E merkure, 01.05.2024, 03:08 AM (GMT+1)

Speciale

Besim Muhadri: Hasi - Arterje kryesore e luftës së UÇK-së

E marte, 01.06.2010, 10:00 PM


HASI – ARTERJE KRYESORE E LUFTËS SË UÇK-së

 

Shkruan: Mr. Besim MUHADRI

 

Organizimi i luftës në Has

 

Pra, fillimi i luftës në Kosovë, përkatësisht në Drenicë, në atë kohë pati një jehonë të gjerë. Që me fillimin e krismave të para të lirisë dhe të vetëflijimitë të Adem Jasharit me familje u krijuan rrethana të reja, ndërsa në vetëdijen e shumë njerëzve filloi të trokasë kushtrimi i luftës për liri. Mijëra të rinj, por edhe njerëz të të gjitha moshave dhe gjinive anekënd Kosovës, filluan ta kuptojnë apo këtë e kishin kuptuar edhe më herët se e vetmja zgjidhje për të fituar lirinë e atdheut ishte lufta kundër pushtuesëve serbo-malazez.  Pas atij kushtrimi të krismave të Adem Jasharit dhe të luftëtarëve të tjerë, në marsin e vitit 1998, por edhe më herët, mijëra njerëz, mijëra të rinj shqiptarë ia mësyen kufirit Kosovë-Shqipëri, në mënyrë që të armatoseshin dhe të ktheheshin në Kosovë për të luftuar kundër armikut, i cili posedonte armatim të sofistikuar dhe kishte përqëndruar forca të shumta ushtarake e policore. Por, tashmë kushtrimi ishte dhënë dhe lufta ishte ndezur. Nuk kishte më kohë për pritje dhe parullat për durim dhe shpresë se “problemi i Kosovës mund të zgjidhej vetëm në mënyrë paqësore” tashmë ishin shterrur dhe, madje, dukeshin të demoduara. Të gjitha rrugët për Shqipëri shpienin shtigjeve të Pashtrikut dhe bjeshkëve të Nemuna, shtigje këto që në vete ngërthenin shumë rreziqe, shumë sakrifica, shumë vështirësi, por edhe shumë shpresa dhe ëndrra lavdie.

Krahinës së  Hasit, kësaj krahine të ndarë në disa pjesë administrative, por të ndarë edhe me kufirin gllabërues, i cili me vite të tëra kishte marrë jetëra njerëzish dhe ishte shndërruar në një metaforë tmerri dhe hijenë vdekjeje, i takonte njëra ndër barrët më të rënda: Ajo e sigurimit të shtigjeve dhe koridoreve më të sigurta për dërgimin e bijve më të mirë të atdheut për furnizim, por edhe për përgatitjet ushtarake që bëheshin në Shqipëri.

Dhe fillimmarsi i vitit 1998, apo më mirë të themi fundmarsi i atij viti, në Has shënon kthesa të rëndësishme dhe vendimtare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila tashmë ishte bërë një realitet i pakontestueshëm dhe kishte shuar hamendjet e njerëzve dhe dërdëllitjet e tyre rreth asaj se a ka apo nuk ka UÇK. Pse e themi këtë? E themi, sepse pikërisht në fund të marsit të vitit historik të Kosovës (1998), kur tashmë kishte filluar lufta e lavdishme për liri dhe pavarësi, e ëndërruar dhe  e projektuar në mendjet dhe shpirtrat e shumë brezave të shqiptarëve të robëruar të kësaj pjese të atdheut, në Has filluan të ndryshojnë gjërat. Edhe këtu filloi një fazë e re. Ndonëse kishte kohë që edhe këtu kishte filluar të ndodhte diçka e rëndësishme, por megjithatë shumë njerëz këtë ende nuk e dinin se lufta në Kosovë tashmë kishte filluar dhe një realitet i tillë tashmë nuk donte filozofi dhe koment.

Ndërkaq, prilli i vitit 1998, tashmë ishtë bërë një muaj i ndryshimeve dhe i zhvillimeve të mëdha. Lufta në Kosovë kishte marrë përmasa të mëdha dhe pothuajse ishte shtrirë në të gjitha pjesët e Kosovës. Përveç Drenicës, që ishte bërë një sinonim i kushtrimit të luftës për liri dhe çlirim nga zgjedha e okupatorit, tani luftohej edhe në Dukagjin. Gllogjani, Jabllanica (Shqiponja) dhe Smolica ishin bërë po ashtu sinonime të luftës dhe të qëndresës sonë për liri. Atje tani luftohej dhe ditë për ditë shtoheshin radhët e luftëtarëve të lirisë. Po ashtu edhe Drenoci i Zatriqit kishte marrë epitetin e folesë së qëndresës. Ndërsa këto vende ishin shndërruar në vatra të luftës, por edhe të përgatitjeve të fuqishme të luftëtarëve, Hasi ishte shndërruar në një sinonim tjetër: në një pjesë shumë të rëndësishme strategjike, ngase nëpër këtë territor ishte krijuar një korridor shumë i sigurtë për bartjen e armatimit dhe e futjes së qindra luftëtarëve të lirisë, të cilët vinin, por edhe shkonin në Shqipëri për t’u furnizuar me armatim, korridor i cili nuk u mbyll asnjëherë gjatë tërë luftës në Kosovë.

Mirëpo, Hasi dhe hasjanët nuk qëndruan duarkryq, apo nuk bënë sehir vetëm duke pritur e përcjellur ushtarë të lirisë që vinin nga zona të tjera të Kosovës, qoftë për të shkuar në Shqipëri për armatim, qoftë për t’u shëruar në spitalet e Shqipërisë. Hasi nuk mbeti vetëm si një vend pritës dhe përcjellës i ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së. Sado që thuhej se ishte dhënë urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në teritorin e Hasit të mos zbrazej as edhe një plumb i vetëm në drejtim të forcave armike që ishin koncentruar në kufi me Shqipërinë, sepse, siç thuhej, kjo do të ndikonte në mbylljen e korridorit shumë të rëndësishëm të bartjes dhe të futjes së armatimit nga Shqipëria në Kosovë, megjithatë hasjanët nuk qëndruan duarkryq. Mënjehërë pas rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, në Has u themeluan celulat e para të UÇK-së. Po ashtu në të gjitha fshatrat e Hasit u themeluan Shtabet Lokale të UÇK-së, të cilat shtabe komandoheshin nga Shtabi Regjional i  emërtuar “Njëmijëshi”, që ishte themeluar kah fundi i muajit mars të vitit 1998. Ishte një shtab i konsoliduar dhe i organizuar shumë mirë, i cili përveç punëve organizative që bënte në sigurimin e territorit, ai kishte edhe planet operative. Në kuadër të këtij Shtabi u kryen shumë aksione, u bënë shumë punë të cilat ishin në të mirë të luftës për liri, ndërkaq Hasi u shndërrua në arterjen kryesore të armatimin dhe të furnizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e së cilës vazhdonte në çdo cep të vendit. Se Hasi dhe hasjanët nuk ishin vetëm për të siguruar korridor, apo vetëm për të pritur e përcjellur ushtarë dhe komandantë të UÇK-së, këtë e dëshmon edhe rënia në altarin e lirisë të shumë bijve hasjanë. Këtë e dëshmon edhe rënia e heroike e dy dëshmorëve të parë hasjanë në fillim të luftës: Ajo e Din Kolecit dhe e Haxhi Hotit, “Lleshit”, të cilët ranë në malet e Pashtrikut më 2 dhe 8 qershor të vitit 1998. Ata nuk ranë duke siguruar territor e korridore. As nuk ranë duke pritur e përcjellur, apo duke shtruar sofra buke për ushtarët e lirisë, por ata ranë duke i prirë rreshtave të gjatë të luftëtarëve të UÇK-së. Kjo tregon më së miri për punën dhe angazhimin e hasjanëve në luftë për liri dhe çlirim të vendit.

