E merkure, 01.05.2024, 02:11 AM (GMT+1)

Speciale

Xhemaledin Salihu: Presheva heshtazi po e humb rëndësinë e qendrës rajonale të krijuar në shekuj

E enjte, 03.06.2010, 09:58 PM


PRESHEVA  HESHTAZI  PO E HUMB RENDESINE E QENDRES RAJONALE TE KRIJUAR ME SHEKUJ

 

Shkruan: Xhemaledin Salihu

    

1. Presheva në Kohën e Vjetër

 

Presheva, në të kaluarën pati batica dhe zbatica përkah rëndësia e saj administrative, juridike dhe politike dhe territoriale, si qendër rajonale. Kohëve të fundit, ajo pa vullnetin e popullatës shqiptare, edhe më tepër po e humb rëndësinë e saj administrative, politike  rajonale.

Rajoni i Preshevës banohet nga popullata shumicë shqiptare dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorin e Dardanisë.

Dardania shtrihej në territorin e Kosovës së sotme, të Maqedonisë Veriperëndimore, të Serbisë Jugore dhe në një pjesë të Sanxhakut.

Lugina e Preshevës, sëbashku me Luginën e Shkupit , sipas gjeografit serb Jovan Cvijiq, paraqesin rëndësinë më të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan dhe shteti që mbikqyrë dhe sundon këto dy Lugina qeverisë krejt Ballkanin. Këtu qëndron edhe rëndësia e Luginës së Preshevës, e cila gjatë historisë dhe të kaluarës së saj ishte arenë e shumë betejave dhe luftërave për ta sunduar ate.

Ndërsa studiuesi serb Jovanoviq thotë se : Lugina e Moravës dhe Vardarit ishte program nacional që të jëtë një shtet dhe bosht i shtetit serb.

Hekurudha përgjatë Lumit Moravë dhe Vardar lidh jo vetëm shumë shtete, por edhe kontinente. Autostrada poashtu është me rëndësi të madhe. Kohëve të fundit aktualizohet edhe kanali përgjatë lumit Danub-Moravë-Vardar, për të cilin ishin të interesuar edhe më herët Amerikanët, Françezët, Anglezët.

Shumë studiuesë përmendin se në kohën Antike, Presheva ishte qytet me rrethinë, që shtrihej rrënzë kodrës, në perëndim, te kalaja e Qytetit, në të majtë të rrugës Preshevë-Gjilan, ndërsa vorrezat e po këtij qyteti shtriheshin në të djathtë të po kësaj rruge, duke filluar nga mullinjtë e Preshevës, te kisha. Për këtë ka të dhëna arkeologjike të shumta që janë gjetur në këto vendgjetje e që ruhen në Arkivin e Vranjës.

Në kohën e Mesjetës u rrënua Presheva e Vjetër dhe u ndërtua Presheva e sotme.

Rajonin e Preshevës e pushtuan Romakët, Bizanti, Serbët /1103/, Bizanti /1104/ dhe prap Serbët /1106/ shek. XII.

Në shekullin XIV dhe XV, Presheva ishte qendër e Famullisë, të disa Famullitarëve serbë.

Në shekullin XV /1402/ Presheva ishte qendër dhe seli rajoni i gjithë Moravicës. Njëherë gjykohej se Presheva dhe Moravica ishin dy rajoni, mirëpo më vonë erdhi përfundimi se ishte fjala për një rajon dhe se Presheva ishte qendër e këtij rajoni. Në mbështetje të kësaj përfundojmë se Presheva ishte qytet dhe qendër rajoni, si e argumenton Konstantin Filozofi, edhepse nuk kemi të dhëna dhe argumente të shkruara aq për atë kohë.

 

2. Presheva në Kohën e Turqisë

 

Dokumente të shkruara për Preshevën kemi më vitin 1349, 1354/55, 1379 dhe 1381 e më vonë. Për këto dokumente shkrova në shkrimin tim :Shkrime dhe udhëpërshkrime të vjetra për Preshevën.

Më 1455 Rajonin e Preshevës e pushtoi Turqia. Kështu në shekullin XV /viti 1489 dhe 1490/ Presheva ishte qendër e Vilajetit dhe mbajti funksionin e vendbanimit qytezë.

Në regjistrimet e shekullit XVI /më 1517 dhe 1570/ Presheva na paraqiten Nahi me Vranjën dhe qendër e Nahisë dhe Moravicës. Nahia e Preshevës dhe Moravicës ishin një. Nahitë, në atë kohë paraqitnin tërësinë administrative më të ulët, se Vilajeti, Sanxhaku dhe Kazaja. Kështu, në shekullin XVI dhe gjatë sundimit të Turqisë, Presheva në shumë  shkrime, harta, dokumente na paraqitet si Preshovë.

Poashtu në regjistrimet e shekullit XVI, për këtë rajon na paraqiten 3 emërtime : Preshevë, Moravë dhe Moravicë.

Po i përmendim vendbanimet që i përkasin Preshevës : Negoci, Mirasheci /vendbanim i zhdukur/, Janoshica /vendbanim i zhdukur/ dhe Tërrnava ; Moravës :Bugarina,Bukuroci, Bushtrani, Zhunica, Ilinca, Norça, Rahovica, Presheva, Lerani, Strezoci,  Cakanoci, Corrotica dhe Shoshaja ; Moravicës : Stançiqi, Rainca, Miratoci, Garja, Vaçka /vendbanim i zhdukur/, Valeva /vendbanim i zhdukur/.

Në favor të konkludimit se Presheva ishte qytezë e vërteton edhe fakti dhe dokumentet e shekullit XVI,atëherë kur Presheva ishte qendër zejtare, ekonomike dhe tregtare. Në atë kohë Presheva kishte 13 mulli, tregun dhe panagjyrin, që në rajon nuk kishte panagjyr pos Preshevës dhe Vranjës, që nga Leskoci deri në Kumanovë.

Me Kongresin e Berlinit themelohet Kazaja e Preshevës, në sanxhakun e Prishtinës dhe Vilajetin e Kosovës. Presheva ishte qendër e kazasë.Periudha prej 1878 deri më 1912 paraqet periudhën e prosperitetit të Preshevës si qendër e Kazasë.

Në këtë kohë, Kazaja e Preshevës kishte organizim administrativo-politik : kajmekamin /kryeshefin e rrethit/, Kuvendin e Kazasë /Meclis/, kryetarin /reis/ të Kuvendit/Këshillit/ dhe anëtarët. Ndërsa nga organet kishte : gjyqin, sektorin financiar, komisionin për regjistrim, sektorin e ofiqarisë, këshillin arsimor, filijallën e bankës bujqësore.

Në këtë kohë Presheva qytezë kishte 5 mahalla, 600 shtëpi, ndërsa Kazaja e Preshevës kishte 122 fshatra, 6.950 shtëpi me 42.245 banorë.

Studiuesi dhe udhëpërshkruesi Benedikt Kuripeshiqi, më 1530 Preshevën e quan qytet të bukur, ndërsa gjermani Han e quan “Dorf Preshevo” / fshat/.

 

3. Presheva në Kohën e Jugoslavisë së Vjetër

 

Më 1912, Preshevën e pushton ushtria serbe.

Me Ligjin e vitit 1913 Presheva i takon Qarkut të Kumanovës, të Banovinës së Vardarit, me qendër në Shkup. Kështu mbetet deri më vitin 1945.

Studiuesi J. Trifunoski, në librin e tij : Karadaku i Kumanovës dhe Preshevës shkruan se Presheva shpallet qytezë më vitin 1914, ndërsa nga viti 1918 është qendër e rrethit.

Më vitin 1913, Presheva kishte funkcionin e qytezës me 2.991 banorë.

Më vitin 1914, Presheva ishte qendër rrethi dhe kishte 9 komuna : Bilaçi, Bujanoci, Klenike, Zhunica, Levosoja, Novosela, Shajinca, Klinoci dhe qyteza Presheva.

                

4. Presheva në kohën e Jugosllavisë socialiste

 

Presheva në kohën e Jugosllavisë socialiste i takon rrethit të Bujanocit, Vranjës dhe Leskocit. Presheva e humb rëndësinë e saj qendër e rajonit qëllimisht, sepse popullata ishte shumicë shqiptare. Kështu, ajo mbeti komuna më e varfër,më e pazhvilluara dhe administrata e saj lokale dhe rajonale kalon në Bujanoc, Vranjë, Leskoc dhe së fundi në Vranjë. Kjo kohë njihet si kohë e uljes së rëndësisë së Preshevës si qendër rajonale.

Presheva, në janar të vitit 1945, në sallën e kinemasë së vjetër mbajti mbledhje, tubim sikur plebishitar me përfaqsuesit e të gjitha vendbanimeve të saja dhe aty këta u deklaruan që Presheva t’i bashkangjitet Serbisë.

Më 1946, organet partika të ish-Jugosllavisë e detyruan komitetin e Preshevës që të shkruajë kërkesë zyrtare dhe t’ i drejtohet KQ të PK të Jugosllavise se Presheva është deklaruar më 1945 për bashkangjitje Serbisë. Këtë vit, KQ i PKJ formon komisionin në përbërje : Hembrang, Doronjski dhe Radosavleviq, të cilët nuk zbresin në Preshevë, por mbeten në Vranjë dhe presin raportimin e anëtarit të Komitetit të Preshevës, i cili raporton se Presheva është deklaruar që t’i bashkangjitet Serbisë. Në emër tëKomisionit, Stevan Doronjski shkon në Shkup dhe në bisedë me Lazar Kolishevskin arrihet marrëveshja që Presheva të shkëputet nga Banovina e Vardarit, Maqedonisë dhe t’i bashkangjitet Serbisë. Kështu edhe ndodhi.

Me Ligjin mbi ndarjen administrative të Serbisë më 1947, Presheva e humb rrethin dhe rëndësinë rajonale dhe i takon rrethit të Bujanocit. Më këte edhe funkcionet administrative kalojnë në Bujanoc.

Presheva, më vitin 1952 elektrifikohet.

Presheva, me aktvendimin nr. 7345 të datës 01.08. 1956 shpallet qytet. Në këtë aktvendim thuhet : Presheva, në të cilën është selia e Këshillit popullor të Komunës, e cila para Luftës kishte status të qytezës dhe në të cilën deri më 1947 ishte selia e Këshillit Popullor të Rrethit shpallet për vendbanim që ka karakter të qytetit.

 

Presheva, edhepse shpallet qytet dhe kishte funkcionin e qendrës së rajonit më herët, në Jugosllavine socialiste i mirret funkcioni administrativ i rrethit dhe organet admnistrative dhe territoriale kalojne herë në Vranje e herë në Leskoc.Me Kushtetutën e fundit të Serbisë, shpallen qytete Beogradi, Novi Sadi..., ndërsa Presheva mbetet qytezë, sepse Presheva nuk i ploteson kushtet, kriteret dhe standardet e një qyteti.

 

Tashti Presheva i takon rrethit të Vranjës dhe ka humbur rëndësinë e qendrës rajonale, sepse thuajse përfaqsuesit e të gjitha institucioneve dhe organeve të Serbisë, por edhe delegacionet e huaja shumë rrallë zbresin në Preshevë. Rasti shumë i volitshëm që Presheva të mbetet qendër e Luginës së Preshevës u krijua pas viteve 1990, me pluralizmin shumëpartiak, sidomos me Referendumin e vitit 1992, kur popullata shqiptare u deklarua për :Autonomi territoriale politke me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Me Këshillin koordinues nuk u tregua ndonjë përparim i dukshëm, bindja ime e thellë se edhe me këshillin nacional do të jetë njësoj. Ndoshta rasti ishte tek Autonomia territoriale dhe politike dhe bashkangjitja e Luginës së Preshevës në proceset dhe lëvizjet gjithëkombëtare. I fundit propozimi i Kryetarit të Shqipërisë për planprograme dhe tekste mësimore të përbashkëta me Kosovën. Klasa politike e Luginës së Preshevës të kujtohet thellë çfarë hapa do të ndërmarrë më tutje, sepse shkruhet dhe flitet me të madhe për lobimin e serbëve tek kryetari Obama për ndarjen e Kosovës.

Të na çojnë përpara trendet e globalizmit botëror. 

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora