Speciale
Halit Bogaj: Jevrem Bërkoviq dhe miqësia e tij ndaj shqiptarëve
E diele, 13.06.2010, 06:58 PM
JEVREM BËRKOVIQ DHE MIQËSIA E TIJ NDAJ SHQIPTARËVE
Nga Halit Bogaj
Populli shqiptar gjatë historisë së tij shekullore asnjëherë nuk i ka harruar miqtë e tij të vërtetë , në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Jevrem Bërkoviq, me emrin e të cilit është e lidhur lufta e pandërprerë për Pavarësinë e Malit të zi dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për t’i treguar botës se çka bëhej ndaj shqiptarëve të pambrojtur.Duke luftuar parreshtur për popullin e vetë të robëruar, ai e dinte dhe ishte i bindur se do të vinte një ditë e re në të cilën do të jetonin të gjithë të lirë.
Të shkruhet për poetin malazias Jevrem Bërkoviq, sëpari duhet theksuar se ai i përket plejadës së shkrimtarëve të mëdhenj internaconalistë që u përpoqën deri në fund që të mos binin nën ndikimin e regjimit kolonial serb i cili kishte ngritur kokë në mënyrën më të tërbuar dhe nuk kishte të ndalur në të gjitha viset e ish Jugosllavisëtë ..Jevrem Bërkoviq e kishte hetuar në fillim se në ç’drejtim ishte nisur ai regjim i çmendur,ndaj kishte vendosur që me forcën e tij të pashterrshme shpirtërore të bëhej njëri ndër mbrojtësit më të mëdhenj të autoktonisë dhe shtetësisë malazeze , duke luftuar me mish e shpirt që ta shpëtonte atë që ishte arritur në atdheun e tij të nëpërkëmbur të cilin satrapi ballkanik e kishte emërtuar ‘’Si syrin e dytë në kokën serbe’’, duke u përpjekur që ta shtrinte ndikimin nga Trigllavi deri në Gjevgjeli dhe nga Horgoshi deri në kufi me Shqipërinë. Bërkoviq ishte i rrezikuar nga bandat çetnike dhe një kohë iku në Slloveni dhe më vonë mori azil në Shqipëri, duke e ndjerë veten të sigurtë tek miqtë e tij shqiptarë, ngase kishte besim të madh te populli ynë i lashtë dhe te besa jonë tradicionale, aq më tepër ngase ai e vajtonte fatin tonë sikur të ishte i tij..Këtë nuk ia kemi harruar asnjëherë, prandaj ka mbetur përherë në zemrat tona si një njeri i pastër shpirtërisht i cili ndjente dhembje për njerëzit liridashës që vuanin nga kthetrat e okupimit të egër serb.Bërkoviq ishte nisur në një rrugë të drejtë,ngase Mali i zi ishte çveshur totalisht nga shtetësia të cilën e kishte fituar para Serbisë nga Turqia.Poeti skofiar nuk mund ta duronte rrënimin e shtetësisë nga satelitët serbë, ndaj edhe klithte me forcë të madhe për t’u ngritur populli nga letargjia në të cilën kishte rënë. I kujtojmë ato ditë dhe i kemi të freskëta shumë ngjarje që kishin të bënin me revoltën e tij të akumuluar dhe të zbrazur përmes artikujve antologjik që thirrnin botën për ta parë të vërtetën e hidhur. I kujtojmë shkrimet e shumta që evokonin krenarinë e dikurshme kombëtare malaziase e cila kishte rënë në fund të pusit, duke u shkaktuar nga çetnikët e brendshëm dhe të jashtëm që ia fusin flakën atdheut të tij dhe rrënonin çdo gjë përparimtare që ishte arritur me mundime të mëdha nga paraardhësit e tij.I mbajmë mend ditët dhe çastet kur me dhunë u mor dhe u zhduk pavarësia e Malit të zi !Po na duket se po i shohim kostiqët, qosiqët, bullatoviqët dhe –içët e tjerë me revole në duar, duke ua drejtuar njerëzve ‘’mitingxhinj’’që të frikësuar nga plumbat t’i lexonin referatet e shkruara në kryeqendrën e krimit serb.I kujtojmë dhe kurrë nuk i harrojmë ato çaste vendimtare dhe fytyrat e njerëzve të rrezikuar që duhej të lexonin çka u ishte servuar me dhunë për të lexuar!Pra regjimi i egër serb ishte bërë një uragan që fshinte gjithëçka që gjente përpara, duke sjellur ujin vetëm në mullirin e vetë nacinalist.Ndaj as Bërkoviq nuk mund t’i duronte të gjitha ato lëvizje të shpejta regresive që bëheshin në kurriz të popullit të tij nga Dukla e moçme që nuk kishte asnjë afërsi me serbët e ardhur nga stepat ruse.Humansti dhe atdhetari i shquar Bërkoviq kishte qenë dhjetra herë në Kosovë dhe e kishte përjetuar me hidhërim fatin tonë të pafat, duke krijuar miqësi të përjetshme me shkrimtarët dhe njerëzit tanë të cilët e kuptonin personalitetin e tij madhështor njerëzor dhe përpjekjet e tij të përhershme për liritë dhe të drejtat njerëzore, duke hyrë këtu edhe dëshira për pavarësinë e Kosovës së cilës do t’i gëzohej pa masë.Ai kishte bërë shumë që të mbetej i ndryer në shpirtin tonë dhe sa herë që fliste apo shkruante për ne, atë e bënte me admirim dhe respekt të madh, ndaj edhe ne kemi mbetur përherë të lidhur me këtë njeri aq të sinqertë i cili ka dhënë provime të shumta në një drejtim të caktuar dhe të paluhatshëm.
Por ajo që më shtyri më së tepërmi që të shkruaj për këtë njeri të ndritur dhe të pamposhtur ,është edhe shkrimi i tij kushtuar altruistit tjetër malazias me emrin Radovan Zogoviq i cili jetoi në vitet ’30-ta në Kosovë dhe i mbrojti me mish e shpirt shqiptarët nga shpërngulja masive për në Turqi. Ai u bë i njohur me veprën e tij antologjike’’Këngët e Ali Binakut’’të cilën në ato vite e kishte përkthyer kolosi Esad Mekuli. Radovan Zogoviq, ashtu si edhe Jevrem Bërkoviq në ditët tona, nuk mund të pajtohej në asnjë mënyrë me Golgotën që ia bënte shqiptarëve regjimi mbretëror i Jugosllavisë së paraluftës së Dytë botërore .Prandaj duke qenë dëshmitar i drejtëpërdrejtë i asaj kohe të paduruar për ne, Radovan Zogoviq krijoi këngët e tij më të bukura kushtuar popullit tonë dhe gjendjes sonë të mjeruar në të cilën ishim të katandisur.Ngriste zërin shumë lartë kundër padrejtësive të ashpra dhe çmendurisë së një regjimi autoritar që ishte drejtuar kundër një populli të tërë, të cilën disa dekada më vonë u përpoq ta aplikonte edhe psikopati Millosheviq, aq më keq, duke qenë i udhëhequr nga ideologët e sëmurë akademikë të vendit të tij të cilët na kishin dëmtuar shumë herë gjatë historisë sonë të përgjakshme.
Pra titulli i shkrimit të Jevrem Bërkoviqit kushtuar Radovan Zogoviqit ishte’’Kujtesë mbi këngët e Ali Binakut’’dhe nëntitulli’’Drama kosovare e përjetuar nga poeti malazias’’.Mëtej Bërkoviq na njohton se Radovan Zogoviq/autori i këngëve/ gjatë jetës së tij , që nga fëmijëria , e kishte konsideruar veten sikur të ishte shqiptar, ngase ishte rritur, burrëruar dhe krijar si njeri në mesin tonë.Prandaj duke mos qenë i ngarkuar me ide dhe pikëpamje të sëmuara nacionaliste dhe duke qenë i angazhuar në mënyrë reale për të drejtat tona të shkelura, ai mbeti përherë në zemrat dhe kujtimet tona.
Ja si e përshkruan Jevrem Bërkoviq Radovan Zogoviqin:’’ Populli malazias e ka pasur fatin të kishte vjershëtarin e madh, që nga Njegoshi e deri më sot më të madhin, Radovan Zogoviqin, ardhacakun dukagjinas, kosovarin sipas fëmijërisë dhe rritjes, i cili si malazias ardhacak, ndjeu qenien dhe shpirtin e tokës dukagjinase dhe rrënjët shqiptare të ngulitura thellë në atë tokë kosovare. Radovan Zogoviqi si askush tjetër e ndjeu, e përjetoi dhe e jetoi dramën shqiptare kosovare, të shkaktuar nga ardhja e kolonëve dhe vendosja e tyre në Kosovë e Dukagjin! Njeriu dhe vjershëtari Radovan Zogoviq e përjetoi dramën kosovare edhe si dramë të vërtetë malaziase. Nga ardhacaku, koloni, u shndërrua në dëshmitar i cili i pari, edhe si vjershëtar, edhe si njeri, edhe si komunist, edhe si malazias dëshmoi ç’janë ata që në Kosovë sollën ardhacakët dhe i popullzuan në tokën shqiptare denbabaden, dhe vetë Ardhacakët, ç’kanë bërë nga qenia dhe etnosi i popullit shqiptar në Kosovë, ç’kanë bërë nga prona e tyre, zotërimet, bagëtia, fara dhe trashëgimia. Malaziasi Radovan Zogoviq si vjershëtar malazias është mishëruar me Ali Binakun e moshuar, simbolin i shqiptarisë kosovare dhe në emër të tij dhe të vetin foli, mund të thuhet, në eposin e parë modern të poezisë malaziase ‘’Ardhësit – këngët e Ali Binakut’’. Kjo vepër grandioze poetike është shkruar, siç thotë vetë vjershëtari “në vitin 1937, si protestë ezopiane kundër politikës serbomadhe, të diskriminimit, shtypjes, shpronësimit dhe shfarosjes së shqiptarëve në Dukagjin dhe Kosovë”.
Nga dhembja e madhe ndaj shqiptarit të vuajtur të asaj kohe, Zogoviq krijon vargjet e paharruara:’’Shtrëngoji dhëmbët e mos qaj;/ He burr’ Ibish, mbaje mend se kush je dhe i kujt je!/Poeti Radovan Zogoviq në vend të Ali Binakut të urtë thotë: / Nganjëherë është më burrërore dhe më e urtë/ Rrugët të lëvrohen, se sa arat dukagjinase./
Duke i analizuar poezitë e Zogoviqit, Bërkoviq shprehet:’’Se shqiptarët ishin të tij, ashtu si edhe të Ali Binakut’’, ngase kishte jetuar dhe ishte rritur me ta, duke e ndarë të mirën dhe të keqen së bashku dhe duke na treguar se një ditë nga Kosova do të shkojnë ata që kishin ardhur si kolonë në tokën tonë, ashtu siç kishte ndodhur dikur edhe me tri mbretëri tjera, të cilat i ilustron si vijon:’’ Nëpër hullitë e këtyre arave, dhe rrudhave të këtyre viseve kaluan Shemsi-pashët, Savë Batarët, Todor-bashët tanë, sejmenët, krillashët, xhandarët, qysqijashët, bajraktarët, kamatnikët e mitnikët, belaqarët, noterët… kanë qenë tre mbretër, të cilët kishin ardhur për të mos shkuar, të cilët tërhiqnin topat në shtatë kufij e shtatë rrugë dhe na godisnin me zjarr, e na godisnin me acar për të na ngrirë, dhe na shkundnin si pemën, e na qethnin si delen.Tre mbretër, të cilët kishin ardhur për të mos shkuar, Dhe shkuan, u thyen si vegshat. Andaj, Ibish mos qaj, andaj mos belbëzo po trimërohu, Mbaj mend cili je dhe i kujt je!’’.
Mëtej Bërkoviq shton:’’ Radovan Zogoviq, sipas dëshirës së tij të prerë para vdekjes, është varrosur në ato varreza të vogla të Deçanit. Edhe i vdekur është kthyer në Kosovë, mes pasardhësve të Ali Binakut! Varrezat e poetëve janë shenjëtare që u takojnë të gjithëve. Radovan Zogoviq i takoi Kosovës shqiptare sa edhe Malit të Zi. Le të bëhen varri i tij dhe vëllamërimi im dhe i Podrimës, ato lidhje që kurrë nuk do të shpërbëhen, që me kohë do të rriten nga dashuria e njëshme në atë popullore! Poeti i Ali Binakut një ditë, e ajo ditë tashmë është këtu, do ta ketë rrugën me emrin e tij në Pejë, në Gjakovë ose në Prishtinë’’ dhe vërtet sot në Prishtinë një rrugë mban emrin e tij të nderuar dhe të merituar.