Por dëshira dhe vullneti i burrave hasjanë ishte që të kishin edhe Brigadën e vet. Dhe ky vullnet dhe kjo dëshirë u realizua në mes të muajit shkurt të vitit 1999, ndërkaq, për shkak të rrethanave të përmendura, funksionimi dhe operativiteti i saj duhej të bëhej në Nagavc të Përdrinisë. Komandant i brigadës, e cila u pagëzua “Brigada 126”, e më vonë edhe “Hasi” u zgjodh Safet Gashi, ndërsa kryeshef i Brigadës. z. Qazim Muhadri. Po ashtu Brigada kishte edhe strukturën tjetër organizative. Gjatë kohës së funksionimit të saj si brigadë, djemtë hasjanë u shquan për guxim, trimëri dhe profesionizëm. Për shkak të rrethanave të krijuara pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, më 24 mars të vitit 1999, Brigada 126 u tërhoq nga Nagavci i Përdrinisë dhe kaloi në malet e Pashtrikut, përkatësisht në fshatin Cahan të Hasit të Shqipërisë.

 

BRIGADA 126 “HASI” DHE OPERACIONI “SHIGJETA” NË PASHTRIK

 

Me vendosjen e Brigadës 126 në Cahan dhe me detyrat me të cilat ajo ishte ngarkuar, ishte i njoftuar edhe SHP i UÇK-së. Menjëherë fillojnë ushtrimet dhe përgatitja e ushtarëve për në vijat e frontit, i cili shpërtheu me 9 prill në Koshare, vetëm tri ditë pas vendosjes së kësaj brigade në Cahan. Kah mesi i prillit ushtarët e kësaj brigade fillojnë vëzhgimin e kufirit dhe tentimet e para për thyerje të tij. Në ndërkohë nga brigada 126 një tog prej 24 ushtarësh dërgohet për ndihmë në Koshare, ku i bashkohen shokëve në Brigadën “138 Agim Ramadani”.

Përpjekjet e ushtarëve të Brigadës 126, e cila mori edhe shtesën “Hasi”, për të depërtuar në brendi të Kosovës ishin të vazhdueshme. Më 8 maj të vitit 1999 nga ushtarët e kësaj brigade, tek të cilët tashmë ekzistonte një disiplinë dhe frymë e lartë ushtarake dhe luftarake, realizohet thyerja e gurëve, përkatësisht e piramidave kufitare dhe depërtimi i ushtarëve të kësaj Brigade deri të Livadhet e Dëshmorëve. Thyerja e kufirit u bë pa ndonjë ballafaqim me ushtarët serbë, të cilët u detyruan të tërhiqen prapa disa kilometra. Se ushtarët e brigadës 126, që ndodheshin në Cahan dhe në pikën e Majes së Pashtrikut mund të hynin brenda kufirit pa ndonjë problem të madh, ndërsa ballafaqimi i tyre me ushtarët serbë do të kalohej pa ndonjë vështirësi të madhe, këtë

 

e tregon edhe vrasja e dy ushtarëve serbë kah fundi i prillit, provë e cila u kalua pa kundërpergjigje të serbëve. Një sukses i tillë i ushtarëve të kësaj brigade ishte edhe rezultat i punës së përkushtueshme të eprorëve të brigadës, por edhe epërsia e ushtarëve të Brigadës 126 në njohjen pëllëmbë për pëllmbë të terrenit.

Për përgatitjet dhe sukseset e brigadës 126 “Hasi” që operonte në Cahan dhe në pikat e Pashtrikut, ishte njoftuar edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i cili tashmë kishte fituar besimin te ushtarët dhe eprorët e kësaj brigade. Tashmë ishin kryer të gjitha përgatitjet që, ashtu si në Koshare, edhe në Pashtrik të fillonte Operacioni “Shigjeta”. Rolin e udhëheqjes së këtij operacioni të rendësishëm e kishte për nderë ta merrte Brigada 126 “Hasi”, ushtarët e së cilës ishin në gjendje gadishmërie për çdo moment. Njohës të mirë të terrenit ku duhej të zhvillohej beteja, por edhe të përgatitur fizikisht dhe moralisht, ushtarët e kësaj brigade tashmë ishin në dijeni se oepracioni do të fillonte së shpejti. Qindra ushtarë vinin me kamionë e mjete të tjera në Cahan, disa të tjerë shkonin në Vlahnë e Nikoliq, pika këto nga të cilat duhej të fillonte operacioni, një operacion mjaft i vështirë, por shumë i rëndësishëm, i cili do të përfshinte një vijë të frontit mbi 20 kilometra.

“Kjo e martë na çeli në Nikoliq, një fshat mu në rrëzë të bjeshkëve të kufirit. Në gjendjen e alarmit më të lartë. Në gadishmëri luftarake. Ushtarët që kanë përvojë nga frontet e Kosovës, janë fare pak të shqetësuar. Ne, që nuk kemi përvojë luftarake, jo vetëm që jemi të shqetësuar, por kemi ngapak edhe frikë. Është më shumë njëlloj frike nga pritja”. Kështu shkruan në mes tjerash në librin e tij të përjetimeve dhe të dëshmive nga fronti i luftës në operacionin “Shigjeta”, ushtari i batalionit “ATLANTIKU”, Uk Lushi, i cili kishte ardhur nga Amerika e largët për të luftuar për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Është një rrëfim sa i sinqertë, aq edhe real i një luftëtari, që tregon për një kohë dhe një moment të rëndësishëm të luftës për liri. Janë ndoshta vetëm pak orë para fillimit të sulmit të ushtarëve të UÇK-së mbi pozicionet serbe në Pashtrik. Dhe Uk Lushi, ushtari  dhe kronisti i batalionit “Atlantiku”, të cilin e udhëhiqte Hysni Syla, rrëfen për ato momente, sa që ua kujton ato edhe një herë ushtarëve të tjerë që morën pjesë në atë operacion. Por ushtari dhe kronisti i luftës Uk Lushi, ndoshta pa qëllim, sepse ai mund të ishte i painformuar për këtë, nuk tregon se në ato pozicione atje në Nikoliqin rrëzë bjeshkëve të kufirit, siç shprehet ai, ishin dhjetëra ushtarë të brigadës 126 “Hasi”, të cilët komandoheshin nga eprorët Ibrahim Çarri dhe Gani Shehu.

Ushtarët e batalionit “Atlantiku” kishin fluturuar nga Amerika e largët, duke lënë luksin dhe të gjitha të mirat që u sillte atje jeta, vetëm e vetëm që të vinin në këto vija të frontit, për t’iu bashkuar shokëve dhe vëllezërve të tyre. Operacioni “Shigjeta”, i filluar ditë më parë në Koshare po vazhdonte tani edhe në Pashtrik, ku morën pjesë mbi 2.000 ushtarë nga të gjitha viset shqiptare.

 

Fillimi i luftimeve në Pashtrik dhe roli i Brigadës 126 “Hasi”

 

26 maj i vitit 1999. Ishte në të gdhirë të kësaj dite. Ora 5,00. Tani lufta në Pashtrik kishte filluar. Ushtarët e brigadës 126 “Hasi” ishin shpërndarë prej Guruzhupit deri në Nikoliq. Në pjesën e Guruzhupit me ushtarët ishte vetë komandanti i brigadës Safet Gashi. Në Pashtrik, te Varri dhe Stanet e Vlahnës Nexhmedin Berisha. Në Nikoliq Ibrahim Çarri. Ishte një vijë fronti mbi 20 kilometra. Krahas djemëve hasjanë, të rreshtuar në Brigadën 126 “Hasi” ishin edhe brigadat 127 e 128 të komanduara nga Ruzhdi Saramati, një njësi ushtarake nga Burreli e komanduar nga Bilal Syla  si dhe qindra ushtarë të Batalionit “Atlantiku”, të komanduara nga Hysni Syla (Daja i Vogël). Gjuajtjet e artilerisë së brigadave të lartpërmendura nuk pushuan për disa orë rresht. “Mu në orën katër filluan gjëmime që nuk i kam dëgjuar kurrë. Qielli nisi të çahet. Natyra ka një fuqi që nuk krahasohet, mirëpo nuk di bubullimë apo vetëtimë që mund të krahasohet me këto buçitje të armëve. Artileria jonë, nga prapavija e dytë, filloi bombardimin e pozicioneve të armikut. Një bombardim që malet e Pashtrikut sigurisht s’e kanë parë dhe përjetuar kurrë. Aksioni nisi në të njëjtën minutë, përgjatë tërë vijës së frontit dhe nuk pati sekondë që nuk u dëgjuan shpërthime artilerike, që vinin nga afërsia dhe nga largësia. . . ”, shprehet në mes tjerash në kujtimet e tij kronisti Uk Lushi.

Në ditën e parë të sulmit nga ana e UÇK-së pati një të vrarë dhe tre të pla-gosur. Në mesin e të plagosurve ishte edhe Nexhmedin Berisha, pjesëtar i Brigadës 126 “Hasi” dhe njëherësh edhe ko-mandant në pikën luftarake te Varri i Pashtrikut dhe te Stanet e Vlahnës. Kjo plagosje ishte e treta e këtij djaloshi hasjan, trim, sypa-trembur dhe luftëtar i paepur, i cili që në ditët e para të fillimit të luftës nuk iu nda vijave të fronteve dhe aksioneve të cilat shpesh ia rrezikuan jetën, por gjithnjë arriti të sfidonte vdekjen që e pau shumë herë me sy. Andaj, edhe pas kësaj plagosje, që ishte një plagosje mjaft e rëndë në këmbë, ai nuk deshi të dëgjojë për plagët e marra dhe vetëm pas pak ditësh, ende pa u shëruar mirë, nga dëshira e madhe për të luftuar kundër armikut, doli nga spitali fushor i Krumës dhe u ngjit sërish në vijat e frontit. Krahas Nexhmedinit, ishin edhe dhjetëra djem te tjerë të Brigadës 126, por edhe të brigadave të tjera, që luftuan ashtu si i ka hije vetëm trimave, në sytë e të cilëve shkreptinin shkëndija lirie.

Luftimet në Pashtrik vazhduan deri më kapitullimin e plotë të forcave serbe më 9 qershor të vitit 1999.  Në betejën e Pashtrikut u vranë 13 ushtarë të UÇK-së, të cilët u varrosen në Krumë, Pashtrik dhe Kukës. Gjatë atyre ditëve u tregua një vendosmëri dhe trimëri e paparë e të gjithë ushtarëve, por edhe një angazhim vetëmohues i popullatës hasjane të Kosovës, që ishte strehuar në Krumë, të cilët me traktorët dhe mjetet e tjera të tyre natë e ditë ishin në shërbim të luftës për liri. Përveç tyre, një kontribut të madh dhanë edhe banorët e Hasit të Shqipërisë e në veçanti ata të Cahanit, të Nikoliqit, Vlahnës e të Dobrunës, të cilët përveç strehimit të popullsisë, ndihmuan edhe luftën dhe ushtarët e lirisë.

Se hasjanët ( të të dy anëve të kufirit) dhanë një kontribut të çmuar në luftën për liri, këtë e dëshmon edhe numri i dëshmorëve të rënë në luftën për liri dhe çlirim të Kosovës. Këta dëshmorë janë nga të dy anët e Hasit, mjerisht të ndarë, vepra e të cilëve do të kujtohet më pietet të lartë dhe do të shënohet më shkronja ta arta në historinë më të re të Kosovës dhe të Shqipërisë.



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora