në signaturën: Rkp. 608/1-11; int. 8; pjesërisht është në gjuhën italiane dhe shqipe. Ky dorëshkrim është një sprovë për një gramatikë dhe një fjalor në gjuhën shqipe. Është tepër interesant momenti që e shtyn studiuesin dhe historianin F. M. Apendini për të vepruar në këtë drejtim. Dorëshkrimi është autograf, në gjendje të mirë dhe lexohet pa vështirësi. Ka format in folio. Një dorëshkrim tjetër është ai i një autori anonim, po nga gjysma e parë e shekullit të XIX-të, që mban titullin: “Studim nga burime të ndryshme për qytetin Sebast në Shqipëri, që llogaritet si vendlindje e Shën Vllahut, Shenjtit mbrojtës të Dubrovnikut”. Dorëshkrimi ka 14 fletë dhe ruhet në signaturën: Rkp. 613/1-13, int. 11; i tëri është në gjuhën italiane. Një ide e tillë është tepër interesante ngase, për herë të parë kemi një të dhënë të tillë, ku shenjti mbrojtës i Dubrovnikut, na paraqitet me origjinë shqiptare. Të dhënat biografike dhe studimet e shumta për Shën Vllahun, lejojnë një hipotezë të tillë, e cila mbetet për t’u verifikuar dhe dokumentuar nga burime të ndryshme, qofshin ato kronika, anale, dokumente apo dorëshkrime të tjera të cilat ruhen në arkiva dhe biblioteka të shumta të Dubrovnikut. Dorëshkrimi ka format in folio. Dorëshkrimi në vazhdim është ai i konsulit gjeneral françez në Shkodër: Marco Bruere. Është autograf dhe daton para vitit 1814. Dorëshkrimi ka gjithsej 16 fletë dhe ruhet në signaturën: Rkp. 821, i tëri është në gjuhën italiane. Ky dorëshkrim tregon interesin dhe vazhdimësinë e konsujve francezë në tokat shqiptare. Me një stil të hollë, me një simbolizëm të fortë dhe gjuhë të matur, autori paraqet popullin shqiptar si shumë të virtytshëm, me tradita dhe kulturë të lashtë, por shumë luftarak për të drejtat dhe liritë e tij. Mesa duket, autori është tepër i ndikuar nga ngjarjet e vrullshme dhe të bujshme në qytetin dhe rrethinën e Shkodrës, kështu që lehtësisht mund të kapet një simpati e veçantë për popullin shqiptar dhe qytetin e Shkodrës.